Kam etje për dritë


Zoti im, kam etje për dritë. Unë po të lyp dritë. Jam kaq i turbulluar e po eci në një mjegull aq të dendur, sa kam nevojë urgjente për ndriçimin tënd.
Mendimet e mia janë ngatërruar në mënyrë të pazgjidhshme. Ti e shikon sa lëmsh jam përbrenda. Ki mëshirë për mua.
O Zot, jam mësuar të jem kaq i padisiplinuar. Kam dëgjuar me aq kuriozitet, saqë kjo m'u kthye pothuajse në babëzi. Shpeshherë jam ndjerë kaq i magjepsur nga idetë moderne. Jam ndjerë i pafuqishëm ndaj sulmeve të pareshtura të ideologjive të ndryshme. Kam përjetuar vdekjet tragjike të idealeve të ndryshme që shpirti im ka përqafuar.

Tani, o Dritë e dëlirë, po qëndroj në muzgun e errët si një njeri i verbër. Po dridhem nga pasiguria ime. Nuk e di më se ku do të më drejtojë hapi tjetër imi, apo kur do të marrë fund përhumbja ime shpirtërore. Hapi sytë e mi. Ndriçoji sytë e mi (Psalmi 12:4), o Krisht. Ndiz brenda meje dritën e Shpirtit tënd, që të mund të shoh qartë dhe plotësisht.
Mos më moho Dritën tënde në rrugën e jetës sime. Më trego çfarë duhet të besoj. Vendos rregull në mendimet e mia. Me dritën tënde dëbo prej meje çdo gjë të gabuar, të keqe dhe të sëmurë në shpirtin tim. Me shkëlqimin e Të Vërtetës sate brumos vlerat dhe parimet e mia.
O Diell i Paperënduar, më trego çfarë duhet të bëj, si të jetoj, çfarë të dua, që kështu të jem gjithmonë nën rrezet e tua të shndritshme dhe të eci përherë në dritën e Fytyrës sate (Psalmi 88:16).
Të lutem, ndriço edhe mendjen time, që të kuptoj më mirë dhe të fitoj njohuri. Armatose mendjen time me qartësi mendimesh, rrit fuqinë e perceptimit dhe gjykimit dhe më forco kujtesën.
Më bëj një njeri të ndriçuar, dikë që do të përparoj vazhdimisht në edukim, në edukimin e vërtetë.
O Jisu, Drita e Përjetëshme e botës, shëno mbi ne dritën e Fytyrës sate (Psalmi 4:7) dhe lejo madhështinë e Hyjnisë sate të shkëlqejë në mendjen, zemrën dhe në dëshirat tona.
Speaking to God Kryepiskopi i Amerikës, Dhimitri

No comments:

Post a Comment