Ç’do të thotë Krishtlindje?


Ç’do të thotë Krishtlindje?

Ç’do të thotë Krishtlindje? Krishtlindje do të thotë shumë gjëra për shumë njerëz, por ç’do të thotë Krishtlindje për ty? Ç’do të thotë Krishtlindje për ne si të krishterë Orthodhoksë?

Krishtlindje do të thotë që “Fjala (Perëndia e përjetshëm) mori trup dhe banoi ndër ne. Plot hir e të vërtetë. (Jn.1.14) Ai e bëri këtë për të na treguar dashurinë e madhe që ka për ne.

Krishtlindje do të thotë që Emanueli ka ardhur, Perëndia nuk është një mekanizëm i papërcaktuar ose një superfuqi që përshkon universin nëpërmjet kontrollit prej së largu. Ai është  një Person, “Emanuel – Perëndia me ne”. Dhe ju do ta quani atë Jisu, sepse Ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre”. Perëndia është një Person i cili dëshiron të ndërtojë një lidhje personale me ty. Ai është një Person që mund t’i lutemi, një Person që kujdeset për ty, një Person që ka ruajtur për ty një vend në qiell.

Krishtlindje do të thotë që Perëndia ka vizituar popullin e Tij. Por fjala vizitoj nuk është e përshtatshme nëse ka kuptimin që Ai erdhi të kalojë disa vjet me ne dhe pastaj të na lërë sërish. Ai erdhi, jo thjesht të vizitojë, por të qëndrojë: “Ja, Unë jam me ju, gjithmonë, deri në fund të botës”. Me  ne në gëzimet tona, me ne në hidhërimet tona, me ne në jetë, me ne në vdekje. Ai erdhi në Betlehem. Ai vjen tani. Dhe Ai do të vijë në fund të kohërave për të gjykuar të gjallët e të vdekurit.


Krishtlindje do të thotë që “njerëzit që ecnin në errësirë panë një dritë të madhe”. Që tani e tutje ne ecim me guxim në luginën e errësirës, sepse ecim dorë për dore me Atë, i Cili është Drita e Botës.

Krishtlindje do të thotë që ne nuk duhet të jemi viktimat dhe të terrorizuarit e mëkateve të shkuara. Sepse dhurata e madhe e Perëndisë për ne në Krishtlindje është Një Shpëtimtar. Ai I Cili erdhi të zhduk mëkatet e së shkuarës. Perëndia dërgoi Birin e Tij, Krishtin, për të përqafuar gjithësinë dhe gjithçka në të. Në Krishtlindje ne përqafojmë Atë.

Krishtlindje do të thotë që Perëndia u kujdes aq shumë për të dhënë më të Mirën. “Sepse Perëndia aq e deshi botën, sa dha Birin e Tij të Vetëmlindurin, që të mos humbasë kushdo që t’i besojë Atij, po të ketë jetë të përjetshme”. (Jn 3.16)  Prandaj dhe shën Pavli shkruan: “Sepse ai që nuk kurseu Birin e Tij, po e dorëzoi për të gjithë ne, si nuk do të na i falë ne të gjitha bashkë me Atë?” (Rom 8.32)


Krishtlindje do të thotë që Perëndia erdhi ndër ne në Person. Ai nuk dërgoi një engjëll, ose një shenjtor, ose një profet. Ai vjen Vetë.
Një herë dikush i thotë Perëndisë:
Mos dërgo Moisiun, Zot, mos dërgo Moisiun!
Ai theu pllakat e gurit.
Mos dërgo Elian për mua, Zot! –
Ai zbriti zjarr nga qielli.
Mos dërgo Pavlin, Zot!
Ai është aq i mësuar saqë
Unë ndjehem si fëmijë i vogël kur lexoj letrat e tij.
O Zot,Jisu, eja vetë!
Nuk kam frikë nga Ty.
Ti i more fëmijët e vegjël
si dele të grigjës Tënde.
Ti fale gruan kurorëshkelëse,
Ti shërove gruan e ndrojtur,
që u fut mes turmës dhe të preku.
Ne nuk kemi frikë nga Ty,
Prandaj, eja Zot Jisu!


Dhe Ai erdhi!

