Kushtet paraprake dhe përgatitore për një martesë të mirë
January 25, 2013 at 3:38pm
Martesa mister i madh[1] Asnjë njeri nuk ka dyshime që dita më e rëndësishme e jetës së një njeriu, pas ditës së lindjes dhe asaj të pagëzimit, është ajo e martesës. Sigurisht furia e botës në kohën tonë, u përpoq të shkatërrojë, midis shumë institucioneve të tjera të shenjta, edhe misterin e shenjtë të martesës.
Për shumë njerëz martesa është një rast për argëtime e dëfrime. Por jeta është një çështje e rëndësishme. Është një përpjekje shpirtërore, një udhëtim drejt një qëllimi, -qiellit. Pika më kulmore dhe mënyra më e rëndësishme e këtij udhëtimi është martesa. Asnjë njeri nuk lejohet që të shpëtojë nga lidhja e martesës, qoftë duke bërë një martesë mistike, duke ia kushtuar veten e tij Perëndisë, qoftë duke bërë misterin në Kishë[2].
Tema të cilën do të trajtojmë sot është misteri i martesës. Do të shohim se si është e mundur që martesa të kontribuojë në jetën tonë shpirtërore. E dimë që martesa është një institucion të cilin e ka themeluar Zoti. Është i respektueshëm[3] është “misteri i madh”[4].
Vallë për këtë institucion të shenjtë të martesës, për këtë mister “mister të madh”, të cilin e bekon Kisha jonë, si mendojnë njerëzit bashkëkohorë? Martohen, jo në kuptimin e plotë të fjalës dhe mendojnë se bashkohen dy arka (parash), dy interesa, dy ambicie. Bashkohen dy njerëz pa ideale, dy zero do të thonim. Sepse njerëzit pa ideale, pa kërkesa nuk janë gjë tjetër përveçse zero.
U martova që të jetoj jetën time, dëgjon vazhdimisht rreth teje dhe jo që të mbyllen në mes të katër mureve. U martova që të gëzoj jetën time, dëgjon të thotë tjetri dhe dorëzojnë fëmijët e tyre, në qofë se kanë bërë fëmijë, në ndonjë grua të panjohur në mënyrë që të jenë të lirë të vrapojnë nëpër teatro, nëpër kinema dhe në shoqëritë e botës. Kështu shtëpia e tyre bëhet një hotel, në të cilin ata kthehen në darkë ose mbase pas mesnate, pas argëtimit, që të çlodhen. Njerëzit janë brenda tyre të zbrazët e për këtë ndjejnë një boshllëk të vërtetë. Asnjë kënaqësi nuk ka aty e për këtë nxitojnë dhe vrapojnë andej-këtej, për të gjetur lumturinë e tyre.
Martohen pa u njohur, pa ndërgjegje, pa ndjenjë përgjegjësie, kërkojnë të martohen sepse mendojnë se është e nevojshme për të qenë njerëz social. Por cili është rezultati? Atë e shohim përditë. Dështimet e martesave janë të njohura për të gjithë ne.
Një martesë sipas botës, siç kuptohet sot; vetëm një karakteristikë mund të ketë, të jetë vrasëse e jetës shpirtërore të njeriut. Për këtë duhet të kuptojmë që, nëse dështojmë në martesë, dështojmë dhe në jetën shpirtërore. Nëse kemi sukses në martesën tonë, kemi sukses edhe në jetën tonë shpirtërore. Lumturia dhe dështimi ynë, ose përparimi dhe fundosja jonë në jetën shpirtërore fillon nga martesa jonë.
E meqënëse është një çështje kaq e rëndësishme, ia vlen të shikojmë se çfarë kushtesh paraprake dhe çfarë parapërgatitje nevojitet, që të ketë sukses, një martesë e lumtur dhe vërtet e krishterë.
Që të formojë dikush një martesë të lumtur, duhet që fëmijë i vogël të marrë edukatën e nevojshme. Ashtu si një fëmijë i vogël duhet të lexojë, sikundër mëson të mendojë dhe të interesohet për prindërit e tij apo për shëndetin e tij, kështu duhet të përgatitet, që të mund të bëjë një martesë të lumtur.
Por ama në kohën tonë asnjë nuk interesohet të përgatitë fëmijët për këtë mister të madh, i cili do të luajë rol themelor në jetën e tyre. As prindërit nuk interesohen mjaft. Fëmija që i vogël duhet të mësojë të dojë, të japë, të privohet nga disa gjëra, të bindet. Të ndjejë që dëlirësia e shpirtit dhe e trupit të tij është thesar i çmuar, të cilën duhet ta respektojë si beben e syrit.
