Ligji i përtërirë është përsëritjë e Ligjit të Perëndisë për popullin e Izraelit.
Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj, thotë Zoti, do të mbeten në zemrën tënde. Duket sikur i drejtohet një personi, Moisiut, por në fakt na drejtohet të gjithëve ne. Izraelitët, populli i zgjedhur, dolën nga skllavëria egjiptiane, kaloi shkretëtirën dhe tani qëndron përballë Tokës së Premtuar. Kjo ishte ëndrra e tyre 400 vjeçare.
Qëndrojnë para vendit dhe Zoti i rikujton atyre BESELIDHJEN që kishin bërë me Perëndinë. E dimë që Moisiu vet nuk u fut në Tokën e Premtuar. Zoti kërkon që ai t’i kujtojë popullit edhe një herë atë që duhet të bëjnë. Ai i përsërit edhe një herë 10 urdhërimet.
Këto ia thotë Moisiut, por nëpërmjet tij i drejtohet gjithë izraelitëve: Këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde.
Pse?
Pse ishte e rëndësishme t’i ruanin këto urdhërime? Pse izraelitët duhet të bënin vullnetin e Perëndisë? Pse Zoti i porosit të ruajnë porositë kur të hyjnë te Toka e Premtuar?
Izraelitët ishin tregtarë të mëdhenj dhe interesaxhinj. Zoti e njihte mirë popullin e vet, prandaj ju thotë: Nëse doni të keni jetë me begati, të gjatë, me të mira materiale dhe me të gjitha ato që ju kam premtuar RUANI POROSITE.
Porositë e Zotit janë për të mirën tonë, jo thjesht që ne të jemi shembull për të tjerët, drita në botë etj. Është për të mirën tonë të ruajmë porositë, për të mirën e jetës sonë. Njeriu rritet shkallë – shkallë në Zotin. Perëndia i zbulohet njeriut shkallë –shkallë. Jeta shpirtërore është si rritja e një fëmije. Ne u tregojmë fëmijëve aq sa ata kuptojnë, gjithçka sipas moshës së tyre.
Qëllimi fillestar ishte që ky popull me interes të kuptojë që ky është i vetmi Perëndi i vërtetë. Dhe ata mund ta kuptonin këtë vetëm nëse ky Perëndi do t’ju japte atë që ata donin. Kështu ndodh edhe me ne. Krishti nuk thotë që nuk do të kujdeset për jetën tonë. Ungjilli i djeshëm na kujtoi shumimin e bukëve në shkretëtirë. Zoti kujdeset, jo vetëm për shpirtin, por edhe për trupin tonë. Ai i urdhëron dishepujt e tij të kujdesen për turmën e njerëzve duke iu thënë: Jepuni të hanë. Ai nuk tha, unë mbarova mësimin që kisha për të thënë, tani ju vazhdoni punën tuaj. E njëtja gjë ndodh edhe me shërimet e ndryshme dhe me mrekullitë e tij. Krishti është Perëndia që kujdeset për çdo gjë tonën. Ai shëron trupin dhe jep shpresë për Mbretërinë e Perëndisë.
Kështu u thotë Zoti izraelitëve: UNE DO TË KUJDESEM PER JU. Kështu thotë edhe Krishti. Pse besojmë që Krishti është Shpëtimtari i botës?
Mrekullitë, shërimet, mësimet e mbi të gjitha NGJALLJA e tij e dëshmojnë qartë këtë.
Kur na realizohet një dëshirë, themi, ja vërtet më dëgjoi Zoti, Ai më do.
Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde,
do t’ua ngulitësh bijve të tu,
do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde,
kur ecën rrugës,
kur ke rënë në shtrat
dhe kur çohesh… Ligji i përt. 6:6-7
KU?
Kur duam dikë si simbol të dashurisë përdorim zemrën, për t’i treguar që ne i japim atij gjënë më të shtrenjtë që kemi, d.m.th. gjithçka kemi. Me këtë tregojmë sa shumë e duam. Ndaj dhe Zoti na porosit t’i mbajmë në zemër fjalët e tij, për t’i treguar atij që këto janë shumë të shtrenjta për ne. Zoti na thotë: dua që fjala ime të jetë gjëja jotë më e shtrenjtë.
PSE?
Nëse do mirëqënie në jetën tënde, nëse do jetë të gjatë, nëse do begati, nëse do .... do të kesh çdo gjë vetëm nëse fjala ime është në zemrën tënde. Edhe për ne sot është e njëjta gjë. Gjëja jonë më e shtrenjtë të jenë porositë e Krishtit. Ato na lartësojnë më shumë.
P.sh. Krishti thotë “doni armiqtë tuaj”, por së pari na kërkon të mos vjedhim, të mos kurvërojmë, të mos gënjejmë etj, pastaj pasi të jemi lartësuar në jetën shpirtërore na kërkon të duam edhe armiqtë. Krishti na lartëson, Ai e përsos botën e njeriut.
Pastaj Zoti kërkon që këto fjalë t’ua ngulitësh bijve të tu. Nesër fëmija do t’ju thotë pse këto festa? Pse këto kremtime në kishë? Pse Krishtlindje? Pse Pashkë?
Atëherë ju do të tregoni atë që Zoti ka bërë për ju.
- P.sh. Na nxori nga dheu i Egjiptit me shumë mrekulli.
- Kaluam Detin e Kuq.
- Na ushqeu 40 vjet në shkretëtirë.
- Na ka mbrojtur nga armiqtë etj.
- Ai erdhi për ne.
- Ai u kryqëzua nga dashuria për ne.
- Ai u ngjall për ne.
Sot Krishti na thotë: A doni të më besoni?
Vendosni në zemër porositë e mia.
- Do të keni çdo gjë që ju nevojitet.
