Gjatë
kohës së mbretit Theodhos i Madh, rreth viteve 379 – 395, në
Konstandinopojë jetonte një njeri i mirë dhe i pasur me shumë virtyte që
në rini të tij. Ai kishte një djalë të quajtur Theofil. Në pleqëri të
tij ai u varfërua dhe nuk kishte as më të domosdoshmet për të jetuar.
Një ditë thirri të birin dhe i tha: “Biri im siç e shikon unë u
kantandisa si mos më keq. Jam i varfër dhe i pafuqishëm. Nuk mund t’i
përgjigjem kërkesave të jetës. Dua, të të lutem, të më bësh një
nder, që të shpëtoj edhe unë në pleqërinë time, edhe njëkohësisht edhe
ti të bëhesh më i denjë për bindjen tënde duke dëgjuar dhe zbatuar
porositë e babait tënd.
Dhe djali i përgjigjet – Më thuaj çfarë do baba dhe do ta kryej me kënaqësi.
Atëherë
plaku i thotë të birit: - “I lumuri Abraham kishte një bir dhe vajti në
mal për ta therur, për ta flijuar. Djali për asnjë moment nuk u mendua
të kthehet, madje edhe drutë i mbajti me gëzim dhe ishte gjithmonë i
gatshëm të ndiqte babanë e tij. Jo vetëm ky, por edhe shumë të tjerë që dëgjuan babanë e tyre nuk u dëmtuan.
Këtë të bësh edhe ti, biri im i dashur zbato porosinë time dhe ki
shpresë te Perëndia Mëshirëplotë, dhe nuk do të pendohesh për këtë”.
Theofili i thotë të atit: - Mos vallë do edhe ti të më vdesësh?
Plaku
i përgjigjet: - Mos u bëftë biri im të bëj të tillë paligësi. Por një
porosi kam që është në favor të të dyve, prano të të shes si shërbëtorin
tim, që të shtyj pleqërinë time, që të mos vij vërdallë i uritur duke
kërkuar lëmoshë dhe Perëndia Mëshirëplotë, do të të mëshirojë ty për
këtë mirësi; do të të japë pasuri të madhe në këtë botë; edhe shpirtin
tënd do ta prehë në gjirin e Abrahamit.
Edhe një porosi tjetër po të jap, dhe këtë ta ruash deri sa të vdesësh: -
Çfarëdo
lloj shërbimi që të kesh, dhe kudo që të dërgojë pronari yt, mbaje mend
të shkosh më parë në Meshën e Shenjtë dhe pas përlëshimit të kishës
shko në shërbimin tënd. Gjithashtu ki shumë shpresëtari tek e
Tërëshenjta. Nëse do veprosh në këtë mënyrë do të të ndihmojë Perëndia.
Kurse i biri iu përgjigj me gatishmëri të madhe: “Jam gati të veproj si thua ti atë”.
Ditën
tjetër babai i quajtur Julian, shiti të birin në një nënpunës të lartë
të pallatit mbretëror me emrin Konstandin, i cili e donte shumë djalin
se ishte i bindur, i urtë, i thjeshtë, i bukur dhe kishte mjaft njohuri.
E mbante gjithnjë afër, në shoqërinë e tij dhe në tavolinën e tij,
sepse ishte korrekt në të gjitha. Mirëpo një ditë prej ditësh kur të
gjitha rridhnin për bukuri, vuri gishtin e tij djalli dhe ja se
ç’ndodhi. Një ditë pronari harroi dosjen me dokumentet e punës së tij
në shtëpi. Urdhëron shërbëtorin të shkojë në shtëpi dhe t’ia sjellë në
zyrë. Shërbëtori i varfër vrapoi për në shtëpi, hyri në dhomë dhe mori
dosjen. Ndërkohë gruaja e pronarit tradhëtonte burrin e saj me një nga
shërbëtorët. Theofoli po nxitonte dhe nuk vuri re asgjë. Por, ata që
bënin mëkatin, menduan se mos i kishte parë dhe nga frika se mos i
thoshte pronarit të tij, trilluan një histori të tërë. Kur u kthye burri
i saj në darkë i tha: “Për këtë e bleve këtë shërbëtor, që të vij në
krevatin tim të më përdhunojë me zor? Dhe nëse nuk do të kisha bërtitur
do të më kishte marrë nderin ky djalë i prapë. Mos vallë jam nga fis i
ulët dhe më përbuz? Për shpirt të prindërve të mi po të paralajmëroj se
nëse nesër nuk do të shikoj kokën e tij të prerë, nuk do të qëndroj
asnjë minutë më tepër në këtë shtëpi. Do të iki dhe do ta marr me vete
gjithë pajën time.
Kur i dëgjoi të gjitha këto burri i saj
u zemërua shumë dhe i premtoi se do ta plotësonte dëshirën e saj. Të
nesërmen u takua në pallat me xhelatin dhe i thotë: “Nesër në mëngjes do
të të dërgoj një shërbëtorin tim që t’i presësh kokën, pastaj vendose
kokën e tij në një çantë, vulose mirë dhe ma dërgo”.
Xhelati
u përgjigj: - Unë nuk gjykoj padrejtësisht, dua tri deklarata me shkrim
nga tre dëshmitarë, që të thonë se ai është i rrezikshëm dhe duhet të
vdes, dhe atëherë ia pres kokën”.
