Disiplina pozitive dhe edukimi i krishterë
Nga perspektiva e antropologjisë së krishterë, kuptojmë që të gjithë ndajmë të njëjtën njerishmëri dhe të njëjtin problem: rënien. Jetojmë në një botë të rënë dhe ndeshemi me mëkatin, me të mirën e të keqen. Sidoqoftë, natyra jonë njerëzore, edhe pse është një natyrë e rënë dhe subjekt i mëkatit dhe vdekjes, nuk është e keqe [1] sipas mënyrës orthodhokse të të kuptuarit. Ne jemi krijuar sipas ikonës (shëmbëlltyrës) së Perëndisë, por edhe pse ky imazh është shtrëmbëruar brenda personit njerëzor, ai nuk është shkatërruar tërësisht. Në Krishtin bëhemi të pacënuar dhe imazhi i Perëndisë është restauruar tashmë(rregulluar në ne) [2].
Ne e kuptojmë që mëkati është gjithmonë rezultat i një zgjedhjeje personale dhe ushtrim i vullnetit tonë të lirë.
Rrjedhimisht, puna jonë është t’i ushqejmë fëmijët në një ambjent me dashuri dhe vlera të krishtera që do t’i ndihmojë ata të kuptojnë “vullnetin e tyre të lirë” dhe të forcojnë aftësinë e tyre për të bërë zgjedhje të mira.
Sfida është që ne vetë ta jetojmë ungjillin dhe t’u tregojmë të tjerëve si të zhvillojnë një ndërgjegje të krishterë, të jetojmë një jetë me virtyte dhe të duam Perëndinë dhe të afërmin tonë. Këto duken si synime të thjeshta, kur i themi me fjalë. Gjithsesi, duke u përpjekur ta bëjmë këtë, brenda kontekstit të një bote të rënë dhe që ka probleme për shkak të natyrës njerëzore të fragmentarizuar, ky proces ndërlikohet.
Si e përmbushim këtë qëllim? Në librin e Fjalëve të Urta gjejmë këshillën: “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë dhe ai nuk do ta harrojnë atë edhe kur të plaket” (Fjalët e Urta 22:6)
Si katekistë dhe mësues të krishterë, ne duhet ta kuptojmë qartë qëllimin tonë, të kuptojmë çfarë është “rruga e drejtë” me qëllim që t’i mësojmë fëmijët dhe në mënyra të veçantë, të kuptojmë si t’i përqasemi disiplinës, ndërsa punojmë me fëmijë të “njerëzve të tjerë” në kampet tona.
David Elkind, psikologu amerikan i njohur për fëmijë, në librin e tij të fundit Instructive Discipline is Built on Understanding, (Disiplina ndërtuese ngrihet mbi të kuptuarin), pohon: Fjalori im jep 2 përkufizime kryesore për
disiplinën: 1) trajnim (mësim) që zhvillon vetkontroll, karakter të rregullt dhe efektivitet 2) trajtim që korrigjon dhe ndëshkon.
Ndërsa punojmë me fëmijët e personave të tjerë, nuk është përgjegjësia jonë që ta ndëshkojmë fëmijën. Rrjedhimisht, duhet të përdorim metoda, le të fillojmë duke u bërë të ndërgjegjshëm për përqasjen e parë drejt disiplinës: të mësuarit që zhvillon vetkontroll, karakterin e rregullt dhe efikasitetin dhe vlerat që thekson edhe mëson. Kjo lloj disipline, quhet “disiplinë pozitive”. Ajo nuk kërkon të ndëshkojë, por më tepër ta drejtojë një njeri ose një person në ndryshimin e dëshiruar, në sjellje të mire me anë të përforcimit pozitiv dhe duke modeluar (formësuar) sjelljen e dëshiruar. Një autor amerikan Jane Nelson, në librin e saj Positive Discipline (Disiplina Pozitive), zhvillon idenë se fëmijët sillen keq, sepse duan të përkasin diku, të jenë të përfshirë. Ata nuk dinë si ta arrijnë këtë qëllim dhe shpesh herë kanë ide të gabuara që bëhen shkak për sjellje të këqija.
Mendimi, synimi a dëshira që “të përkasësh” diku, nga një perspektivë teologjike, ka kuptim të përkryer. Jemi qenie trinitare, jemi krijuar në shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Perëndisë. Ne dëshirojmë harmoninë, unitetin dhe dashurinë e përkryer dhe marrëdhënien e Trinisë së Shenjtë. Ne dëshirojmë të jemi të përfshirë në një rreth të përjetshëm dashurie, paqeje, kënaqësie dhe harmonie.
Jane Nelson u ofroi mësuesve dhe prindërve udhëzimet e mëposhtme për përdorimin e disiplinës pozitive. Besoj se këto udhëzime mund të përshtaten në ambientet ku mësohet edukimi i krishterë.
