Studim Biblik: Fundi i udhëtimit tonë drejt lavdisë; vdekja dhe përtej saj (6)


Studim Biblik
Fundi i udhëtimit tonë drejt lavdisë; vdekja dhe përtej saj
1 Thes. 4:13 –18,
1 Kor.15, Jn. 5:24 –25, 11:25 – 26

            Pak më parë vdekjes së Shën Pavlit, ndërsa ishte në burg në pritje për t’ju prerë koka, ai shkroi letrën e tij të fundit të Dhiatës së Re, letrën drejtuar dishepullit të tij Timote:“Sa për mua, po derdhem si ofertë pije dhe koha e nisjes sime arriti. Luftën e mirë e luftova, vrapimin e përfundova, besimin e shpëtova. Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, Gjykatësi i Drejtë, do të ma japi atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e Tij”. (II. Tim.4:6 – 8).

Si e vështronte Shën Pavli vdekjen e tij të pritshme? A kishte frikë? Pse dhe pse jo?

            Çfarë ishte vdekja për Shën Pavlin?
-          Vetëm një pikë kalimi për të hyrë në një jetë më të mirë, për të marrë kurorën e drejtësisë.
-          Vdekja nuk ishte fundi, por fillimi i një jete të re, i jetës së përjetshme.

Po për ty? Çfarë mendon ti për vdekjen?
Si e kupton bota vdekjen? Pse kaq shumë njrëz kanë frikë nga vdekja?
Çfarë është vdekja? Çfarë do të ndodhë kur ne të vdesim?

Gjatë gjithë historisë së Kishës, kanë ekzistuar kaq shumë njerëz, të cilët kanë pasur shumë konfuzion dhe frikë nga vdekja. Madje, edhe në Kishën e hershme, e shohim këtë konfuzion në letrat e Shën Pavlit.

Lexo 1Thes. 4:13 – 18

Të krishterët në Selanik ishin konfuzë përsa i përket besimtarëve që vdisnin. Ata mendonin, si shumë nga të krishterët e parë, se Ardhja e Dytë e Krishtit do të vinte shumë shpejt. Megjithatë, ata nuk e kuptonin vdekjen. Por, kur disa besimtarë filluan të vdisnin, ata nuk e kuptonin përse ndodhte kështu. A do ta humbisnin ata Ardhjen e Dytë të Krishtit? Në këtë pasazh, Shën Pavli përpiqet t’i bëjë gjërat të qarta.

Lexo përsëri V.13.
-          A është e gabuar të qajmë kur vdesin njerëzit?
-          Si duhet të ndryshojë hidhërimi i të krishterëve nga hidhërimi dhe dhimbja e të tjerëve.
-          Ne mund të vajtojmë, sepse do të humbasim njerëz të ndryshëm, por nuk qajmë sepse kemi frikë vdekjen ose sepse nuk kemi shpresë. Të krishterët që vdesin janë ende të gjallë në Krishtin! Megjithatë, ne nuk duhet të vajtojmë të dëshpëruar, por gjithmonë duhet të vajtojmë me gëzim.
-          Cili është realiteti i sotëm? A veprojnë të krishterët ndryshe nga jo të krishterët përsa i përket vdekjes? Pse dhe pse jo?

Çfarë do të thotë v.14?
            Të krishterët besojnë se kur pagëzohemi, vdesim me Krishtin dhe ngjallemi me Krishtin.
-          Kjo do të thotë se, n.q.s. me të vërtetë besojmë në ngjalljen e Krishtit, ne gjithashtu duhet të besojmë në ringjalljen tonë. Në qoftë se jemi me Perëndinë në këtë jetë, Ai nuk do të na braktisi në vdekje.
-          Lexo Rom. 6:4 –11 – Pagëzimi ynë është vdekje dhe ngjallje, është një parafigurim i vdekjes sonë dhe i jetës së re. 

Çfarë do të thonë V. 15 – 17?
-          Këtu adresohet problemi i të krishterëve të Selanikut. Ata shqetësoheshin se njerëzit që kishin vdekur do të humbisnin Ardhjen e Dytë të Krishtit. Shën Pavli thekson se kur Krishti të vijë përsëri, si të vdekurit dhe të gjallët do të ribashkohen dhe do të qëndrojnë përpara Perëndisë.

Çfarë do të thotë vargu 18?
-          Inkurajoni njëri - tjetrin me këto fjalë! Ne të krishterët duhet të inkurajojmë njëri - tjetrin rreth çështjes së vdekjes. Ajo nuk është diçka e frikëshme. Në qoftë se besojmë tek Perëndia, vdekja nuk ka fuqi mbi ne!

Lexo Jn. 5:24, 25 dhe Jn.11:25, 26.

-          A do të thotë kjo se të krishterët nuk do të vdesin? Si i kuptojmë fjalët e Jisuit?

Lexo 1 Kor.15:12 –22.

