Fjalët hyjnore të oshënar Isaak Sirianit për jetën shpirtërore (4)




Studimi 31

1. Kur shpirti ynë del nga errësira vijnë këto: a) digjet zemra jonë dhe ngrohet ditë e natë; b) nga ëmbëlsia e mendimeve as ushqim nuk duam dhe c) ose studiojmë Shkrimet e Shenjta, ose lutemi, ose bëjmë diçka tjetër, ose nuk pushojnë së rrjedhuri lotët tanë. Por të gjitha këto mund t’i humbasim kur do biem në mendjemadhësi, moskokëçarje dhe përtaci.
2. Lutja e të përulurit, kur del prej gojës së tij, hyn në veshët e Perëndisë.
3. Vera ngroh trupin, ndërsa fjala e Perëndisë shpirtin.
4. Veprat tona të mira dhe përulësia na bëjnë Perëndi në tokë.


5. Ngrohja dhe trishtimi i zemrës nuk mund të bashkëkzistojnë, kur është dhënë ngrohja, ikën prej saj zia.
6. Lum gjithë sa kanë vendosur të notojnë në detin e dëshpërimeve, për dashurinë e Perëndisë. Ata shumë shpejt arrijnë në portin e Mbretërisë Qiellore.
7. Më e mirë është vdekja për dashurinë e Perëndisë, sesa jeta e shthurur dhe dembelizmi.
8. Në qoftë se je i pastër në zemër, Perëndia do të të ngjisë në majë të virtyteve dhe do të të bëjë të ditur dhe të përsosur.
9. Kur ke errësim mendimesh, shko të flesh, sepse pas errësimit të mendimeve vjen blasfemia.
10. Të sëmurëve dhe atyre që vuajnë shpirtërisht u duhet simpati dhe afrim. Kur nuk dua të tjerët dëmtoj shumë shpirtin tim.
11. Parim i urtësisë së Perëndisë është mirëkuptimi dhe thjeshtësia, kur vuan për dobësitë e të tjerëve. Kjo gjë është fitore e një shpirti trim.
12. Që t’i shmangemi ngasjes së errësimit dhe moskomunikimit është e pamundur, sikurse edhe të ngushëllohemi plotësisht në këtë jetë.

Studimi 32

1. Zelli i mitur dhe i pamenduar largon paqen e shpirtit. Ai që me zell mundohet që të shërojë faje të të tjerëve sëmur shëndetin e shpirtit të tij.
2. I sëmuri nga shpirti, që korrigjon të tjerët, i ngjan të verbrit që tregon me gisht të tjerët në rrugë.
3. Ai që nga njëra anë lutet, por nga ana tjetër ushqen urrejtje për të tjerët, duke u lutur mbjell në det.
4. Në qoftë se dua Perëndinë bëhem i përulur me thjeshtësi.
5. Ai që është fjalëshumë, madje edhe për gjëra të mira, është i padenjë për t’u shenjtëruar.
6. Pendimi që bëhet pas lloj-lloj marrëdhëniesh me të tjerët është si shpata e mundur.
7. Urtësia dhe biseda me gratë është njëlloj sikur të kesh në një dhomë një bishë (egërsirë, luaneshë) dhe një dele.
8. Mëshira nuk e mundon atë që i takon dënimi.
9. Ashtu si nuk mund të krahasohet një kokërr rëre me floririn, ashtu edhe drejtësia e Perëndisë nuk krahasohet me mëshirën e Tij të madhe.
10. Ai që u bë i përulur në jetë, u bë i vdekur për njerëzit dhe pasionet trupore.
11. Smirëziu ka djallin në zemrën e tij.
12. Përulësia dhe urtësia na udhëzojnë në shpëtimin e shpirtit tonë.
13. Në mbledhjet e njerëzve prefero të mos flasësh. Ki frikë shoqëritë e këqija.
14. Nga çdo sakrificë më e ndershme te Perëndia është trupi i të urtit.
15. Perëndia dashuron kaq shumë të përulurin sa Serafimet.
16. O Dashuri! Lum ai ai, që të gjeti ty, portën e çdo gëzimi.
17. Mos bëj miq ata që dashurojnë qesharakët dhe ata që tallin dhe teatrizojnë të tjerët.
18. Me atë që akuzon të tjerët mos ki marrëdhënie.
19. Me mendjemadhin dhe smirëziun mos fol fare dhe kur t’i flasësh fol me kujdes.

