Studim Biblik (3) - Praktika për leximin e Biblës

Studim Biblik (3) Praktika për leximin e Biblës

Mësuam sa e rëndësishme është të lexojmë Biblën vazhdimisht.  Mësuam edhe se është e vështirë të lexojmë Biblën në një mënyrë të drejtë. Megjithatë si mund t’i lexojmë Shkrimet nga ana e një perspektive Ortodokse?
  
Nëse kemi këtë qëllim në mendje, të përjetojmë fuqinë transformuese të Shkrimeve, atëherë duhet të kuptojmë plotësisht si të lexojmë Biblën sipas perspektivës Orthodhokse. Këtu mund të ndryshojmë nga Protestantët, në kuptimin e tyre të leximit të Biblës.


 a) Zotëroje Biblën. Çfarë do të thotë?

Para së gjithash, duhet të ngulitim në mendjen tonë që nuk duam thjesht të lexojmë Shkrimet e Shenjta. Qëllimi ynë është ta zotërojmë fjalën e Perëndisë, ta bëjmë atë pjesë të jetës sonë.


Ne duam të përdorim Biblën si derën tonë për në Mbretërinë e Perëndisë. Që ta bëjmë këtë duhet të kuptojmë që të zotërosh Biblën, të përjetosh mbretërinë, duhet të udhëtojmë nëpërmjet hapave të ndryshme të leximit.

Këto hapa janë:
1. dëgjimi,
2. kuptimi,
3. pranimi në zemër i asaj  që dëgjojmë,
4. zbatimi e të vërtetave në jetën tonë.


Fatkeqësisht, disa njerëz kurrë nuk i kalojnë hapat e parë.  Kur ne lexojmë Shkrimin, a kërkojmë të përfundojmë hapin e dëgjimit qoftë dhe atë të kuptimit?  A e kemi lejuar fjalën e Perëndisë të prekë zemrën tonë? A kërkojmë që fuqia e Perëndisë të veprojë në ne?  A kërkojmë të na çojë në të bërit vepra të mira, të thyejmë apatinë e jetës normale të vetëkënaqësisë?

 b) Lexoni me dashuri. Çfarë do të thotë?

Para së gjithash, e lexojmë fjalën e Perëndisë me një qëndrim dashurie. Teologu i madh, Gjergj Florovski shkroi: “Askush nuk mund të përfitojë nga Ungjijtë, derisa ai së pari të jetë në dashuri me Krishtin. Krishti nuk është një tekst, por një person i gjallë, dhe ai banon në trupin e Tij, në Kishë”.


 c) Afrohu me një qëndrim lutësor. Çfarë do të thotë?

Kurdoherë që hapim Biblën, duhet të themi një lutje të shkurtër, duke kërkuar Shpirtin e Shenjtë të na ndriçojë dhe të na udhëheqë, dhe të falënderojmë Perëndinë për privilegjin e madh të leximit të fjalës së Tij të shenjtë.

Shën Isak Siriani thotë: “Mos iu drejto fjalëve të mistershme të Shkrimit pa lutje dhe pa kërkuar ndihmë nga Perëndia, duke thënë “Perëndi, më ndihmo, të perceptoj fuqinë që është në Shkrim”!

Ekziston një lutje e bukur, të cilën priftërinjtë e ofrojnë në Liturgjinë Hyjnore para leximit të Ungjillit, që mund ta mësoni përmendësh:
"O Zot njeridashës,
bëj që të shkëlqejë në zemrat tona
drita e kulluar e njohjes së hyjnisë sate,
dhe çel syt e mendjes sonë për të kuptuar mësimet e tua ungjillore.  Futna dhe frikën e porosive të tua të lumtura,
që pasi të shtypim të gjitha epshet trupore,
të mundim të kalojmë një jetë shpirtërore,
duke menduar dhe duke bërë të gjitha ato që të pëlqejnë.
Se ti je ndriçimi i shpirtrave dhe i trupave tanë, o Krisht Perëndi,
dhe ty ta drejtojmë lavdinë, bashkë me Atin tënd pa fillim,
dhe Shpirtin tënd të tërëshenjtë, të mirë dhe jetëbërës,
tani e perherë e në jetë të jetëve.  Amin".

d) Prit, të dëgjosh Perëndinë. Çfarë do të thotë?

Kur Perëndia flet personalisht me ne, duhet të dëgjojmë dhe të presim atë që do të na thotë Ai (diçka që ka lidhje me jetën tonë).  Duhet të presim, që fjalët e Tij të jenë përgjigje të problemeve në jetën tonë.  Mos e shikoni Biblën si një libër historik, 2000 vjeçar, por si një libër bashkëkohor që ka të bëjë me jetën e tanishme! Prisni të takoni Jisuin në një mënyrë të gjallë e dinamike, sa herë, që të hapni këtë sënduk të madh me thesar!


e) Lexoni me përulësi dhe bindje. Çfarë do të thotë?

