Transferimi dhe copëtimi i lipsaneve të shenjta:

Transferimi dhe copëtimi i lipsaneve të shenjta:

Në tre shekujt e parë të krishterët duke shfaqur respektin e tyre përkundrejt lipsaneve të shenjta i karakterizuan ato “më me vlerë se gurët e çmuar”, prandaj dhe bënin çdo përpjekje për t’u rënë në dorë nga duart e përndjekësve dhe në vazhdim ti vendosnin në një vend të përshtatshëm nga ku bëheshin dhe objekt nderimi.

U vu re se nuk kemi dëshmi në tre shekujt e parë nga ku të dukej se lipsanët e martirëve kishin fuqi të veçanta mbinatyrore për të kryer vepra mrekullibërëse. Të krishterët besonin se vetëm trupat e gjallë (në jetë) kishin një shumëllojshmëri fuqish të mbinatyrshme siç edhe në rastin e Shën Polikarpit kur trupi i tij nuk digjej nga zjarri. Për këtë të krishterët besonin edhe se fuqia që kishte martiri i gjallë ruhej dhe në lipsanin e tij, prandaj dhe besimtarët e Izmirit kishin dëshirë të merrnin lipsanin e martirit dhe të “kungonin” trupin e tij të shenjtë.

Para shekullit të katërt të krishterët nderonin lipsanet e martirëve, sepse i përkisnin personave Krishtmbajtës dhe hirmbajtës (Pnevmatofore). Mendimi se lipsanet e shenjta mbartin fuqi të mbinatyrshme dhe se me ato mund të kryhen mrekulli, bëhet më tepër i dukshëm në shekullin e katërt.



Duhet të theksojmë se këto mendime si p.sh., lipsanet e shenjta janë mbajtës fuqie të mbinatyrshme, nuk i kultivoi vetëm populli i thjeshtë, por dhe shumë Etër dhe Mësues të Kishës. Shën Vasili i Madh na mëson se “Ai që prek kockat e martirit merr prej shenjtërisë që gjendet në trupin e tij të hirshëm”. Ndërsa Shën Joan Gojarti do të theksojë se, jo vetëm shpirti, por edhe trupi i martirit ka marrë me martirizimin e tij “ hir të bollshëm”. Shën Joan Gojarti i emërton lipsanet “Dhurata të mëdha të Perëndisë dhe thesare të paçmuara, burim shërimesh shpirtërorë, pasuri thesaresh të paprishshme dhe lumenj hiresh”. Për më tepër Shën Grigori i Nisës do të na mësojë se të gjithë trupat e njerëzve përbëhen “ nga e njëjta mbrujtje”, por trupi i martirit “ nëpërmjet marterizimit i mbushur me hir bëhet i lavdëruar”.

Gjatë transferimit të martirëve në një vend tjetër dhe në copëtimin e tyre të parë, kishte si fillim mendime rezistuese. Përfundimisht, u fuqizuan ato mendime që lejonin dhe transferimin dhe copëtimin e lipsaneve. Për moscopëtimin e tyre mbizotëronte mendimi që vinte si shkak i bindjes në ngjalljen e trupit. Besimi i popullit, i cili nuk lejon të ngacmohet i vdekuri në varr u detyrua të tërhiqet nga dëshira në rritje e më shumë për filaktotë kristiane ( hajmali të krishtera).

E Drejta Romake në lidhje me të shenjtat ndaloi hapjen e varreve dhe kjo përbënte pengesë për lartësimin (ngritjen) e lipsaneve.
Përfundimisht, nuk funksionuan urdhërimet. Në Romë dhe në Selanik nuk u bë copëtimi i lipsaneve. Veçanërisht për lipsanin e Shën Dhimitrit, Librat e Mrekullive referojnë se Perandorët Justiniani I dhe Mavriqi kërkuan të marrin pjesë të lipsaneve të Shën Dhimitrit për t’i transferuar në Konstandinopojë. Megjithëse kjo kërkesë ishte frut i shpresëtarisë kundrejt martirit, dhe Selanikasit e pranuan ta përmbushnin atë “ me himne, me lambadha dhe temjan.”, por u penguan nga shenjtori. Stavraki duke interpretuar këtë dëshirë të perandorit në engomio, këngë që i thurr Shën Dhimitrit, thotë se perandori besonte se Perandoria ishte e sigurtë në qoftë se midis lipsaneve të shenjtorëve të ndryshëm kishte dhe një pjesë të lipsanit të Shën Dhimitrit. E njëjta gjë ekziston dhe në kërkesën e Mavriqit, por Selaniku duhej ta ruante lipsanin e shenjtit të pazhvarrosur për mbrojtjen e tij nga mësymjet e vazhdueshme të barbarëve.