Shën Pavli shkruan përsëri rreth çështjes së vdekjes. Disa njerëz kanë dyshim në lidhje me ngjalljen e Krishtit nga të vdekurit. Shën Pavli besonte se besimi në ngjalljen nga të vdekurit ishte qendror në besimin tonë. Pa ngjalljen e Krishtit, besimi ynë do të ishte pa vlerë.

Përse është besimi ynë “i pakuptimtë ose i padobishëm” në qoftë se ngjallja e Krishtit nuk është e vërtetë? Përse ëshët qendër e besimit tonë ngjallja nga të vdekurit?

-          Sepse në qoftë se Krishti nuk vdiq dhe u ngjall përsëri, vdekja nuk u shkatërrua. Megjithatë, të gjithë njerëzit do të vdesin një ditë dhe ky do të ishte fundi. Besimi i krishterë është i pafuqishëm!
-          Vdekja erdhi përmes mëkatit të Adamit; jeta e përjetshme vjen përmes ngjalljes së Krishtit.
-          Këtu është “Lajmi i Mirë” i besimit tonë. Vdekja u shkatërrua. Kjo e bën Krishtërimin të ndryshëm nga çdo fe tjetër. Krishti shkatërroi vdekjen, të keqen më të madhe.
-          Himni qendror i Kishës sonë është: “Krishti u ngjall së vdekurësh, me vdekje vdekjen shkeli dhe të varrosurve jetën u fali.” VDEKJA U SHKATËRRUA!

Lexo 1 Kor. 15:35 - 44

 Si do të ngjallen së vdekurësh trupat tanë?

-          Ne do të ngjallemi me një trup të ri, të lavdëruar.
-          Ngjallja jonë është një mister. Ne nuk i kuptojmë shumë gjëra, por jemi të sigurt për një gjë: që do të ngjallemi me një trup të ri! 


Lexo 1 Kor. 15:51 –57

-          Me Krishtin ne kemi fituar mbi vdekjen.
-          Vdekja është e pafuqishme kundër besimtarit.
-          Shikoni si Shën Pavli qesh, tall vetë vdekjen. Vdekja nuk është diçka e frikshme për Shën Pavlin, sepse ai e njeh fuqinë e Krishtit mbi vdekjen!

Të gjithë ne do të vdesim një ditë, derisa Ardhja e Dytë e Krishtit do të vijë përpara vdekjes sonë.

A jemi të parapërgatitur për vdekjen? A jemi gati? A kemi frikë?

Nga këndvështrimi botëror, vdekja është një fund i trishtueshëm për çdo jetë njerëzore. Por, si të krishterë, kemi një këndvështrim të ndryshëm.

Kujtoni gëzimin në Kishë gjatë mbrëmjes së Pashkës. Përse kaq shumë gëzim? Përse këndojmë “Krishti u Ngjall” kaq shumë herë?

-          Sepse ky është Lajmi i Mirë i besimit tonë të krishterë.

Këtu janë disa nga himnet që këndojmë për Pashkë. Vëreni gëzimin dhe kuptimin e mesazhit të tyre:

“Sot (të Shtunën e Madhe, ditën kur Krishti shkoi në ferr) Hadi bërtiti duke rënkuar: “Do të doja të mos e kisha marrë të lindurin nga Maria, sepse Ai erdhi tek unë dhe shkatërroi fuqinë time. Ai prishi portat e tunxhta dhe shpirtërat që i kisha marrë prej kohësh Ai i ngjalli”.

“Sot Hadi bërtiti duke rënkuar: “Fuqia ime mori fund; mora një njeri, por këtë nuk mund ta mbaj. Për shkak të Tij i humba të gjithë sa kisha zotëruar. Prej kohësh i kasha mbajtur të vdekurit, por ja, Jisui i ngriti së vdekjurësh”.

“Sot Hadi bërtiti duke thënë: “Fuqia ime u shkel. Bariu u kryqëzua dhe Adami u ngrit. Më janë larguar ata, mbi të cilët sundoja. Dhe të gjithë sa i gëlltita janë çliruar. Jisui, që u kryqëzua, tani i ka zbrazur varret. Zotërimi i vdekjes nuk është më.

“Kryqi Yt zhduku mallkimin e drurit; varrimi Yt shkatërroi pushtetin e vdekjes; dhe Ngjallja Jote i fali dritën gjinisë njerëzore.”

“Portat e vdekjes janë hapur nga frika përpara Teje, o Zot, dhe rojtarët e dyerve të Ferrit u rrëzuan kur të panë. Se Ti prishe portat e tunxhta dhe theve llozet e hekurta. Na nxorre nga errësira dhe hija e vdekjes, duke na çliruar nga vargonjtë.”

Këndoni “Krishti u Ngjall” dhe kujtoni mesazhin e këtij himni. Ai nuk duhet kënduar vetëm gjatë Pashkës, por është mesazhi i çdo dite të vitit! 

Atë Luka Veronis


No comments:

Post a Comment