Udhëtim nëpë vite
Në 16 shtator 1957 u inaugurua Universiteti i Tiranës. Në vitin 1967 Qyteti Studenti numëronte 6 Fakultete ku studionin rreth 300 studentë. Qyteti Studenti zgjerohet edhe më shumë në vitet ’80-’90 si rezultat i shtimit të numrit të studentëve të cilët studionin në 7 fakultete. Vitet e fundit u shtua numri i fakulteteve dhe numri i studentëve ka arritur në 7000.
I ndërtuar gjatë kohës së regjimit komunist kuptohet që Qytetit Studenti asnjëherë nuk i ka ofruar mundësinë studentëve të njohin Besimin Orthodhoks. Besimin që vet Apostulli i Krishtit, Shën Pavli e solli deri në vendin tonë.
Shumë shpejt pas hapjes së Kishave, që prej 1994 Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka treguar interes të veçantë për studentët. Atë Luka Veronis, misionar nga Amerika, ishte nismëtari i cili grumbullonte studentët dhe diskutonte me ta për besimin e krishterë dhe thesaret e pafund që gjenden në të. Takimet e para zhvilloheshin nëpër dhomat e studentëve. Shumë shpejt u pa e domosdoshme marrja me qera e një salle e cila do të ishte në shërbim të studentëve dhe aktiviteteve që do të organizoheshin për ta. Kjo u bë e mundur në 1995 kur pranë Kinoklubit të Qytetit Studenti (qendër e zhvillimit të aktiviteteve për studentët) u mor me qera një sallë e vogël.
Tashmë nuk organizoheshin vetëm takime në grupe të vogla, por takime në të cilat merrnin pjesë më shumë së 60 studentë, Liturgji Hyjnore një herë në javë dhe aktivitete të tjera, si konferenca, ekskursione dhe vizita baritore. Një kontribut të çmuar në organizimin e punës me studentët kanë dhënë studentët e Akademisë Theologjike së bashku me studentët e Qytetit Studenti, të cilët organizonin aktivitetet dhe studimet biblike.
Pjesëmarrja në aktivitete të tilla u dha mundësi studentëve të mësonin se si të përballonin më lehtë vështirësitë që karakterizonin jetën studentore, të hidhnin themelet e jetës me Zotin, si dhe të ndërtonin miqësi të bazuara në shoqërinë e dashurisë, ku në qendër të të gjithave të ishte Krishti.
Udhëtimi përgjatë viteve filloi të thurte edhe ëndrra të shumta. Në vitin 2002 në sallën e vogël të Qytetit Studenti u krijua një bibliotekë e vogël për studentët. Përveç takimeve javore me tema të ndryshme, Liturgjisë Hyjnore të së enjtes dhe aktiviteteve si konferenca e ekskursione studentët filluan të takohen te kjo sallë çdo të hënë për studim biblik dhe ditëve të tjera bënin çdo pasdite Mbrëmësore ose Paraklis, ndërsa në fundjavë studentët ofronin ndihmë në katekizmin me fëmijët që zhvillohej në zona të ndryshme të Tiranës. Dy herë në vit kryheshin Agripni të organizuara së bashku me disa studentë e pedagogë të Akademisë Theologjike “Ngjallja e Krishtit”, shën Vlash, Durrës. Pas çdo takimi studentëve iu shpërndaheshin materiale të ndryshme për jetën shpirtërore dhe më vonë mbi një tryezë të thjeshtë vendoseshin broshura të vogla në lidhje me besimin dhe problemet e ndryshme sociale.
Në vitin 2005 me ndihmën e Zyrës Diakonia Agapes të Kishës sonë u shkrua një projekt – propozim 3 vjeçar për gjithë aktivitetin në Qytetin Studenti. Projekt-propozimi parashtronte shtimin e aktiviteteve dhe ofrimin e më shumë shërbimeve për studentët si bibliotekë të pasur, sallë kompjuterësh, vizita baritore, trajnime, punë në grup etj.
Ky projekt u miratua dhe kjo bëri që të forcohej edhe më tej një ëndërr që për 10 vite me radhë ishte dukur e parealizueshme. Salla e vogël me qera ndihmonte mjaftueshëm për aktivitetet me studentët, por tashmë zgjerimi i tyre kërkonte një fole më të madhe, e cila do të ishte e hapur çdo ditë në shërbim të studentëve.
Kështu në nëntor të vitit 2005, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë bleu një ndërtesë e cila tani funksionon si Qendra Studentore e Kishës Orthodhokse. Pasja e një ambienti më të përshtatshëm bën të mundur rritjen e numrit dhe cilësisë të shërbimeve për studentët.
Në vend të tryezës së thjeshtë me materiale të ndryshme, që prej 2007 është vendosur këndi informativ me shumë broshura e libra të cilët studentët mund t’i marrin e të rrisin njohuritë e tyre në fushën e besimit dhe në atë socialen.
Biblioteka e thjeshtë e përbërë nga një raft me disa libra, në vitin 2007 u pasurua me rafte e libra të tjerë, ndërsa në fillim të vitit 2009 është zëvendësuar me bibliotekë shumë të pasur me libra të ndryshëm fetarë, shkencorë, artistikë, historik dhe edukues. Së bashku me bibliotekën lindi dhe ideja e të pasurit një kënd ku do të shiteshin artikuj kishtar, të ardhurat e të cilit do të shkonin për mirëmbajtjen e Qendrës Studentore. Në vitin 2007 kjo u realizua në një raft të vogël me disa artikuj, ndërsa në vitin 2008 u përgatit një kënd i veçantë për artikujt kishtar. Ky kënd ndodhet në të njëjtën sallë me bibliotekën, dhe është i pasur me artikuj të ndryshëm si ikona, komboskinë, kryqe, varëse, kartolina etj. Disa artikuj janë punime të studentëve. Në katin e dytë të Qendrës ndodhet salla e komjuterave, zyra e punës me një raft të pasur me libra që ndihmojnë në organizimin e aktiviteteve, CD me filma të ndryshëm fetarë dhe edukativë, CD me muzikë të zgjedhur etj.
Studentët kanë dhënë një kontribut të çmuar në rregullimin e ambientit të Qendrës si rregullimi i kopshtit dhe i sallës së shoqërizimit. Në ditë të veçanta si festimi i Krishtlindjes, ata zbukurojnë Qendrën dhe përgatitin materialet që do t’u shpërndahen studentëve të tjerë, ndërsa në ditë të tjera si Ungjillëzimi, E diela e Dafinave, etj ata përgatitin dhe hanë së bashku drekën festive.
Tashmë kjo Qendër është foleja e përikjes së studentëve për dashuri dhe paqe, si dhe vendi ku mësojnë për jetën.
Për vitin 2008 – 2010 u miratua projekt - propozimi i dytë 3 vjeçar për Qendrën Studentore i cili mban emrin “Të jetojmë së bashku në një komunitet dashurie”.
Perëndia na bekoftë në udhëtimin tonë drejt Tij.
No comments:
Post a Comment