Karakteri i fëmijës duhet të formohet normalisht, që të bëhet i respektuar, trim, i guximshëm të marrë vendime, i sinqertë, i gëzuar, njeri dhe jo një qenie e mjerueshme, që do të qahet vazhdimisht për mjerimin e tij, një objekt i pavullnetshëm pa asnjë mendim dhe forcë. Fëmija duhet të mësojë nga fëmijëria të interesohet për ndonjë shkencë ose për ndonjë profesion, në mënyrë që nesër të ketë mundësi të mbajë familjen e tij, ose nëse është vajzë të ndihmojë nëse është e nevojshme. Gruaja duhet të mësojë të jetë nikoqire (zonjë shtëpie) edhe në ato raste kur është e arsimuar. Të mësojë të gatuajë, të qepë, të qëndisë. Por do të thotë dikush, ati im: Këto që thua janë të vetkuptueshme. Pyesni bashkëshortët dhe do të shihni sa gra, kur martohen, nuk dinë asgjë nga të qenët zonja shtëpie.
[1] Predikim i mbajtur në Kishën e Shën Nikollës në Trikala, 17 janar 1971.
[2] Martesa në kishë e një çifti.
[3] Ebre. 13, 4
[4] Ef.5, 32
Zgjedhja e shokut të jetës
Gjithashtu zgjedhja e shokut të jetës është një çështje, e cila kur vijmë në moshën e duhur, nuk duhet të lihet pas dore. Patjetër që njeriu nuk duhet të nxitohet, sepse “martesë e shpejtë, dëshpërim i shpejtë”, por as edhe ta lërë pas dore (ta zgjasë) këtë vendim të jetës së tij. Nuk duhet të vonohet, sepse vonesa është rrezik vdjekjeprurës për shpirtin e tij. Në bazë të rregullave ritmi i zakonshëm i jetës shpirtërore të njeriut fillon me martesën.
Njeriu i pamartuar është njëlloj sikur jeton në korridor dhe nuk ka hyrë nëpër dhoma. Prindërit le të interesohen që fëmija i tyre të ketë sjellje sociale, por edhe të lutet, që të vijë ajo orë e bekuar e martesës si dhuratë të cilën do ta dërgojë Perëndia.
Normalisht, kur arrin në zgjedhjen e bashkëshortit, do të marrë parasysh edhe mendimin e prindërve. Sa herë, ju që jeni prindër ndjetë thika që shpuan zemrën tuaj kur fëmijët nuk ju pyetën për atë që do t’i shoqëronte në jetën e tyre? Zemra e nënës është e ndjeshme dhe nuk duron plagosje të tillë. Fëmija duhet të pyesë prindërit, sepse kanë aftësi të veçantë të ndjejnë gjërat që iu përkasin. Kjo nuk do të thotë që babai dhe nëna do të detyrojnë fëmijët e tyre. Le t’i lenë tërësisht të lirë të bëjnë zgjedhjen e tyre.
Nëse detyron fëmjën tënd në çështjen e martesës së tij, do të të akuzojë ty si përgjegjës nëse gjërat nuk do të shkojnë mirë. Me presion nuk del kurrë gjë e mirë. Do ta ndihmosh, por do ta lësh të lirë që të zgjedhë atë që preferon, ose atë për të cilin ndjen dashuri, dashuri dhe jo mëshirë apo keqardhje. Nëse fëmija yt pas një njohje të thotë: ndjej mëshirë për të shkretin, do të martohem me të, - atëherë ta dini se jemi në kushtet e një martese jo të sukseshme. Vetëm njeriu të cilin do ta preferojë ose dojë, mundet të qëndrojë në anën e fëmijës sonë. Duhet që të dy, burri dhe gruaja ta duan martesën e tyre, të tërhiqen nga njëri-tjetri, të duan të jetojnë bashkë në mënyrë të vërtetë, në mënyrë të lirshme brenda tyre. Në këtë çështje nuk është e mundshme t’i detyrojmë fëmijët tanë. Disa herë, nga dashuria jonë, mendojmë se ata janë pronat tona, se është pasuria jonë dhe se mund t’i bëjmë çfarë të duam, kështu që fëmija jonë bëhet një qenie e paaftë të jetojë në jetë, qoftë si i pamartuar, qoftë si i martuar.
Patjetër, që do të paraprijë njohja para martesës, gjë që është një çështje kaq delikate, por ama ne e harrojmë. Njohja nuk duhet asnjëherë të na qetësojë, nëse nuk jemi të sigurt se është objektive. Dashuria nuk e verbon njeriun. Dashuria të hap sytë që të shohësh tjetrin ashtu si është me difektet e tij.
“Këpucë nga vendi yt dhe le të jenë edhe të arnuara”, thotë populli. Domethënë merr njeri të cilin e njeh. Edhe njohja duhet të jetë gjithmonë e lidhur me fejesën, që është një çështje gjithashtu e vështirë.
