Lutje që e Tërëshenjta Mari të të mbrojë



 Lutje që e Tërëshenjta Mari të të mbrojë


Virgjëreshë e Tërëshenjtë Perëndilindëse,
mbulomë dhe ruajmë mua shërbëtorin tënd nga çdo e keqe që përul dhe dobëson trupin,
dhe nga çdo armik i dukshëm dhe i padukshëm.
 “Gëzohu, o Hirplote Mari, Zoti është me ty.
E bekuar je ti ndër gratë dhe e bekuar është pema e barkut tënd,
se linde shpëtimtarin e shpirtrave tanë”.
Gëzohu dhe të ngazëllohu Virgjëreshë Perëndilindëse,
dhe ndërmjeto për shërbëtorin tënd.

Zonjë e Engjëjve dhe Nënë e të krishterëve, ndihmomë mua shërbëtorin tënd.
O Mari e tërëpastër, gëzohu nuse e panusëruar;
gëzohu, gëzim i atyre që pikëllohen dhe ngushëllim i atyre që hidhërohen.
Gëzohu, ushqimi i të uriturve dhe limani i atyre që lundrojnë.
Gëzohu ti, që je më e shenjtë se të gjithë shenjtorët dhe më e çmuar se të gjitha krijesat e Perëndisë.
Gëzohu ti, që u shenjtërove nga Ati, u banove nga Biri dhe u mbulove nga Shpirti i Shenjtë.
Gëzohu ti, që je pallati dëfryes i mbretit të të gjithave, Krishtit Perëndisë tonë.

Gëzohu ti, që je nëna e jetimëve dhe mbështetje e të varfërve.
Gëzohu, mburrja e të krishterëve dhe e gjithë atyre që të quajnë ndihma e shpejtë.
E Tërëshenjta Zonja ime, ruajmë nën strehën tënde,
sepse në duart e tua të tërëpastra dorëzoj shpirtin tim.
Bëhu ndihmëse dhe strehë e shpirtit tim gjatë ditës së frikshme të gjyqit
dhe ndërmjeto për mua të padenjin të hyj i pastër dhe i qashtër në Parajsë.

Mos më braktis, Zonja ime, mua shërbëtorin tënd,
por ndihmomë dhe dhuromë atë që është e dobishme nga ato që të të kërkoj.
Shpëtomë nga çdo rrezik, sulm, detyrim, sëmundje dhe dhuromë pendim para mbarimit të jetës sime.
Ma dëgjo lutjen, që nga njëra anë në këtë jetë të ruhem nga çdo armik i dukshëm dhe i padukshëm
me ndërmjetimin dhe ndihmën tënde dhe të eci siç i pëlqen Perëndisë,
sipas vullnetit të Birit tënd të mirë dhe Perëndisë tonë,
dhe nga ana tjetër gjatë ditës së frikshme të shpëtoj nga ferri i përjetshëm dhe i frikshëm;
dhe kështu të falem, të falënderoj dhe të lavdëroj emrin tënd të tërëshenjtë në jetë të jetëve.
Amin.

Shën Dhimitri i Rostovit

No comments:

Post a Comment