Disiplina Pozitive
1. Fëmijët me sjellje të keqe janë “fëmijë të dekurajuar” që kanë ide të gabuara mbi mënyrën e arritjes së qëllimit të tyre primar - të përkatësisë. Idetë e tyre të gabuara i drejtojnë ata në sjellje të këqija. Ne nuk mund të jemi të efektshëm derisa të shohim se besimi i gabuar është më tepër sesa thjesht një sjellje e keqe.
2. Përdorni inkurajimin për të ndihmuar fëmijët që të ndihen “që i përkasin dikujt” dhe kështu motivimi për sjellje të keqe do të eliminohet. Festoni çdo hap në drejtim të përmirësimit më tepër sesa fokusimit në gabim.
3. Një mënyrë shumë e mirë për të ndihmuar fëmijët që të ndihen të inkurajuar është të kalojmë kohë të veçantë “të jemi me ata”. Shumë mësues kanë parë një ndryshim drastik tek një “fëmijë problematik” pasi kanë kaluar 5 minuta së bashku, thjesht duke bërë të dy diçka argëtuese.
4. Kërkojuni fëmijëve që të ndajnë me ju “momentet e tyre të trishtueshme” dhe “momentet e tyre më të gëzuara” përgjatë ditës. Gjithashtu edhe ju ndani me ata këto gjëra. Ju do të surprizoheni nga ajo që do të mësoni.
5. Zhvilloni takim klase në mënyrë që të zgjidhni problemet me bashkëpunim dhe respekt të dyanshëm. Ky është çelësi i të krijuarit të një atmosfere me dashuri dhe me respekt, ndërsa ndihmoni fëmijët të zhvillojnë disiplinën-vetjake, përgjegjësi, bashkëpunim dhe aftësi për zgjidhjen e problemeve.
6.Jepuni fëmijëve punë me kuptim. Në emër të dobisë, shumë mësues bëjnë gjëra që fëmijët mund t’i bëjnë për veten e tyre dhe për njëri – tjetrin. Fëmijët ndihen të përfshirë kur ata ofrojnë një kontribut të vërtetë.
7. Vendosni së bashku çfarë punësh do të bëni. Vendosini emrat e punëve të gjitha në një kuti dhe lejoni që çdo fëmijë të zgjedhë dhe të bëj pak nga çdo njëra, çdo javë; në këtë mënyrë asnjëri nuk do të mbetet me të njëjtën punë gjatë gjithë kohës. Mësuesit mund të ftojnë fëmijët që të vendosin rregullat e klasës së bashku dhe t’i listojnë ato në një fletë të madhe me titull “Vendimet tona.” Fëmijët ndihen të zotë, të motivuar dhe entuziaztë kur ata përfshihen në marrjen e një vendimi.
8. Merrni kohë për trajnim. Duhet të dini se fëmijët e kuptojnë se çfarë do të thotë “largoni lodrat”. Për ata kjo thjesht do të thotë se lodrat, librat apo formueset duhet të vendosen në raft ose në dollap. Mësuesit mund të pyesin: “A e dini se çfarë duhet të bëni?”
9. Mësoni modelin e respektit të dyanshëm. Një mënyrë për ta bërë këtë, është të jeni i sjellshëm dhe i vendosur në të njëjtën kohë – i sjellshëm d.m.th të tregoni respekt ndaj fëmijës dhe i vendosur të tregoni respekt ndaj vetes dhe ndaj “nevojave të situatës.” Kjo është e vështirë përgjatë një konflikti, kështu që përdorni udhëzimet e mëposhtme ku të mundni.
10. Koordinimi i saktë do të përmirësojë efektivitetin tuaj dhjetëfish. Nuk “bën” të merresh me problemin në kohën e konfliktit – emocionet të marrin para. Mësojini fëmijëve si të kontrollojnë nervat përgjatë konfliktit. Ju (ose fëmijët) mund të shkoni te një dhomë e veçantë dhe të përpiqeni të qetësoni veten dhe më pas të punoni me problemin duke patur si bazë respektin e dyanshëm.
11. Largohuni nga idetë e çmendura se në mënyrë që t’i bëni fëmijët të veprojnë mirë, në fillim duhet t’i bëni ata të ndihen keq. A mendoni ju se dikush mund të veprojë më mirë nëse ndjehet i poshtëruar? Kjo sugjeron një këndvëshrim të plotë mbi praktikën e “dënimit”.
