Studim Biblik: Vuajtja është pjesë e udhëtimit tonë në jetë (4)

STUDIM BIBLIK 
Vuajtja është pjesë e udhëtimit tonë në jetë
Lk. 9:18 – 36

 Përse ekziston vuajtja në botë? Përse vuajmë ne të krishterët? A mund të ketë vuajtja ndonjë qëllim pozitiv? A duhet të presim vuajtje në jetët tona? Diskutoni.

Lexo Lk. 9:18 – 36

(Por lexoni të gjithë këtë pasazh nga një perspektivë e vuajtjes. Çfarë po u thotë Jisui dishepujve të Tij për vuajtjen?)

 Nga ky pasazh i përgjithshëm, ne mund të shohim se për çfarë bën fjalë lavdia e Jisuit. Megjithëse Jisui është Perëndi, Ai ende është gati të vuajë për të tjerët.

Vargjet: 18 – 22. Çfarë thuhet këtu?

- Megjithëse Jisui është Mesia, Ai është një Mesi i vuajtur. Jisui është Perëndi dhe, megjithatë, Ai është gati për të vuajtur me dëshirë.

- Cila ishte vuajtja konkrete që duroi Jisui?
  1. Vuajtje fizike (nëpërmjet torturave dhe kryqëzimit të tij);
  2. Vuajtje emocionale (nëpërmjet tradhëtisë, mohimit, braktisjes së shokëve më të ngushtë);
  3. Vuajtje sociale (Ai u mohua nga vetë njerëzit, të cilët Ai shkoi për t’i ndihmuar).

Vargjet; 23 – 26. Çfarë është duke i thënë Jisui dishepujve të Tij këtu?

- Në qoftë se Jisui ishte gati të vuante, ne, dishepujt e Tij, duhet të jemi gati të vuajmë. Ne jemi thirrur për të imituar jetën e Krishtit, por kjo do të thotë që të imitojmë jo vetëm lavdinë e Tij, por gjithashtu vuajtjen e Tij.

Lexo Fil. 1:29 -  “Sepse juve ju është dhënë hir për hir të Krishtit, jo vetëm që të besoni në Të, por edhe të vuani për Të”.

Lexo Fil.3:10 – 11 – “Unë dua që të njoh Atë dhe fuqinë e ngjalljes së Tij dhe pjesëmarrjen në mundimet e Tij, duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e Tij, që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ringjalljes prej së vdekuri”.


Lexo 1 Pj. 2:19, 21 – “Sepse është gjë e lavdërueshme, në se dikush, për ndërgjegjen e Perëndisë, duron shtrëngime, duke vuajtur padrejtësisht…. Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmëve të Tij.”

“Biri i Perëndisë vuajti deri në vdekje, jo që ne të përjashtohemi nga vuajtja, por që vuajtja jonë të mund të jetë si e Ti, përmbushëse”. (Kallistos Uare)

“Unë kurrë nuk kam menduar se i krishteri duhet të jetë i lirë nga vuajtja. Sepse Zoti ynë vuajti. Dhe unë kam arritur të besoj se Ai vuajti jo për të na çliruar nga vuajtja, por për të na mësuar si ta durojmë vuajtjen. SEPSE AI E DINTE SE NUK EKZISTON JETË PA VUAJTJE”. (Alan Paton)

Vuajtja nuk është e mirë në vetvete. Ajo mund të përdoret si diçka e mirë ose e keqe. Varet si e kuptojmë dhe e pranojmë ne vuajtjen.

Cilat janë disa nga qëllimet pozitive të vuajtjes për ne si të krishterë?

1. Perëndia e përdor vuajtjen PËR TË NA PËRULUR, për të na kujtuar se NE DUHET TË MBËSHTETEMI VETËM TE PERËNDIA dhe jo te vetja jonë.

Lexo 2 Kor. 1:3 – 11 – “Ne nuk duam, o vëllezër, që të mos dini për vështirësinë që na ngjau në Azi; që u rënduam përtej fuqive tona, aq sa u dëshpëruam edhe për jetën vetë. Për më tepër, ne kishim në veten tonë vendimin e vdekjes, QË TË MOS BESONIM NË VETEN TONË, POR NE PERËNDINË që ringjall të vdekuri, i Cili na ka çliruar dhe na çliron nga një vdekje kaq e madhe dhe tek i Cili ne shpresojmë se do na çlirojë edhe më.”