Kur i propozova një vajze të mendohej seriozisht nëse duhej të vazhdonte fejesën e saj, ajo m’u përgjigj: “Nëse ndërpres fejesën do të më mbysë nëna ime”. Por fejesa nuk ekziston, kur nuk ekziston mundësia për ta zgjidhur atë. Të fejohem nuk do të thotë se me patjetër do të martohem. Por do të thotë provoj nëse duhet të martohem me njeriun që fejohem. Nëse një vajzë nuk mundet të zgjidhë fejesën e saj nuk do thotë të fejohet; ose më mirë le të mos përparojë në martesë. Në fazën e fejesës duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse kështu do të kemi shumë më pak përplasje dhe dështime pas martese. Edhe në periudhën e njohjes ashtu siç thotë dikush, ta mbash zemrën tënde në mes të dy duarve, njëlloj si të kesh një ari. Sepse e dini se sa e rrezikshme është zemra, e cila në vend të drejtojë në martesë, të drejton në mëkat. Ekziston mundësia që njeriu, të cilin zgjedh, të të shohë si lodër ose si furçë dhëmbësh për t’u provuar. Dhe më pas ti do të durosh pikëllimin dhe lotët. Por ndoshta do të jetë shumë vonë, sepse engjëlli yt doli se ishte prej balte. Mos zgjidh njeri që shpërdoron kohën e tij në klube, në argëtime, në udhëtime dhe në luks. As atë që do të zbulojë se poshtë fjalëve të dashurisë së tij fsheh egoizëm. Mos zgjidh për gruan tënde atë që ngjan me barutin dhe sa t’i thuash diçka shpërthen si zjarr. Nuk bën për të qënë bashkëshorte.
Kur bëhet fjalë të bësh një martesë vërtet të suksesshme mos iu afro atij të riu ose asaj të reje që nuk mundet të lërë prindërit e tij. Është qartë urdhërimi i Krishtit: “Për këtë punë njeriu do të lërë t’an e t’ëmën, edhe do të ngjitet pas gruas’ së tij, edhe do të jenë të dy ndë një mish”[1]. Kur të shikosh tjetrin të ngjitur tek e ëma edhe tek i ati, kur shikon që i dëgjon me gojë të hapur dhe është i gatshëm të bëjë atë që thotë e ëma dhe i ati, ik larg. Është një i sëmurë i ndjeshëm, një i papjekur shpirtërisht dhe nuk do mundesh të bësh me të familje. Duhet të ketë trimëri ai të cilin do ta bësh bashkëshort. Por si mund të ketë trimëri kur akoma nuk mësoi se shtëpia e tij është vazoja në të cilën e vunë në mënyrë që ta nxjerrin nga aty dhe ta mbjellin diku tjetër?
Gjithashtu kur duhet të zgjedhësh njeriun e jetës tënde kij kujdes se mos është tip i mbyllur dhe nuk ka shokë. Nëse sot nuk ka shokë nesër do të vështirësohet shumë të të ketë ty shok dhe bashkëshort.
Kij kujdes grindavecët, melankolikët dhe qaramanët, ata që gjithmonë ankohen. Kij kujdes ata që gjithmonë ankohen: Nuk më do, nuk më kupton. Diçka nuk shkon mirë te këto krijesa të Perëndisë. Ki kujdes fanatikët dhe ata që kanë rënë pas tipit të jashtëm të fesë. Jo ata që janë fetarë në kuptimin e vërtetë të fjalës, por ata që adhurojnë anën e jashtme të fesë, që tronditen për gjërat më të vogla, ua vënë fajin të gjithave dhe janë shumë të ndjeshëm. Si do të mundesh të jetosh me një njeri të tillë? Do të ishte si të uleshe mbi gjemba.
Kij kujdes edhe ata të cilët e shikojnë martesën si diçka të keqe, si një burg. Atyre që thonë: Po nuk kam menduar kurrë gjatë jetës sime për martesën.
Bëj kujdes edhe nga disa gjoja të krishterë që e shikojnë martesën si diçka të ulët, si mëkat, që ulin menjëherë sytë e tyre kur dëgjojnë diçka që ka lidhje me martesën. Nëse martohesh me një të tillë do të jetë gjemb për ty dhe barrë për manastirin e tij, nëse bëhet murg.
Kij kujdes nga ata që mendojnë se janë të përkryer dhe nuk gjejnë në veten e tyre asnjë të metë, kurse te të tjerët gjejnë vazhdimisht të meta.
Kij kujdes nga ata që mendojnë se janë “të zgjedhurit e Zotit”[2] dhe mund të ndriçojnë edhe gjithë botën.
