Studim Biblik: Dëshmia për Krishtin në udhëtimin tonë jetësor (5)


Studim Biblik
Dëshmia për Krishtin në udhëtimin tonë jetësor

Përse na kërkohet që të japim dëshminë e besimit tonë në Krishtin? 
Cili është qëllimi ynë?  
Cili është arsyetimi ynë?

 -   Jemi thirrur për të imituar Perëndinë, i Cili dërgoi Birin e Tij për të dhënë dashurinë e Perëndisë në botë.
-          Dëshirojmë të ndajmë me të tjerët thesarin e besimit dhe dashurisë që kemi zbuluar.
-          Dëshirojmë që të gjithë njerëzit në botë të kenë mundësinë për të gjetur shpëtimin në Krishtin.

Cila është origjina Biblike e misioneve dhe dhënieve të dëshmisë?

Cili është shembulli i parë në Bibël, që na kujton se jemi të thirrur për të qenë misionarë dhe për të ndarë besimin tonë me të gjithë njerëzit?

Nga Dhiata e Vjetër

            1. Zn. 1 – 2: Përmblidhni Historinë e Krijimit, duke theksuar krijimin e të gjithë njerëzve. Ne duhet të kuptojmë se të gjithë njerëzit janë bijtë e Perëndisë, pa marrë parasysh se kujt vendi i përkasin, cilës racë dhe cilit besim. Ne jemi vëllezër dhe motra me të gjithë njerëzit në botë.

            2. Zn. 12:1 – 3: Ky është çasti kur Perëndia bën një marrëveshje me Abrahamin dhe premton se Abrahami do të jetë ati i një kombi të madh (Izraeli). Por, pika e rëndësishme këtu është premtimi i Perëndisë për të bekuar Abrahamin “kështu që ai mund të jetë një bekim për të gjithë njerëzit në botë”.

Ne marrim bekime në mënyrë që mund t’i ndajmë ato me të tjerët.

Besimi dhe marrëdhënia jonë me Perëndinë nuk është diçka personale vetëm për ne. Është diçka që duhet ta ndajmë me të gjithë njerëzit.

Pasazhe të tjera që theksojnë këtë ide janë: Zn. 26:4; 28:14 – “nëpërmjet pasardhjes tënde të gjithë kombet do të jenë të bekuar.”

3.  Psalmet janë të mbushura me vargje të cilat theksojnë se lavdia e Perëndisë do të vërehet mbi të gjithë kombet. (Disa shembuj: Ps.2:8;  46:10; 67:1 – 2; 69:3,  98:2 – 3)

4.  Por si do ta njohë bota lavdinë e Perëndisë? A do ta shfaqë vetë Perëndia?
- Lexo Isaia 6:8 “Kush do të shkojë për ne?” Dhe Isaia u përgjigj: “Këtu jam.
    Dërgomë mua”.
- Flisni rreth idesë teologjike të sinergjisë (bashkëpunumit); Perëndia që vepron 
    me dhe nëpërmjet nesh. Perëndia kërkon duar dhe këmbë për të shpallur
    mesazhin e Tij.

5. Lexo Isaia:49:6
- Mjaft shpesh ne kufizojmë vizionin tonë, përpiqemi shumë pak për Perëndinë.  
    Ne mendojmë së Perëndia interesohet vetëm për njerëzit tanë (vetëm me ata që
    kanë origjinë ortodokse në Shqipëri?)

- Dënimi i etnocentrizmit (ultranacionalizmit), gjë që është thënë edhe nga
    profetët e tjerë. Perëndia na thërret për një rol më të madh se sa vetëm ndaj
    vendit tonë. Perëndia interesohet për njerëz nga çdo vend në botë!

6. Jona – misionari i padëshiruar
1:1- 2   Perëndia thërret Jonën për të shkuar dhe predikuar tek një popull i
konsideruar si armik i Izraelit.
 1:3 Jona nuk bindet sepse ai nuk e kupton dashurinë e Perëndisë për armiqtë.
Jona përpiqet të largohet.
 1: 4 – 17 Perëndia i jep Jonës një mësim me anë të stuhisë dhe peshkut të madh.
 2:1 – 3:1 Jona pendohet dhe dëgjon thirrjen e dytë të Perëndisë.
 3:5 – 10 Jona predikon dhe shikon një mrekulli të Perëndisë – të gjithë njerëzit e
Ninevisë pendohen (prej mbretit tek njeriu më i varfër), dhe Perëndia e fal
këtë popull.
 4:1 – 5  Jona nuk është i kënaqur me rezultatin, sepse ai nuk kishtë dashuri për
këtë popull. Shohim etnocentrizmin e Jonës; mungesën e dashurisë për
njerëzit e Perëndisë, që janë të ndryshëm.
 4:2,11 Kjo histori na mëson fare qartë interesimin e Perëndisë për të gjithë
fëmijët e Tij.


