Pse lindet Jisu Krishti?


Pse lindet Jisu Krishti?

Pse lindet Jisu Krishti? - Lindet për shpëtimin e gjithë botës.
Dhe përsëri pyesim: Pse lindet Krishti? - Përgjigjemi në mënyrë analitike:

Lindet që të mundë:

E vërteta -  gënjeshtrën,
e mira - të keqen,
drejtësia -  padrejtësinë,
përulësia -  krenarinë,
paqja -  luftën,
dashuria -  frikën,
sakrifica - indiferentizmin,
gëzimi -  fatkeqësinë,
butësia -  zemërimin,
sinqeriteti - mosbesimin,
jeta -  vdekjen,
buzëqeshja -  lotin,
mirësia -  pandershmërinë,
mëshira - ashpërsinë,
njeridashja  -  zemërngurtësinë,
liria -  robërinë,
hiri - ligësinë,
bujaria -  lakminë,
fisnikëria - arrogancën,
shenjtëria - pabesinë,
mirënjohja - mosmirënjohjen,
Ngjallja -  mëkatin.


Në këto ditë të shenjta shumë njerëz do të blejnë mjaft dhurata për kënaqësinë e tyre dhe të personave të tyre të dashur.
Shumë do të blejnë:
ëmbëlsira, pa vizituar të sëmurë dhe të burgosur,
lodra, pa ndjerë gëzimin e fëmijës së vogël,
dhurata, pa dhuruar zemrën e tyre,
këpucë, pa i dhënë të varfrit,
tryeza, pa vështruar në tryezat e të uriturve,
karrige, pa vështruar se ku qëndrojnë të pastrehët,
batanije, pa mbuluar ata që flenë nëpër rrugica,
libra, pa vrapuar të ndihmojnë të pamësuarit,
ushqime, pa afruar shoqëri në vetminë e të moshuarve,
qirinj, pa falur armikun e tyre
ikona, pa pasur adhurim mallëngjyes,
zbukurime, pa zbukuruar shpirtin e tyre,
lule, pa u miqësuar midis tyre,
rroba të reja, pa rilindur shpirtin e tyre,
pemë Krishtlindjeje, pa ndjerë gëzim,
grazhd, pa ndjerë në zemrën e tyre lindjen e foshnjës Hyjnore,
shumë gjëra, pa humanizëm,
dhe të gjitha pasuritë e botës, pa fituar lumturi,
gjithçka, pa fituar qiellin.

Në mbrëmësoren e së kremtes së Krishtlindjeve do të psalim një tropar, me anë të cilit pyesim Zotin tonë:
"Çfarë të të afrojmë o Krisht, që për hirin tonë erdhe në tokë si njeri; Sepse çdo krijesë që u krijua nga Ty, Të afron falenderimin:
Engjëjt, Të afrojnë himnet.
Qiejtë, Të afrojnë Yllin.
Magët,  dhuratat.
Barinjtë, admirimin.
Toka, Të afron Shpellën.
Shkretëtira grazhdin.
Dhe ne të afrojmë Nënë Virgjëreshë, Hyjlindësen e Tërëshenjtë.
Perëndia ynë, që je i lindur para jetëve, mëshirona".

Çfarë mund të afrojmë me të vërtetë ne të padenjët dhe të pavlerët tek Perëndia?
Një herë shën Jeronimi shkoi tek grazhdi i Krishtit tonë në Betlehem, në prag të Krishtlindjeve dhe duke qarë bëri të njëjtën pyetje: Çfarë të të afroj Krishti im në këmbim të bamirësive të mëdha, që Ti ke bërë për mua? Dëgjoi zërin e Krishtit që i tha: Jeronim, dhurata më e mirë janë mëkatet e tua.
Zemrat tona të japim të gjithë ne në natën e Shenjtë  para grazhdit të Krishtit tonë. Kjo do të jetë dhurata më e madhe.
Në mëngjes në Liturgjinë e Krishtlindjeve do të dëgjojmë Ungjillin për adhurimin e magëve, të cilët do të pyesin: Ku është lidur mbreti i Judenjve? Ku ndodhet mbreti i lindur i Judenjve?
Le të merremi me këtë pyetje që të shohim ku ishte mbreti në 33 vjetët që jetoi midis nesh. Çfarë gjurmësh la që t'i ndjekim edhe ne?