Studimi 33

1. Me të vërtetë është virtyt i madh të të vijë keq për të këqijtë dhe të bësh vepra bamirësie për mëkatarët më shumë edhe se për të drejtët.
2. Jep me fytyrë të gëzuar lëmoshën tënde dhe ngushëllo vazhdimisht të dëshpëruarit.
3. Ditën që do të të vijë keq për një të sëmurë, ta konsiderosh veten tënde si martir për Krishtin.
4. Në të gjitha veprat e tua, ki ndërgjegje të pastër; justifikimi nuk është për të krishterët.
5. Akuzova një njeri, jam i vdekur edhe unë edhe veprat e mia atë ditë. Më mirë shoqërohu me lebrozë sesa me mendjemëdhenj.
6. Mba zi për ata që bëjnë mëkate dhe gëzohu me ata që pendohen. Bëhu mik i të gjithëve dhe mba distancë prej të gjithëve.
7. Mbuloje mëkatarin dhe shikoji të gjithë njerëzit si shenjtorë.
8. Po qe se s’je shenjtor me zemër, pastrohu nga trupi, domethënë mos bëj mëkate trupore.
9. Nëse s’je i qetë, paqësohu të paktën me veten tënde.
10. Kishë e Hirit hyjnor është ai që kujton gjithmonë Perëndinë.
11. Që ta duash të mirën kjo është diçka jotja, por po ta kryesh atë, kjo është diçka e Perëndisë.
12. Pushimi i trupit dëmton vetëm të rinjtë. Moskujdesi i ndjenjave edhe pleqtë.
13. Të mos na vijë keq kur bëjmë faj, por kur insistojmë në fajin tonë.
14. Mos e urre mëkatarin, por mëkatin. Përderisa e konsideron veten tënde të drejtë, ku është dashuria jote për mëkatarin?
15. I vdekur është kushdo që nuk dashuron të nderuarit, as përçmon edhe ata që nuk e nderojnë atë; kur kam lutjen nuk inatosem, nuk bëhem gjaknxehtë.

Studimi 34

1. Dashuro, o njeri, Perëndinë jo për të mirat e ardhshme, që premton të të japë në jetën tjetër, por për sa të jep në këtë jetë, sepse Hiri hyjnor, me të cilin na rilind, “të vdekur prej mëkatit”, është shumë më i fuqishëm nga ai Hir me të cilin na solli trupërisht në këtë jetë.
2. Zelli është qeni që ruan ligjin e Perëndisë, që është virtyti. I zellshmi si furrë që digjet ngrohet si keruvimet dhe kujdeset në çdo moment për djallëzitë dhe ndërhyrjet e shpirtrave dinakë.
3. Dobësohet zelli, kur njeriu humbet besimin dhe harron Perëndinë.
4. Luftëtari, kur të dalë në shoqëri, dashuron lavdërimet dhe bie në mendjemadhësi, dhe fundoset në det me kohë të kthjellët.
5. Dobësimi i zellit vjen: a) kur pakësohet dëshira e vullnetit dhe b) kur do vetëkënaqemi dhe nuk trembemi nga demonët.
6. Besimi ka kuptim fëminor, në zemër të thjeshtë. Njohja shqyrton dhe diskuton diçka kur është e vërtetë. Njohja ruan ligjet fizike. Njohjen e pason frika, ndërsa besimin shpresa. Njohja që ka njeriu është e varfër dhe e mangët. Por thesaret e besimit nuk i nxë as Qielli dhe as Toka.
7. Ai që mbështetet në njohjen, nuk ecën mbi ujëra ose mbi zjarr. Por me forcën e besimit, shumë kanë ecur edhe në ujëra edhe në zjarr dhe mbetën të padëmtuar.
8. Besimi ka thesare të pafundme dhe mbush me kënaqësi zemrën e besimtarit. Njohja duhet vetëm si shkallë për të arritur njeriu në besim.
9. Ai që ka fatin të shijojë ëmbëlsinë e besimit dhe do t’i vihet njohjes së vërtetë, ngjan me njeriun që këmben një margaritar të çmuar me një copë bronxi.