Augustini i Hirshëm qorton murgjër që shisnin lipsanet e martirëve, gjë që do të thotë se bëhej copëtimi i tyre. Në Lindje u bë realitet në 354-n transferimi i lipsanit të martirit Vavila nga Antiokia në Dafni. Bëhet fjalë për transferimin e të gjithë trupit. Pak më vonë fillon me shtrirje të gjerë gjetja dhe lartësimi i kockave të martirëve. Ambrozi i Milanos, zbuloi trupat e Gjervasit, Protasiut, Nazariut dhe Kelsit dhe i transferoi në një tempull. Në Babiloni u gjendën varret e Shën Vitalit dhe Agrikolës. Kirilli i Aleksandrisë drejtoi një transferim të ngjashëm të lipsaneve të Kirit dhe Joanit nga Aleksandria në Minutidha në tempullin e Isidës. Këtu bëhet fjalë si dhe në rastin e Shën Vavilës për një përpjekje zëvendësimi të adhurimit idhujtar të Isidës dhe aty të Apolonit. Zbulimi më i famshëm i varrit të Martirit është ai i Shën Stefanit në Jerusalem të vitit 415.
Nderimi i lipsaneve të shenjta nuk ishte i larguar nga qëllimet e dobisë. Në vend të filaktove dhe të tjera lloje hajmalish, të cilat i karakterizonin të krishterët si mjete demoniake, ranë në sy avash-avash, filaktotë kristiane që kishin një fuqi ruajtëse, qoftë me bekim, qoftë me prekje. Përhapja e zakonit të filaktove u shtua akoma më shumë në të gjitha zonat. Më shtimin e numrit të besimtarëve rritej dhe zelli për paisjen me filakto. Filaktotë e krishtera përbëjnë rritje të shfaqjeve nderuese për lipsanet e shenjta.

Transferimi i martirëve të paprishur në kishat e qyteteve kishte jehonë të madhe. Disponimi i varrit të martirit me lipsane poshtë tryezës së shenjtë apo mbrapa saj, konsiderohej më e mira për tempullin. Asnjë nuk donte që t’i mungonin këto lipsane. Kështu, grupe njerëzish të cilët nuk kishin martirë të tyre kërkonin trupe martirësh nga grupe të tjera. Të njëjtën nevojë nuk e kishin marrë parasysh gjeneratat e mëparshme. Shumë vende të varrimit të martirëve nuk ruheshin në kujtesë. Dëshira e madhe për disponimin e lipsaneve ishte e mundur të realizohej me:

i) kërkimin e varreve të humbura
ii) me copëtimin e trupave të martirëve
iii) me hyrjen e tipeve krejt të reja të lipsaneve, d.m.th., lipsane me anë të prekjes

Një tjetër arsye bëri që të pranohej copëtimi i lipsaneve. Me kalimin e kohës mbizotëronte mendimi se në qoftë se një shenjt i vetëm mund që me ndërmjetimin e tij të kishte shumë sukses, atëherë shumë shenjtorë bashkë munden që të kenë sukses më të madh. Në këtë mënyrë, filluan të kenë dëshirën e pasjes së grupeve të shenjtorëve si p.sh., të 40 martirëve të Sebastisë, etj. Një prirje e tillë bëri të mundur mbledhjen e lipsaneve nga martirë të shumtë të cilët nuk bënin pjesë në ndonjë grupim të veçantë. Në këtë mënyrë u arritën edhe koleksione lipsanesh.

Perktheu: Thoma Shkira