Ku është mbreti ?
"Ku është mbreti i Judenjve që ka lindur?"(Mt. 2,2)

"Ku është mbreti?"
Në një shpellë jashtë Betlehemit.
Në stallën e kafshëve.
Në grazhdin e stallës.
Atje është mbreti i madh. Atje u lind. Atje në ngrohtësinë që krijonin frymëmarrjet e kafshëve. Atje e gjetën dhe e adhuruan barinjtë e atij vendi, pas ngjarjeve tronditëse të asaj nate. Atje barinjtë e thjeshtë "shkuan pra, me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin dhe fëmijën që ndodhej në një grazhd" (Lk.2,16).
"Ku është mbreti?"
Pas fundit të rregjistrimit që urdhëroi Qesari i Romës, kur u boshatisën shumë shtëpi nga njerëzit që erdhën për rregjistrim në Betlehem, Jesui u strehua në një banesë të thjeshtë. Atje e gjetën tre të urtët e Lindjes të drejtuar nga ylli i ndritshëm, i cili "u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija"(Mt. 2,9). Atje ndaloi ylli, pikërisht mbi banesën ku ndodhej mbreti i sapolindur. Atje të tre Magët iu falën dhe i afruan dhuratat e tyre shumë të çmuara: Flori si mbret. Livan si Perëndi. Miro si njeri. Si Perëndi-njeri, si mbret "i mbretërve dhe Zot i zotërve" (1 Tim 6,15).

"Ku është mbreti?"
Në Tempullin e Jeruzalemit, ku e sollën Josifi  dhe Maria, ashtu si e caktonte ligji i Mosiut. Atje ku u denjësua i drejti Simeon ta pranojë në krahët e tij dhe të thotë atë fjalë të famshme: "Tani o Zot lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe sipas fjalës sate" (Luk 2:29) Në të njëjtin tempull të Solomonit u gjend më vonë shumë herë Mbreti i ri.

"Ku është mbreti?"
Në një vend të largët, jashtë Judesë dhe Izraelit, në Egjipt. Mbreti i Judenjve, njeri i lig i egër, me cmirë, bishë, vrasës, që theri tre fëmijët e tij, dy ose tre gratë e tij vjehrrën e tij, foshnjat e Betlehemit e mijëra të tjerë, vendosi të therë dhe mbretin e ri mbarëbotëror. Por engjëlli i Zotit e lajmëroi Josifin: "Çohu merr fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt dhe ri aty derisa të të lajmëroj" (Mt 2:13)

"Ku është Mbreti?"
Në qytezën e Nazaretit, me 35 shtëpi. Atje "Fëmija rritej dhe forcohej në frymë, duke qënë plot dituri; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të" (Lk 2:40) Rritej dhe forcohej shpirtërisht mbushej me urtësi dhe hiri Perëndisë ishte mbi Të. Dhe nuk qëndronte pa punë në këto vite. Ai ushtronte punën e marangozit. Shën Justini thotë se në vitet e tij, 100 vjet pas Krishtit ruheshin në vendin e tij punime druri që i kishte bërë Krishti.

"Ku është mbreti?"
Pas Nazaretit në 30 vjetët e tij, Mbreti i qiellit dhe i gjithë tokës ishte pranë popullit dhe i mësoi mësimin e ri të dashurisë, të pendimit dhe të shpëtimit. Për plot 3 vjet me nxënësit e tij qarkulloi gjithë Galilenë me qendër Kapernaumin dhe qytete dhe vende të Judesë me qendër Jeruzalemin. Mësimi i Tij ishte aq  sa shkruajnë 4 ungjillorët në ungjijtë e tyre dhe shumë më tepër. Mësim, i cili hapte dëgjim shpirëror dhe vegim frymor, në mënyrë që njerëzit të pranojnë "mbretin e qiejve" me pendimin për jetën e tyre të mëparshme, jetën e padijes, të mashtrimit e të mëkatit. Ndërsa Ai thoshte këto gjëra shumë veta besuan në të.(Jn 8:30).

