Studim Biblik (2) - Rëndësia e Biblës në Kishën Orthodhokse

Studim Biblik (2) - Rëndësia e Biblës në Kishën Orthodhokse


Hyrja:

Leximi i Biblës ka qenë një nga kollonat e besimit Orthodhoks.  Adhurimi, mësimet, dhe praktikat tona shpirtërore i kanë rrrënjët e tyre në Shkrimet e Shenjta.  Bibla është njohur si LIBRI i Kishës.  Si rrjedhim është e rëndësishme të hapim Biblën e të shikojmë çfarë ajo përmban në vetvete.  Bibla na mëson rëndësinë e madhe, jo vetëm të leximit të Shkrimeve të Shenjta, por dhe integrimin e saj si fjalë e Perëndisë në jetën tonë.

Ashtu sikurse trupat tanë kanë nevojë për bukën e përditshme për të mbijetuar, në të njëjtën mënyrë shpirtrat tanë kanë nevojë për ushqim me qëllim që të rriten dhe të piqen. Një ndryshim i tillë shpirtëror vjen veçanërisht nëpërmjet lutjes së përditshme dhe leximit të Biblës.  Më poshtë janë vargje nga Bibla dhe citime nga shenjtorë të Kishës të cilat afirmojnë fuqishëm rëndësinë e Shkrimit në jetën tonë të përditshme.


Si Etërit e Shenjtë arritën të bëheshin drejtuesit e mëdhenj?  Një praktikë e tyre  e vazhdueshme ishte leximi dhe mësimi i Shkrimeve.

Shën Joan Gojarti besoi kaq shumë në rëndësinë e saj, saqë praktikonte leximin e gjithë letrave të Shën Pavlit të paktën dy herë në javë, dhe nganjëherë tre ose katër herë.  Për shumë vite ai drejtoi kurse Biblike dy ose tre herë në javë, me qëllim që të ushqente tufën e tij me Shkrimet.


Shën Kozmai i Kolokondësit nxiti njerëzit që predikonin, të mblidheshin në grupe 5-10 dhe të lexonin e diskutonin Biblën me njëri-tjetrin. Kjo formë “Studimi Biblik” që ai ofroi ishte shumë e rëndësishme.

Shën Serafimi i Sarovit lexonte Ungjijtë çdo javë, së bashku me Letra të ndryshme nga Veprat. Ai tha se e bënte këtë, sepse “Unë bisedoj me  Zotin, dhe mbaj në mendjen time Jetën dhe Vuajtjen e Tij, dhe ditë e natë unë e lëvdoj dhe i jap falenderime Shpërblyesit im, për gjithë mëshirat e tij që janë dërguar mbi qenien njerëzore dhe mbi mua, të padenjit”.

Lexoni së bashku çdo varg më poshme, dhe diskutoni. Çfarë do të thotë?

(Nëse grupi është i pafamiliarizuar me Biblën, shpjegoni ndryshimin që ekziston midis Dhiatës së Vjetër dhe Dhiatës së Re. Gjithashtu, mësojuni se cilët janë kapitujt dhe vargjet, si dhe si të gjejnë pasazhet në Biblat e tyre. Ndihmoni secilin nga ata t’i gjejë vargjet vetë, dhe lejoni secilin kampist të lexojë çdo varg.)


Lexo: Ligji i Përtërirë 6:4-9

“Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.  Do t’i lidhësh si një shenjë në dorë do të jenë si shirita midis syve, dhe do t’i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua.”

-         Të lexosh Biblën nuk është vetëm një detyrë, por është ushqimi ynë me të cilin duhet të ushqehemi çdo ditë. Ky varg thekson se duhet të meditojmë dhe mendojmë rreth fjalëve të Perëndisë KUDO KU JEMI DHE NE ÇDO MOMENT.
-          “Injorimi i Shkrimeve është një humnerë dhe një greminë e thellë.” Etërit e Shkretëtirës
-         “Injorimi i Shkrimeve është injorimi i Krishtit.”  Shën Jeronimi


Lexo: Jozueu 1:8

“Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh sipas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.”

-         Theksim mbi të menduarit rreth fjalës së Perëndisë DITE E NATE, VAZHDIMISHT.
-         Jo vetëm lexim, por veprim sipas asaj që lexon.
-         Suksesi ynë në jetë varet nga bindja jonë te Fjala e Perëndisë.


Lexo: Psalmi 1:1-3

“Lum njeriu ...... që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit dhe që mendon thellë, ditë e natë mbi ligjin e tij.  Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.”

-         lexim nga ana jonë e fjalës së Perëndisë nuk duhet të jetë një detyrë, por duhet të bëhet një “ndriçim” për ne. Ne duhet të mësojmë sesi ta lexojmë Biblën!
-         Përsëri një theksim mbi të menduarit vazhdimisht rreth fjalës së Perëndisë.
-         Një jetë e frutshme do të varet nga bindja jonë te fjala e Perëndisë.


Lexo: Psalmi 119: 9-11, 50, 72, 81-82, 103-105, 161-162

“Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër?  Duke e ruajtur me fjalën tënde.  Të kam kërkuar me gjithë zemër;  mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua.  E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje. 
Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë. 
Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi. 
Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjartë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde.
Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: ‘Kur do të më ngushëllosh?’ 
Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! 
Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time. 
Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarsinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti. 
Fjala jote është një llambë në shtegun tim. 
Princat më përndjekin pa arsye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote.”  