Të kesh kujdes edhe një çështje shumë të rëndësishme, atë të trashëgimisë. Të njohësh mirë të atin, të ëmën, gjyshin, gjyshen, xhaxhain. Madje të ekzistojnë edhe kushtet elementare materiale të jetës.
Por MBI TE GJITHA ki kujdes besimin e njeriut. Ka besim? Ka ideale njeriu, të cilin ti mendon ta bësh shokun e jetës sate? Nëse Krishti për atë nuk vlen asgjë, si do të mundesh ti hysh në zemrën e tij? Nëse nuk vlerëson Krishtin si ka mundësi të të respektojë ty? Thuhet për burrin në Shkrimin e Shenjtë, që gruaja jote të jetë “gruaja e testamentit tënd”[3] domethënë e besimit tënd, e fesë sate, të jetë ajo që do të të lidhë me Perëndinë. Vetëm atëherë mundet të bësh ashtu siç thonë Etërit e Kishës sonë, një martesë “sipas mendimit të episkopit” domethënë me aprovimin e kishës si edhe me leje të rregullt. Më parë diskutohet me atin shpirtëror. Diskutoje çdo gjë me të dhe ai do të të mbështesë, ashtu si një mik i vërtetë. Dhe kur të arrini në fund, atëherë martesa do të jetë për ty një dhuratë nga Perëndia. Do të jetë një dhuratë sepse “gjithësecili ka dhuratë të veçantë nga Perëndia, njëri kështu, e tjetri ashtu”[4]. Secilit prej nesh Perëndia jep dhuratën e Tij. Njerin e dërgon në martesë dhe tjetrin në murgëri. Jo se Zoti bën një zgjedhje duke thënë ti të shkosh këtej e ti andej, por atë që zgjedh zemra jonë, për atë Zoti na jep guximin, kurajën, fuqinë, që t’i bëjmë ballë e t’i dalim deri në fund.
Nëse e zgjidhni kështu njeriun tuaj atëherë e keni kënaqur Perëndinë. Lidheni atë me atin tuaj shpirtëror, i cili do të jetë jerondi juaj, ati juaj, ai i cili do t’ju kujtojë për Zotin dhe do t’ju tregojë për të.
Do të keni shumë vështirësi në jetë. Pikëpyetjet do të vijnë si pikat e shiut. Shqetësimet do t’ju rrethojnë dhe do të shihni shpesh jetën tuaj shpirtërore të krishterë të bëhet e vështirë. Mos u shqetësoni. Perëndia do t’ju ndihmojë. Ti bëj ato gjëra që varen nga ty. A mund të studiosh pesë minuta në ditë? Studio. A munde të lutesh pesë minuta në ditë? Lutu. E nëse nuk ke mundësi pesë lutu dy. Pjesa e mbetur është çështje e Perëndisë. Kur sheh në martesën tënde vështirësi, kur sheh se jeta jote nuk po përparon, mos u dëshpëro. Por ama mos u mjafto tek ato që fitove. Ngrije zemrën tënde te Zoti. Kujto ata që kanë dhënë gjithçka tek ai dhe bëj aq sa mundesh që t’u ngjash atyre qoftë kjo edhe me dëshirën e zjarrtë të zemrës sate. Praktikën lëre në dorën e Krishtit. Kur të ecësh kështu, do të njohësh vërtet se kush është qëllimi i martesës. Ndryshe ashtu si i verbëri endet, ashtu edhe ti do të endesh në jetë.
[1] Mark , 10, 7
[2] Shih Rom. 8,33 k.a
[3] Mal. 2,14
[4] Letra e parë e Korinth. 7,7
Atëherë pra kush është qëllimi i martesës? Do t’ju përmend tri qëllime kryesore. E para martesa është një rrugë dhimbjeje. Shoqëria e burrit dhe gruas quhet bashkëjetesë (sizigjia) që në gjuhën greke kjo fjalë, sizigjia, do të thotë nën të njëjtën zgjedhë[1] (zigo), ngrenë, mbajnë të njëjtën ngarkesë. Martesa është bashkëpunim dhe ndarje e përbashkët e dhimbjes, por natyrisht edhe e gëzimit. Por zakonisht të gjashta kordat e jetës sonë luajnë në mënyrë vajtimi, vetëm njëra luan gëzueshëm. Do të pijë burri dhe gruaja nga e njëjta kupë e furtunës, e pikëllimit, e fatkeqësisë. Gjatë kryerjes së misterit të martesës prifti u jep të sapomartuarve të pijnë nga e njëjta gotë, e cila emërtohet “gota e përbashkët”, sepse bashkë do të mbajnë peshën e martesës. Emërtohet edhe “bashkim” kjo gotë, sepse bashkohen që të ngrenë bashkë gëzime dhe dhimbje.