"Ku është mbreti?"
Pranë popullit që ndjen dhimbje. Pranë të sëmurëve, të cilët i shëroi pa dallim dhe gjithmonë me të njëjtën dashuri. Të verbër rishikonin, të paralizuar ecnin, të shurdhët tashmë dëgjojnë, memecët flasin, lebrozët shërohen, të demonizuarit shërohen nga pushteti demonëve, epileptikët gjenin shëndetin e tyre, të sëmurët me temperaturë të lartë ngriheshin pa temperaturë ashtu si vjehrra e apostull Pjetrit në Kapernaum. Dhe të gjitha këto u bënë vetëm me një fjalë të Jesuit.

"Ku është mbreti?"
Pranë njerëzve të dëshpëruar dhe që ndjejnë dhimbje nga vdekja e personave të tyre të dashur. Shkonte atje që t'i ngushëllonte ashtu si di Ai të ngushëllojë, shkoi tek shtëpia e Jairit, atje në zonat e Kapernaumit, sipas  kërkesës së tij. Shkoi duke marë me vete  tre nxënësit e tij Pjetrin, Jakovin dhe Joanin, dhe babanë dhe nënën e vajzës së vdekur e cila atëherë ishte 12 vjeç. Jisui iu thotë prindërve që qanin dhe vajtonin: "Mos qani nuk ka vdekur por po fle… dhe ai duke e mbajtur nga dora atë thirri duke thënë: bijë çohu" dhe kështu u bë. Asaj iu kthye fryma dhe u çua menjëherë. Prindërit e saj u gëzuan me vajzën e ngjallur.
Një herë tjetër shkoi tek një tjetër shpirt i vrarë. Tek vejusha e Naivit, pranë malit Tabor. Sapo e pa Jesui nënën të qajë për vdekjen e djalit të  vetëm  ndjeu dhimbje dhe e ngushëlloi duke i thënë asaj: "Mos qaj. Dhe duke afruar preku arkivolin dhe tha: djalosh unë të them çohu"( Lk 7:14). I riu u ngjall dhe atëherë u bë gëzim i madh. Në Vithani dy motrat Martha dhe Maria ishin zhytur në dhimbje për sëmundjen e rëndë të vëllait të tyre Lazar. Kush do t'i ngushëllojë? Dhe kush tjetër veç Jisuit? Por ai gjendej larg matanë lumit Jordan. Dërguan atëherë një njeri me porosi që t'i thotë Mësuesit: "Zot, ja ai që Ti e do shumë është i sëmurë"(Jn 11:3). Jisui erdhi në Vithani por ishte shumë vonë sepse Lazari kishte 4 ditë që kishte vdekur dhe ishte varrosur. Çfarë mund të bëhej tani? Si të ngushëlloheshin motrat e dëshpëruara? Miku i Lazarit mund t'i ngushëllonte. Jesui i ndjekur nga turma u nis për tek varri. Në një moment në rrugë "Jisui lotoi". Por kur arritën para varit dhe hoqën gurin, atëherë Biri i Perëndisë pas një lutje të shkurtër, "Thirri me zë të lartë, Lazar eja jashtë"(Jn 11:43). Dhe Lazari u ngjall dhe u kthye në shtëpinë e tij bashkë me motrat e tij të gëzuara.

"Ku është mbreti?"
Kudo është mbreti. Kudo dhe gjithmonë, pranë çdo njeriu që provohet në jetë. Dhe që të përdorim dhe fjalën e tij: është në fytyrën e çdo të urituri, sepse Ai vetë thotë "pata uri dhe më dhatë për të ngrënë" (Mt 25:35). Isha i uritur dhe ju më dhatë dhe unë hëngra. Do të jetë fjala që do të thotë ditën e gjyqit njeriut mëshirues, që i dha bukë ndonjë të urituri. Sepse këtë që bëjmë tek ndonjë është sikur ta bëjmë tek vetë Krishti. Ja, fjala e Tij: "sa herë ja keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël këtë ma bëtë mua"(Mt 25:40). Çdo lloj ndihme që  afrojmë tek çdo njeri i parëndësishëm, Krishti e konsideron si të afruar vet atij. Pra, çdo i uritur është Krishti. Çdo njeri ikonizon Krishtin. Pra, atje është Krishti, tek çdo njeri, në fytyrën e çdo të urituri.

