Fole e ngrohtë për studentët

Qendra Studentore e Kishës Orthodhokse

Në hyrjen e sipërme të Qytetit Studenti, 
në rrugën Budi, nr.51 pranë godinës 7


Brenda një kryeqyteti të madh e të panjohur, larg familjeve dhe të afërmve, nisim jetën studentore dhe përgatitjen për të ardhmen.
Shpesh brenda nesh ngrihen pyetjet: Ku të trokas? Si mund të mos jem vetëm? Si ta kaloj kohën? Ku mund të gjej shoqëri të mirë? Si t’i përballoj problemet e përditshme të jetës studentore? Si të përgatis veten më mirë për të ardhmen? Kush jam unë dhe pse jetoj...?


Përgjigjet e duhura për këto pyetje nuk gjenden aq lehtë. Ftesat që na ofrohen në jetën e përditshme janë të shumëllojshme dhe premtojnë një jetë të lehtë dhe të rehatshme, por në realitet nuk ndodh gjithmonë kështu. Ç’duhet të bëjmë? Cilës ftesë duhet t’i përgjigjemi? Cilën rrugë duhet të zgjedhim?


Zgjuarsia jonë tregohet në zgjedhjen që bëjmë. Vendimet që do të marrim, janë ato që ndërtojnë jetën tonë.
Prandaj nuk është nevoja të merremi me kërkime që na drejtojnë në ngatërresa, ose që të bëhemi viktimë e një bote manipuluese, apo të biem në kurthet e çdo lloj pasioni. Ne mund të zgjedhim të arrijmë te liria e brendshme e vërtetë dhe ta kemi atë gjithnjë e më të plotë.

Çdonjëri nga ne ftohet të ndjekë rrugën drejt hyjnizimit, drejt shoqërisë së vërtetë të dashurisë e cila gjendet te Perëndia dhe jo jashtë Tij.
Ai, i Cili u mishërua nga dashuria për njeriun, troket vazhdimisht në portën e zemrës sonë, varet nga ne nëse ajo portë do të hapet ose jo. Këtu varet e ardhmja dhe qëllimi i jetës sonë.

Kisha jonë tregon një kujdes të veçantë për formimin shpirtëror të brezit të ri. Kryepiskopi Anastas thekson që Kisha do të vazhdojë ta lartësojë njeriun dhe ta bëjë krijesë të re, të formojë shoqërinë e solidaritetit, shoqërinë e personave të lirë në dashuri me njëri-tjetrin...”.
Që nga viti 1994 Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në shërbim të këtij qëllimi ka organizuar për studentët aktivitetete dhe programe të larmishme. Tashmë ajo ka vendosur në shërbim të studentëve Qendrën Studentore të Kishës Orthodhokse, pranë Qytetit Studenti.

Të dashur studentë, le të hapim derën e zemrës te Krijuesi ynë dhe le të fillojmë përjetimin e gëzimit më të madh të jetës.



Qendra Studentore e Kishës Orthodhokse ndodhet në hyrjen e sipërme të Qytetit Studenti, në rrugën Budi, nr.51 pranë godinës 7. Kisha Orthodhokse e ka vendosur këtë qendër në shërbim të nevojave shpirtërore, sociale, kulturore dhe akademike të studentëve. Aktivitetet e ndryshme dhe shërbimet që kjo qendër ofron ndihmojnë në krijimin e një ambienti që mbështet dhe ndihmon studentët që studiojnë dhe jetojnë larg familjeve të tyre. Të udhëhequr nga motoja e saj “Së bashku në gjurmët e Krishtit” ajo ka si qëllim të kontribuojë në krijimin e një rinie të shëndetshme që jeton së bashku në një komunitet dashurie.

