Ti je bir i dashur!
Kur ti me kërkove
të shkruaj për ty edhe miqtë e tu për jetën shpirtërore, kam pyetur
veten nëse do të ishte vetëm një fjalë që unë do të doja më shumë se të
gjitha ta kujtonit kur të mbaronit së lexuari të gjitha ato që doja të
shkruaja. Gjatë vitit të kaluar kjo fjalë e veçantë ka dalë gradualisht
nga thellësia e zemrës sime.
Është fjala: “bir i dashur”,
dhe unë jam i bindur se kjo më është dhënë për hatrin tënd dhe të miqve
të tu. Kur u bëra i krishterë i mësova këto fjalë nga historia e
pagëzimit të Jisuit të Nazaretit. “Dhe Jisui sapo u pagëzua, doli nga
uji, qiejt u hapën dhe Ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një
pëllumb e duke ardhur mbi të; dhe ja një zë nga qielli që tha: “ti je
biri im i dashur, në ty unë jam kënaqur”.
Për shumë vite i
kam lexuar këto fjalë dhe madje kam reflektuar mbi to në predikime,
referate, por vetëm tani kohët e fundit ato kanë marrë një kuptim më të
thellë se kufijtë e traditës sime.
Diskutimet e shumta më drejtuan
në bindjen e brendshme se fjalët: “ti je biri im i dashur”, zbuluan të
vërtetën më intime për të gjitha krijesat njerëzore, edhe nëse ata i
përkasin ose jo ndonjë tradite.
Miku im, gjithçka
që dua të të them është “ti je bir i dashur”, dhe gjithçka që unë
shpresoj është se ti mund t’i dëgjosh këto fjalë të drejtuara ty me
gjithë kujdesin, dhembshurinë dhe fuqinë që dashuria mund të ketë.
Dëshira ime e vetme është t’i bëjë këto fjalë të kumbojnë në çdo qoshe
të qenies sate - “ti je bir i dashur”.
Dhurata më e madhe që miqësia ime mund të të japë ty është dhurata e të qenit i dashur.
Unë mund ta jap këtë dhuratë vetëm nëse unë tashmë e kam pranuar atë në veten time.
A nuk është kjo miqësia: t’i japim njëri – tjetrit dhuratën e të qenit të dashur?
Pra,
ja zëri, zëri që flet nga lart dhe nga brenda dhe pëshpërit butësisht
ose shpall me zë të lartë: “ti je biri im i dashur, në ty unë jam
kënaqur”. Sigurisht nuk është e lehtë ta dëgjosh këtë zë në një botë të
mbushur me zëra që thërrasin: “Ti nuk je i mirë, ti je i shëmtuar, ti
je i pavlefshëm, ti je i urryer, ti je askush – nëse ti nuk mund të
shfaqësh të kundërtën”.
Këta zëra negativë janë kaq të
fortë dhe të vazhdueshëm, saqë është e lehtë t’u besosh atyre. Ky është
kurthi i madh, kurthi i vetëposhtërimit. Gjatë viteve, kam arritur të kuptoj që kurthi më i madh në jetën tonë nuk është dëshira për sukses, famë, apo pushtet, por vetëposhtërimi.
Dëshira për sukses, famë, dhe pushtet me të vërtetë mund të paraqesin
një tundim të madh, por cilësia e tyre joshëse shpesh vjen ngaqë ato
janë pjesë e një tundimi shumë më të madh, - të vetëposhtërimit.
Kur
ne i besojmë zërave që na quajnë të paaftë dhe të padëshirueshëm,
atëherë dëshira për sukses, famë dhe pushtet perceptohen lehtë si
zgjidhje tërheqëse. Sidoqoftë, vetëposhtërimi është një kurth i vërtetë.
Vazhdimisht unë habitem se sa shpejt unë i jepem këtij tundimi. Sapo
dikush më akuzon ose më kritikon, sapo jam refuzuar, i lënë mënjanë apo i
braktisur, e gjej veten time duke menduar: “Ja, kjo provon edhe një
herë që unë jam askush”. Në vend që të hedh një vështrim kritik ndaj
rrethanave ose të përpiqem të kuptoj limitet e mia dhe të të tjerëve,
unë tentoj të fajësoj veten time – jo pikërisht për atë që bëra, por për
atë që kush jam. Ana ime e errët thotë: “Unë nuk jam i mirë…unë meritoj
të lihem mënjanë, të harrohem, të refuzohem dhe të braktisem”.