Madje, edhe më i madhi i Apostujve, Shën Pavli, duroi shumë vuajtje:

            Lexo 2 Kor. 11:23 – 30 – Çfarë lloj vuajtje duroi Pavli?
            Lexo 2 Kor. 12:7 – 10 “Dhe, që të mos më rritet mendja për shkak të jashtëzakonshmërisë së zbulesave, m’u dha një gjëmb në mish, një engjëll i Satanit, për të më rënë me grushta, që të mos mbahem me të madh. LIDHUR ME KËTË, IU LUTA TRI HERË ZOTIT QË TA LARGONTE NGA UNË. POR AI MË THA: “HIRI IM TË MJAFTON, SEPSE FUQIA IME PËRSOSET NË DOBËSI.” Prandaj, me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë. Prandaj, unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.”

-          Madje, kur Shën Pavli i kërkoi Perëndisë që t’i largonte vuajtjet, Perëndia nuk pranoi. Ai donte që Pavli të mbështetej vetëm në Hirin e Perëndisë!

-          Një rabi tha: “Kur një njeri vuan nuk duhet të thotë: “Sa keq! Sa keq!” Asgjë që Perëndia i ngarkon njeriut nuk është e keqe.” Por, është e drejtë të thuash: “Sa hidhur! Sa hidhur!” Sepse midis ilaçeve ekzistojnë disa që bëhen me bariëra të hidhura”.

-          Etër të ndryshëm të Kishës tregojnë se si Perëndia përdor vuajtjen si një proçes kirurgjik për të na çliruar nga individualizmi dhe egocentrizmi. Operacioni është i hidhur, por jo i keq.

2. Perëndia përdor vuajtjet dhe përpjekjet tona PËR TË PRODHUAR FRUTA TË TJERË NË JETËT TONA.

Lexo Heb.12:10 – 11 - “Perëndia na ndreq për të mirën tonë që të bëhëmi pjesëtarë të shenjtërisë së Tij. ÇDO NDREQJE, PRA, ATY PËR ATY NUK DUKET SE SJELL GËZIM, POR HIDHËRIM; POR MË PAS, U JEP NJË FRUT DREJTËSIE ATYRE QË JANË USHTRUAR ME ANËN E TIJ”.

Lexo Rom.5:3 – 5 – “Ne mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që SHTRENGIMI PRODHON KËMBËNGULJEN, KËMBËNGULJA PËRVOJËN DHE PËRVOJA SHPRESËN. Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë, që na është dhënë”.

Lexo Jakovi 1:2, 4 “Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri. Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë”.

“Kur jeni në qetësi dhe kënaqësi, mos u gëzoni;
dhe kur t’ju mbërthejë mjerimi, mos u zymtoni dhe as mos e konsideroni këtë si diçka të huaj nga rruga e Perëndisë.
Sepse kjo rrugë e Prëndisë është kaluar nga të gjitha moshat dhe brezat nëpërmjet kryqit dhe vdekjes.
Ku e keni gjetur idenë sipas së cilës hidhërimet nuk i përkasin rrugës së krishterë? Nuk doni të ecni në gjurmët e shenjtorëve?
Doni të udhëtoni në disa rrugë të veçanta tuajat, të cilat nuk e përfshijnë vuajtjen? Rruga për te Perëndia është një kryq i përditshëm.
Askush nuk është ngjitur në qiell nëpërmjet rrugës së lehtë.
Ne e dimë se ku të çon rruga e lehtë! Shën Isak Siriani

“Vuajtja na ndihmon që të vlerësojmë më shumë jetën dhe të jemi më të gjallë në jetë dhe te Perëndia sesa kurrë më parë”. (Koniaris)


3. Perëndia i lejon vuajtjet dhe sprovat si një kriter i besimit tonë i cili përfundimisht na ndihmon që të rritemi në besim.

Lexo 1 Pj. 1:6,7 – “Për këtë gëzohuni, ndonëse, në qoftë se duhet, për pak kohë, tani duhet të trishtohemi nga prova të ndryshme, që prova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet, edhe kur të provohet me zjarr, të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jisu Krishtit”.

Lexo 1 Pj. 4:12 – 13 – “Shumë të dashur, mos t’ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju për t’ju provuar, se si mund të ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Por gëzohuni, duke qenë pjesëtarë të mundimeve të Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së Tij, të mund të gëzoheni dhe të ngazëlloheni.”

