Bazuar në librin“The Question of God” të Armand Nikolit
Këtë verë lexova një libër të mrekullueshëm me titull «Ku
është Perëndia» (The Question of God) shkruar nga një profesor i Universitetit
të Harvardit, një nga universitetet më të famshëm të Amerikës. Profesori Dr.
Armand Nikoli, jep një lëndë mbi Zigmund Frojdin dhe C.S. Leëis, dy nga gjenitë
më të mëdhenj të shekullit të shkuar. Ai, në lëndën e tij, krahason pikëpamjet
e tyre për Perëndinë, dashurinë dhe kuptimin e jetës. Zigmund Frojdi është
përfaqësuesi i qëndrimit ateist dhe materialist, ndërsa C.S. Lewis përfaqëson
ateistin e kthyer në të krishterë.
Cila pikëpamje ofron përgjigje për pyetjet themelore të
jetës? Ajo ateiste dhe materialiste (d.m.dh. sekulare), apo pikëpamja e
krishterë? Kjo është tema e librit dhe biseda ime e sotme.
Filozofi i lashtë, Sokrati,
ka thënë: “Jeta që nuk shqyrtohet, nuk ia vlen të jetohet”.
Martin Luther King, Profeti
social i madh amerikan, ka thënë: “Nëse nuk keni gjetur diçka për të cilën ia
vlen të japësh jetën, atëherë nuk jeni i denjë për të jetuar”.
Në universitet, ju studentët
shqyrtoni çdo aspekt të jetës – trupin e njeriut në mjekësi, universin e pafund
dhe atomin më të vogël në fizikë, ekonominë, ligjin, sociologjinë e
psikologjinë. Studentët nëpër universitete shqyrtojnë të gjitha aspektet e
jetës, përveç njërit! Shpeshherë, nuk shpenzojnë aspak kohë për të parë veten e
tyre dhe për të kuptuar thellësitë e shpirtit të tyre.
Përse?
Sepse kemi frikë nga ajo që
do të gjejmë atje:
Një
jetë pa lumturi dhe paqe.
-
Një jetë e mbushur me ëndrra për rehati, pasuri dhe
pushtet, por duke e ditur gjithnjë se asnjë gjendje e jashtme nuk do të prehë
shqetësimet tona dhe nevojat që gjenden thellë në shpirtin tonë.
-
Një jetë të mbushur me paradokse të çuditshm: me dhimbje,
zhgënjim, çoroditje, vuajtje dhe së fundi vdekje.
-
Ose, do të gjejmë një jetë pa kuptim.
Paskali ka thënë: “Nëse
gjendja jonë do të ishte me të vërtetë e lumtur, atëherë nuk do të na duhej të
hiqnim vëmendjen nga mendimi për të”. Nuk do të kishim frikë “të rrinim në
qetësi” dhe të zbulonim thellësitë e shpirtit tonë.
Shekuj më parë, shën Agustini
e kishte kuptuar mirë kur tha: “Shpirti im nuk ka prehje, derisa të prehet tek
Ti, o Zot”.
+ + +
Jeta në vetvete, dhe
vlerësimi ynë për të, varen shumë nga mënyra se si e shohim botën që na
rrethon.
Cila është filozofia juaj për
jetën? A keni menduar për këtë gjë?
Cila është mënyra e jetesës
suaj?
A përputhet filozofia juaj me
mënyrën tuaj të jetesës?
-
Për shembull, a e pranoni ju botëkuptimin materialist
(sekular) për botën, i cili thotë se bota u krijua si pasojë ngjarjesh të
rastësishme?
-
A është jeta mbi këtë planet çështje rasti?
-
Këtë do të thoshte një materialist ose ateist. Ata
shpeshherë përpiqen ta mbajnë botëkuptimin e tyre nën flamurin e shkencës, duke
menduar se kjo i shton vlerat qëndrimit të tyre. Ata përpiqen të thonë se
gjithçka në botë evoluoi rastësisht. Ata thonë se nuk ka arsye që fshihet pas
hollësive të vogla dhe të ndërlikuara të botës.
-
Dhe nëse do të nxirrnin rezultatet logjike të kësaj
pikëpamjeje, atëherë, në fund të fundit, jeta nuk do të kishte kuptim!
-
Nga ana tjetër, ka nga ata që besojnë se gjithë bukuria,
dashuria dhe kompleksiteti i kësaj bote është krijuar dhe udhëhequr nga një
Inteligjencë që fshihet pas universit, një Inteligjencë që i jep urdhra të
saktë universit dhe kështu i jep jetës qëllim dhe kuptim!
Përpara secilit prej ju
studentëve, qëndron rëndësia e zgjedhjes së botëkuptimit që ju pranoni.