Përulësi nënkupton, që do të mësojmë shumë të vërteta. Shkrimet e Shenjta do të ngjallin te ne sensin e habisë dhe frikës pasi do të shfaqen gjëra të cilat s’i dimë. Nëse ulemi dhe dëgjojmë Perëndinë të flasë me ne, atëherë vazhdimisht do të zbulojmë gjëra të reja.

Sigurisht, do të ketë gjëra, që s’do t’i kuptojmë. Megjithatë, duhet të përulim veten dhe të kuptojmë se mënyrat e Perëndisë janë shumë më të larta sesa tonat.  E kohë pas kohe do të mund të kuptojmë gjithnjë e më tepër. Dhe megjithëse mund të dimë shumë, gjithmonë do të ketë të vërteta të cilat s’mund t’i kuptojmë. Si rrjedhim, kur të lexojmë, duhet të kemi përulësi të përqendrohemi në atë ç’ka kuptojmë dhe jo të lodhemi me mendime për ato që s’i kuptojmë.

Krah për krah me këtë qëndrim të përulur duhet të kemi një mendje të bindur. Bindje, në dëgjimin e asaj, që Perëndia ka për të thënë, dhe të qenët gati për të përmbushur çfarëdo që Ai na thotë (e pëlqejmë apo jo ne). Disa gjëra, që thotë Bibla kërkojnë një vëzhgim të mirë të vetvetes dhe pendim, ndryshim të rrugës së jetës sonë).  Mbi të gjitha kemi nevojë të presim për Shpirtin dhe t’i bindemi fjalëve të Tij.


f) Lexo Biblën me Kishën si Autoritet. Çfarë do të thotë?

Ne duhet të kuptojmë se Shkrimi doli nga Kisha. Pasi Jisui vdiq, u ngjall, dhe u ngjit në qiell, Kisha ishte ajo që u la në tokë e jo Bibla. Bibla erdhi nga Kisha. Si rrjedhim, Bibla kurrë nuk mund të shihet e izoluar nga Kisha.

Kisha na tregon se si t’i interpretojmë Shkrimet. (Shiko Veprat 8:30-31). Megjithqë Shkrimi është një dialog personal, edhe ne kemi nevojë për drejtim, dhe drejtuesja jonë është Kisha. Përfundimisht, duhet të mbajmë mend, se gjithmonë duhet t’i nënshtrohemi mendimeve personale të eksperiencës totale të Kishës. S’mund të vendosim interpretimin tonë mbi atë të Kishës.


 g) Bëjeni Biblën personale. Çfarë do të thotë?

Shiko Biblën në planin personal. Perëndia më ka dërguar mua dhe ty një letër dashurie. Megjithëqë librat e saj janë shkruar mijëra vjet më pare ende ajo vepron si një letër personale për secilin prej nesh.

  Si rrjedhim, vazhdimisht duhet të pyesim:
-         “Çfarë nënkupton ky paragraf për mua?”
-         Çfarë dëshiron të më thotë Perëndia?
-         Si përdoret kjo e vërtetë në jetën time?
-         Çfarë lidhje ka kjo ngjarje me besimin tim?


h) Jini i disiplinuar në lexim. Çfarë do të thotë?

T’i drejtohemi Shkrimit me një mendje të disiplinuar. Ne duhet të disiplinojmë veten, të lexojmë Biblën përditë. Konsiderojeni këtë ushqimin tuaj të përditshëm. Pa ushqim fizik, s’mund të jetojmë shumë. Në të njëjtën mënyrë, pa një ushqim të tillë shpirtëror, shpirtrat tanë do të thahen.

Si një disiplinë gjithashtu mësoni që asnjëherë të mos e lini Shkrimin pa memorizur një paragraf, apo një rresht.
-         Shën Joan Gojarti thotë: “Shkrimet nuk na janë dhënë  kot,  për t’i pasur vetëm si libra, por, që ne të mund t’i ngulisim ato në zemrat tona”.
-         Shën Pavli shkruan: “Fjala e Krishtit banoftë tek ju me begatinë e vet”.
-         Psalmisti shkroi: “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje”.

 Shkrimet tona të Shenjta.
Sënduku ynë i thesarit nga qielli.
Dera jonë për në Mbretërinë e Perëndisë. 
Një letër e dashur nga Zoti ynë drejtuar secilit prej nesh. 
Kjo është Bibla për të krishterët Orthodhoksë.

Si do t’i përgjigjemi? Do ta marrim këtë sënduk, do ta hapim dhe do të marrim nga thesari brenda saj?!?

Vendosni qëllimet e duhura, dhe ngadalë zotëroni Ungjijtë. Pastaj përqendrohuni te Veprat dhe Letrat. Pastaj mësoni Psalmet dhe çdo pjesë të Dhiatës së Vjetër. Natyrisht, e gjithë kjo kërkon kohë, por çmimi në marrjen e thesarit të Perëndisë është i pabesueshëm!

Atë Luka Veronis

No comments:

Post a Comment