Këndvështrimi i Dhiatës së Re për misionet:

Lexo Mt. 28:18 – 20; Mk.16:15 – 18; Lk. 24:46 – 48.
                        a. Porosia e fundit dhe e madhe e Jisuit: Ai u kujton dishepujve autoritetin
e Tij. Ai u jep atyre porosinë e Tij të fundit. Dhe Ai u premton se
do të jetë me ta në punët e tyre!
                        b. Jisui gjithashtu premton shumë shenja që do t’i shoqërojnë misionarët –
mrekullira. 

Lexo Lk. 10:2 – të korrat janë të shumta, por punëtorët të pakët.
-          Përse janë kaq pak njerëz që duan t’i shërbejnë Perëndisë? Që duan të predikojnë Ungjillin e Tij?
-          Cilat janë vështirësitë për të qenë një dëshmitar i Krishtit?

Lexo Jn. 20:21 – 22; 17:18
-          Si e dërgoi Ati të Birin? A po e imitojnë Birin?
-          Ne jemi dërguar nën fuqinë e Shpirtit të Shenjtë.

Lexo Jn. 3:16; 14:15.
- Motivimi i fundit për dëshminë është dashuria.
- Dashuria dhe bindja janë të ndërlidhura me njëra - tjetrën. Si mund të themi se e duam Jisuin, nëse nuk i bindemi porosisë së Tij të fundit?

Lexo Vep.1:8.
-          Në qoftë se ne frikësohemi për të folur për të tjerët rreth besimit tonë, kujtoni se Shpirti i Shenjtë do të na forcojë dhe frymëzojë.
-          Ekziston gjithmonë rreziku i lokalizmit, egocentrizmit individual dhe madje i kishës vendore dhe kombëtare.
-          Kisha thirret që njëkohësisht të veprojë në mënyrë lokale, nacionale dhe globale.


Çfarë ndodhi në ditën e Pendikostisë? (përmblidh vep.2)
-          Vëreni se si Shpirti i Shenjtë i shndërroi peshkatarët e frikësuar në
predikues të guximshëm.
-          Përse është e rëndësishme që njerëzit ta dëgjojnë Ungjillin në gjuhën e
tyre? (Kjo na kujton se të gjithë njerëzit kanë të drejtën për të dëgjuar
Lajmin e Mirë në një gjuhë që ata e kuptojnë.)

Kujtoni se pjesa më e madhe e Dhjatës së Re janë letra të shkruajtura nga misionarët për kishat misionarike.
-          Lexo Rom. 10:13 – 15 “Si munden njerëzit të flasin në emër të Jisuit, në qoftë se dikush nuk u ka folur atyre për Jisuin ?”
-          Lexo I. Tim. 2:1 – 4: Jisui dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen. Nuk duhet të jetë dëshira e të krishterëve vështrimi i jo të krishterëve të vdesin në mëkatet e tyre.


Lexo Zbul. 5:9 – 10; 7:9 – 17 dhe kuptoni se Perëndia do njerëz nga çdo popull, nga çdo komb, nga çdo fis për të hyrë në Parajsë.


Citime nga Kryepeshkopi Anastas

Nuk është një pyetje e llojit “A mundemi?”, por një urdhër i prerë “Ne duhet.” “Shkoni dhe mësoni të gjithë kombet.”… Aktiviteti misionarik nuk është thjesht diçka “e dobishme” ose vetëm “e këndshme”, por diçka detyruese, një detyrë kryesore, në qoftë se me të vërtetë duam t’i jemi besnikë besimit tonë Ortodoks.

Spiritualiteti që ekziston pa elementin e universalitetit, pa luftën dhe agoninë për shpëtimin e “mbarë botës”, është një spiritualitet i çalë… Le të mos mashtrojmë vetveten. Jeta jonë shpirtërore nuk do ta njohë entuziazmin, gjerësinë, sinqeritetin që i duhet, në qoftë se vazhdojmë ta konsiderojmë dhe jetojmë Krishterimin të kufizuar brenda kufijve të ngushtë të komunitetit të cilit i përkasim, duke harruar fatin e tij mbarëbotëror.

Pika më kryesore në mision nuk është ajo që shpallet, por ajo që jetohet – ajo që je.

Misioni është një shprehje thelbësore e vetndërgjegjësimit ortodoks, një thirrje për veprim në plotësimin e vullnetit hyjnor “si në qiell ashtu edhe mbi dhe”…Indiferenca në mision është një mohim i Ortodoksisë.

Sa e pakonceptueshme është që të kemi një Kishë pa jetë liturgjike, po aq edhe më e pakonceptueshme është që të kemi një Kishë pa mendësi misionarike.

Atë Luka Veronis

No comments:

Post a Comment