Jemi ne shkaku që Ai mori trajtë njerëzore


Duhet të kuptoni se përse Fjala e Atit, kaq e madhërishme dhe e lartë, u shfaq në formë trupore. Ai nuk e mori formën trupore, sepse kjo ishte në natyrën e tij. Aspak! Përkundrazi, u shfaq në një trup njerëzor, për një arsye të vetme: për hir të dashurisë dhe mirësisë së Atit të Tij, për shpëtimin e tërë njerëzve.

Shkaku që Fjala zbriti në tokë ishte gjendja jonë e vajtueshme, ishin paudhësitë tona ato që nxorrën në pah dashurinë e Tij për ne, kështu duke rendur për të na ardhur në ndihmë, Ai u shfaq në mesin tonë.
Jemi ne shkaku që Ai mori trajtë njerëzore, ndaj për shpëtimin tonë, nga dashuria e tij e madhe Ai u lind dhe u shfaq në trup njerëzor.

Perëndia na ka bërë qenie me shpirt, të mishëruar në trup, dhe dëshonte që të qëndronim në gjendjen e Mosprishjes. Por njeriu, duke u larguar nga qëllimi i Perëndisë dhe duke u drejtuar me vullnetin e tij drejt së keqes, në mënyrë të pashmangshme bie nën sundimin e ligjit të vdekjes.
Në vend që të qëndrojë në pozitat në të cilat Perëndia e ka krijuar, njeriu futet ne proçesin e prishjes së plotë dhe si rrjedhojë vdekja ka tërësisht fuqi mbi të.
Shkelja e urdhëresave po e kthen njeriun edhe njëherë te natyra e tij, sepse siç ka ardhur fillimisht nga e mosqena në të qenët, tani përmes prishjes ai kthehet sërish në mosqenie.

Prania dhe dashuria e Fjalës e ka thirrur njeriun në Qenie, por në mënyrë të pashmangshme, kur njeriu humbi njohjen e Perëndisë, bashkë me të ai humbi edhe qenien e tij, sepse vetëm Perëndia ekziston, e keqja nuk është qenie, por vetëm mohimi dhe e kundërta e së Mirës. Sigurisht që nga natyra njeriu është i vdekshëm, sepse u krijua nga asgjëja, por ai mbart edhe ngjashmërinë e Atij Që Është dhe meqënëse ai e ruan këtë ngjashmëri dhe duke pasur njohurinë e Perëndisë, mund ta përballojë natyrën mëkatare dhe të qëndrojë në gjendjen e mosprishjes. Kështu pohohet në Shkrimin e Shenjtë: "Ruajtja e ligjeve të tij është siguri për Mosprishje”. Urtësia 6:18

"Mishërimi i Fjalës", Shën Athanasi