“Ju do të merrni fuqi kur Shpirti i Shenjtë të vijë mbi ju”.


Krishti na premtoi: “Ju do të merrni  fuqi kur Shpirti i Shenjtë të vijë mbi ju”.  Apostujt e morën këtë fuqi. Kështu edhe ne!
Fuqi për të shndërruar thatësirën e shpirtit në një kopësht të bukur;
Fuqi për t’i rezistuar sulmit të mëkatit, ose nëse kemi rënë në mëkat, fuqi për të marrë udhën e kthimit për te shtëpia e Atit si djali plangprishës  dhe për të qenë i sigurt për faljen e plotë;


Fuqi për të mbajtur barrat e çdo dite;
Fuqi për të thyer zinxhirët e zakoneve mëkatare, që për një kohë të gjatë na kanë robëruar;
Fuqi për të vazhduar betejën shpirtërore;
Fuqi për të mbrojtur të drejtën;
Fuqi për të falur; për të dashur; për të arritur qëllimin tonë final.


Ja si e lavdëron një tropar mbrëmësor Shpirtin e  Shenjtë:

Të gjitha dhuratat i jep Shpirti i Shenjtë,  
buron profecira,
përsos priftërinë,
u mëson të paditurve urtësi,
dhe peshkatarët i shndërron në teologë;
Mbledh tërë Kishën e Perëndisë në një komunitet.
O Ngushëllimtar, i bashkëqenëshëm
dhe i bashkëfronëshëm me  Atin dhe me Birin,
 lavdi më ty.

“Ju do të merrni  fuqi kur Shpirti i Shenjtë të vijë mbi ju… “
Jisui në Ungjillin e sotëm thotë: “Ai që më beson mua, lumenj uji të gjallë do të rrjedhin nga zemra e tij”. Këtë e tha për Shpirtin e Shenjtë të cilin do ta marrin ata që besojnë tek Ai. Edhe ne lutemi në gjunjë që Shpirti i Shenjtë të vijë tek ne sot në ditën e Pentikostisë, ashtu si zbriti tek apostujt, dhe të na zëvendësojë barrat e jetës me bukuri, dobësitë tona me fuqi, boshllëkun tonë me plotësinë e pranisë së Perëndisë.


Shën Simeon Teologu i Ri lutej:
Eja, dritë e vërtetë;
Eja, jetë e përjetshme;
Eja, mister i fshehur;
Eja, thesar pa emër;…
Eja, gëzim i pareshtur;
Eja, dritë e pavenitur;
Eja, shpesë që do t’i shpëtosh të gjithë;
Eja, ngjallje e të vdekurve;
Eja, i plotfuqishëm që i përmbush, i transformon dhe i ndryshon të gjitha gjërat vetëm nëpërmjet vullnetit tënd.
Eja, kurorë që nuk fishket kurrë;…
Eja, frymë e jetës sime, ngushëllim i zemrës sime të përulur”.

Eja, Frymë e Perëndisë, na mbush me praninë e Perëndisë.
Eja, bëji trupat tanë tempuj të Perëndisë.
Eja, na mbush me fuqi që të vijmë në vete.
Eja, restauro imazhin e Perëndisë në ne.
Eja, fuqizo besimin tonë.
Eja, na forco të flasim dhe të veprojmë për Ty në botë.
Eja, fali mëkatet tona.
Eja, fry në ne jetën e Perëndisë, të përjetshmen, të pavdekshmen.
Eja, Shpirt i Shenjtë.
Eja!
Ashtu si toka e tharë dëshiron shiun, edhe ne kemi etje për TY.

Atë Antoni Koniaris

No comments:

Post a Comment