Ikona e Hyrjes së Hyjlindëses në Tempull

HYRJA E HYJLINDËSES NË TEMPULL - 21 Nëntor

Historia e hyrjes së Hyjlindëses në Tempull gjendet në librin e Ungjillit të Parë sipas Jakovit. Kisha Orthodhokse e feston këtë ngjarje më 21 Nëntor.
Prindërit e Marisë, Joakimi dhe Ana, ishin shumë besimtarë. Ata kishin premtuar se do t’ia dedikonin fëmijën e tyre Perëndisë. Në atë kohë, ishte zakoni se të gjithë fëmijët që i dedikoheshin Perëndisë, çoheshin në Tempull kur ata ishin tre vjeç. Atje mësoheshin dhe kujdeseshin nga gruaja dhe burri i shenjtë i Tempullit. Këta fëmijë qëndronin në Tempull për 12 vjet, ku merrnin një edukim të shkëlqyer. Shumë virgjëresha të reja dhe të veja të moshuara jetonin në Tempull. Këto të veja kishin përkushtuar jetën e tyre në shërbim të Perëndisë. Ato studionin Fjalën e Perëndisë dhe ua mësonin të tjerëve.
Kur Maria ishte tre vjeç, Joakimi dhe Ana e çuan vajzën e tyre në Tempull.  Ajo u nda nga prindërit. Në mënyrë që të përgatiste Marinë për udhëtimin e saj, Joakimi, i ati i saj, ftoi të gjitha vajzat e reja të lagjes. Ai u dha secilës prej tyre një qiri të ndezur dhe u tha të ecnin përpara Marisë. Maria tre vjeçare ishte aq shumë e gëzuar nga qirinjtë, saqë i ndoqi ato deri në Tempull. Asnjëherë nuk e ktheu kokën pas te prindërit e saj dhe as nuk qau kur i la ata. Prindërit e saj dëshironin që ajo të shkonte me gëzim në Tempull.


Kur ata arritën në Tempull, Kryeprifti Zakaria e përshëndeti Marinë. Zakaria e futi Marinë në Tempull dhe e futi te të Shenjtat e të Shenjtave. Të Shenjtat e të Shenjtave ishte një vend shumë i veçantë i Tempullit. Vetëm Zakaria, Kryeprifti, kishte të drejtën të hynte te të Shenjtat e të Shenjtave dhe ai mund ta bënte këtë gjë vetëm një herë në vit. Kryeprifti Zakaria e mori Marinë në të Shenjtat e të Shenjtave sepse ai, ashtu sikurse profetët e tjerë, kuptoi atë çfarë Perëndia kishte planifikuar për njerëzit e Tij. Zakaria e dinte se Maria do të bëhej nëna e Jisuit, Shpëtimtarit tonë.

Ikona tregon historinë e hyrjes së Marisë në Tempull. Kryeprifti Zakaria, me veshjen e tij priftërore, po qëndron në hyrjen e Tempullit duke përshëndetur fëmijën e  vogël. Maria, është pikturuar si një fëmijë i vogël. Ajo qëndron para Zakarias me krahë të shtrirë. Vajzat e reja të cilat e shoqëruan atë në Tempull qëndrojnë pas asaj. Joakimi dhe Ana po ia paraqesin fëmijën e tyre Zakarisë.
Te pjesa majtas lart e Ikonës së Shenjtë, Maria, Hylindësja, është ulur në shkallën më të lartë. Kjo tregon të Shenjta e të Shenjtave. Një engjëll është atje për t’i shërbyer asaj.
            Historia e hyrjes së Marisë në Tempull tregon dedikimin dhe devotshmërinë e saj ndaj Perëndisë. Përveç kësaj, ikona tregon se ajo është e gatshme të pranojë detyrën e mrekullueshme si Nëna e Zotit tonë. Nga kjo ikonë kuptojmë se Perëndia ishte me atë që nga fillimi i jetës së saj.

Shkëputur nga libri: HISTORIA E IKONAVE

Maria Palubis Hallik


No comments:

Post a Comment