Të lutem, më shëro!


Jisu, çfarë tjetër të kërkoj më shumë preje teje, veç shërimit? Të lutem më çliro nga kjo sëmundje që po më torturon.
Jashtë dielli po shkëlqen, o Perëndi. Jeta po pulson. Ndërsa unë dergjem i rraskapitur nga ethet dhe dhimbjet, në pritje të shërimit. Po torturoj edhe familjen time. Ata mundohen shumë duke u kujdesur për mua në dobësinë time. Ata po paguajnë shtrenjtë. Janë hidhëruar nga sëmundja ime e vazhdueshme.
O Zot i gjithëpushtetshëm, largoje këtë sëmundje prej meje. Më rikthe rezistencën ndaj viruseve. Shtoja ilaçeve efektin shërues. Ndriçoje mjekun tim që diagnoza dhe trajtimi mjekësor që ai ndjek të jetë i saktë dhe i duhur.
O Krisht, më ngrih nga shtrati i sëmundjes, pas të cilit kam qenë i mbërthyer për kaq shumë kohë, si i gozhduar. Lehtësomi ethet. Më jep shëndet. Gjatë jetës sate në tokë ti shërove kaq shumë sëmundje kronike dhe serioze. Ti ece duke bërë punë të mira dhe duke shëruar. (Veprat e Ap. 10:38)

O Jisu, sa shpesh t’u desh të vrapoje, të rraskapisje trupin tënd për të shkuar tek të sëmurët dhe për t’i shëruar. Ndërsa unë kam nevojë vetëm për një fjalë hyjnore prej teje. Edhe ajo nuk është e nevojshme. Do të mjaftonte dëshira jote, se kur ti dëshiron, në të njëjtën sekondë unë do të shërohem. Eja tek unë, o Mjek i pashoq. Jepi fund sprovave të mia. Të lutem, më ndihmo, të përgjërohem.
Speaking to God Kryepiskopi i Amerikës, Dhimitri
Përktheu Maria MaRiela Bullari

No comments:

Post a Comment