Atëherë nënpunësi i
lartë tha akuzën para tre dëshmitarëve, duke thënë: “Bleva një shërbëtor
të ri edhe ai i pabesi donte të flinte me gruan time”. Këto tha dhe e
firmosi vdekjen e shërbëtorit me dorën e tij dhe atëherë xhelati pranoi
t’i presë kokën. Kur u gdhi e thirri shërbëtorin dhe i tha: “Shko tek
xhelati dhe jepi të fala nga unë dhe thuaji të më kthejë përgjigje”.
Duke shkuar shërbëtori i shkretë, kaloi nga kisha e së Përmbibekuarës
Virgjëreshës sonë Hyjlindëses, në të cilën meshonin dhe në atë kohë
lexonin Apostullin. Atje iu kujtua porosia atërore. Hyri në kishë dhe
qëndroi deri në përlëshim. Shërbëtori tjetër që bëri mëkatin me gruan e
nënpunësit, nuk kishte durim, pa që po vonohej xhelati dhe nuk po ia
sillte kokën të prerë dhe iu lut pronarit të shkojë ta marrë ai. Dhe
pronari i tha të shkojë.
Iku me vrap gjithë gëzim
shërbëtori i lig, sikur do të merrte thesar të çmuar dhe kur arriti në
shtëpinë e ekzekutimit përshëndeti në emër të pronarit. Mirëpo atje
mbrapa derës rrinte xhelati dhe duke kujtuar se erdhi ai që duhej therur
i preu kokën këtij, e vunë në një legen për ta larë dhe pastaj e
mbështollën mirë dhe e vunë në një çantë. Kur donin ta vulosnin çantën
mbërriti dhe shërbëtori fatkeq Theofili, dhe xhelati i dha çantën të
vulosur që t’ia shpinte pronarit të tij pa ditur =’kishte çanta. Kur ky
shkoi te pronari dhe e panë të gjithë të gjallë u çuditën të gjithë dhe
madje më shumë nga të gjithë e zonja, sepse nga një anë e dërgon t’i
presin kokën dhe nga ana tjetër ai kthehet gjallë. E pyetën se ç’mban në
dorë dhe ai iu përgjigj: “Siç më porosite zoti im, përshëndeta xhelatin
dhe ai menjëherë më dha këtë çantë të ta sjell, por unë nuk di se ç’ka
brenda”.
Kur e morën çantën shërbëtorët dhe kur e hapën panë kokën
e tjetrit. Të gjithë u tmerruan sidomos zonja, e cila mbeti për mjaft
kohë pa zë. Pastaj pasi erdhi në vete dhe u mendua mirë, kuptoi vendimin
e drejtë të Perëndisë. Dhe e trembur se mos pësojë edhe ajo të njëjtin
fat si shkaktare e së keqes, qau me gjithë zemër dhe tregoi para të
gjithëve mëkatin që bëri duke thënë: “Unë e gjora dhe e mjera jam shkaku
i së keqes dhe kam frikë se mos paguaj sipas veprave të mia. Sepse
asgjë nuk mund të fshihet sipas thënieve të Zotit.
Zoti im
- i thotë burrit - e bëra këtë mëkat dinak me shërbëtorin tim për tri
vjet e gjysëm rrjesht edhe ti nuk dije gjë. Ky shërbëtori i ri është i
pastër dhe asnjë lloj mëkati nuk bëri, por padrejtësisht e akuzova unë e
gjora. Zoti është i drejtë dhe i jep secilit sipas veprave të tij,
prandaj zotëria im më fal me përdëllimet e Perëndisë dhe premtoj se që
sot e tutje do korrigjohem në të gjitha drejtimet”.
Të
gjithë ishin të tmerruar me këtë ndodhi dhe falënderonin Perëndinë që
kurrë nuk e harron besimtarin e mirë që kryen dëshirën e tij.
Atëherë
pronari i tha shërbëtorit që t’u tregoj diçka për veten dhe jetën e tij
para se të vinte këtu. Dhe shërbëtori i tha për porosinë që i kishte
thënë i ati para se të largohej nga shtëpia e tij.
U tregoi për
bindjen dhe dëgjimin ndaj babai i tij që të shitej si shërbëtor, dhe për
porosinë që i dha të shkojë vazhdimisht në Meshën e Shenjtë. Pronari
kur dëgjoi të gjitha këto nuk e kishte më si shërbëtor, por si birin e
tij. Jo vetëm kaq, por e regjistroi edhe trashëgimtar në të gjithë
pasurinë e tij.
Prandaj, le t’i kemi frikën
Perëndisë dhe le të shkojmë në kishë. Të qëndrojmë me frikë dhe respekt
deri në përlëshim njëlloj sikur të shikonim Zotin Jisu Krisht, i Cili do
të na gjykojë atë ditë të tmerrshme të ngjalljes së përbashkët dhe
kurrë të mos dalim nga kisha pa mbaruar shërbesa. Asnjë njeri nuk duhet
të dalë nga kisha, sepse ai që del nga kisha pa patur nevojë të madhe,
imiton Judën, mosmirënjohësin, që duke dalë nga darka tradhëtoi
Krishtin.
No comments:
Post a Comment