... por duke mbajtur në krahët e mi djepin e Krishtit!


"Shoh një mister të ri dhe të mrekullueshëm"!
Në veshët e mi jehon kënga e barinjve që i bien fyellit, jo për melodi të lehtë, por duke kënduar me zë të lartë himnin qiellor!
Engjëjt këndojnë!
Kryeengjëj bashkojnë zërat e tyre në harmoni!
Keruvimet oshëtijnë lavdërimin e tyre të gëzueshëm!
Serafimet lartësojnë lavdinë e Tij!
Të gjithë bashkohen për të lavdëruar këtë festë të shenjtë, duke parë Hyjninë këtu ... në tokë dhe njeriun në qiell. Ai që është në të lartat,  tani, për shpëtimin tonë, banon këtu poshtë, dhe ne që ishim të përulur lartësohemi prej mëshirës hyjnore!

Sot Bethlehem i ngjan qiellit, duke dëgjuar prej yjeve këndimin e zërave engjëllore dhe, në vend të diellit , duke dëshmuar Lindjen e Diellit të Drejtësisë !
Mos pyet si  u krye kjo, sepse kur do Zoti, rendi i natyrës përmbyset. Sepse Ai dëshiroi, Ai ka fuqitë, Ai zbriti. Ai shpëtoi. Të gjitha gjërat lëvizin në bindje ndaj Zotit.
Sot Ai që është, u lind! Dhe Ai që është bëhet ajo që Ai nuk ishte! Sepse, ndërsa Ai ishte Perëndia, Ai u bë njeri - duke mos hequr dorë prej Hyjnores që është e Tij ...


Dhe kështu mbretërit kanë ardhur, dhe ata e kanë parë Mbretin qiellor që ka ardhur mbi tokë, duke mos sjell me vete engjëj, as kryeengjëj, as frone, as zotërime, as fuqira dhe as principata, por duke hapur një udhë të re dhe të vetme, Ai lindi prej barku të panjollë.
Megjithatë Ai nuk i ka braktisur engjëjt e Tij,  as nuk ua ka privuar atyre përkujdesjen e Tij, as nuk ndaloi së qenuri Perëndi për shkak të mishërimit të Tij.

Dhe ja vini re mbretër kanë ardhur, që t’i shërbejnë Udhëheqësit të Ushtrive të Qiellit;
Gra, që ta adhurojnë Atë, I Cili u lind prej një gruaje,  që t’i shndërrojë në gëzim dhimbjet e lindjes së një fëmije;
Virgjëresha, për Birin e Virgjëreshës…;
Foshnja, që ta adhurojnë Atë i Cili u bë fëmij i vogël, që prej gojës së të miturve të lavdërohet përsosmërisht;
Fëmijë, për Fëmijën që bëri martirë nëpërmjet tërbimit të Herodit;
Burra, për Atë që u bë djalë, I Cili mund të shërojë vuajtjet e shërbëtorëve të Tij;
Barinjtë, për Bariun e Mirë që dha jetën e vet për delet e Tij;
Priftërinj , për Atë, I Cili u bë Kryeprift sipas rendit të Melkisedekut;
Shërbëtorë, për Atë, I Cili mori Vetë  trajtë shërbëtori, dhe që Ai mund të bekojë shërbimin tonë me shpërblimin e lirisë (Filipianëve 2:7) ;
Peshkatarë, për Peshkuesin e njerëzimit;
Tagrambledhës, për Atë, I Cili mes tyre caktoi një ungjillor të zgjedhur;
Gra mëkatare, për Atë, I Cili lejoi këmbët e Tij të lahen me lotët e gruas penduar;

Të gjithë mëkatarët kanë ardhur për të parë Qengjin e Perëndisë që heq mëkatet e botës, që edhe unë të mund t’i përqafoj ata të gjithë së bashku!
Prandaj që atëherë të gjithë gëzohen, edhe unë dëshiroj të gëzohem!
Edhe unë dëshiroj të marr pjesë në vallen korale për të festuar të kremten! Por unë zgjedh pjesën time, jo duke i rënë harpës, as me muzikën e fyejve, as duke mbajtur pishtar, por duke mbajtur në krahët e mi djepin e Krishtit!

Sepse kjo është gjithë shpresa ime!
Kjo është jeta ime!
Ky është shpëtimi im!
Ky është fyelli dhe harpa ime!
Dhe duke mbajtur djepin e Tij, vij; dhe duke marrë prej fuqisë së tij dhuratën e të folurit, edhe unë, me engjëjt dhe barinjtë, këndoj:
" Lavdi Perëndisë në më të lartat! Paqe mbi dhé, dhe ndër njerëzit mirëdashje"!

Predikimi i Shën Joan Gojartit për Lindjen e Krishtit