Martesa e Shenjtë është një
Mister në Kishën Orthodhokse në të cilën një grua dhe një burrë betohen
solemnisht përpara Krishtit, priftit dhe komunitetit për të qënë besnikë ndaj
njëri-tjetrit për tërë jetën. Bashkimi i tyre martesor bekohet nga Krishti
nëpërmjet Kishës. Hiri i Perëndisë u jepet atyre për të jetuar së bashku në
dashurinë e Tij, duke plotësuar dhe përsosur reciprokisht njëri-tjetrin.
Ceremonia e Martesës në Kishën Orthodhokse ka cilësi rituale dhe simbolike. Çdo
veprim ka kuptim dhe rëndësi të veçantë.
Unazat
Unazat bekohen nga prifti i
cili i merr ato në duart e tij dhe duke bërë shenjën e kryqit mbi kokat e tyre
thotë: “Shërbëtori i Perëndisë ... fejohet me shërbëtoren e Perëndisë... në
emrin e Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.”
Prifti më pas shkëmben unazat
tre herë, duke marrë unazën e nuses dhe duke e vendosur atë në gishtin e
dhëndrrit dhe anasjelltas. Sigurisht, unazat janë simboli i fejesës që në kohët
e hershme. Shkëmbimi i unazave nënkupton që në jetën martesore dobësitë e një
bashkëshorti kompesohen nga fuqia e tjetrit, papërsosmëria e njërit nga
përsosmëria e tjetrit. Nga vetvetja, të sapofejuarit nuk janë të plotë, së
bashku bëhen të përsosur. Kështu shkëmbimi i unazave i jep shprehi faktit që
bashkëshortët në martesë do të plotësojnë vazhdimisht njëri-tjetrin. Secili do
të përmirësohet nga bashkimi i tyre.
Qirinjtë
Shërbesa e martesës fillon
menjëherë pas shërbesës së Fejesës. Dhëndrrit dhe nuses u jepen qirinj të cilët
i mbajnë gjatë gjithë shërbesës. Qirinjtë u ngjajnë llambave të 5 virgjëreshave
të urta të Biblës, të cilat, ngaqë patën vaj të mjaftueshëm, mundën të presin
dhëndërrin, Krisht, kur Ai erdhi në errësirën e natës. Qirinjtë simbolizojnë
vullnetin shpirtëror të çiftit për të pritur Krishtin, i cili do t’i bekojë
nëpërmjet këtij Misteri.
Bashkimi i duarve të djathta
Dora e djathtë e dhëndërrit
dhe nuses bashkohen kur prifti lexon lutjen dhe i kërkon Perëndisë: “bashkoji
shërbëtorët e tu në një mendje dhe në një mish”. Duart mbahen të bashkuara
gjatë gjithë shërbesës për të simbolizuar ‘unitetin’ e çiftit.
Kurorëzimi
Shërbesa e kurorëzimit, e
cila vjen më pas është pika kulmore e shërbesës së Martesës. Kurorat janë
shenjat e lavdisë dhe nderimit me të cilat Perëndia i kurorëzon ata gjatë
Misterit. Dhëndrri dhe nusja kurorëzohen si mbreti dhe mbretëresha e mbretërisë
së tyre të vogël, familjes, të cilën ata do ta sundojnë me urtësi, drejtësi dhe
ndershmëri. Kur fillon kurorëzimi prifti merr kurorat dhe i mban ato mbi kokat
e çiftit duke thënë: “Kurorëzohen shërbëtorët e Perëndisë në emrin e Atit,
Birit dhe Shpirtit të Shenjtë. Amin.” Disa interpretojnë kurorat që përdoren në
ceremoninë e Martesës Orthodhokse si kurorat e martirëve, duke qenë se çdo
martesë reale përfshin vetsakrifikim të pamasë nga të dyja anët.
Kupa e përbashkët
Mbasi mbaron kurorëzimi
lexohet Apostulli dhe Ungjilli. Leximi i Ungjillit përshkruan martesën në Kanë
në të cilën mori pjesë edhe Krishti dhe e bekoi, ku edhe kreu mrekullinë e Tij
të parë. Atje ai shndërroi ujin në verë dhe iu dha të ftuarve. Në kujtim të
këtij bekimi, vera i ofrohet çiftit. Kjo është ‘kupa e përbashkët’ e jetës, që
tregon ndarjen reciproke të gëzimit dhe hidhërimit, si shenjë të një jete me
harmoni. Pija e verës nga kupa e përbashkët shërben për të ngulitur në mendjen
e çiftit se që nga ky moment e më pas ata do të ndajnë gjithçka në jetë, si
gëzimet ashtu edhe hidhërimet; dhe se janë ata që do të mbajnë ‘barrët e njëri
– tjetrit’. Gëzimet e tyre do të dyfishohen dhe hidhërimet e do të
përgjysmohen, për arsye se do t’i ndajnë ato me njëri-tjetrin.
Ecja ceremoniale
Më pas prifti prin nusen dhe
dhëndrrin përreth tavolinës në të cilën janë vendosur Ungjilli dhe Kryqi, i pari përmban Fjalën e Perëndisë dhe tjetri
simboli i shpërtimit tonë nga Jisui. Burri dhe gruaja po hedhin hapat e parë si
një çift i martuar dhe Kisha në personin e priftit i drejton ata në rrugën që
duhet të ecin. Rruga simbolizohet nga rrethi në qendër të së cilës janë
Ungjilli dhe Kryqi i Zotit tonë. Kjo shpreh faktin se rruga e jetës së
krishterë është një orbitë e përsosur përreth qendrës së jetës, e cila është
Jisu Krishti, Zoti ynë. Gjatë kësaj ecje ceremoniale përreth tavolinës këndohet
një himn për martirët e shenjtë, duke i kujtuar çiftit të sapomartuar dashurinë
sakrifikuese që ata duhet të kenë për njëri-tjetrin në martesë - një dashuri që
nuk kërkon të sajat, por është e gatshme për të sakrifikuar gjithçka për atë që
do.
Bekimi
Çifti kthehet në vendin e tij
dhe prifti duke bekuar dhëndrrin thotë: “Madhërohu, o dhëndërr si Abrahami,
bekohu si Isaku dhe shumohu si Jakobi duke ecur në paqe dhe duke zbatuar me
drejtësi porositë e Perëndisë”. Dhe duke bekuar nusen prifti thotë: “Dhe ti, o
nuse, madhërohu si Sara, ngazëllohu si Rebeka dhe shumohu si Rakela, e gëzuar
me burrin tënd duke ruajtur ligjin, se kjo është e pëlqyeshme tek Perëndia.”
No comments:
Post a Comment