Pë ju të dashur studentë

Foleja studentore



Në hyrjen e sipërme të Qytetit Studenti, në rrugën Budi, përballë Institutit Italian të Kulturës ndodhet Qendra Studentore e Kishës Orthodhokse. Kisha Orthodhokse e ka vendosur këtë qendër në shërbim të nevojave shpirtërore, sociale, kulturore dhe akademike të studentëve. Aktivitetet e ndryshme dhe shërbimet që kjo qendër ofron ndihmojnë në krijimin e një ambienti që mbështet dhe ndihmon studentët që studiojnë dhe jetojnë larg familjeve të tyre. Të udhëhequr nga motoja e saj “Së bashku në gjurmët e Krishtit” ajo ka si qëllim të kontribuojë në krijimin e një rinie të shëndetshme që jeton së bashku në një komunitet dashurie.
  













 Vet Qyteti Studenti, është një qytet brenda kryeqytetit, ndryshon nga çdo qytet tjetër. Ai nuk ka të moshuar e fëmijë, por vetëm të rinj, nuk ka njerëz që vrapojnë për punë, por ka studentë që iu kushtohen studimeve të ndryshme, nuk ka banorë të përhershëm, por vetëm banorë të përkohshëm.

Ai qytet ndodhet në një kodërzë të Tiranës ku gjelbërimi i përhershëm mundëson kontaktin me natyrën dhe ajrin e pastër. Kjo kodërz mbledh në veten e saj rreth 7000 të rinj nga e gjithë Shqipëria, të cilët studiojnë në fakultete të ndryshme si: Filologji, Shkenca Politike, Ekonomi, Psikologji, Juridik, Informatikë etj. Këtë qytet mund ta quajmë ndryshe qyteti që përgatit të ardhmen.
Për nevojat jetike të studentëve gjenden godina, rreth të cilave janë ndërtuar mensa, kafene e restorante të ndryshme. Ndërsa për nevojat akademike ekzistojnë biblioteka, salla studimi, librari, qendra kompjuterike dhe salla interneti.
Ndonëse për nevojat jetike e akademike kanë menduar shumë njerëz, nevoja e thellë e jetës shpirtërore ishte lënë në harresë deri në vitin 1994, kur Kisha Orthodhokse merr iniciativën e ndërtimit të një foleje të vogël shpirtërore ku studentët mund të mblidheshin së bashku për të njohur Perëndinë, për ta adhuruar Atë dhe për të ecur drejt qëllimit të jetës si një komunitet.













Duke njohur nevojën e thellë shpirtërore të studentëve që prej vitesh ishte thurur një endërr për të pasur një qendër shpirtërore për ta. Në fillim dukej shumë e parealizueshme, por me kalimin e viteve Kisha Orthodhokse nën kujdesin e kryebariut të saj kryepiskopit Anastas e realizon këtë ëndërr.

Në nëntor të vitit 2005 u ble një ndërtesë dykatëshe dhe në janar të vitit 2006 filloi të funksionojë si Qendra Studentore e Kishës Orthodhokse. Në 14 janar të vitit 2007 Kryepiskopi Anastas kreu shërbesën e Ajazmës në Qendrën Studentore. Pas bekimit të Qendrës, të cilën preferonte ta quante “foleja studentore”,  ai theksoi: Ju jeni një brez i privuar. Njohja që keni rreth besimit është e kufizuar. Jeni ende në stadet e para të besimit dhe fakti që dimë disa gjëra rreth Dhiatës së Re dhe Dhiatës së Vjetër nuk mjafton. Keni shumë gjëra për të mësuar rreth besimit. I gjithë personaliteti i njeriut është i hapur para Hirit të Perëndisë dhe kjo nuk është çështje intelekti. Në besim keni përpara një oqean të madh. Këto pak gjëra që dini keni përgjegjësi t’i ndani me të tjerët. Rinia është një grupim që duhet të marrë përgjegjësi edhe në këtë moshë. Mos e shuani këtë besim të paktë”.

Ai theksoi se rinia shqiptare përballet me një krizë vlerash. “Brenda besimit të krishterë theksohet liria, por që kjo liri të japë fryte duhet të frymëzohet nga dashuria. Në këtë drejtim, besimi i krishterë është i pazëvendësueshëm. Ky besim jep shembuj se si mund të realizohen këto gjëra. Krishti është shembulli i përsosur i dashurisë”.










 Në Qendën Studentore të Kishës Orthodhokse gjeni: Sallën e takimeve dhe shërbesave lutësore, këndin informativ me materiale të ndryshme në lidhje me besimin dhe çështjet e ndryshme sociale, sallën e shoqërizimit, ku zhvillohen edhe takimet në grup të vogël, bibliotekën e pasur me mbi 1000 libra të ndryshëm letrarë, shkencorë dhe fetarë, sallën e studimit, raftin me artikuj të ndryshëm kishtarë, sallën e kompjuterëve në të cilën janë instaluar 6 kompjutera në shërbim të studentëve dhe këndin me modele të ndryshme të punimeve artizanale.

EJANI të jetojmë së bashku në një Komunitet Dashurie



No comments:

Post a Comment