Krishti lindi! Lavdërojeni Atë!


Krishti lindi! Lavdërojeni Atë!

Krishti lindi, lavdërojeni Atë!
Krishti vjen nga qielli, shkoni ta takoni!
Krishti është në tokë, lartësohuni!
Këndojini Zotit gjithë toka!
Le të gëzohen qiejtë dhe le të ngazëllohet toka!
Errësira është larguar dhe kudo është bërë dritë.
Njerëzit që qëndrojnë në errësirë, le të shikojnë dritën e madhe të Njohjes së Plotë. Ai që është pa trup është mishëruar.
Biri i Perëndisë bëhet Biri i njeriut. Jisu Krishti – i njëjtë dje dhe sot dhe përgjithmonë!


Le të flasim për festën, e cila është quajtur Lindja e Zotit dhe e Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Për këtë arsye ne po kremtojmë sot ardhjen e Perëndisë në njerëzim, që njerëzimi të mund të kthehet tek Perëndia. Le të zhveshim natyrën tonë të vjetër që të mund të veshim të renë. Le të vdesim me Adamin, që  të jetojmë në Krishtin. Le të lindim me Krishtin, gjithashtu të kryqëzohemi dhe të varrosemi me Të, që edhe të ngjallemi me Të, sepse Ai që është i pasur u bë i varfër.

Ai pranoi varfërinë e mishit tim, që unë mund të pranoj pasuritë e hyjnisë së Tij. Ai që është plot zbraz vetveten prej lavdisë së Tij, që unë mund të marr pjesë në plotësinë e Tij. Prandaj, le të kremtojmë festën, jo sipas mënyrës së festave pagane, por sipas mënyrës së Perëndisë. Ne që jemi adhurues të Fjalës së Perëndisë, le të meditojmë mbi Fjalën dhe mbi Ligjet e Tij si edhe mbi tregimet Biblike të cilat na tregojnë për festën e tanishme. Sa e pasur është mirësia e Tij!

Ç’është ky mister që ndodhet rreth meje?! Ai tani merr pjesë në mishin tim, që të mund të ruajë imazhin dhe ta bëjë të pavdekshëm mishin tim. Nëpërmjet mishërimit Ai na afron një bashkim të dytë, i cili është më i mrekullueshëm se bashkimi i Tij i parë me krijimin, sepse në krijim Ai na dha një pjesë të natyrës së Tij të mirë, ndërsa tani në Lindje Ai mori mbi Veten e tij natyrën tonë mëkatare.
Lindja është vepër Perëndie.
Ajo është shumë e lartë për sytë e kuptimit të të gjithë njerëzve.

Krishti lindi, ngazëllohuni o popuj!



Shën Grigor Theologu