Studimi 35

1. Oh ç’pasuri e pafundme buron nga besimi! Me sa gëzim, kënaqësi dhe shpresë është i mbushur bashkëudhëtimi me të. Sa e lehtë është ngarkesa e tij dhe sa i ëmbël zbatimi i tij.
2. Virtyte trupore janë: a) agjërimi; b) lëmosha; c) pagjumësia dhe ç) pastërtia e trupit (= urtësi).
3. Virtytet shpirtërore janë: a) dashuri; b) përulësi; c) ndjesë; ç) mbrojtje nga pasionet dhe d) mendje e dhënë pas lutjes dhe gjërave shpirtërore.
4. Dituria njerëzore na udhëzon: a) në studimin e diturisë së jashtme; b) në pasurim; c) në krenari dhe ç) në stolisjen dhe rehatin e trupit.
5. Ata që zotërojnë diturinë njerëzore i sundon: a) shpirtngurtësia; b) dëshpërimi; c) mosnjohja; ç) frika e demonëve; d) frika dhe tmerri nga hajdutët dhe vdekja; dh) shqetësimet për këtë jetë dhe së fundmi mendjemadhësia.
6. Besimi i jep gjithçka Perëndisë, sepse frymëzohet nga urtësia e përulur e Shpirtit të Shenjtë.
7. Dituria njerëzore është mendjemadhe, sepse ecën në errësirë dhe nuk njeh më të shumtat e saj.
8. Dituria hyjnore na udhëzon: a) në agjërim, b) në pagjumësi, c) në lutje, ç) në lëmoshë, d) në studimin e Shkrimeve të Shenjta, dhe) në luftën e pasioneve dhe e) në pjesëmarrje në Kungatën e Shenjtë.
9. Tri mënyra jetese ekzistojnë: a) jeta fiziologjike, b) jeta jofiziologjike dhe c) jeta me Perëndinë. Tek e para kultivon njeriu virtytin fiziologjikisht. Tek e dyta kur njeriu vepron si biri plangprishës në paravoli. Dhe tek e treta njeriu bëhet pjesëtar në Misteret e Perëndisë dhe kënaqet. Domethënë, i pari jeton normalisht, i dyti bën jetë trupore dhe i treti bën jetë shpirtërore dhe kënaqet.
10. Tek rasti i tretë banon brenda nesh Ngushëllimtari, lartësohemi në nivelin e engjëjve dhe jetojmë jetën dhe gjendjen mbinatyrore.

Studimi 36

1. Dituria natyrore ushqehet nga pesë shqisat e trupit dhe përfitohet nga studimi.
2. Dituria shpirtërore bëhet e ndjeshme nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë dhe jo nëpërmjet shqisave të trupit dhe përfitohet nga jeta e qartë dhe e pastër.
3. Dituria mbinatyrore merret me kuptimin e Perëndisë dhe përfitohet nga besimi i gjallë, që na fal gjithçka.
4. Shpirtrat e mëkatarëve as veten e tyre shohin, as midis tyre shihen. Por, në qoftë se pastrohen me pendimin, shohin edhe ata edhe engjëjt, edhe demonët.
5. Kur do të ndiesh brenda teje gëzimin e Shpirtit të Shenjtë, mërzitjet dhe dëshpërimet e kësaj jete bëhen më të ëmbla se mjalti.
6. Ai që dëshiron Shpirtin e Shenjtë u shmanget njerëzve dhe e anasjellta, se në këtë mënyrë në qetësi ushqehet me Bukën e Shpirtit të Shenjtë, domethënë Kungatën e Shenjtë dhe lutjen.
7. Shpirti nuk mund të ndiejë kënaqësinë e Hirit të Shpirtit të Shenjtë, për shkak të pasioneve që zënë dritën hyjnore.
8. Dashuria e Perëndisë është frut i Kungatës së Shenjtë dhe i lutjes që bën të vdekura dëshirat trupore dhe udhëzon në vetëmohim.
9. Në bark të uritur kurrë nuk gjejnë vend mendime të liga.
10. Kur njeriu është i ngopur edhe nuk i mungon gjë, dëshiron shumë të këqija. Kurse urtësia përfitohet me djersë, mund dhe uri.
11. Ata që përbuzin rrugën e Zotit, Ai i përbuz dhe nuk u jep Hiret e Tij.
12. E para nga të gjitha pasionet është të të pëlqejë vetja, dhe e para nga të gjitha virtytet është përbuzja e pushimit të trupit.

Studimi 37

1. Dëshpërimet e ashpra pastrojnë pasionet e këqija të zemrës.
2. Pa dëshirën e Perëndisë nuk mundohet njeriu. Edhe kjo bëhet që të pendohet dhe të përfitojë shpirti i tij.
3. Në dëshpërime dhe në lloj-lloj ngasjesh që na vijnë duhet të pranojmë se na takojnë, madje edhe më shumë nga këto të pësojmë dhe të mos kemi ligësi për njerëz të ndryshëm, demonë ose të humbasim besimin në drejtësinë e Perëndisë.
4. Na vijnë lloj-lloj ngasjesh që të përulemi dhe të falen mëkatet tona me anë të rrëfimit dhe të marrim pamje të gëzuar.
5. Parajsë është dashuria e Perëndisë dhe përfitimi i gjithë lumërimeve, për të cilat Pavli i shenjtë shkruan: “Të mirat e Parajsës, që nuk i ka parë syri i njeriut, as vesh njeriu nuk i dëgjoi, ato i ka përgatitur Perëndia për ata që e duan atë”.
6. Pema e jetës është dashuria e Perëndisë, nga e cila ra Adami dhe nuk shijoi më gëzimin.
7. Pas gëzimit të Pagëzimit të Shenjtë u dha Hiri i pendimit. Pendimi është lindje e dytë shpirtërore, që lind nga besimi dhe nga frika e Perëndisë.
8. Perëndia është dashuri. Atij që jeton brenda dashurisë së Perëndisë, i dhurohet prej Perëndisë jetë dhe shijon nga kjo botë aromën e ngjalljes.
9. Kur do të kemi dashurinë e Perëndisë, atëherë ushqehemi me Bukën Qiellore dhe marrim forcë. Buka qiellore është Krishti, që u dha jetë njerëzve, domethënë Kungata e Shenjtë.
10. Pendimi është anija. Frika hyjnore janë marinarët. Dhe dashuria është porti hyjnor.

