Zoti u kryqëzua nga dashuria për mua - E Premtja e Madhe


U kryqëzove për mua, që të më burosh ndjesën;
u shpove në brinjë, që të më rrjedhësh çurka jete; 
me gozhda u mbërtheve që të vërtetohem unë për lartësinë e pushtetit tënd nga thellësi e pësimeve të tua e të të thërres,o Krisht jetëdhënës: 
Lavdi dhe Kryqit tënd dhe Pësimit tënd, o Shpëtimtar. (Lumërimet)



Eni të himnojmë të gjithë atë që u kryqëzua për ne; 

se atë pa Maria mbi drurin e thoshte: 
Ndonëse duron kryq, po ti je Biri im dhe Perëndia im.


Duke parë qengjin e saj delja Mari të hiqet për therje,i vinte pas, duke vajtuar me gra të tjera e duke thirrur kështu: Ku vete, o Bir? Për cilin e bën këtë udhë të shpejtme? Mos bëhet prapë ndonjë tjetër dasmë në Kana dhe nxitohesh për atje që t’u bësh verë prej uji? Të vij me ty, o bir,a po më mirë të mbetem? Thuamë një fjalë, o Fjalë, mos më ler duke heshtur ti që më ruajte të qashtër, se ti je Biri im dhe Perëndia im.


Të Premten e Madhe të Shenjtë kremtojmë Pësimet e Shenjta, shpëtimtare dhe të tmerrshme të Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, 
pështyrjet, 
shuplakat, 
rrahjet, 
sharjet, 
përqeshjet,
rrobën ekuqe,
kallamin, 
sfungjerin, 
uthullën, 
gozhdat, 
shtizën, 
dhe mbi të gjitha Kryqin dhe vdekjen, 
të cilat i duroi për ne duke dashur; 
bashkë me këto dhe rrëfimin shpëtimtar të kusarit mirënjohës që u kryqëzua me të. (Sinaksari)







Kështu u foli Zoti judenjve: 
Populli im, ç’të kam bërë, apo me se të ngava? 
Të verbrit e tu i ndrita, 
lebrozëte tu i spastrova, 
burrin që ish' në shtrat e ngrita më këmbë.
Populli im, ç’të kam bërë dhe si m’i çpagove? 
Në vend të manës të ëmbël, 
në vend të ujit uthull, 
në vend që të më donit, më mbërthyet në kryq. 
Mjaft kaq pra; do të thërres kombet e mia, dhe ata do t’më lavdërojnë me Atin e me Shpirtin e Shenjtë; dhe unë do t’u dhuroj jetën e amshuar.



Sot çahet kurtin e tempullitsi qortim për të paligjtë; 
dhe dielli fsheh rrezet e tij, duke parë Zotin tëkryqëzohet.

O ligjëvënës të Izraelit,judenj dhe farisenj, shoqëri e Apostujve ju thërret:
Ja tempulli që rrëzuat ju; ja qegji që kryqëzuat ju dhe e hodhët në varr, 
por u ngjall me pushtetin e tij. 
Mos u gënjeni, o judenj, se ky është ai që ju shpëtoi në det dhe ju ushqeu në shkretëtirë; 
ky është jeta dhe paqja e botës(Antifoni XII)


Në të njëjtën kohë pësimi nuk është i ndarë nga Ngjallja; madje edhe në këtë ditë të përuljes së thellë të Zotit, ne gjithashtu shohim edhe zbulimin e lavdisë së Tij të përjetshme.
Himnet e Shërbesës së Mëngjesit të së Premtes zakonisht këndohen të Enjten në mbrëmje. Ato marrin një formë të veçantë me një seri të leximit të dymbëdhjetë Ungjijve që fillojnë me bisedën e Krishtit në Darkën e Fundit dhe përfundon me evidencën e varrimit të Tij. Shkurtimisht përpara gjashtë Ungjijve, prifti mban një Kryq të madh nga Hierorja dhe e vë atë më këmbë në qendër të kishës, duke kënduar himnin.


Andifoni XV
Sot varet mbi dru ai që vari dhenë mbi ujra. 

Kurorë prej gjembash i vihet rreth kresë Mbretit të engjëjve.

Me purpër të gënjeshtërt vishet ai që veshi qiellin me re.

Shuplakë dënjoi ai që çlrioi Adamin në Jordan.

Me gozhdë u mbërthye Dhëndri i Kishës.

Me shtizë u shpua i Biri i Virgjëreshës.

U falemi Pësimeve të tua, o Krisht. 

Rrëfena dhe Ngjalljen tënde të lavdëruar.

Të mos kremtojmë si judenjtë, 
se për Pashkët tona u sakrifikua Krishti Perëndia; 
po ta pastrojmë veten tonë prej çfarëdo ndryrësie 
dhe t’i lutemi sinqerisht: Ngrehu, o Zot, shëtona si njeridashës.


Kryqi yt, o Zot, është jetë dhe ngjallje për popullin tënd; 
dhe, duke patur besë në të, të hymnojmë Ty, Perëndinë që u kryqëzove; mëshirona.



