Të Shtunën e Madhe të Shenjtë kremtojmë varrimin e Hyjtrupshëm të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, dhe zbritjen e tij në Ferr, me anën e të cilave qenia jonë u thirr prej prishjes dhe shkoi te jeta e amshuar.
“Ai që mbylli avushën shikohet i vdekur dhe i pështjellur me smirn' e me pëlhurë vihet në varr si i vdekshëm i pavdekshmi. Dhe gratë erdhën që ta spërkasnin me mira, duke qarë hidhur e duke thirrur: Kjo është Java e pwrmbibekuar, në të cilën Krishti do të zgjohet e do të ngjallet i triditshëm”.
“Ai që përmban gjithësinë u ngjit më kryq,
dhe tërë krijesa po e vajton duke e shikuar të varet i zhveshur mbi drurin;
dielli fshehu rrezet, dhe yjet humbën dritën;
dheu nga frika e shumtë tronditej, deti iku, gurët u çanë, dhe shumë varre u hapën,
dhe u ngallën trupe njerëzish të shenjtë.
Ferri poshtë po rënkon, dhe judenjtë mendohen të shpifin Ngjalljen e Krishtit.
Kjo është Java e përmbibekuar,
në të cilën Krishti do të zgjohet dhe do të ngjallet i triditshëm”.
E shtuna e Madhe dhe e Shenjtë është dita e cila bashkon të Premten e Madhe, përkujtimin e Kryqit me ditën e Ngjalljes së Tij. Përpara Ngjalljes zë vend një ngjarje në të cilën dëshpërimi transformohet në gëzim. E Shtuna e Madhe është pikërisht kjo ditë e transformimit, dita e fitores mbi vdekjen.
Gjatë ditës ne soditim vdekjen e vetë vdekjes.
E gjithë kjo është shprehur në shërbesën e së Shtunës së Madhe.
Në mëngjes, zakonisht e kënduar të Premten në darkë, shërbesa fillon me “Lavdërimet” e kënduara përpara Epitafit në qendër të kishës. Nota bazë e kësaj shërbese nuk është kaq shumë vajtuese, por e një pritjeje të kujdesshme. Përgjatë kësaj kohe Zoti shihte një Sabat që po prehej në varr, por ne shohim momentin kur ai do të ngrihet përsëri duke sjellë jetë të re dhe duke rikrijuar botën.
Një himn thotë: “Sot varri mbajti atë që mbajti krijimin në duart e tij. Një gur mbulon atë që mbuloi qiejt me lavdi. Jeta fle dhe ferri dridhet dhe Adami çlirohet nga pranga e tij”.
Në fund të shërbesës, të gjithë shkojnë me Epitafin jashtë, rreth kishës duke kënduar “Shenjt Perëndi”, pikërisht ashtu si mund të bëhet në një shërbesë funerali. Perëndia vdiq në Kryq, por Ai akoma nuk është i vdekur. Ai i cili vdiq, Fjala e Perëndisë, është vetë Jeta, e shenjtë dhe e pavdekshme. Vargani ynë përgjatë natës nënkupton që Ai tani kalon nëpërmjet errësirës së ferrit, duke i shpallur Adamit dhe të gjithë të vdekurve ardhjen e Ngjalljes së Tij, në të cilën edhe ata janë thirrur që të gëzojnë.
Në mëngjesin e të Shtunës së Shenjtë ndiqet Mëngjesorja dhe Liturgjia e Shenjtë e Shën Vasilit. Shërbesa e këtij mëngjesi ka një karakter të fortë pagëzimi, e reflektuar kjo në periudhën kur ky mister i Pagëzimit u zbatua Natën e Pashkës. Tri temat që dominojnë në tekstet e Mbrëmësoreve janë të lidhura me Pashkën, Ngjalljen dhe fillimin e pagëzimit.
Ka shumë lexime nga Dhiata e Vjetër, të cilat përdoreshin për t’u dhënë mësim katikumenëve përpara se ata të pagëzoheshin. Karakteri i pagëzimit shihet gjithashtu në himnin e kënduar në vendin e Pagëzimit “Sa u pagëzuat me Krishtin u veshët. Aliluia” dhe njëkohësisht në zgjedhjen e Apostullit, Romanët (6:3-11). Me versionin që ndiqet në Apostull, “Ngrihu, o Zot dhe gjykoje tokën, sepse ti do të kesh një trashëgimi në të gjithë popujt”, fillon tashmë dhe kremtimi i Ngjalljes. Kisha e quan këtë të shtunë e Shtuna e Bekuar.
Duke përdorur këtë titull ajo bashkon të Shtunën e Shenjtë me aktin krijues të Perëndisë, i cili krijon njeriun sipas ikonës dhe shëmbëllimit të tij. Njeriu u krijua të jetonte në bashkësi me burimin e fuqisë: Perëndinë. POR Njeriu u largua nga Perëndia. Tani Krishti ka ardhur të ripërtërijë njeriun në bashkim me Perëndinë. E Shtuna e Shenjtë është dita në të cilën Krishti prehet në varr. Po kjo prehje është një prehje “aktive”. Ai hyn në kërkim të mikut të tij të rënë, Adamit, i cili përfaqëson gjithë dashurinë njerëzore. Duke mos e gjetur atë në tokë, Ai zbret në mbretërinë e vdekjes, të njohur si Ferri në Dhiatën e Vjetër. Atje Ai e gjen atë dhe i jep përsëri jetë. Kjo është fitore: të vdekurve u dha jetë.
Atë Aleksandër Shmeman
No comments:
Post a Comment