Krishti e bëri këtë vetëm nga dashuria e pastër për ne
Për këtë arsye, Fjala e Perëndisë e patrup, e pakorruptueshme, dhe
jomateriale erdhi në botë. Në fakt, e parë ndryshe Ajo nuk ishte larguar
kurrë prej saj, sepse asnjë pjesë e krijesës
nuk ka qenë ndonjëherë e shkëputur nga Fjala, që ndërsa jeton në
bashkim me Atin, në të njëjtën kohë mbush gjithçka që ekziston.
Por këtë herë, Fjala erdhi në Tokë në një mënyrë të re, na u shfaq me
dashuri duke zbritur në nivelin tonë. Ai pa që raca e arsyeshme, ajo
njerëzore, e cila si edhe Ai shprehte mendjen e Atit, po humbiste në
mosqënie dhe vdekja po sundonte mbi të gjithë. Ai pa se prishja po e
mbante fort njeriun, ngaqë ky ishte ndëshkimi për paudhësitë e kryera.
Ai gjithashtu pa se as që mund të mendohej që ligji i Zotit të apelohej
në vend që të përmbushej. Ai pa se sa e padenjë ishte që gjërat që
kishte krijuar vetë po zhdukeshin, pa prirjen e përgjithshme për të
vdekur, pa sesi ligësia e pafund e njerëzve po grumbullohej kundër tyre.
Duke parë tërë këto, duke i ardhur keq për racën tonë, i mbushur me
dhembshuri për pamundësinë tonë, duke mos duruar që vdekja të ishte
padroni ynë dhe që të mos lejonte prishjen e krijesave të Tij, Ai mori
trup, një trup si i yni.
Këtë Ai nuk e bëri sepse dëshironte
thjesht të mishërohej ose të shfaqej, sepse Hyjninë e Tij madhështore Ai
mund t'a tregonte edhe në një mënyrë tjetër. Ai mori trup si i yni dhe
jo vetëm kaq, por u mishërua nga një virgjëreshë e panjollë dhe e
papërlyer, pa ndikimin e një ati njerëzor -u mishërua nga një trup i
kulluar, i paprishur nga një marrëdhënie njerëzore. Ai i Tërëfuqishmi,
Krijuesi i gjithçkaje, Ai vetë përgatiti këtë trup, si Tempullin e tij,
në një virgjëreshë dhe e quajti këtë trup të vetin, për ta përdorur si
mjet nëpërmjet të cilit Ai të njihej dhe në të cilin të jetonte.
Kështu Ai mori trup si trupi ynë, dhe ia dorëzoi atë vdekjes në emër të
tërë njerëzve, duke ditur se që të gjithë trupat janë të prirur drejt
prishjes së vdekjes, dhe këtë e bëri si një ofertë për Atin. Krishti e
bëri këtë vetëm nga dashuria e pastër për ne, në mënyrë që me vdekjen e
tij të vdesim të gjithë dhe që ligji i vdekjes të shfuqizohet, sepse
atëherë kur të përmbushej misioni që Ai ishte caktuar të kryente, vdekja
s'do të kishte më fuqi mbi njerëzit. Kjo u bë me qëllim që njeriu, i
cili kishte shkarë në prishje të kthehej në gjendjen e mosprishjes dhe
që me anë të dorëzimit të trupit të Tij dhe hirit të Ngjalljes, Krishti
t'u jepte jetë njerëzve përmes vdekjes së vet. Kështu Ai do të bënte që
vdekja të zhdukej plotësisht, ashtu siç digjet kashta në zjarr.
"Mishërimi i Fjalës" Shën Athanasi