Studim Biblik: Të përdorim dhuratat dhe talentet e ndryshme në udhëtimin tonë jetësor (3)

Studim Biblik
Të përdorim dhuratat dhe talentet e ndryshme në udhëtimin tonë jetësor

Mt. 25:14 – 30,  1Kor. 12:12 – 13:13

 Përse disa njerëz kanë më shumë aftësi se të tjerët?
Si do të gjykohet secili prej nesh nga Perëndia? A është e drejtë që disa kanë më shumë talente se të tjerët? Çfarë pret Perëndia nga çdo person?

Lexo Mateu 25:14 –30.

Përse u dha mjeshtri shërbëtorëve të tij sasi të ndryshme talentesh?

-          Kujtoni, talenti nuk ishte një monedhë, por një peshë prej rreth 32 kg e një metali të veçantë (zakonisht ar ose argjend). Kështu, ishte i barasvlefshëm me një shumë të madhe parash (1 talent ishte i barasvlefshëm me 15 vite rrogë të një punëtori të zakonshëm.)
-          Megjithatë, madje edhe shërbëtori i tretë mori një shumë të madhe, me të cilën do të duhej të punonte.

Çfarë na mësojnë dy shërbëtorët e parë?


-          Së pari, që Perëndia jep dhurata të ndryshme në njerëz të ndryshëm. Një shërbëtor mori 5 talente, tjetri 2 dhe tjetri 1. Nuk ka mëkat në sasinë e aftësive të dikujt. Vetëm sepse dikush ka më tepër aftësi se një tjetër nuk do të thotë se ai është më i mirë. Perëndia do të gjykojë secilin sipas asaj që personi ka bërë me dhuratat të cilat Perëndia i ka dhënë atij.
-          Njerëzit nuk mund të jenë të barabartë në talente, por ata mund të jenë të barabartë në përpjekjet që bëjnë. Kjo paravoli na mëson se çfarëdo talenti që të kemi, pak apo shumë, duhet ta vëmë në shërbim të Perëndisë dhe të lavdërojmë nëpërmjet tij emrin e Tij.
-          Gjëja e rëndësishme është zelli dhe puna. Që këta dy shërbëtorë të rrisnin talentet e tyre duhet të ishin të zellshëm në punë dhe të zgjuar në marrëdhëniet midis tyre!

A mori shërbëtori i parë një shpërblim më të madh për punën e tij në krahasim me shërbëtorin e dytë? Si i gjykoi Perëndia dy shërbëtorët?

-          Ne shohim se Perëndia i shpërblen të dy punëtorët në një mënyrë të ngjashme. Ai nuk lavdëron njërin më shumë se tjetrin. Shpërblimi i punës së bërë mirë është: të punosh më shumë për Perëndinë. Si punëtor i krishterë, askush nuk mund të mendojë kurrë se puna e tij është e përfunduar. Ekzistojnë kaq shumë njerëz që kanë nevojë për të dëgjuar mbi hirin shpëtimtar të Perëndisë dhe, ne që jemi instrumentet e tij, asnjëherë nuk mund të mendojmë se nuk ka më punë për të bërë. Megjithatë, në vend që ta shohim këtë si një punë të rëndë, e shohim si një nga bekimet më të mëdha të jetës. Pse? Sepse i jep kuptim dhe qëllim jetës sonë. Sepse t’i shërbesh Zotit sjell gëzimin më të madh (“hyr në gëzimin e zotit tënd” v.21).

Cili ishte mëkati i shërbëtorit të tretë?

-          Ai ishte mëkatar dhe u përpoq të gjente justifikim për dembelizmin e tij (dy mëkate); ndërsa dy shërbëtorët e tjerë punonin për të shtuar talentet që fillimisht u ishin dhënë, shërbëtori i tretë vetëm e groposi talentit e tij nën tokë dhe pastaj fajësoi për këtë mjeshtrin. Ai nuk punoi, ai as nuk u përpoq. Ai u përpoq t’i shmangej përgjegjësisë, duke injoruar talentin e tij. Ndoshta ai ishte i frikësuar dhe nuk donte të rrezikonte duke e humbur talentin. Megjithatë, duhet të kujtojmë: për aq sa përpiqemi, Perëndia do të jetë me ne dhe nuk do të na braktisë.