Kur dy njerëz martohen është si të thonë: Bashkë do të ecim përpara dorë për dore në momentet e lumtura dhe në ato jo të lumtura. Do të kalojmë momente të errëta, momente pikëllimi plot me vështirësi, momente monotonie. Por në mes të natës së thellë duhet të tregojmë se besojmë në diell dhe në dritë. Të dashurit e mi kush mund të thotë se nuk kalon momente të vështira gjatë jetës së tij? Po ama nuk është gjë e vogël të dish se në momentet e tua të vështira, në agonitë e tua, në tundimet e tua, do të mbash në dorën tënde një tjetër dorë shumë të dashur për ty! Dhiata e Re thotë se do të ndiejë dhimbje çdo njeri, mbi të gjitha ai që martohet. “Nuk je i lidhur me grua?” pyet Apostull Pavli, domethënë je i pamartuar? - “Mos kërko grua; por edhe nëse martohesh, nuk mëkaton. Dhe virgjëresha në u martoftë, nuk mëkaton. Po të tillët do të kenë shtrëngim në mish; dhe unë dua t’u kursej”[2]. Që në momentin që martohesh të kujtosh, thotë, se do kesh shumë dhimbje, do të durosh, jeta jote do të jetë një kryq, por ama një kryq i lulëzuar. Do të ketë edhe gëzimet e veta edhe buzëqeshjen edhe bukuritë e veta. Kur në jetën tënde të kalosh ditë me diell, të kujtosh se lulet fshehin një kryq[3]. Kështu edhe në ditën tënde me diell papritur mundet të dalë një kryq.
Jeta nuk është një festë, ashtu si mendojnë disa që shkojnë drejt martesës dhe më pas bien nga qielli në tokë. Martesa është një det i thellë që nuk e di se çfarë do të nxjerrë. Merr njeriun që zgjedh me frikë dhe tmerr dhe me shumë kujdes dhe pas një, dy ose pesë vjetësh zbulon se të mashtroi.
Është falsifikim i kuptimit të martesës nëse besojmë se martesa është rrugë, në të cilën duhet të kërkojmë lumturinë tonë, mohimin e kryqit. Gëzimi i martesës është, që të dy burri dhe gruaja t’i venë të dy kryqit shpatullat e tyre dhe të ecin përpara të dy në të përpjetat e jetës.
“Nuk keni vuajtur? Nuk keni dashuruar?” thotë një poet. Vetëm ai që vuan, mundet vërtet të dashurojë. Pikëllimi është një e dhënë e nevojshme për martesën. “Martesa” thotë një poet dhe filozof antik “është një botë të cilën e zbukuron shpresa dhe e forcon fatkeqësia”. Ashtu si çeliku në zjarr tregohet, pikërisht kështu farkëtohet njeriu në martesë, në zjarrin e vështirësive. Kur e sheh martesën tënde nga larg, të gjitha të duken mjaltë dhe qumësht, gjithçka të buzëqesh. Kur afrohesh atëherë do të shohësh se sa momente të vështira fsheh.
“Nuk është mirë për njeriun të jetë i vetëm”[4] thotë Zoti, për këtë vuri pranë tij një shok, një ndihmës për të gjitha momentet e jetës së tij, e për më tepër për përpjekjet e besimit; sepse që të arrish të mbash besimin tënd duhet që të kalosh shumë dhimbje. Hirin e tij Zoti e dërgon te të gjithë ne. Por e dërgon, kur jemi të gatshëm të këmbëngulim dhe të durojmë. Disa sapo shohin pengesat, ia mbathin me të katra. Harrojnë edhe Zotin edhe Kishën. Por ama Besimi, Zoti dhe Kisha nuk janë këmisha, të cilat i ndërrojmë sapo djersitemi.
Domethënë martesa është një rrugëtim në mes pikëllimesh dhe gëzimesh. Kur të duken shumë të vështira pikëllimet të kujtosh se bashkë me ty është Zoti. Ai do të ngrerë kryqin. Ai që të vuri kurorë. Kur i lutemi Zotit, për diçka, Ai nuk e sjell menjëherë zgjidhjen. Ai na drejton shumë ngadalë. Disa herë kjo mundet të zgjasë edhe vite të tëra. Shpirti i Shenjtë “ndërmjeton për ne me psherëtima të patreguara”[5]. Domethënë vuan ti edhe bashkë me ty vuan edhe vetë Krishti.
Duhet që të ndjejmë dhimbje; përndryshe jeta jonë nuk do të ketë kuptim të vërtetë.