* "Pata etje dhe më dhatë për të pirë"
Ky rast përmendet në vendet e Lindjes ku uji është i pakët. Kështu ishte një veprim i madh dashurie të japë dikush një gotë ujë të ftohë tek një kalimtar i etur. Diçka që në vendin tonë nuk ndodh përveç rasteve të veçanta. Por, ne të gjithë e njohim vuajtjen e etjes. Pra, duke dhënë ujë tek kalimtari i etur është si të japim ujë tek vetë Krishti, mbasi dhe i eturi është Krishti.

"Është në fytyrën e çdo të huaji"
* "I huaj isha dhe më pritët"
Kjo ka të bëjë me virtytin e mikpritjes. Një i huaj nga ndonjë fshat, qytet apo vend, që do të gjendet në vendin e banimit tuaj, duhet ta pranojmë dhe ta mikpresim. Dhe në fytyrën e tyre mikpresim vetë Krishtin.

Eshtë në fytyrën e çdo të zhveshuri.
* "I zhveshur isha dhe më veshët"
Vjen Krishti në jetën tonë dhe gjysëm i zhveshur ose i veshur me rrobe të varfra, pa veshjen e mjaftueshme dhe na kërkon një rrobë. Nëse është dimër na kërkon një pulovër, një pallto. Na kërkon ta veshim. Ne shohim një njeri dhe jo vetë Krishtin, por  në fytyrën e njeriut të zhveshur ikonizohet vetë Krishti.

Është në fytyrën e çdo të sëmuri.
* "Isha i sëmurë dhe më vizituat"
U sëmura dhe më vizituat. Spitalet dhe klinikat janë të mbushura me të sëmurë. Shumë janë të sëmurë në shtëpitë e tyre. Kush mendon për ta dhe kush i viziton? Një vizitë tek një i sëmurë është një përkrahje e madhe morale, sepse ne e forcojmë shumë moralin e tij dhe i japim gëzim. Kjo është gjë e madhe dhe ofertë shumë e lartë. Atë që bëjmë tek cilido i sëmurë është sikur ta bëjmë tek vetë Krishti.

Është në fytyrë e çdo të burgosuri.
* "Isha në burg dhe erdhët tek unë."
Madje dhe atje është Krishti, veçanërisht atje në fytyrat e të burgosurve. A nuk u bën përshtypje fjala e tij "Isha në burg….", akoma dhe në fytyrën e vrasësit? Po, dhe në fytyrën e vrasësit, po, të njeriut vrasës. Do të mundej të qortonte kusarët që u kryqëzuan bashkë me të në Golgotha, por nuk e bëri sepse dëshironte pendimin dhe shpëtimin e tyre. Dhe ja, ku një vrasës u penduar për të gjitha krimet që kishte kryer dhe ishte i pari që zuri vend brenda në Parajsë! Kjo duhet të na problematizojë të gjithëve, sepse Jesui vizitën në burg e konsideron si një predispozicion të shpëtimit tonë dhe shumë më tepër lirimin e një njeriu, që nuk ka mundësi ekonomike të paguajë dënimin e tij të vogël dhe të kthehet në shtëpinë e tij. Një dënim i vogël që shumë herë paguhet me një sasi të vogël lekësh. Atëherë është si të lirosh vetë Krishtin, ngaqë çdo i burgosur ikonizon fytyrën e Krishtit të pamëkatshëm.

"Ku është mbreti?"
Atje ku thamë. Në fytyrën e të varfrit, të uriturit, të huajit, të njeriut të zhveshur, të sëmurit, të burgosurit. Në fytyrën e të gjithë njerëzve. Le të mos harojmë kurrë atë që thamë më sipër: çdo njëri nga ne ikonizon Krishtin. Nëse këtë e jetojmë, atëherë shoqëria jonë do të bëhet parajsë. Atëherë asnjë nuk do të jetë i uritur, asnjë i etur, asnjë nuk do të jetë vetëm. Një do të interesohet për të gjithë dhe të gjithë për një. Atëherë do të vërtetohet fjala e apostull Pavlit: "Të gjithë jemi një në Jisu Krishtin"(Gal 3:28).
E vërteta -  çfarë madhështie!