Studimi 38

1. Perëndia i duron të gjitha mangësitë e njeriut, përveç mallkimit. Zemra, e cila vazhdimisht falënderon Perëndinë, mbushet me gëzim hyjnor dhe bekim.
2. Ai që largohet prej Perëndisë, ushqen në zemrën e tij urrejtje për njeriun që ka pranë.
3. Ai që mbron një njeri të cilit i është bërë padrejtësi ka si mbrojtës Perëndinë.
4. Ai që korrigjon të afërmin pa rënë në sy nuk është smirëzi. Por ai që përpiqet të korrigjojë të afërmin para të tjerëve është smirëzi.
5. Ngrohja e zemrës për Perëndinë nuk shuhet lehtë kur na sundon lutja.
6. Ashtu si marinarët udhëtojnë me busullë, kështu edhe i krishteri ecën me drejtues lutjen, duke bërë përpjekje që të arrijë në portin e shpëtimit.
7. Kush gjen margaritarin e çmuar, Krishtin, nuk i duhet asgjë tjetër në këtë jetë.
8. Retë errësojnë diellin dhe fjalët e shumta shpirtin.
9. Ashtu si harabeli kënaqet kur banon në vend të shkretë, po kështu edhe shpirti i murgut pranon hire qiellore madje dhe vegime, kur të banojë në një vend të qetë.
10. Kur ëmbëlsia qiellore do bjerë në shpirtin e murgut, nga ëmbëlsia e fjalëve të Perëndisë, atëherë lartësohet e gjitha drejt Perëndisë. Ndryshe e ndien ngushëllimin e Perëndisë.
11. Gëzimi pas pendimit është shumë i madh, ashtu si ngrohtësia e diellit pas largimit të reve.
12. Mendjemadhësia, ndërsa nga njëra anë na ëmbëlson, nga ana tjetër na shkatërron, sepse rikthehen në shpirtin tonë të gjitha pasionet.
13. Rehati dhe fjalimet e gjata shpirtërore sjellin errësimin e mendjes.

Studimi 39

1. Urtësia e Shpirtit të Shenjtë është më e madhe se urtësia e botës. Sepse në të sundon qetësia, ndërsa urtësia e botës shndërrohet në llafazanëri pa fund.
2. Me gjetjen e urtësisë së Shpirtit mbushet shpirti me: a) përulësi; b) thjeshtësi dhe c) paqe.
3. Me gjetjen e urtësisë botërore mbushet shpirti me: a) mendjemadhësi; b) tronditje; c) shpërqendrim dhe ç) pasiguri.
4. Edhe vetëm teoria botërore dëmton shpirtin e murgut duke i sjellë tronditje.
5. Kur zgjohet brenda teje njeriu shpirtëror, atëherë izolohesh nga të gjitha gjërat e kësaj bote, dhe ngrohet shpirti yt nga gëzimi i shumtë.
6. Kur ke shumë durim, atëherë ka zënë vend në shpirtin tënd hiri i ngushëllimit.
7. Kur jeton zemra, ndjenjat vdesin, dhe kur vdes zemra, ndjenjat ngjallen.
8. Kur shpirti yt do dehet nga gëzimi hyjnor dhe urtësia, atëherë trupi nuk ndien dhimbje dhe dëshpërime, sepse shijon gëzimin e shpirtit.
9. Po të kufizosh gjuhën tënde, shkon në gëzimin e Shpirtit të Shenjtë. Në qoftë se s’ke zemër të pastër, të paktën ki gojë të pastër.
10. Mos iu tremb vdekjes, se Perëndia ka përgatitur të ardhmen, që të të bëjë të pavdekshëm.
11. Mos të të vijë keq për vuajtjet e tua trupore, sepse Perëndia, duke parë durimin tënd, do të të lehtësojë.
12. Kur do lëmë lutjen, është e pamundur që shpirti të mos bëhet fole e pasioneve.