E dyta martesa është një rrugë dashurie. Është krijimi i një njeriu të ri. “E do të jenë të dy një mish” [6] thotë Ungjilli. Bashkon Zoti dy njerëz dhe i bën një. Nga bashkimi i dy personave, të cilët vendosin që të sinkronizojnë hapat e tyre dhe t’i harmonizojnë rrahjet e zemrave të tyre, del një njeri. Me këtë thellësi dhe këtë dashuri spontane njëri është një paraqitje, një e vërtetë e gjallë brenda në zemrën e tjetrit. Jam i martuar do të thotë që nuk kam mundësi të jetoj as edhe një ditë të vetme, as edhe disa çaste, nëse është e mundur, pa shokun e jetës sime.
Burri im, gruaja ime është një pjesë e qënies sime, e trupit tim, e shpirtit tim, është plotësimi im. Përbën preokupimin e mendjes sime. Përbën arsyen për të cilën ndiej të rrahë zemra ime.
Ndërrojmë unazat e fejesës që të tregojmë se në ndryshimet e jetës, përfundimisht do të mbetemi përsëri të bashkuar. Secili mban unazën ku është i shkruar emri i tjetrit dhe e vë në gisht në mënyrë simbolike, nga ku fillon një damar (venë) që shkon drejt e në zemër. Domethënë emri i tjetrit shkruhet në zemrën e tij. Do të thoshim se njëri i jep tjetrit gjakun e zemrës së tij. E mban brenda vetes.
“Çfarë bën?” pyetën dikur një shkrimtar romanesh. Ai u çudit “Çfarë bëj? Pyetje e çuditshme. Dashuroj Olgën, gruan time”. Jeton burri që të dashurojë gruan e tij. Jeton gruaja që të dojë burrin e saj.
Thelbësorja në një martesë është dashuria. “Asnjë det e asnjë mal, asnjë vend e asnjë kohë, asnjë gjuhë e hidhur, nuk do të munden të na ndajnë” thoshte dikush që dashuronte bashkëshorten e tij. “Nëse mundesh merre”, thoshte një grua për burrin e saj “e kam fshehur brenda zemrës sime”. E kërkonin të shoqin për një gjyq pas një shpifjeje dhe ai fshihej.
Domethënë martesë do të thotë bashkim në një. Zotit i vjen neveri nga ndarja dhe shkurorëzimi. Ai do bashkimin e pandarë[7]. Prifti heq unazat nga gishti i majtë, e i vë në dorën e djathtë, i vë përsëri në të majtë dhe përfundimisht ua vë në dorën e djathtë. Sepse dora e djathtë është dora të cilën zakonisht përdorim më shumë. Kjo tregon se dorën time e zotëron tërësisht tjetri. Nuk bëj asgjë që nuk do. Jam e lidhur me të. Jetoj për tjetrin, e për këtë duroj të metat e tij. Kush nuk mund të durojë tjetrin, nuk mundet të martohet. Çfarë do shoku yt? Çfarë i intereson? Çfarë e kënaq? Ajo gjë duhet që të më kënaqë edhe mua. Kërkoj përsëri shkaqe që t’i jap gëzime të vogla. Si do t’i jap sot gëzimin burrit tim, gruas sime? - është pyetja që i bën vetes çdo ditë njeriu i martuar. Merret me preokupimet e tij, me interesat e tij, me shkencën e tij, me punën e tij, me miqtë e tij, që t’i kenë të përbashkëta të gjitha, që të tregojnë që është në të përditshmen e tij.
Nëse është e nevojshme të tërhiqesh, tërhiqu. Ai që dashuron fle i fundit dhe ngrihet i pari në mëngjes. Prindërit e tjetrit i sheh si prindërit e vet, me devocion, me dashuri. Sepse e dimë shumë mirë që kur fëmija martohet, për prindin është një moment shumë i vështirë edhe pse ka përgatitur martesën. Martesa është diçka që e bën babain edhe nënën të qajnë, sepse veçohet nga ata fëmija i tyre.
Gruaja i shpreh dashurinë e saj burrit me nënshtrimin e saj. I nënshtrohet atij ashtu si Kisha Krishtit[8]. Lumturia e saj është të bëjë dëshirën e burrit të saj. Nazet, zemërimet grindjet janë goditje që rrëzojnë pemën e bashkëjetesës së lumtur.
Gruaja është zemra. Burri është “koka”. Gruaja është zemra që dashuron. Në vështirësitë e burrit qëndron ashtu si qëndroi perandoresha Theodhora e cila mbajti burrin e saj në fron. Në momentet e gëzimit të tij përpiqet që ta ngrejë akoma dhe më tepër në lartësi ideale. Në momentet e pikëllimit të tij qëndron si një botë shumë e mirë dhe e qetë në mënyrë që t’i ofrojë qetësinë.