Ndoshta
ju mendoni se jeni tunduar më shumë nga arroganca sesa nga
vetëposhtërimi. Por, në fakt a nuk është arroganca ana tjetër e
refuzimit të vetes? A nuk është arrogancë të vendosësh veten tënde në
piedestal për të shmangur të tjerët të të shohin ty ashtu si ti e sheh
veten tënde? A nuk është arroganca, në analizë përfundimtare, thjesht
një mënyrë tjetër përballjeje e ndjenjave të pavlefshmërisë? Që të dyja,
si vetëposhtërimi dhe arroganca na nxjerrin jashtë realitetit të
zakonshëm të ekzistencës dhe e bëjnë shumë të vështirë, në mos të
pamundur, përmbushjen e komunitetit të njerëzve fisnikë. Unë e di shumë
mirë që nën arrogancën time ndodhen shumë vetëdyshime, ashtu si ndodhet
edhe një masë e madhe krenarie e fshehur në vetëposhtërim. Edhe kur jam i
fryrë nga krenaria, edhe kur ndihem inferior, unë humbas kontaktin me
të vërtetën time dhe shtrembëroj realitetin e vizionin tim.
Shpresoj
se ju do të mund ta identifikoni disi në veten tuaj tundimin e
vetëposhtërimit, edhe kur manifestohet në arrogancë apo vlerësim të ulët
të vetes. Jo rrallë vetëposhtërimi shihet thjesht si shprehje neurotike
e një personi të pasigurt. Por neuroza është shpesh një manifestim
fizik i një errësire njerëzore shumë më të thellë: errësira e të
mosndjerit i mirëpritur me të vërtetë në ekzistencën njerëzore.
Vetëposhtërimi është armiku më i madh i jetës shpirtërore, sepse ai bie
në kontradiktë me zërin hyjnor që na quan: “bir i dashur”.
Të qenët “bir i dashur” shpreh të vërtetën thelbësore të ekzistencës sonë.
Unë
po e vendos këtë në mënyrë kaq direkte dhe kaq të thjeshtë, sepse,
megjithëse eksperienca e të qenit i dashur nuk ka munguar kurrë
plotësisht nga jeta ime, kurrë nuk e kam pranuar atë si të vërtetën time
thelbësore. Unë thellohesha në të në rreth të vogël dhe të madh,
gjithmonë duke kërkuar për dikë ose diçka të aftë që të më bindë në të
qënit bir i dashur, ndërkohë vazhdoja të refuzoja dëgjimin e zërit që
fliste nga thellësia e zemrës sime dhe thoshte: “Ti je biri im i dashur,
ty të kam pëlqyer”.
Ky zë ka qenë gjithmonë atje, por
duket sikur unë kisha më shumë dëshirë të dëgjoja të tjerët, zërat më të
lartë që thoshin: “Provo që ti je i denjë për diçka, bëj diçka
konkrete, madhështore dhe të fuqishme, dhe atëherë ti do të fitosh
dashurinë që e dëshiron kaq shumë”. Ndërsa zëri i butë dhe i ëmbël që
flet në qetësinë dhe vetminë e zemrës sime mbetej i padëgjuar, ose të
paktën nuk më bindtte.
Ky zë i butë dhe i ëmbël që më
quan bir i dashur ka ardhur tek unë në mënyra të panumërta. Prindërit e
mi, miqtë, mësuesit, studentët dhe shumë të panjohur që takova në rrugët
e jetës sime kanë bërë që ky zë të jehojë në tinguj të ndryshëm. Për
mua janë kujdesur mjaft njerëz me shumë dhembshuri dhe butësi. Ata më
kanë mësuar dhe udhëzuar me shumë durim dhe këmbëngulje. Më kanë
inkurajuar të vazhdoj kur unë isha gati të dorëzohesha dhe më kanë
nxitur të përpiqem përsëri kur dështoja. Unë jam shpërblyer dhe më kanë
lavdëruar për suksesin…, por në një farë mënyre të gjitha këto shenja të
dashurisë nuk mjaftonin të më bindnin që unë isha bir i dashur. Nën
gjithë këtë vetëbesim, gjoja të fortë, mbetej një pyetje: “Nëse të
gjithë ata që tregojnë kaq shumë kujdes për mua do të më shihnin dhe do
të më njihnin thellësisht, a do të vazhdonin të më donin?” Kjo pyetje
plot ankth, e rrënjosur në hijen time të brendshme, vazhdonte të më
persekutonte dhe më bënte të largohesha nga vendi ku ai zë i qetë që më
quante bir i dashur mund të dëgjohej.
A nuk beson edhe ti
si unë që ndonjë person, send apo ngjarje, do të vijë të të japë këtë
ndjenjë përfundimtare të mirëqenies së brendshme që ti dëshiron? A nuk
shpreson shpesh duke thënë: “Ky libër, kjo ide, ky kurs, ky udhëtim, kjo
punë, ky vend, ose kjo shoqëri përmbushtë dëshirat e mia më të
thella?”. Për sa kohë që pret për atë moment misterioz ti do të vazhdosh
të vraposh në mënyrë të çrregullt, gjithmonë në ankth dhe pa pushuar,
gjithmonë në epshe dhe zemërim, dhe asnjëherë i kënaqur plotësisht.
