Po ti cilin zgjedh?


Një grua po dilte nga shtëpia e saj dhe papritmas pa se përpara oborrit të shtëpisë së saj po qëndronin të ulur tre burra me mjekër të bardhë e të gjatë. Gruaja iu drejtua atyre dhe u tha: Unë nuk mendoj se ju njoh, por besoj se jeni të uritur. Ju lutem, nëse dëshironi, ejani në shtëpinë time të hani diçka.
A është brenda i zoti i shtëpisë? – e pyetën ata.
Jo! – u përgjigj ajo, - ka dalë.
Atëherë, nuk mund të hyjmë brenda, - u përgjigjën ata.

Në mbrëmje, kur burri i saj u kthye në shtëpi ajo i tregoi për gjithçka që kishte ndodhur. Atëherë burri i tha asaj që të shkonte dhe t’i ftonte të hynin brenda.
Ne nuk mund hyjmë të tre së bashku në një shtëpi – u përgjigjën ata.
Përse kështu? – pyeti gruaja.  
Njëri nga burrat e moshuar filloi të shpjegonte:
Emri i tij është SHËNDETI - tha ai duke shënuar me gisht njërin nga shokët e tij; ai tjetri është SUKSESI - tha ai duke shënuar me gisht shokun tjetër, ndërsa unë jam DASHURIA. Më pas ai shtoi: Shko në shtëpi dhe diskuto me burrin se cilin prej nesh dëshironi që të hyjë në shtëpinë tuaj.

Gruaja hyri në shtëpi dhe i tregoi burrit për çfarë ishte folur jashtë. Ai u gëzua shumë. Sa mirë! – tha ai. Meqë kemi rastin le të ftojmë SHËNDETIN. Le të vijë ai dhe të na e mbushë shtëpinë me shëndet. Gruaja nuk ishte dakord. I dashuri im, - tha ajo, përse të mos ftojmë SUKSESIN?
Gjatë kësaj kohe, nusja e djalit po dëgjonte nga qoshja tjetër e shtëpisë dhe u hodh menjëherë për të dhënë mendimin e saj: Nuk do të ishte më mirë sikur të ftonim DASHURINË? – sepse shtëpia jonë do të mbushet me dashuri!
Le të dëgjojmë këshillën e saj, i tha burri gruas së vet.
Shko jashtë dhe i thuaj DASHURISË që është i ftuari ynë.



Gruaja doli jashtë dhe i pyeti të tre burrat: Cili prej jush është DASHURIA? Të lutem eja brenda, ti je i ftuari ynë.
Në këtë moment DASHURIA u ngrit dhe filloi të ecte drejt shtëpisë së gruas. Të dy burrat e tjerë u ngritën dhe filluan të shkonin pas tij. E çuditur gruaja pyeti SHËNDETIN dhe  SUKSESIN: Më falni, por unë ftova vetëm DASHURINË, pse po vini edhe ju brenda?
Burrat e moshuar u përgjigjën njëzëri: Nëse ju do të kishit ftuar SHËNDETIN ose SUKSESIN dy të tjerët prej nesh do të kishin qëndruar jashtë, por që në momentin që ju ftuat DASHURINË  kudo që ajo shkon, ne shkojmë me të.
Sepse kudo që ekziston DASHURIA, ekziston edhe SHËNDETI edhe SUKSESI!



No comments:

Post a Comment