Studimi 40

1. Parcela e papunuar nxjerr gjemba dhe shpirti i pakultivuar lind pasionet. Duhet të pastrojmë përditë pasionet e zemrës, për të mos na mbytur farën e mirë.
2. Të durosh me gëzim çnderimin që të bëjnë, dhe mos e urre atë që të çnderon.
3. Nga grindaveci, as të marrësh as të japësh diçka, që të mos tronditet zemra jote nga errësimi dhe mërzitja.
4. Shpirti u gatua pa pasione. Pasione shpirtërore nuk ka, por ekzistojnë shkaqet e pasioneve.
5. Nuk duhet të lëmë qytetërimin qiellor (lutjen) dhe të merremi me vepra të mira botërore.
6. Ai që nuk di t’i shërbejë Perëndisë nëpërmjet frymëzimit hyjnor dhe veprave të fshehta, le të bëjë vepra të dukshme, lëmoshë (vepra bamirësie).
7. Virtyte të murgut janë: çlirimi nga të gjitha gjërat trupore, lodhja trupore në lutje dhe kujtimi i pandërprerë i Perëndisë.
8. Lutjet, dhe jo lëmoshat dhe shqetësimet jetike, i shkojnë murgut të vërtetë.
9. Si për çudi erdhe në këtë botë. Mos kërko të jetosh për këtë botë, po për Krishtin. Duro dëshpërimet, si shpërblime të të këqijave, që ke bërë.
10. Pendim është lënia e mëkateve të bëra dhe mospërsëritja e tyre. Pastërti është zemra mëshiruese për gjithë krijesat. Përsosmëri është përulësia e thellë. Domethënë, të mos kujdesem për veten time, as për të ndjeshmet e as për mendimet.

Studimi 41

1. Lutje është të pushojë mendja nga të gjitha të ndjeshmet dhe të merret me të mirat e ardhshme.
2. Jam i përulur, kur kujtoj mëkatet e mia dhe vdekjen, vishem me rroba të thjeshta, preferoj vendin e fundit dhe punët e rënda, kur jam i gatshëm për t’u bindur, dhe kur hesht. Nuk më pëlqejnë shoqëritë dhe dua të jem kudo i panjohur dhe i pazgjedhur. Të mos urrej asnjeri, të mos kem smirë dhe të mos shqetësohem për gjëra të kësaj bote.
3. Bëhem i përulur: a) me rrëfimin e shpeshtë dhe Kungatën e Shenjtë dhe b) me izolimin, varfërinë, kurbetin.
4. Virtyt i përsosur është dobia e njeriut që kam pranë.
5. Ai që ka dashurinë, ai ka edhe vetë Perëndinë. Ai që ka Perëndinë, nuk kërkon gjë tjetër.
6. Shpresa për të shpëtuar është kaq e ëmbël dhe veprat e saj bëhen kaq të lehta, në mënyrë që të kryhen me ngrohtësi dhe me gëzim të madh të zemrës.
7. Njeriu pa pasione nuk është ai që nuk i ndien pasionet, por ai që nuk i trazon ato.
8. Mendjemadhësia është sëmundje vdekjeprurëse e shpirtit.
9. I përuluri nuk dallohet midis njerëzve. Nuk do që të duket, as të njihet nga të tjerët. Sa më shumë fshihet dhe largohet nga njerëzit, aq më tepër afrohet me Zotin.
10. I përuluri nuk do mbledhje, zhurma, zëra, përkujdesje dhe ushqime të kënaqshme. Dëshiron varfërinë, të mos kujdeset për veten, paqen, qetësinë dhe respektin. Është simpatik, fjalëpak, i urtë, nuk nxehet, vuan dhe duron, ka turp, i respekton të gjithë dhe nuk do që të mësojë gjërat e të tjerëve.

Studimi 42

1. I përuluri i vërtetë pret pa folur mëshirën e Perëndisë, virtyti i të cilit vendos pushim (qetësi) në të gjitha brigadat e engjëjve. duke thënë: Zot u bëftë dëshira jote.
2. I vetmi gëzim dhe kënaqësi i të përulurit është marrja (shija) e dhespotit Krisht (= Kungata e shenjtë) dhe bisedimi me Perëndinë me anë të lutjes dhe të Shkrimeve të Shenjta.
3. Në qoftë se shpirti do qetësohet nga shqetësimet e kësaj bote dhe kujdesi jetësor, atëherë vjen në kuptimin e Perëndisë dhe të krijimit të Tij.
4. Shpirti u gatua pa pasione. Pasione psikike nuk ka, por shkaqet e pasioneve ekzistojnë.
5. Shpirtit, i krijuar nga Perëndia, është i ndriçuar dhe i pastër. Pasionet janë diçka si sëmundje e shpirtit.
6. Shpirti, kur vuan trupi, vuan edhe ai bashkë me të. Edhe trupi vuan dhe kënaqet, duke ndier dëshpërimet dhe gëzimet e shpirtit.
7. Virtyti është shëndet fizik i shpirtit. Pasionet janë sëmundje, që i takojnë shëndetit të shpirtit.
8. Shpirti, kur afrohet në shëndetin e tij natyrore, mbushet me urtësi dhe paqe.
9. Kur shpirti do çlirohet nga shqetësimet e trupit, atëherë me ndihmën e Shpirtit të Shenjë, kthehet përsëri në punët e tij qiellore.
10. Mendje e pastër nuk është ajo që nuk njeh të keqen, si kafshët dhe fëmijët, por ajo, që pas veprës së virtytit, lartësohet dhe mendon gjërat hyjnore.
11. Në qoftë se ekziston zemër e pastër, të gjitha ndjenjat janë të pastra. Zemra infektohet me vështirësi, por edhe me më shumë vështirësi pastrohet.