Ti
e di që është detyrimi ai që na bën të vazhdojmë dhe të merremi me
diçka, por në të njëjtën kohë na bën të pyesim veten nëse do të arrijmë
diku në këtë rrugë të gjatë. Kjo është një rrugë drejt rraskapitjes dhe
shkatërrimit. Ky është një udhëtim drejt vdekjes shpirtërore. Pra, ti
edhe unë nuk duhet të vrasim vetveten. Ne jemi bij të dashur. Dikush na
do në mënyrë intime shumë më parë se prindërit, mësuesit, bashkëshortët,
fëmijët dhe miqtë të na donin ose të na lëndonin.
Kjo
është e vërteta e jetës sonë. Kjo është e vërteta që unë dua që ta
pranoni për veten tuaj. Kjo është e vërteta e shpallur nga zëri që
thotë: “Ti je biri im i dashur”. Duke treguar vëmendje të brendshme ndaj
atij zëri dëgjoj fjalët thelbësore që thonë:
“Të
kam thirrur në emër që nga fillimi. Ti je imi dhe unë jam yti. Ti je
biri im i dashur, ty të kam pëlqyer. Të kam nxjerrë nga thellësia e
tokës, dhe të kam formuar në bark të nënës. Të kam gdhendur në pëllëmbën
e dorës sime dhe të kam fshehur nën hijen e përqafimit tim.Të vështroj
me dhembshuri dhe kujdesem për ty, me një kujdes më intim sesa ai i
nënës për fëmijën. Kam numëruar çdo fije të flokut tënd dhe të kam
drejtuar në çdo hap. Kudo që shkon unë vij me ty. Kudo që fle unë
qëndroj zgjuar, do të të japë ushqim që do të kënaqë urinë tënde, dhe do
të japë pije për të shuajtur tërë etjen tënde. Nuk do ta fsheh fytyrën
time nga ty. Ti më njeh si tëndin, dhe unë të njoh si timin. Ti më
përket mua, unë jam ati yt, nëna jote, vëllai yt, motra jote, i dashuri
yt, bashkëshorti yt… po, madje edhe fëmija yt. Kudo që ti je, atje do të
jem edhe unë. Nuk do të na ndajë asgjë… kurrë. Ne jemi një.”
Çdo
herë që dëgjon me shumë vëmendje zërin që të quan bir të dashur, ti do
të zbulosh brenda vetes një dëshirë për të dëgjuar atë zë për një kohë
më të gjatë dhe më thellësisht. Ai i ngjan zbulimit të një burimi në
shkretëtirë. Sapo ke prekur tokën e njomë ti kërkon të gërmosh më
thellë. Kohët e fundit kam bërë shumë gërmime dhe e di që sapo kam
filluar të shoh një burim që buron përmes rërës së thatë. Duhet të
vazhdoj të gërmoj se ky burim i vogël rrjedh nga një rezervuar i madh
nën shkretëtirën e jetës sime. Fjala gërmim mund të mos jetë fjala më e
duhur, meqenëse ajo sugjeron punë të dhimbshme dhe të vështirë, që së
fundi të çon në vendin ku unë shuaj etjen time.
Ndoshta
gjithçka që na duhet të bëjmë është të zhvendosim rërën e thatë që
mbulon burimin. Mund të ndodhet një sasi e madhe rëre e thatë në jetën
tonë, por Ai, i cili dëshiron kaq shumë të shuajë etjen tonë, do të na
ndihmojë ta zhvendosim rërën. Ajo që na nevojitet vërtet është dëshira e
madhe për të gjetur ujin dhe për të pirë prej tij. Ti ndoshta dëshiron
të gërmosh pak më shumë dhe për më tepër kohë që të bindesh se jeta
shpirtërore është e denjë për të gjitha energjitë e tua, por unë ndiej
një padurim të madh për ty. Nuk dua që të harxhosh kaq shumë kohë!
Prandaj tashmë dua të të siguroj tani që ti nuk duhet të merresh me
kërkime që të drejtojnë në ngatërresa, ose që të bëhesh viktimë e një
bote manipuluese, apo të biesh në kurthet e çdo lloj pasioni.
Ti mund të zgjedhësh të arrish tani te liria e brendshme e vërtetë dhe ta kesh atë gjithnjë e më të plotë.
Kështu,
nëse je i interesuar të fillosh udhëtimin e birit të dashur, unë kam
shumë gjëra për të të thënë, sepse udhëtimi i jetës shpirtërore nuk
kërkon vetëm vendim, por gjithashtu një njohuri të caktuar të terrenit
ku do të kalosh. Nuk dua që të vish vërdallë në shkretëtirë për 40 vjet,
siç bënë paraardhësit tanë shpirtërorë. Madje nuk dua që të banosh atje
për aq kohë të gjatë sa ata banuan. Ti je shumë i shtrenjtë për mua.
Një mik të cilin e dua me të vërtetë. Ndonëse mbetet e vërtetë që
çdokush duhet të mësojë për veten e tij, unë ende besoj që mund t’i
ndalojmë ata që duam të mos bëjnë të njëjtat gabime që bëmë edhe ne. Në terrenin e jetës shpirtërore na nevojiten udhëzime.
Libri: Life of the Beloved
Autori: Henri J.M. Noumen
No comments:
Post a Comment