Nuk di si të lutem

Nuk di si të lutem

Perëndia im, unë nuk di si të lutem.
Por e ndiej thellë brenda vetes nevojën për lutje.
Unë kam dëshirë të lutem.
Kohë pas kohë më pushton dëshira e fortë për të biseduar me Ty.
Dëshira për të qenë në kontakt me Ty, të Pashprehshim dhe të Pazbulueshmin. Por më humbasin fjalët.
Nuk mund t’i bashkoj dot që të them atë që dua. Mendimet e mia ngatërrohen. Kështu, shpesh nuk di çfarë të them, ndërkohë që e kuptoj që kam shumë për të të thënë.
Diçka të papërcaktuar, të  ngatërruar, diçka pa formë ose pa trajtë ndiej brenda meje.
Një botë e tërë me idera, ndjenja, mendime dhe përvoja ndodhet në valë batice të vazhdueshme tek unë.

Nuk dua të fshihem prej Teje, o Perëndi. Vitet e fundit jam lutur, por shumë pak. Që kur isha fëmijë, që në vitet e shkollës fillore, deri më sot, lutja pothuajse ka munguar në jetën time.
Prandaj, edhe tani që etja për të folur me Ty më djeg si zjarr, nuk mundem – nuk di si të flas me Ty.
Përpiqem të lutem, dhe të njëjtat fjalë që kam përdorur kur isha fëmijë dalin nga buzët e mia.

Por në gjendjen që jam sot, ato tingëllojnë kaq të huaja dhe të çuditshme, saqë turpërohem kur i them në lutje.
Të lutem, Perëndi i gjithfuqishëm:
Më mëso të lutem.
Bisedo me mua.
Më trego me çfarë arti hyjnor mund të komunikoj me Ty.
Jam ulur në këmbët e Tua gati për të të dëgjuar.
Sytë e mi janë ngulitur vetëm te Ty.
E njëjta pyetje e vjetër djeg buzët e mia ashtu si dhe apostujt e Tu pyetën: Zot, na mëso të lutemi.

No comments:

Post a Comment