Studimi 43

1. Engjëjt i shohim me sytë tanë të trupit. Ndërsa me shpirt i shohim kur do të pastrohemi nga mëkati.
2. Demonët i shohim ose me sytë e trupit ose me ato të shpirtit, kur na ofrojnë, gjithnjë për të dëmtuar.
3. Engjëjt na transformojnë gjithmonë mendime të pastra, kurse demonët mendime të pista. Secili ç’ka u jep të tjerëve.
4. Të mirët ndriçohen vazhdimisht nga Shpirti i Shenjtë. Po kështu, edhe të krishterët e pastër çlirohen nga pasionet dhe i shërbejnë Perëndisë dhe bisedojnë me të.
5. Pa ndërmjetimin e engjëjve nuk mund të njohim Misteret e Perëndisë, që edhe në të gjitha klasat e engjëjve nuk zbulohen.
6. Përderisa Perëndia është dashuri, si të çon në ferr? Ata që bëjnë faj në dashurinë e Perëndisë, kanë ferrin më të madh. Sepse dëshpërimi që vjen ngaqë e ndiejmë se kemi dëshpëruar Perëndinë, është i papërsosur. Të njëjtën gjë ka pësuar Juda, që u plagos nga dashuria e Perëndisë.
7. Pse Perëndinë, që më do aq shumë, ta dëshpëroj aq shumë? Ky është ferri i mëkatarit.
8. Shpirtrat e mëkatarëve, pa u munguar dashuria e Perëndisë, shkojnë në ferr nga kontrolli i ndërgjegjes, që është i barabartë me zjarrin e Ferrit.
9. Si sigurohemi se u falën mëkatet tona? A) Kur ndërgjegja jonë nuk na bren nga brenda për mëkatet tona dhe b) kur me gjithë zemrën tonë kemi urryer mëkatet tona dhe në mënyrë të dukshme bëjmë veprat e kundërta me mëkatet tona.

Studimi 44

1. I fortë është ai që kënaqet në dëshpërimet dhe mërzitjet e tij, sepse në të fshihet jeta dhe lavdia e fitores së tij.
2. I ndriçuar është ai, që njohu helmin, që ekziston në “ëmbëlsinë” e kësaj bote dhe merret gjithmonë me shpëtimin e shpirtit të tij.
3. I urtë është ai që përpiqet të dalë nga kjo jetë duke fituar kështu jetën e përjetshme.
4. I pamend është ai që përpiqet vazhdimisht se si do përfitojë gjërat e kësaj jete.
5. Vetëmohim është të urrejmë këtë jetë, duke u ngjitur në kryq që të vdesim, për dëshirën e jetës së ardhshme.
6. Bota është një kurvë, që përpiqet me bukurinë e saj të na bëjë për vete dhe të na zhveshë nga çdo virtyt, duke na hedhur jashtë shtëpisë në orën e  vdekjes.
7. Lulëzon vullneti i dëshirës së të mirit, kur nuk ndahemi nga gjërat e kësaj bote dhe nuk e mohojmë plotësisht këtë botë.
8. Fillim i rrugës së Perëndisë është: a) agjërimi; b) pagjumësia (agripnia) dhe c) lutja e vazhdueshme.
9. Ai që nuk përpiqet për agjërimin dhe përpjekjet e tjera është indiferent.
10. Agjërimi është rruga e shenjtë e Perëndisë dhe themeli i çdo virtyti. Është kurora e atyre që janë të përmbajtur. Stolia e virgjërisë dhe shenjtërisë. Nëna e lutjes. Udhërrëfyesi i çdo vepre të mirë.
11. Lodhjet trupore, vetëm, pa përulësinë, nuk korrigjojnë pasionet shpirtërore dhe nuk sjellin paqe dhe qetësi në shpirt.
12. Nuk mund të njohim pasionet tona, në qoftë se nuk do mohojmë shoqërimet e kësaj bote dhe shpërndarjen e mendimeve.