Burri duhet të kujtojë që gruaja e tij është ajo të cilën Zoti e besoi në duart e tij (e burrit). Gruaja e tij është një shpirt të cilën ia dha Zoti, që t’ia kthejë përsëri Atij. E do gruan ashtu si Krishti e do Kishën e Tij[9]. E mbron, i shërben, i jep siguri, e për më tepër atëherë kur është e mërzitur, kur është e sëmurë. E dimë nga ana tjetër, se sa i ndjeshëm është shpirti femëror, e për këtë ashtu si thotë dhe Apostull Pjetër, “Ju burrat, gjithashtu, rrini bashkë me gratë tuaja me urtësi, duke dhënë nder kombit të gruas si enë më e dobët, edhe si bashkëtrashëgimtare e hirit të jetës, që të mos pengohen të falurat tuaja”[10]. Plagoset shpirti i gruas tregohet shpirtvogël, transformohet shumë lehtë, dëshpërohet papritur. Për këto arsye burri duhet të jetë i mbushur me dashuri, ëmbëlsi, dashamirësi, deri sa të arrijë që të bëhet thesari i saj.
Martesa, të dashurit e mi, është si një varkë e vogël e cila lundron në vende me shkëmbinj të nënujshëm. Pak nëse tregohesh i pakujdesshëm, do të copëtohet. Thamë që martesa e para është rrugë dhimbjeje; e dyta rrugë dashurie dhe e treta rruga drejt qiellit, një thirrje e Zotit. Ashtu si thotë Shkrimi i Shenjtë, martesa është “misteri i madh”[11].
I dimë shtatë misteret. Këtu mister do të thotë një shenjë e shfaqjes mistike të një ngjarjeje të vërtetë. Ikona është një mister. Kur nderojmë ikonën, nuk nderojmë drurin por Krishtin, ose të Tërëshenjtën ose Shenjtorin që paraqitet në mënyrë mistike në ikonë.
Kryqi i nderuar është simbol i Krishtit. Në atë ekziston paraqitja mistike e Krishtit. Diçka e tillë është edhe martesa. Aty ku të jenë dy ose tre veta, thotë, mbledhur në emrin Tim, atje jam edhe unë ndër mes tyre[12].
Martohen dy njerëz në emër të Krishtit, ata bëhen shenja që mban dhe mbart vetë Krishtin. Domethënë kur shikon një çift me këtë njohje, është njëlloj si të shohësh Krishtin. Aty shfaqet Perëndia. Për këtë arsye në vende të tjera venë kurorë mbretërore gjatë shërbesës, që të tregojnë se burri është mbreti Krisht dhe gruaja Kisha, ose përdorin degë ulliri.
Të gjitha pra në martesë janë simbolike. Qirinjtë e ndezur simbolizojnë pesë virgjëreshat. Kur ua jep prifti në duar të sapomartuarve gjatë misterit, është si t’ju thotë: ashtu si pesë virgjëreshat ta prisni Krishtin[13]. Ose simbolizojnë gjuhët e zjarrit, që zbritën në ditën e Pentikostisë dhe ishin në fakt shfaqja e Shpirtit të Shenjtë[14]. Unazat e tyre, rrathët e martesës, i merr prifti nga Tavolina e Shenjtë, ku i ka vënë më përpara dhe i vendos në tavolinë[15] që të tregojë pikërisht se martesa fillon me Krishtin dhe do të përfundojë te Krishti. Prifti përsëri bashkon duart e tyre, që t’ju tregojë se i bashkon vetë Krishti. Domethënë merr pjesë Krishti në mister dhe në jetën e tyre.
Të gjitha që përdoren gjatë shërbesës së martesës janë hije dhe simbole që tregojnë se aty është Krishti. Kur rri dhe sheh një hije, kupton se dikush po vjen. Nuk e shikon, por e di. Ngrihesh në mëngjes herët dhe sheh qiellin në horizont të kuq në lindje. Thua për pak do të dalë dielli. Me të vërtetë aty pas malit shfaqet dielli.
Kur sheh martesën tënde, burrin tënd, gruan tënde, ta dish se janë shenja të shfaqjes së vetë Krishtit. Është njëlloj si të dëgjosh hapat e Tij, sikur vjen, sikur dëgjon zërin e Tij. Hije janë të gjitha ato që tregojnë se bashkë me ne është Krishti. Është e vërtetë që për shkak të pakujdesisë sonë na duket sikur mungon. Por ama e shohim në hije dhe jemi të sigurt se është bashkë me ne.
Për këtë arsye në kohet e vjetra nuk kishin shërbesë të ndarë. Merrnin burrin dhe gruan i sillnin në kishë, i kungonin dhe iknin. Ç’do të thotë kjo? Që jeta e tyre është tërësisht bashkë me Krishtin.