Krishtlindje do të thotë që janë dy lindje të Krishtit: njëra në botë në Betlehem; tjera në shpirt kur rilindim shpirtërisht. Nëpërmjet Mistereve të shenjtë të Pagëzimit dhe Falënderimit hyjnor –Eukaristisë – Krishti lindet në Betlehemin e dytë, në zemrën dhe mendjen tonë, në shpirtin dhe trupin tonë. Ai që është Perëndia i parajetëve bëhet një foshnje e sapolindur, që ne të mund të kthehemi e të bëhemi foshnja për Të. Fjala e Perëndisë e Vetëmlindur, Njëri prej Trinisë, bëhet njëri, që njëriu nëpërmjet hyjnizimit të mund të bëhet “marrës i Natyrës Hyjnore”. Shpella e errët e bagëtive pa gojë në Betlehem u bë qiell dhe u mbush me dritën e gëzueshme dhe të pakrijuar të Hyjnisë. Krishti lindi që shpirtat tanë të errët të mbushen me dritë. Prandaj dhe ne e ftojmë Birin Hyjnor të Perëndisë të vijë e të banojë në ne kur lutemi me anë të lutjes para Kungimit: “…Por siç e ule veten së larti për ne, ule dhe tani në përuljen time. Dhe siç denjove të shtrihesh në shpellë dhe në grazhd të kafshëve, denjo të hysh dhe tani në grazhdin e shpirtit tim të paarsyeshëm dhe të trupit tim të njollosur…”.
Ai që lindi në Betlehemin e parë, duhet të vijë e të lindë në Betlehemin e dytë, - në shpirtin tënd dhe të timin!

Ç’e mirë është për mua
Nëse kjo lindje e përjetshme e Birit Hyjnor
zë vend gjithmonë, po nuk zë vend brenda meje?
Dhe ç’e mirë është për mua,
Nëse Maria është plot hir
Dhe unë nuk jam plot hir?
Ç’e mirë është për mua
Që Krijuesi të lindë Birin e Tij
Nëse unë nuk e lejojë atë të lindë te unë tani në kohën dhe kulturën time?
Prandaj, kjo është përmbushja e kohërave:
Kur Biri i Perëndisë ka lindur në ne.

Ka disa njerëz që e kanë të vështirë të besojnë në mrekullitë e Jisuit. Ata thonë: si mund të besojë dikush që Jisui eci mbi ujë, ose ushqeu 5 mijë njerëz, ose që lindi nga virgjëresha, ose që ngjalli të vdekurit dhe që vet Ai u ngjall së vdekurësh? Si mund t’i besojë dikush gjithë këto?

Por, vështirësia e vërtetë nuk ka të bëjë vetëm me mrekullitë. Ajo ka të bëjë me mesazhin e Krishtlindjes, me Mishërimin. Në fakt e vërteta është që Jisui i Nazaretit ishte dhe është Perëndia i bërë njëri, Personi i dytë i shën Trinisë, njëri i plotë dhe Hyjni i plotë. Nëse Jisui ishte i njëjti Person me Fjalën e përjetshme, nëpërmjet të Cilit u krijua bota, atëherë nuk është e çuditshme  - aspak e çuditshme – që Ai eci mbi ujë, lindi nga virgjëresha, dhe ngjalli të vdekurit. Nëse Ai ishte vërtet Biri i Perëndisë, do të jetë më e çuditshme dhe më befasuese nëse Ai do të vdiste dhe nuk do të ngjallej sërish! Ardhja e Perëndisë tek ne në Krishtlindje është në vetevete një mister i pazbulueshëm, por është një mister që i jep kuptim çdo gjëje tjetër që përmban Dhiata e Re. Sepse Ai që lindi nuk ishte një tjetër Sokrat, ose Platon, ose Aijnshtajn, por Biri i përjetshëm i Perëndisë. Nëse ti fillon duke mohuar që Jisui është Biri i Perëndisë, atëherë ti do të kesh problem me gjithçka që ka të bëjë me mrekullitë.

Ja se ç’do të thotë Krishtlindje për një të krishter të arsyeshëm:

Skena e grazhdit më tregon që Jisui është gati të vijë e të ecë me mua në këtë botë.
Ai njohu dhimbje, përbuzje dhe vuajtje në kohën e tij. Ai vuajti nga dhuna. Ndërsa ai vështron nga grazhdi ka të drejtë të më pyesë pse unë pres të jetojë në një botë të përsosur kur ai nuk jetoi kështu?
Nëse futem thellësisht në gjithë këtë, filloj të kuptoj që lavdia e Jisu Krishtit në jetën time është që Ai shpërndau errësirën time dhe më kërkon mua të ndaj dritën e tij.

Do ta mbyll këtë shkrim me fjalët e Karlote Adelsperger, në atë se ç’janë Krishtlindjet për të:

Krishtlindjet erdhën për mua,
kur lejova Jisuin të më mbështjellë me dashurinë e Perëndisë.

Krishtlindjet erdhën për mua,
Kur zbulova që jam pjesë e grigjës për të cilën Perëndia kujdeset,madje edhe natën.

Krishtlindjet erdhën për  mua,
Kur u gëzova, duke ditur që lajmi i gëzimit të madh të Krishtit ishte për të gjithë njerëzit,
dhe unë jam një përcjellës i këtij lajmi.

Krishtlindjet erdhën për mua,
Kur dashuria dhe urtësia e Tij
më mësuan t’ju shërbejë të tjerëve,
dhe ky shërbim i ofrohet vet Atij
si ari, temjani dhe miro ime.

Gëzim në botë! Zoti ka ardhur!




Atë Anthony M. Coniaris