Studimi 45

1. Sa më shumë shtohen lotët, aq më shumë përparon i krishteri në dashurinë e Perëndisë. Sa më shumë i afrohemi kësaj bote, aq më shumë shterojnë lotët.
2. Disa lot thajnë trupin, të tjera e ushqejnë dhe e kënaqin.
3. Ai që bashkohet me Krishtin përfiton zemër të re dhe shpirt të ri, domethënë, dëshira të reja dhe shpirtërore.
4. Shkaku i pamjeve dhe zbulesave është: a) Ato që bëhen për hir të popullit të Perëndisë dhe b) ato që bëhen për ngushëllim, guxim dhe mësim të të sëmurëve. Bëhen nga mëshira e Perëndisë për tri grupe njerëzish: a) për të thjeshtët dhe jo të këqijtë, b) për të përsosurit dhe shenjtorët dhe c) për ata të cilët, duke pasur zell të madh për Perëndinë, harruan dhe mohuan plotësisht botën, për të mos humbur fare shpresat, kur të arrijnë në vdekje nga uria ose nga sëmundja e pashërueshme.
5. I pastër në zemër është ai që gjithë njerëzit i duken të mirë. Syri i mirë nuk shikon me dinakëri. Gjithashtu edhe ai që nga thjeshtësia ose nga mirësia ngjan me fëmijë.
6. Shpirti ynë është i vdekur dhe duhet të qajmë për të. Le të kërkojmë nga Zoti të na japë hirin e lotëve dhe të zisë, “lum ata që qajnë”.
7. Nëse dikush që është i shëndoshë nuk mund të mbajë zi, atëherë ai duhet të merret me studimin e Shkrimeve të Shenjta.
8. Ai që bën lutjen e tij vazhdimisht, pa ndërprerje, arriti në majën e të gjitha virtyteve dhe bëhet banesë e Shpirtit të Shenjtë. Sepse, kur Shpirti i Shenjtë do banojë brenda nesh, nuk pushon së luturi, pavarësisht se jemi duke ngrënë, duke folur ose duke bërë diçka tjetër dhe kryesisht kur nuk flasim.
9. Bëhet i denjë në lutje, ai që ruan dhe zbaton porositë e Perëndisë, sepse tek ai banon Krishti.

Studimi 46

1. Arrijmë në përsosmërinë e fryteve të Shpirtit të Shenjtë (dashuri, gëzim, paqe etj.), kur jemi të denjë për dashurinë e Perëndisë.
2. Njohim se arritëm në dashurinë e përsosur të Perëndisë, kur ndërsa lëviz brenda nesh kujtimi i Perëndisë, e duam shumë dhe nga dashuria e madhe nga sytë tanë rrjedhin lot, sepse ai që dashuron Perëndinë, kurrë nuk i mungojnë lotët.
3. Hir Perëndie është të kushtohet dikush tek Perëndia dhe të sillet mirë. Por, kur do mendojmë se i bëjmë të mirë Perëndisë, atëherë Ai na hedh poshtë dhe u dorëzohemi pasioneve të pandershmërisë.
4. E qartë është se nuk fitojmë ne në lloj-lloj betejash, por Zoti nëpërmjet nesh dhe ne marrim fitoren falas. Për këtë duhet të falënderojmë Perëndinë, që na ndau nga bota dhe njohëm Hirin e Mistereve të Tij të Shenjta, për të mos rënë përsëri në mendjemadhësi.
5. Duhet që t’u largohemi të gjitha shkaqeve të pasioneve dhe të insistojmë në lutje dhe Kungatën e Shenjtë të shpeshtë, derisa të forcohemi shpirtërisht.
6. Kur u largohemi shkaqeve të pasioneve dhe të tjerët, që nuk dinë qëllimin tonë, ngacmohen, ne nuk jemi përgjegjës për ngacmimet e tyre. Se asnjeri nuk mund t’i shërbejë Perëndisë dhe njëkohësisht të jetë i pëlqyer për gjithë njerëzit.
7. Pastrimi nga pasionet sjell shëndetin e shpirtit, me rezultat gëzimin shpirtëror, kur kungohemi, lutemi dhe studiojmë fjalët e Zotit.
8. Ai që përbuz vëllain (të afërmin) e sëmurë nuk ka për të parë kurrë dritë.