Simbol i shfaqjes së Krishtit janë kurorat. Veçanërisht simbolizojmë martirizimin. A i mbani mend dyzet Martirët në liqenin e ngrirë që i kurorëzoi Krishti? Kështu kurorëzon Kisha të sapomartuarit, duke kujtuar edhe Shën Prokopin, i cili kishte këshilluar disa gra të martirizoheshin, që të tregonin dashurinë e tyre për Krishtin. Vendosin kurora burri dhe gruaja në mënyrë që të tregojnë që janë gati të bëhen martirë për Hirin e Krishtit, i cili është bashkë me ta.
Martohen do të thotë jetoj dhe vdes për Krishtin.
Martohen do të thotë të dëshirosh dhe të kesh etje për Krishtin.
Kush tjetër kurorëzohet? Mbretërit kurorëzohen. Domethënë kurorat tregojnë që bashkëshortët janë mbretër dhe shtëpia e tyre mbretëri, mbretëri e Kishës, një pjesë e Kishës.
Kur filloi martesa? Kur njeriu mëkatoi. Më përpara nuk ekzistonte martesë me kuptimin e sotëm. Kur më pas rënies, njerëzit e parë humbën parajsën, atëherë njohu Adami Evën[16], dhe filloi martesa. Pse? Që të kujtojmë rënien e tyre dhe daljen nga parajsa dhe ta kërkojmë atë. Martesa bëhet tani një rivendosje në parajsën shpirtërore, Kishën e Krishtit.
Martohem pra do të thotë bëhem mbret, bëhem besimtar dhe pjesëtar i vërtetë i Kishës së Krishtit dhe angazhohem tërësisht për lavdinë e tij.
Kurorat tregojnë akoma fitoren përfundimtare në mbretërinë e qiellit. Kur prifti merr kurorat i thotë Krishtit: “pranoi kurorat e tyre lart në mbretërinë tënde”.
Pra, martesa është një rrugë; fillon nga toka dhe përfundon në qiell. Është një marrëveshje, një bashkim me Krishtin, që na vërteton se do të shikojmë në qiell. Martesa është “një urë që bashkon tokën me qiellin”.
Mbi dashurinë, mbi burrin tënd, mbi gruan tënde, mbi ngjarjet e tua të përditshme, mendo parapërgatitjet për qiellin, sepse hyre në rrugën që duhet me patjetër të të nxjerrë aty – ky është Misteri. Nusja dhe dhëndri japin duart e tyre dhe të drejtuar nga prifti dhe rrotullohen rreth tavolinës duke vallëzuar dhe duke psalur.
Kjo do të thotë që martesa është rruga, udhëtimi që do të përfundojë në qiell, në pafundësi.
Në martesë duket se martohen dy. Por ama nuk janë dy, por tre.
Martohet burri me gruan dhe gruaja me burrin, por të dy së bashku martohen me Krishtin. Tre marrin pjesë në mister dhe përsëri mbeten tre në jetën e tyre.
Na vallen e tyre udhëheq prifti, modeli i Krishtit. Kjo do të thotë se Krishti na çliroi me shpërblim gjakun e Tij[17], na robëroi. Pikërisht për këtë “Kjo fshehësirë është e madhe, po unë e them këtë për Krishtin e për Kishën”[18].
Fjalën “mister” në latinisht e zëvendësuam me “sacramentum” që do të thotë betim. Domethënë martesa është një betim, një marrëveshje, një takim, ashtu si thamë më përpara. Është lidhja e vetme me Krishtin.
Martohem pra, do të thotë i skllavëroj zemrën time Krishtit. Nëse dëshiron, mund të martohesh; nëse nuk dëshiron, nuk martohesh. Por nëse martohesh këtë kuptim ka martesa në Kishën tënde Orthodhokse e cila të lindi.
Jam i martuar do të thotë jam skllav i Krishtit.
Nga Arkimamandrit Emiliano,
Igumeni i Manastirit të Shenjtë të Simonopetrës,
në Malin e Shenjtë.
[1] Zgjedha që mbajnë qetë kur lërojnë
[2] Letra e parë e Korinth. 7,27-28
[3] “Si psh. Lulëkuqja e cila ka katër petale me shenjtë të zezë në qendër në formë kryqi”.
[4] Shih Gjen. 2,18
[5] Rom. 8, 26
[6] Math. 19, 5. Mark. 10,7
[7] Math. 19, 3-9. Mark. 10, 2-12
[8] Ef. 5, 22-24
[9] Ef. 5, 25
[10] Letra e parë e Apo. Pjetr. 3, 7
[11] Ef.5, 32
[12] Math. 18, 20
[13] Math. 25, 1-11
[14] Veprat 2, 1-4
[15] Shërbesa e fejesës
[16] Zanafilla 4, 1
[17] Gal. 3, 13
[18] Efes. 5, 32
No comments:
Post a Comment