- Do të kujdesem për problemet dhe vështirësitë tuaja.
- Do t’ju çoj te Toka e Premtuar.
POR TI KUJTO C’KA BERE ZOTI PER TY.
Moisiu vdes dhe në vend të tij vendoset Jisui i Navisë, i cili e drejton popullin te Toka e Premtuar.
Populli i Izraelit kalon lumin Jordan, i cili ndalon rrjedhjen e tij. Marrin Arkën e Besëlidhjes, vendosin 12 gurë, të cilët janë edhe sot, dhe së fundi ndërtojnë një altar që të KUJTOJNE ATE QE ZOTI, PERENDI, KA BERE PER TA. Dhe këtë ua tregojnë edhe bijve të tyre më vonë.
Ne harrojmë shpesh çfarë ka bërë Zoti për ne. Është mirë t’i kujtojmë vahdimisht mirësitë e tij. Në kohë të vështira, në ditët e problemeve të tua, hap bllokun në të cilin kë shkruar listën e të mirave që Zoti ka bërë për ty. Nëse nuk i ke shënuar në një bllok atëherë kërko në kujtesën tënde mirësitë e Zotit.
A është dikush që mund të thotë: Zoti s’ka bërë gjë në jetën time!?
Të gjithë kemi DICKA që Zoti ka bërë në jetën tonë. Ai na është përgjigjur, Ai na e ka treguar që është Zoti ynë. Kur mëkatojmë dhe nuk vlerësojmë mirësitë e tij, le të kthehemi e le t’i lutemi: Ti je Zoti im, unë jam biri yt, falmë.
Dikur në Rusi në kohën e ateizmit u bë një takim i madh ku një komunist foli gjatë për rëndësinë ateizmit dhe sa shumë komunizmi bënte për popullin rus. Në fund të takimit e kërkoi fjalën një grua e moshuar. Ajo foli shumë shkurt e tha: Isha vajzë e re dhe më sollën burrin të vrarë në shtëpi. Unë mbeta me tre fëmijë të vegjël. Situata ime ishte e rëndë. Nuk kisha as bukë për ditën e nesërme. Por në dhimbjen time i thashë Zotit: “O Zot, ti bëhu atë për fëmijët e mi, ti kujdesu për ta. Tani që jam para jush dhe në moshë të thyer e di që Zoti nuk më ka braktisur asnjëherë. Tani jam gati të shkoj te Krijuesi im dhe të jem me të përjetësisht. Por kam një pyetje për ju: çbëri ateizmi për ju? Për mua Zoti ka bërë shumë gjëra, po ju ç’mund të më thoni, ç’bëri ateizmi për ju?!
Ai erdhi për ne, vdiq dhe u ngjall.
Dikur një djalë 17-vjeçar ishte i ftuar të merrte pjesë në një bisedë ku flitej rreth besimit. Ai ishte në dilemë të besoj apo të mos besoj. Mendoi me vete: Nëse besoj, kur të shkoj në shkollë e t’ju them që jam i krishterë do të tallen me mua. Me këtë mendim la bisedën dhe u largua. Vitet kaluan dhe në moshë të plakur takon një mikun e tij dhe i thotë: Jeta ime është një dështim, se kur ishte momenti të pranoja Krishtin, unë u largova, se doja më shumë shoqërinë, opinionin e të tjerëve, gjëra që nuk do të më sillnin vështirësi etj.
Nëse beson, Zoti ka bërë një gjë për ty. Nëse jo, Ai s’ka bërë asgjë.
Nëse mendojmë që s’ka bërë asgjë për ty, atëherë të gjitha gjërat në jetë dalin pa kuptim e i themi Zotit: Dil nga jeta ime, unë e jetoj vetë jetën, s’ka nevojë për ty.
Nëse besojmë, atëherë ruajmë edhe porositë: Dhe këto fjalë që sot po të urdhërojdo të mbeten në zemrën tënde, do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh… Ligji i përt. 6:6-7, që të kujtosh çfarë ka bërë Zoti për ty. Dhe pasi të kujtosh çfarë ka bërë Zoti për ty, do të kthehesh tek Ai dhe do të kesh mirënjohje. Nëse nuk besojmë, s’ka as mirënjohje, as falenderim. Ndaj bëjmë edhe Liturgji Hyjnore, Falenderim Hyjnor. Aty kujtojmë rënien e njeriut, ardhjen e Zotit për shpëtimin tonë, mësimet, kryqëzimin, varrimin, ngjalljen dhe ngjitjen e Zotit në qiell. E dimë që Ai ka bërë shumë për ne dhe për të gjitha e falenderojmë. Ne ofrojmë: “Të tuat, nga të tuat”. Ato që na jep ai, ia ofrojmë me falenderim. Ai i shenjtëron dhe na e jep ne shenjtërimin e tij nëpërmjet dhuratave të shenjtëruara të bukës dhe verës, në Trup dhe Gjak të Krishtit.
Ndaj është e rëndësishme të shkojmë në kishë, të mësojmë Liturgjinë Hyjnore. Aty mësohet historia jonë.
Njerëzit kanë pasuri e plot të mira, por shpesh ndihen bosh në jetën e tyre. Sepse pa Perëndinë gjërat nuk kanë kuptim. Ai ka krijuar çdo gjë më qëllim të caktuar. Kur jemi me Perëndinë jemi gjithmonë në zbulim hap pas hapi. Rritemi çdo ditë në misterin e jetës. Nëse jetojmë këtë mister sipas mësimeve të Zotit, do të kemi pafund dhuratat e tij dhe çdo ditë e jetës do të jetë një zbulim i ri, e kështu jeta do të jetë një udhëtim i gëzueshëm. S’ka fund GEZIMI që ndiejmë kur jemi me Zotin!
No comments:
Post a Comment