Vetë Qyteti Studenti, është një qytet brenda kryeqytetit, ndryshon nga çdo qytet tjetër. Ai nuk ka të moshuar e fëmijë, por vetëm të rinj, nuk ka njerëz që vrapojnë për punë, por ka studentë që iu kushtohen studimeve të ndryshme, nuk ka banorë të përhershëm, por vetëm banorë të përkohshëm.
Ky qytet ndodhet në një kodërzë të Tiranës ku gjelbërimi i përhershëm mundëson kontaktin me natyrën dhe ajrin e pastër. Kjo kodërz mbledh në veten e saj rreth 7000 të rinj nga e gjithë Shqipëria, të cilët studiojnë në fakultete të ndryshme si: Filologji, Shkenca Politike, Ekonomi, Psikologji, Juridik, Informatikë etj. Këtë qytet mund ta quajmë ndryshe qyteti që përgatit të ardhmen.
Për nevojat jetike të studentëve gjenden godina, rreth të cilave janë ndërtuar mensa, kafene e restorante të ndryshme. Ndërsa për nevojat akademike ekzistojnë biblioteka, salla studimi, librari, qendra kompjuterike dhe salla interneti.
Ndonëse për nevojat jetike e akademike kanë menduar shumë njerëz, nevoja e thellë e jetës shpirtërore ishte lënë në harresë deri në vitin 1994, kur Kisha Orthodhokse merr iniciativën e ndërtimit të një foleje të vogël shpirtërore ku studentët mund të mblidheshin së bashku për të njohur Perëndinë, për ta adhuruar Atë dhe për të ecur drejt qëllimit të jetës si një komunitet.

Duke njohur nevojën e thellë shpirtërore të studentëve që prej vitesh ishte thurur një endërr për të pasur një qendër shpirtërore për ta. Në fillim dukej shumë e parealizueshme, por me kalimin e viteve Kisha Orthodhokse nën kujdesin e kryebariut të saj kryepiskopit Anastas e realizon këtë ëndërr.



Në nëntor të vitit 2005 u ble një ndërtesë dykatëshe dhe në janar të vitit 2006 filloi të funksionojë si Qendra Studentore e Kishës Orthodhokse. Në 14 janar të vitit 2007 Kryepiskopi Anastas kreu shërbesën e Ajazmës në Qendrën Studentore. Pas bekimit të Qendrës, të cilën preferonte ta quante “foleja studentore”,  ai theksoi: “Ju jeni një brez i privuar. Njohja që keni rreth besimit është e kufizuar. Jeni ende në stadet e para të besimit dhe fakti që dimë disa gjëra rreth Dhiatës së Re dhe Dhiatës së Vjetër nuk mjafton. Keni shumë gjëra për të mësuar rreth besimit. I gjithë personaliteti i njeriut është i hapur para Hirit të Perëndisë dhe kjo nuk është çështje intelekti. Në besim keni përpara një oqean të madh. Këto pak gjëra që dini keni përgjegjësi t’i ndani me të tjerët. Rinia është një grupim që duhet të marrë përgjegjësi edhe në këtë moshë. Mos e shuani këtë besim të paktë”.
Ai theksoi se rinia shqiptare përballet me një krizë vlerash. “Brenda besimit të krishterë theksohet liria, por që kjo liri të japë fryte duhet të frymëzohet nga dashuria. Në këtë drejtim, besimi i krishterë është i pazëvendësueshëm. Ky besim jep shembuj se si mund të realizohen këto gjëra. Krishti është shembulli i përsosur i dashurisë”.
 
Në Qendën Studentore të Kishës Orthodhokse gjeni: Sallën e takimeve dhe shërbesave lutësore, këndin informativ me materiale të ndryshme në lidhje me besimin dhe çështjet e ndryshme sociale, sallën e shoqërizimit, ku zhvillohen edhe takimet në grup të vogël, bibliotekën e pasur me mbi 1000 libra të ndryshëm letrarë, shkencorë dhe fetarë, sallën e studimit, raftin me artikuj të ndryshëm kishtarë, sallën e kompjuterëve në të cilën janë instaluar 6 kompjutera në shërbim të studentëve dhe këndin me modele të ndryshme të punimeve artizanale.

                                                                     EJANI të jetojmë së bashku në një Komunitet Dashuri




















































 






































No comments:

Post a Comment