Kur të shikonte të varur ajo që të lindi, thërriste: 
Ç’është ky mister i çuditshëm, o im Bir? 
Si po vdes i mbërthyer trupërisht mbi dru, o falësi jetës?


Kryqi dhe Ngjallja janë aspekte të një akti unik të pandarë shpëtimi: “Kryqi yt, o Zot, është jetë dhe ngjallje”...


Lavdërimet
Dy të këqija më bëri im bir i parërlindur Izrael; 
më neveriti mua, burimin e ujit të jetës, 
dhe gërmoi për veten e tij një pus të gremisur; 
me kryqëzoi mua mbi drurin, dhe Barabanë e kërkoi dhe e shpëtoi; 
qielli u mahnit për këtë, dhe dielli fshehu rrezet; 
po ti, o Izrael, nuk pate turp, po më përdhe me vdekje. 
Ndjei, o Atë i Shenjtë, se nuk dinë se ç’bëjnë.



Çdo pjesë e trupit tënd të shenjtë duroi çnderim për ne:
Kryet gjembat, 
faqja pështymat, 
nofullat shuplakat, 
goja vrerin të përzier me uthull, 
veshët blasfemitë e paturpshme, 
kurrizi frushkullimin, 
dhe dora kallamin, 
shtrirjen e trupit në kryq,
duart e këmbët gozhdët 
dhe brinja shtizën. 
O Shpëtimtar i tërëfuqishëm, që pësove për ne dhe na çlirove prej pësimeve, 
që zbrite ndër ne nga njeridashja dhe na lartësove, mëshirona.

Kur u kryqëzove ti, o Krisht, tërë krijesa duke parë u drodh; 
themelitë e dheut u tronditën nga frika e pushtetit tënd; 
se, pasi u lartësove ti, populli i hebrenjve humbi; 
kurtin' e tempullit u ça më dysh, 
varret u hapën, dhe të vdekurit u ngritën prej syresh; 
Centurioni, duke parë këtë çudi, u drodh, 
dhe jot’ Ëmë që rrinte pranë të thërriste, duke vajtuar mistikërisht: 
Si të mos vajtoj e të mos rrah kraharorintim, 
kur të shoh të çveshur të varesh si i dënuar mbi dru? 
O Zot, që u kryqëzove dhe u varrose dhe u ngjalle se vdekurësh, lavdi më ty.






Përlëshorja


Na shpërbleve prej mallkimit të Ligjit me gjakun tënd të çmuar; 
duke u mbërthyer e duke ushpuar me shtizë, u burove njerëzve PAVDEKESINE. 
O Shpëtimtari ynë, lavdi më ty. 


Ai që duroi të pështyra, fshikuj, rrahje, kryqin dhe vdekjen për shpëtimin tonë, 
Krishti Perëndia ynë i vërtetë, me ndërmjetimet e Nënës së tij të pacenuar dhe krejt të papërlyer dhe të shenjtë; me fuqinë e Kryqit të çmuar dhe jetëbërës; me mbrojtjet e fuqive qiellore të çmuara dhe pa trup; me lutjet e të nderuarit, të lavdëruarit, profetit, pararendësit dhe pagëzorit Joan; të Apostujve të shenjtë, të lavdëruar dhe të dëgjuar; të dëshmorëve të shenjtë, të lavdëruar dhe bukurmundës; të etërve tanë oshënarë dhe hyjprurës; të hyjprindërve të shenjtë dhe të drejtë Joakim dhe Anës; të shën (të ditës),kujtimin e të cilit kremtojmë sot, dhe të gjithë shenjtorëve, na mëshiroftë dhe na shpëtoftë si Perëndi i mirë, njeridashës dhe mëshirues. (Përlëshimi)



Në mëngjesin e së Premtes së Madhe, Orët marrin një formë solemne ashtu si në pragun e Krishtlindjeve dhe Theofanisë, me një lexim të Dhiatës së Vjetër, një Apostull dhe një Ungjill në çdo orë. Mbrëmësorja ndiqet menjëherë pas Orëve ose mbasdite.
Në Mbrëmësore, gjatë përfundimit të leximeve të versioneve të Ungjillit (Matth. 27:56-60), një nga priftërinjtë del nga dera veriore e Hierores dhe i afrohet Kryqit, që qëndron në mes të Kishës. Pastaj, duke marrë nga kryqi figurën e Krishtit, ai e mbështjell atë me një copë të bardhë, duke e mbajtur atë në Hierore dhe e shtrin atë në Tryezën e Shenjtë. Në qoftë se është një prift i vetëm, ai e bën këtë pas përfundimit të Ugjillit.

Në fund të Mbrëmësores, Epitafi, një copë e ngrirë, në të cilën është pikturuar ose qëndisur ikona e Krishtit të vdekur të lënë jashtë varrit, mbahet nga prifti në ardhjen përreth nga Hierorja në qendër të Kishës, vendoset në një tryezë të zbukuruar dhe pastaj nderohet nga besimtarët.



Shkëputur nga Libri: "Java e Madhe" dhe "Viti Liturgjikal"

No comments:

Post a Comment