            Një histori nga Etërit e shkretësirës: Ava Pimeni tha që Ava Joani i Shkurtër i ishte lutur Zotit dhe Zoti ja kishte hequr të gjitha pasionet. Dhe në këto kushte, ai shkoi tek një nga të vjetrit, dhe i tha: “Shikoni përpara jush një njeri që është plotësisht në pushim dhe nuk ka më tundime.” Plaku iu përgjigj: “Shko dhe lutju Zotit që të vendosë disa përpjekje të trazuara brenda teje, SEPSE SHPIRTI PIQET VETËM NË BETEJA.” Dhe kur tundimet i rifilluan, ai nuk u lut që përpjekja t’i largohej, por vetëm tha: “O Zot, më jep fuqi për të luftuar.”

            Atje ku nuk ka vuajtje, nuk ka shpëtim. Shën Serafimi

            Druri më i fortë është ai që qëndron në majë të malit, ai që sprovohet nga erëra të forta, bora e madhe dhe stuhitë. Duke i qëndruar gjithë kësaj, ai bëhet më i forti. Druri që mbrohet nuk përballet me kushtet kundërshtare të kohës dhe kështu kurrë nuk rritet në shtat.

4. Perëndia na lejon që të vuajmë, kështu që ne bëhemi më të ndjeshëm ndaj atyre që vuajnë. Ne mund të identifikohemi me ata dhe do të kemi më shumë mundësi të afrohemi me ta.

I bekuar je o Perëndi dhe At i Zotit tonë Jisu Krisht, Ati i mëshirave dhe Perëndia i çdo ngushëllimi, QË NA NGUSHËLLON NË TË GJITHA PIKËLLIMET TONA, NË MËNYRË QË TË NGUSHËLLOJMË ATA QË JANË NË ÇDO PIKËLLIM ME NGUSHËLLIMIN ME TË CILIN NE VETË JEMI NGUSHËLLUAR NGA PERËNDIA.

Sepse, ashtu si ndër ne teprojnë vuajtjet e Krishtit, po ashtu, nëpërmjet Jisu Krishtit tepron edhe ngushëllimi. Dhe, nëse jemi të ngushëlluar, kjo ndodh në ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj……..


5. Perëndia kurrë nuk përpiqet të na shpjegojë përse vuajmë. Ai vetëm na thotë se ne duhet ta presim atë dhe na tregon si duhet ta përballojmë atë.

Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugëdalje, që ju të mund ta përballoni. (I Kor. 10:13)

Lexo 2 Kor. 4:16,17 – “Prandaj, nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai brendshëm përtërihet nga dita në ditë. SEPSE TRISHTIMI YNË I LEHTË QË ËSHTË VETËM PËR NJË MOMENT, PRODHON PËR NE NJË PESHË TË PAMASË E TË PASHOQE TË AMSHUESHME LAVDIE.”

Lexo Heb. 2:14 – 18 SEPSE, DUKE QENË SE BIJTË KANË MARRË PJESË PREJ MISHI DHE GJAKU, PO ASHTU EDHE AI U BË PJESËTAR NË PO ATO GJËRA, që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, dhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën. Sepse ai nuk kujdeset për engjëjt, por ndihmon pasardhjen e Abrahamit… Prandaj, Ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për tu bërë pajtim në mëkatet e popullit. SEPSE, DUKE QENË SE AI VETË HOQI KUR U TUNDUA, AI MUND TU VIJË NË NDIHMË ATYRE QË TUNDOHEN.

Lexo Rom. 8:17,18 – “…në se vuajmë me Të dhe lavdërohemi me Të. Unë mendoj, në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne”.

Lexo Zbul. 21:4 – “Dhe Perëndia do t’u thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.”

“Perëndia, nga mëshira e Tij, na përball me sprova, kështu që ne, pasi të kemi vuajtur këto prova, të mund të kurorëzohemi nga Ai. Pa tundim askush nuk është kurorëzuar”. Shën Nili i Sorit

“Në qoftë se qëllimi i jetës nuk është gëzimi, por shenjtërimi, atëherë a nuk duhet të ekzistojë një masë lufte dhe vuajtje e paevitueshme?” (Koniaris).


Atë Luka Veronis

No comments:

Post a Comment