Studimi 47

1. Njeriu i vjetër, domethënë, njeriu i sëmurë, nuk mund të ecë në rrugën e Krishtit, sepse urtësia tokësore është armik i Perëndisë, sepse nuk nënshtrohet në ligjin e Perëndisë.
2. I urti që nuk fiton mbi pasionet nuk ka punë me lutjen.
3. Le kërkojmë të përqendruar ndjesën e mëkateve tona dhe përulësinë e shpirtit tonë. Në qoftë se do shërohet shpirti nga sëmundjet e tij të ligësisë dhe nuk do ketë shëndet fizik, është e pamundur të kërkojmë hiret shpirtërore.
4. Ashtu si i verbri, sado që t’i flasësh për ndriçimin e diellit dhe të diamanteve, nuk mund t’i shqyrtojë në mënyrë të barabartë me atë që ka sy, e njëjta gjë ndodh edhe me atë që shikon në brendësi lavdinë në teorinë e Perëndisë dhe ushqehet me to me kënaqësi, nuk pyet të tjerët për këto.
5. Në këtë jetë nuk ka përsosmëri. Ku u duk përsosmëria në këtë botë në të cilën dielli i shpirtit, i cili është duke lindur, ne duke perënduar, gjendet në mes të reve të pasioneve? Dhe herë është kohë e mirë dhe herë kohë e vrenjtur. Dhe herë gëzim dhe herë dëshpërim. Dhe ai që përbuz të kundërtat e këtyre, ai i ngjan ujkut, i cili ecën në rrugën e shkelur mbretërore.
6. Furtuna e vërtetë e pakrahasueshme është varri. I gjithë njerëzimi mbi varr qetësohet, shpirt edhe trup. Në varr, me të vërtetë, qetësohet natyra jonë (njerëzore) nga trishtim djallëzor dhe ofendim. Qoftë Perëndia i tërëmirë të mbështesë gjithë të krishterët në doktrinën e Tij të shenjtë. Ati i përket lavdia, pushteti dhe madhështia tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.

Studim 48

1. Asgjë nuk na çliron nga demoni i kurvërisë, sa na ndihmon t’u shërbejmë të sëmurëve në nevojat e tyre.
2. Ai që shijon ëmbëlsinë e qetësisë, u shmanget bisedave me njerëzit.
3. Të thirrën, ik, mos fol, qetësohu. Megjithëse sjell dobi teoria dhe biseda e vëllezërve, por tek ti nuk sjell aq dobi qëndrimi me ta, sesa largimi nga ata.
5. A do që të kesh dashurinë e njeriut që ke pranë? Largohu nga ai dhe pas kësaj përvëlohet zemra jote nga dashuria për të dhe pastaj e sheh si engjëll drite. Do që të të duan? Ditë të caktuara të shkosh tek ata, me qëllim që të të duan.
6. Sa ëmbëlsi sjell në zemër kujdesi për lutjen dhe leximin dhe sa e kënaq edhe e gëzon shpirtin? Vetëm ata që u kushtohen këtyre e dinë.
7. Heshtja është misteri i jetës së ardhshme, kurse fjalët organ i kësaj bote. Heshtja dhe lutja nga bëjnë të ngjashëm me engjëjt.
8. Dashuria pas shëndetit të shpirtit mund të gjendet. Por shpirti nuk shëndoshet po qe se nuk do të ruajë porositë. Ashtu si veprojnë ilaçet në trupin e sëmurë, po kështu edhe porositë e Zotit në shpirtin e sëmurë. Duhet të bëhet i shëndetshëm shpirti, që të bëhet banesë e Shën Trinisë.
9. Ca e marrin pastërtinë e shpirtit me zbatimin e porosive dhe ca me Hirin hyjnor, si vjedhësi në kryq.
10. Ata që jetojnë në mënyrë trupore, përbuzen, sepse mënyra trupore nuk i pëlqen Perëndisë.

Në vend të epilogut

Në qoftë se nuk do të bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve – tha Zoti ynë.
Sipas ava Isakut njeriu që jeton gjithnjë pranë Perëndisë është shumë i lumtur, plot me gëzime dhe ëmbëlsi shpirtërore. Ai që jeton larg Perëndisë, është fatkeq, plot mërzitje, dëshpërime dhe helme shpirtërore.
Toka është vendi i durimit të ngasjeve dhe dëshpërimeve. Ai që sjell kryqin e tij me bindje dhe me durim shpëton, kurse ai që e bën këtë me padurim dhe sharje, humbet shpirtin.
Ashtu siç do ta ketë kuptuar vetë studjuesi në këtë libër, pothuajse të gjitha janë praktikë dhe jetë.
Duhet që studjuesi duke lexuar 3-5 pjesë çdo ditë, t’i zbatojë në jetë atë ditë dhe ditën tjetër të vazhdojë më poshtë. Një asket (që për arsye të kuptueshme nuk përmendim emrin e tij) na thoshte: “Unë, plak, lexoj çdo ditë vetëm një faqe ava Isaak dhe përpiqem gjithë ditën t’i zbatoj ato që lexova…”. Për të urtët mendojmë se mjaftojnë këto pak gjëra.
            Ju urojmë studim të mbarë dhe me përfitim shpirtëror. Amin.

No comments:

Post a Comment