-    Ai nuk kishte dëshirë t’i përdorte talentet. Ai është si personi që e quan veten të krishterë, por që është i krishterë vetëm në emër dhe kurrë nuk i përdor thesaret e besimit në jetën e tij. Dënimi është për atë njeri i cili, duke pasur qoftë edhe një talent të vetëm, nuk do të përpiqet ta përdorë atë dhe nuk do të rrezikojë për të mirën e përbashkët.

-    Ndëshkimi i këtij shërbëtori na kujton se Perëndia pret diçka prej gjithsecilit.
Askush nuk mund të thotë se nuk ka asgjë për t’i ofruar Perëndisë. Nuk ka rëndësi se sa shumë “talente” Perëndia u ka dhënë njerëzve, ai ende pret nga ata që t’i përdorin këto talente me zell dhe urtësi, si dhe të prodhojnë diçka për të lavdëruar emrin e Tij! (Mendoni për lavdërimin që Perëndia i dha vejushës që hodhi dy monedha ne arkën e thesarit; mendoni se si Perëndia i përdori njerëzit e paarsimuar për të ndryshuar botën – Vep. 4:13). Perëndia nuk pret që ne të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme, por të bëjmë gjëra të zakonshme me përpjekje të jashtëzakonshme (dashuri).

V.29  –    Çfarë tregon kjo për ne?
-          “Atij që ka, më shumë do t’i jepet, por atij që nuk ka, edhe ajo që ka do t’i merret.” Kjo përmbledh paravolinë. Në qoftë se njeriu ka një talent dhe e vë atë në përdorim, ai është prodhimtarisht i aftë të bëjë më shumë me të. Por, në qoftë se ai ka një talent dhe dështon ta vërë atë në përdorim, ai pashmangshmërisht do ta humbasë. E vetmja mënyrë për të mbajtur një dhuratë është përdorimi i saj në shërbim të Perëndisë dhe në shërbim të të afërmit.

Tani lexo 1Kor. 12:12 – 26

Si mund ta lidhim këtë pasazh me të mëparshmin, përsa i përket talenteve? A ekzistojnë disa dhurata më thelbësore se të tjerat përpara Perëndisë?

-          Edhe njëherë, duhet të theksojmë se Perëndia nuk është i interesuar ndaj atij që ka më shumë talente ose që ka një dhuratë më të rëndësishme. Në sytë e Perëndisë çdo dhuratë ose talent është diçka e rëndësishme dhe e domosdoshme. (P.sh. dora nuk mund t’i thotë këmbës “Nuk kam nevojë për ty.”)
-          Kujtoni, nga këndvështrimi hyjnor, Perëndia do që çdo person të përmbush potencialin që atij iu dha, jo potencialin e dikujt tjetër.

Lexo 1 Kor. 12:27 –30

Cilët janë disa nga rolet e ndryshme brenda Kishës?

-          Apostujt, profetët, mësuesit, njerëzit që kryejnë vepra madhështore, shëruesit, administratorët, folësit e gjuhëve të ndryshme.
-          Shën Pavli thekson se secili nga këta role është i domosdoshëm, por secili duhet të përmbushë potencialin e vet.

Por cili është roli më i rëndësishëm në Kishë?
Cila është dhurata më e rëndësishme për t’u zotëruar?
Kush mund ta zotërojë këtë dhuratë?

Lexo 1Kor. 12:31 – 13:13

Çfarë do të thotë vargu 1?

-          Disa njerëz mund të kenë talente dhe dhurata të veçanta; disa madje mund të pretendojnë që të kenë një marrëdhënie të veçantë me Perëndinë, por gjithmonë kujtoni se cila është karakteristika më e rëndësishme: DASHURIA.

Çfarë do të thotë vargu 2 ?

