O Zot, që di gjithçka, nuk mund të fshihem nga ti. Ti e di sesa më torturon sjellja ime. Unë nuk veproj mirë. Sjelljet e mia shfaqin luhatje të dëshpëruara. Unë shpesh kaloj nga një ekstrem në tjetrin. O Zot, kjo gjendje po më shtyp kaq shumë dhe shpesh shfaq anën time më të keqe. Marrëdhëniet e mia me njerëzit e tjerë nuk janë aspak të mira. Një herë bëhem tmerrësisht i vrazhdë dhe i pasjellshëm dhe herë të tjera bëhem më i sjellshëm seç duhet.
As familja ime nuk di si të sillet me mua, as si të përballet me mua. Edhe pse nuk dua unë jam një problem për ata.
Më ndihmo, o Jisu, shembull i përjetshëm, i përkryer dhe i papërsëritshëm i sjelljes. Më ndreq!
Mbill në zemrën time mirësjelljen e vërtetë. Një mirësjellje të qetë, të përshtatshme, të krishter, që nuk degjeneron në fjalë të ëmbla lajkatuese dhe në përulësi qesharake.
Kultivo tek unë respekt dhe dashuri për të tjerët, për kolegët në punë, shokët, të afërmit, të njohurit dhe të panjohurit, në mënyrë që të flas me ata ashtu siç duhet dhe pa i lënduar.
Më ushqe me vetëkontroll, që të kontrolloj veprimet, gjestet dhe fjalët e mia, të kontrolloj karakterin tim. Që të zbus inatin dhe shpërthimet, e të kaloj gjendjet e mia shpirtërore momentale.
Të lutem, o Zot, më mëso sjellje të mirë (Jakovi 3:13). Më udhëhiq në rrugën e duhur për t’u përmirësuar.
Qëndro përkrah meje, o Mësues dhe Udhëheqës i sjelljes së mirë. Dhe nëse gaboj në mënyrën si veproj, mos lejo që këto gabime të kthehen në provokime dhe goditje për vëllezërit, shokët dhe njerëzit e tjerë.
Speaking to God
Kryepiskopi i Amerikës, Dhimitri
Përktheu Maria MaRiela Bullari
No comments:
Post a Comment