O Zot, kujto dhe mëshiro popullin Tënd

O Zot, kujto dhe mëshiro popullin Tënd

... Dhe kujto, o Zot, gjithë ata që kanë ndërruar jetë me shpresë ngjalljeje për jetën e amëshuar;
dhe prehi ata atje ku mbikqyr drita e fytyrës sate.
Gjithashtu të lutemi, kujto o Zot, Kishën tënde të shenjtë, katholike dhe apostolike,
që është përhapur nga njëra anë deri në tjetrën anë të botës,
dhe fali paqen asaj, të cilën e fitove me Gjakun e çmuar të Krishtit tënd,
dhe forcoje këtë shtëpi të shenjtë gjer në mbarim të jetës.


Kujto, o Zot, ata  që sollën këto dhurata, ata për të cilët,
dhe me anën e të cilëve u sollën si dhe për çka ato u sollën.
Kujto, o Zot, ata që sjellin pemë dhe bëjnë të mira në kishat e tua të shenjta dhe që kujtojnë të varfërit; shpërblei me dhuratat e tua të pasura dhe qiellore;
dhuroju qielloret në vend të të dheshmeve,
të përjetshmet në vend të të përkohëshmeve,
ato që s’prishen në vend të atyre që prishen.

Kujto, o Zot, ata  që ndodhen në shkretëtira, dhe në male, dhe në shpella dhe në vrimat e dheut.
Kujto, o Zot, ata që jetojnë me virgjëri dhe shprestari,
dhe me asketizëm dhe me jetë të nderuar.
Kujto, o Zot, udhëheqësit besnikë, që caktove për të drejtuar botën;
kurorëzoi me armën e së vërtetës, me armën e dëshirës së mirë;
qëndroi mbrojtës mbi krye në ditë lufte, forcoi krahun, lartësoja të djathtën, forcoi pushtetin, nënshtrouja kombet barbare që duan luftrat; falu paqe të thellë dhe të vazhdueshme;
fol në zemrën e tyre fjalë të mira për Kishën tënde dhe për tërë popullin tënd;
në mënyrë që nën qetësinë e tyre të kalojmë jetë të paturbulluar dhe të qetë, me shpresëtari dhe nder.

Kujto, o Zot, çdo pushtet dhe vëllezërit tanë udhëheqës dhe tërë ushtrinë.
Të mirët ruaji  me mirësinë tënde,
të ligjtë bëji të mirë me mirëdashjen tënde.
Kujto, o Zot, popullin  që rri rrotull, dhe ata që për shkaqe të arsyeshme mungojnë, dhe mëshiroi ata dhe ne sipas mëshirës sate të shumtë.
Shtëpitë e tyre mbushi me tërë të mirat;
martesat e tyre ruaji me paqe dhe harmoni;
foshnjat rriti;
rininë edukoje;
pleqërinë forcoje;
ata me guxim të paktë, ngushëlloji;
të shpërndarët mblidhi;
të gabuarit riktheji dhe bashkoi me Kishën tënde të shenjtë, Katholike dhe Apostolike;
të ngacmuarit prej frymësh të ndyra çliroi;
lundro bashkë me lundruesit;
udhëtarët shoqëroi;
të vejat mbroji;
jetimët përkrahi;
robërit shpëtoi;
të sëmurët shëroi.
Kujto, o Perëndi, ata që ndodhen në gjyqe, në miniera, në internime, në robëri të hidhura, dhe në çdo dhembje, nevojë dhe mjerim.
Kujto, o Perëndi, dhe gjithë ata që i luten zemërdhembshurisë sate të madhe, dhe ata që na duan dhe ata që na urrejnë dhe ata që na kanë porositur ne të padenjët të lutemi për ta.
Kujto, o Zot, Perëndia ynë, dhe gjithë popullin tënd dhe derdh mbi të gjithë mëshirën tënde të pasur,
duke u falur të gjithëve ato që të lypin për shpëtim.
Dhe ata të cilët ne nuk i kemi kujtuar nga padija, ose harresa ose nga shumica e emrave, kujtoi vetë, o Perëndi, ti që di moshën dhe emrin e secilit, Ti që e njeh secilin që nga barku i nënës së tij.
Se Ti je, o Zot, ndihma e atyre që s’kanë ndihmë, shpresa e të dëshpëruarve, shpëtimtari i atyre që turbullohen nga dallgët e jetës, limani i lundruesve, mjeku i të sëmurëve.
Bëhu gjithçka për të gjithë, Ti që njeh secilin dhe kërkesën e tij, shtëpinë dhe nevojën e tij.
Shpëto, o Zot, këtë qytet dhe çdo qytet e vend, prej urisë, sëmundjes, tërmetit, përmbytjes, zjarrit, thikës, sulmit të armiqve dhe luftës civile....

Nga Liturgjia e shën Vasilit

No comments:

Post a Comment