-          Dhurata e profecisë (si shumë fallxhorë këtu në Shqipëri), shumë njohuri (ndoshta dikush ka studiuar teologji ose shkenca të tjera për shumë vite, MADJE edhe dikush që pretendon se ka një besim të madh për të bërë mrekulli.
-          Të gjitha këto gjëra janë pa kuptim, në qoftë se DASHURIA nuk është në qendër.
-          Mos i gjykoni të tjerët nga mrekullitë, por vështroni frutet e jetës së tyre!!! Jisui tha se ju mund ta njihni një pemë nga frutet e saj.

V.3 – Çfarë thuhet këtu mbi bujarinë dhe dhënien e gjërave tek Perëndia ? A është kjo gjithmonë një cilësi e mirë?

-          Perëndia e gjykon ofertën tonë nga dashuria që ne tregojmë ndaj saj.
Cilat janë arsyet se përse njerëzit japin?

-          Për lavdi.
-          Për interes vetiak.
-          Për të ndihmuar sinqerisht të tjerët.
-          Perëndia thotë se e vetmja ofertë e mirë në sytë e Tij është dhënia e motivuar nga dashuria!


Çfarë është dashuria e vërtetë, hyjnore? Diskutoni cilësitë e ndryshme të një dashurie të tillë.

  1. Durimi: Mendoni për çdo kohë kur nuk jemi të duruar me të tjerët. Kjo është një shenjë mungese dashurie për ata. Shën Joan Gojarti ia referon këto përshkrime atij personi që ka gabuar dhe që ka fuqi për t’u shpaguar ndaj vetes por, megjithatë, nuk vepron kështu: “ngadalë në zemërim.”
 2. Butësia: në qoftë se ne jemi të ashpër ose të pandjeshëm, vihet re mungesa e dashurisë. Etërit e    Kishës flasin rreth të qenurit “të ëmbël me të gjithë”.

 3. Palakmueshmëria: ne nuk duhet të dëshirojmë atë që kanë të tjerët, por të gëzohemi për fatin e tyre të mirë.

4. Mos jini të vrazhdët: mos lavdëroni vetveten dhe as mos mendoni lartësisht për vetveten; mos flisni gjithmonë për vetveten përpara të tjerëve.

5. Mos kërkoni t’ju shkojë e juaja: mos mendoni së pari për veten tuaj, por vendosni të tjerët përpara vetes suaj; sakrifikoni!

6. Mos u irritoni: mësoni të kontrolloni temperamentin tuaj!

 7. Mos u inatosni: mësoni të falni atë që të tjerët ju kanë bërë; mos flisni për një dëmtim. Por dashuri do të thotë të falësh dhe të harrosh.

8.Nuk gëzohet për padrejtësinë; mos u gëzoni kur të tjerët rrëzohen, por vajtoni me ta.

 9.Gëzohet me të vertetën: të krishterët kërkojnë të vërtetën.

10.  I duron të gjitha: Dashuria mund të durojë çdo dëmtim, fyerje, mërzitje.


11.  I beson të gjtha: kjo do të thotë se ne besojmë te Perëndia dhe në të ardhmen tonë shohim mirësi, në çdo person shohim imazhin e Perëndisë.

12.  I shpreson të gjitha: dashuria kurrë nuk ligështohet sepse dashuria qëndron më lart se çdo shqetësim.


13.  I mban çdo gjë: Përsëritje e dhjetës (10).

“Në fund, mbeten besa, shpresa, dhe dashuria, por më e madhe nga këto është dashuria.”

Si mund ta kuptojmë këtë?

Dashuria: kjo përmbledh çdo vityt të krishterë. Dashuria është më e madhja!

Në udhëtimin tonë jetësor, kujtoni se Perëndia i ka dhënë secilit prej nesh talente dhe dhurata të ndryshme; Ai pret secilin prej nesh që të përmbushë potencialin që ai ka, jo potencialin e dikujt tjetër.

Le të zbulojmë se cilat janë dhuratat tona.
Le të jemi mirënjohës për atë që kemi dhe të mos përqendrohemi në dhuratat që nuk i kemi.
Le t’i ofrojmë këto dhurata dhe talente tërësisht te Perëndia dhe le t’i përdorim ato për të lavdëruar emrin e Tij!

Atë Luka Veronis

No comments:

Post a Comment