13. Përdorni “dënime” pozitive. Mbani mend se fëmijët veprojnë më mirë kur ata ndjehen mirë. Kur përdorni “dënim”, trajtojeni atë si një kohë ku fëmijët mund të bëjnë diçka pozitive, si për shembull të ndihmojnë ndonjë person apo të ulen duke ndenjur në qetësi diku. Më pas ju mund t’i pyesni fëmijët kur ata të jenë të mërzitur: “A mendon se do të të ndihmojë të shkuarit në “ një dënim” pozitiv?”
14. Dënimi mund të “funksionojë” nëse jeni i ineteresuar të ndaloni sjelljen e keqe “për momentin”. Disa herë duhet të ndërgjegjësohemi se çfarë ndodh kur rezultatesh negative si fyerja, rebelimi, hakmarrja apo zmbrapsja janë afatgjata.
15. Mësojuni fëmijëve se gabimet janë një mundësi shumë e jashtëzakonshme mësimi! Një mënyrë e mrekullueshme për t’u mësuar fëmijëve se gabimet janë një mundësi e mahnitëshme mësimi, është t’i modelosh veten duke përdorur tre gjëra që gjeni pasi keni bërë një gabim p.sh
- Njihni gabimin tuaj.
- Qetësohuni - Jini të gatshëm të thoni: “Më vjen keq, nuk më pëlqen mënyra se si reagova ndaj kësaj.”
- Vendosni përqendrimin mbi zgjidhjen sesa mbi fajësimin.
- Përqëndrimi mbi zgjidhjen në vend të rrjedhojës/pasojës. Shumë mësues përpiqen të ndajnë dënimin duke e quajtur atë një pasojë/rrjedhojë logjike. Përfshini fëmijët në gjetjen e zgjidhjeve që janë:
- Bashkimi
- Respekti
- Arsyetimi
- Ndihma
3. Kënaquni! Sillni gëzim brenda shtëpive dhe klasave.
- (Pika e tretë është efektive vetëm nëse ju praktikoni dy të parat, d.m.th 1 dhe 2)
Lexo ushtrimin e zemrës sime
Diagrama që vijon është marrë nga Manuali Disiplina Pozitive në Klasë (Positive Discipline in the Classroom Manual) nga Jane Nelsen and Lynn Lott.
Fëmijët kanë qëllime a mendime të gabuar për mënyrën sesi duhet “t’i përkasin” shkollës, kishës, kampit dhe familjeve të tyre.
Ekzistojnë katër lloje të ndryshme sjelljesh të këqia me të cilat identifikohen fëmijët:
1) fëmija që dëshiron gjithë vëmendjen
2) që dëshiron të jetë shefi
3) që dëshiron të hakmerret
4) që tërhiqet dhe nuk përpiqet.
Bëni një shenjë në formë zemre me mesazhin e koduar dhe diskutoni veprimet e fëmijës, si ai fëmijë reagon ndaj mësueses dhe cili është mendimi që fëmija e beson gabimisht dhe që fshehet pas kësaj sjelljeje të fëmijës. Pastaj duke përdorur disa udhëzime për disiplinën pozitive, mendoni për disa përgjigje paraprake që mund të përdorë një mësues për ta ndihmuar fëmijën të rritet përtej qëllimeve të gabuara.
Nga Pamela Barksdale
[1] Ware “ E keqja është gjithmonë parazite. Është shtrembërimi dhe shpërdorim i asaj që është në vetvete e mirë. E keqja qëndron jo në vetë gjërat, por në qëndrimin që mbajmë drejt atyre gjërave-dhe kjo varet; le të themi, nga vullneti ynë. fq 59.” “Tradita orthodhokse pa minimizuar ndikimet e rënies, nuk beson se kjo rezulton në një prishje totale, ashtu siç pohojnë kalvinistët në momentet e tyre më pesimiste. Imazhi hyjnor tek njeriu u errësua, por nuk u fshi plotësisht. Zgjedhja e tij e lirë u kufizua në të ushtruarit e saj, por nuk u shkatërrua. Madje edhe në një botë të rënë njeriu ende është në gjendje të sakrisfikojë bujarisht dhe të dojë e të ketë dhembshuri.” Fq.80 “The orthodox way, SVSP, Crestwood, 1986.”
2 Perëndia e krijoi njeriun sipas ikonës së Tij-Për t’ju referuar krijimit të njerëzimit si një i tërë. Është pra e dukshme se mëkati i Adamit, duhet të lidhet gjithashtu me të gjithë njerëzit, ashtu siç shpëtimi që solli Krishti është shpëtim për gjithë njerëzimin, por as mëkati stërgjyshëror, as shpëtimi nuk mund të kuptohen në jetën e një personi pa përfshirë përgjegjësinë e tij personale dhe të qenit i lire, për ta marrë ose jo këtë përgjegjësi. Grigori i Nisës, mbi Zanafillën 1:27, Meyendorff, Byzantine Theology, fq 143-145.
No comments:
Post a Comment