A e njohim Krishtin kur vjen në ditën e sotme?


A e  njohim Krishtin, kur vjen në ditën e sotme?

Në këtë periudhë ne Orthodhoksët festojmë festën e madhe të Krishtlindjes, lindjen e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Ne i themi njëri – tjetrit: “Krishti lindi! Lavdërojeni Atë!” Çfarë dite e mrekullueshme për të cilën mund të mendojmë – ardhjen e vetë Perëndisë në tokë?  Shën Joan Teologu përpiqet ta përshkruajë këtë mister në ungjillin e tij:

“Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne dhe ne soditëm lavdinë e tij,
si lavdia e të Vetëmlindurit nga Ati, plot hir e të vërtetë”.
Shën Grigor Theologu e përshkruan ardhjen e Krishtit duke thënë:
“Ja Krishti lind, Lavdërojeni!
Krishti i qiellit vjen, dilni priteni.
Krishti mbi dhenë, ngrehuni.
Zotin, pra e këndoni lart e mbi dhe.
Le të gëzojnë qiejtë dhe le të dëfrejë toka.
Errësira u largua dhe erdhi drita.
Njerëzit që qëndrojnë në errësirë shohin dritën  e madhe të njohurisë së plotë.
Ai i cili është i pa trup, mishërohet.
Biri i Perëndisë bëhet i Biri i njeriut.
Jisu Krishti – i njëjti dje, sot dhe përjetë!”
Ardhja e Krishtit ishte pritja e gjatë për mbërritjen e Mesias, të Vajosurit, të Shpëtimtarit të botës. E gjithë Dhjata e Vjetër i referohet kësaj dite. Të gjithë profetët, burrat e drejtë dhe gratë e vjetra pritën për këtë moment në histori. Profeti i drejtë Simeon kur pa foshnjën Jisu që sapo kishte lindur tha:
“Tani, përlëshoje shërbëtorin tënd, o Zot sipas fjalës sate,
se sytë e mi panë shpëtimin tënd të cilin ti e përgatite faqe gjithë popujve,
dritë për shpëtimin e paganëve dhe për lavdi të popullit tënd Izrael”.

Perëndia ka ardhur tek ne! Megjithëse njerëzimi shpeshherë e ka mohuar Perëndinë, dhe është larguar nga rruga e tij, Perëndia ka patur mëshirë dhe i ka ardhur keq për ne. Meqenëse ne nuk mund të shkonim tek Ai, sepse mëkati dhe vdekja na bllokuan rrugën, Ai vendosi që të vijë vetë tek ne!

Po, Jisu Krishti lindi në një shpellë të vogël në Betlehem dhe ndryshoi rrjedhën e botës. Megjithatë, ne besimtarët duhet të kujtojmë se Krishti NUK erdhi në botë vetëm 2000 vjet më parë. Ai vjen edhe sot dhe kërkon sërish  të lindë në zemrën e çdo personi në tokë. Ai është sërish pranë nesh në mënyrë mistike dhe fizike. Le të mendojmë për këtë mrekulli, ardhjen e Krishtit dhe të meditojmë për kuptimin e saj për ne sot!

Së pari, Krishti vjen sërish në një mënyrë mistike. Para se të ngjitej në qiell, Krishti i premtoi dishepujve të tij: “Do të jem gjithmonë me ju, deri në mbarim të botës.”  
Ai gjithashtu tha: “Kur dy ose tre janë mbledhur në emrin tim, unë jam midis jush.” 
Perëndia është pranë nesh, duke  na pritur me durim, edhe pse ne mund ta injorojmë Atë. Megjithatë, Ai nuk dëshiron të hyjë në zemrat tona i paftuar.  “Ja, unë qëndroj tek dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe hap derën, do të hyjë tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua”. Lindja e Krishtit 2000 vjet më parë ishte vetëm fillimi. Ai tani dëshiron të lindë tek çdonjëri prej nesh, sërish dhe sërish. Ai dëshiron që ne ta mirëpresim dhe ta ftojmë Atë çdo ditë dhe t’i bëjmë zemrat tona banesa të tij.
Një mënyrë tjetër mistike, Krishti vjen tek ne sa herë që kryejmë Liturgjinë Hyjnore. Ndërsa prifti mban Trupin dhe Gjakun e çmuar të Zotit tonë dhe duke ia ofruar njerëzve thotë: “Me frikë Perëndie, besë dhe dashuri, afrohuni”. Krishti është tek buka dhe vera, gati që të frymëzojë shpritet tona me praninë e tij të gjithëpushtetshme.
Por, a e mirëpresim ne Atë?
A shkojmë në Kishë gjithmonë të përgatitur për çdo Liturgji Hyjnore që ta marrim Krishtin, ashtu si shën Maria dhe Jozefi e morën atë në Betlehem?
A e pranojmë Atë me gëzim, ashtu si barinjtë e pranuan me gëzim kur dëgjuan engjëjt që i lajmëruan lindjen e Shpëtimtarit?
“Me frikë Perëndie, me besë dhe dashuri, AFROHUNI”.
Le të kujtojmë se çdo Liturgji Hyjnore është festim i Krishtlindjes, ardhja e Krishtit. Çdo herë ai dëshiron që të lindet sërish në jetët tona.

Megjithatë, Krishti nuk është mes nesh vetëm në një mënyrë mistike. Ai është gjithashtu në mënyrë fizike, konkrete. Ne duhet thjesht të hapim sytë tanë dhe ta shohim.
Jisui tha:
“Unë jam i uritur, kërkoj ushqim, do të më jepni të ha?
Jam i vetmuar askush nuk më flet, a do të kalosh ti pak kohë me mua?
Unë jam i huaji që banon tek dera ngjitur, a do të më njohësh?
Unë jam lypësi në rrugë, a do të ndalosh të flasësh me mua?
Unë jam ai që po vdes në spital, a do të më vizitosh?
Jam i burgosuri i harruar nga shoqëria, do të më ndihmosh?”

A e kuptojmë vërtetë se njerëzit në nevojë që janë përreth nesh janë vetë Jisu Krishti?
Krishti afrohet tek ne në paraqitjen pikëlluese të të varftërve, por a njohim ne Atë?
Jisui tha se në Ditën e Gjykimit, ai do t’i thojë çdonjërit prej nesh; “Çfarë bëre për një nga këta më të vegjëlit, ma ke bërë mua”.
Gjatë Krishtlindjes ne nuk mund të nderojmë dhe lavdërojmë Krishtin në Kishë në mënyrë të duhur nëse e përbuzim atë në rrugë.
Ne nuk mund ta mirëpresim Krishtin në zemrën tonë nëpërmjet lutjeve, nëse nuk e mirëpresim në shtëpitë tona si njërin nga këtë njerëz në nevojë.
Madje le të vështrojmë dhe jashtë kishes, që të dallojmë Krishtin përreth nesh!
Krishti Lindi! Lavdërojeni Atë!
Po, që sot le të lavdërojmë në mënyrë të drejtë Krishtin e porsalindur duke e pranuar në zemrën dhe jetën tonë në një mënyrë mistike, po aq sa ta lavdërojmë Krishtin edhe në një mënyrë kokrete nëpërmjet njerëzve përreth nesh!

Atë Luka Veronis
(2003)