Më mbaj të palëkundur në besim


Perëndia im, Perëndia im, mbaje të palëkundur besimin brenda meje. Ai po tronditet, po thyhet. Lëkundet. Dyshimi, kjo mashë e hekur, e shtyp mendjen time gjatë gjithë kohës. Kam frikë se do të më thyhet kafka në miliona copa.

O Perëndi i Madh, i pazbulueshëm, po shtypem në një kontraditë shumë dramatike. Ndërsa të lutem të më përkrahësh besimin tim, veproj në një vetëpërmbajtje tronditëse pa besim. A më dëgjon vallë? A je këtu? Ndoshta po i flas ajrit dhe askujt tjetër. Jam i tmerruar! Dyshimet e mia po ma brejnë zemrën. Mendja po e shuan flakën brenda meje. Perëndia im më bëj të fortë.Mos lejo dritën të shuhet. Si do të jetoj pa ty?
Oh! Sa shumë duar mëkatare mbjellin farat e mëdyshjes në zemrën time dhe e vënë në provë besimin tim.
Por mbi të gjitha, o Perëndi, më trondit dhimbja që komandon në miliona shpirtra. Pastaj me trondisin edhe pasionet e mia, nënnjerëzorja që fshihet në mua dhe që do të dëshironte që ti të mos ekzistoje.
Pushteti i shkencës, adhurimi i saj, dehja që ajo i shkakton mendjes, të gjitha këto trondisin muret e besimit tim. Zot, ma shto besimin (Luka 17:5). Nëse këtë e thanë apostujt kur të kishin pranë dhe mund të të shihnin fizikisht e të dëgjonin, çfarë mund të them unë; unë që jetoj në një botë të ngatërruar, o Perëndi, aty ku instiktet vrasin arsyen, mënyra e jetesës shkakton probleme mendore dhe idhujt e fshehin vizionin tonë për ty prej sytë tanë të lodhur?
Zot, besoj, ndihmo mosbesimin tim (Marku 9:24). Jisui im ma shto besimin. Shpërndaji retë e dyshimit. Ma largo mëdyshjen. Më jep një provë të pranisë sate. Më fol. Thyeje heshtjen. Më jep një shenjë, që shpirti im i shqetësuar të bindet e ta dijë se ti je aty. Vëri veshin zërit tim (Psalmi 129:2). Le të arrijë thirrja ime tek ti (Psalmi 101:2). Besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim.
Speking to God Kryepiskopi i Amerikës, Dhimitri

No comments:

Post a Comment