-         Si të bëjmë një jetë të pastër, të shenjtë? Binduni asaj që lexoni në fjalën e Perëndisë.
-         Nëse nuk doni të mëkatoni, ruajeni fjalën e Perëndisë në zemrën tuaj
-         Fjalë e Perëndisë është një nga thesarët më të mëdha të jetës.
-         Doni të zbulloni deshirën e Perëndisë për jetën tuaj? Doni drejtim në jetë? Lexoni fjalën e Perëndisë dhe do të zbuloni rrugën tuaj!


Lexo Romakëve 15:4

“Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë.”

-         Bibla u shkrua për të na dhënë udhëheqje dhe drejtim. Lexo çdo ditë duke bërë pyetjen: “Zot, çfarë dëshiron që të më mësosh sot?”
-         Lexo Bibla çdo ditë dhe gjithmonë do të gjesh shpresë. Fjalë e Perëndisë është ilaç për ata që dëshpërohen!



Lexo Kolosianëve 3:16

“Fjala e Krishtit banoftë në ju me begati”.

-         Nuk është e mjaftueshme të lexojmë fjalën e Perëndisë, por fjala e tij duhet të banojë brenda nesh.
-          “Shkrimet nuk na u dhanë që ti kemi vetëm nëpër libra, por që mund t’i gdhendim në zemrat tona... Dëgjoni, ju them të jeni të kujdesshëm për jetën e krishterë.... zhytuni te [Shkrimet] dhe merrini tërësisht te vetja, mbajini në zemrën tuaj. Bëjmë ligësi pasi nuk njohim Biblën.”  Shën Joan Gojarti



Lexo Hebrenjtë 4:12

“Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri fund të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës.”

-         Një nga vlerat më të mëdha të Shkrimit të Shenjtë është se ai na ndihmon të kuptojmë dhe të shikojmë qartësisht mëkatet tona dhe dëshirat mëkatare.


Lexo 2 Timotheu 3:16-17

 “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia
dhe i dobishëm për mësim,
bindje,
ndreqje
dhe për edukim me drejtësi,
që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer,
 tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.”

-         Disa pasazhe ne Bibël janë të vështira për t’u kuptuar. Duhet të kuptojmë se i gjithë Shkrimi ka një qëllim, por duhet të zbulojmë se cili është mesazhi dhe qëllimi i tij. Sigurisht, një mësim i tillë, do të vijë me kohën. Pëerqendrohuni në gjërat që të kuptoni, jo vetëm në pasazhet e vështira. Në pasazhet e vështira, pyesni dikë tjetër që t’ju ndihmojë për t’i kuptuar!

-         Shën Tihoni i Zadonskit tha këtë mbi qëndrimin Othodhoks për Shkrimin e Shenjtë: “Nëse një mbret tokësor, ju shkroi një letër, a nuk do ta lexonit atë me gëzim?  Natyrisht, me një gëzim të madh dhe me një vëmendje të përqëndruar.  Ju është dërguar një letër, por jo nga një drejtues tokësor, por nga Mbreti i Qiellit. Dhe përsëri ju pothuajse e përçmoni një dhuratë të tillë. Kurdoherë që ju lexoni Ungjillin, Vetë Krishti ju flet. Dhe gjatë kohës që lexoni ju luteni dhe bisedoni me Të.”



Leximi i Biblës është një bashkëbisedim me Perëndinë. Ai flet me ne që të na mësojë, të na udhëheqë dhe të na drejtojë. Bibla është një letër personale drejtuar secilit prej nesh nga Perëndia. Imagjinoni ç’bekim i mrekullueshëm është ky, të marrësh një letër nga Vetë Perëndia.  Si rrjedhim të gjithë duhet të nxitemi dhe me emocion të lexojmë se ç’ka do të na thotë Krijuesi i Universit.


Qëllimi kryesor i leximit të Biblës:

Leximi i Biblës është një aventurë emocionuese, një hyrje e bujshme në një botë të re, një ndryshim i përjetimit të jetës. Nëpërmjet leximeve tona të Shkrimit, dikush mund të shndërrohet, transformohet, dhe shpërfytyrohet në një person të ri, një krijesë të re. Shkrimet ofrojnë një jetë të re!

Qëllimi: Tako Perëndinë dhe përjeto Jetën!

Këtu është qëllimi  i takimit me Perëndinë e gjallë dhe përjetimit të  jetës së re në Të. Nëpërmjet leximit të Shkrimeve, Perëndia na tregon se cili është Ai në një mënyrë të re dhe dinamike, dhe duke njohur Perëndinë,  pastaj arrijmë të kuptojmë vullnetin e Tij për ne.  Ne mësojmë si të jetojmë çdo ditë duke i shërbyer Atij dhe duke lartësuar Emrin e Tij.  Jeta jonë futet në një dimension të ri dhe emocionues.  Ne kuptojmë që jeta e krishterë është një jetë e përmbushur me gëzim, paqe, dashuri dhe shpresë!


Atë Luka Veronis

No comments:

Post a Comment