Rëndësia e këtij vendimi shikohet në faktin e ndihmës që do t’i japë secilit
prej jush të përcaktojë:
-
mënyrën si e kuptoni veten,
-
mënyrën si lidheni me të tjerët,
-
mënyrën si përballoni vështirësitë e papritura të jetës,
-
dhe mënyrën si kuptoni qëllimin dhe kuptimin e jetës.
Eshtë një vendim për të
zgjedhur midis botëkuptimit materialist dhe ateist, ose besimit dhe pranimit të
një botëkuptimi të krishterë.
Megjithatë, një problem
mbetet dhe zgjedhja që bëjnë njerëzit për të mos menduar seriozisht për këto
çështje në jetën e tyre. Megjithëse pasojat ndikojnë shumë në përjetimin e
jetës së tashme, si dhe në përcaktimin e ekzistencës sonë të përjetshme, shumë
njerëz zgjedhin t’i injorojnë këto çështje të thella. Prandaj, ata luhaten në
jetën e tyre, duke marrë shpeshherë pozicione që kundërshtojnë njëra-tjetrën.
Për shembull, shumë prej nesh
themi se besojmë tek Perëndia, dhe i lutemi Atij në kohë vështirësish,
çoroditjesh dhe veçanërisht në kohë vdekjeje. Një pjesë e jona dëshiron të
besojë dhe shpreson të gjejë rehati tek ndonjë lloj fuqie e madhe.
Madje, herë të tjera në jetën
tonë, jemi shumë të zënë për t’u marrë me çështje të tilla serioze. Në vend të
kësaj, zgjedhim joshjen e botës dhe jetojmë një jetë materialiste dhe
egocentrike, një jetë të përqendruar vetëm në dëshirat e botës që na rrethon.
Ne e pranojmë mashtrimin e botës që na rrethon dhe që na thotë: «Ha, pi dhe ji
i lumtur!»
Në pjesën më të madhe të
jetës sonë, përqendrohemi në fitimin e pasurisë, kënaqësisë dhe pushtetit, në
mënyra të drejtpërdrejta ose në mënyra të fshehta. Shpeshherë, lejojmë pasionet
e fshehura thellë të kontrollojnë jetën tonë, dhe nuk duam askënd, veçanërisht
ndonjë Qenie të Lartë, të ndërhyjë në rrugën dhe në jetën tonë egocentrike.
Besojmë te Perëndia kur duam,
ose më mirë, kur ndejmë se kemi nevojë. Por këtë Perëndi, e mohojmë dhe e
hedhim poshtë, kur mendojmë që Ai ndërhyn shumë në jetën tonë atje ku nuk duam
që të bëjmë atë që do Ai. Kjo skizofreni na çon në një jetë të pashëndetshme
dhe jo të lumtur. Madje, shumica e njerëzve zgjedhin këtë lloj jete.
Të dyja botëkuptimet nuk mund
të jenë të drejta! Njëri është i saktë. Tjetri fallso. Nuk ka asnjë kombinim të
këtyre të dyjave. Këto pikëpamje përjashtojnë njëra-tjetrën dhe nëse duam të
jemi të shëndetshëm, duhet të zgjedhim rrugën që do të ecim në jetë!
+ + +
C.S. Lewis, shkrimtar i
famshëm anglez dhe profesor i Universitetit të Oksfordit, ka qenë atesit për
tridhjetë vitet e para të jetës së tij. Ai ka pranuar se si ateist,nuk ka
dashur që Perëndia të ekzistojë. Krenaria dhe paragjykimi i tmerrshëm që kishte
për Perëndinë, e mbanin larg nga kërkimi i sinqertë dhe i ndershëm i së
vërtetës. Ai donte ta linin vetëm, dhe në mënyrë të pandërgjegjshme e dinte se
po të mohonte ekzistencën e Autoritetit më të madh, atëherë do të ishte ai autoriteti
në jetën e vet. Ky është një vetëmashtrim për ateistët, dhe për ata që besojnë
tek sekularizmi.
C.S. Leëis pranoi se vetëm
kur ai vendosi të hapë mendjen, dhe pa paragjykime shqyrtoi të dhënat, krenaria
e tij u zvogëlua, dhe ai lejoi “Ndërhyrësin e Madh”, siç e quante ai Perëndinë,
të hynte në jetën e tij.
Është interesante sesi edhe
një nga ateistët më të famshëm dhe më militantë, si Zigmund Frojdi, u mor me
çështjen e Perëndisë gjithë jetën e tij. Dukej se nuk mund ta injoronte atë.
A mos ndodh kjo për faktin
që: “Zemrat tona nuk do të gjejnë prehje, derisa të prehen tek Perëndia”?
+ + +
Si është e mundur të besosh,
se në pafundësinë e universit dhe në rregullin dhe kompleksitetin e tij, nuk ka
një Inteligjencë që fshihet pas? Sa është mundësia që gjithë kjo bukuri dhe
gjithë ky krijim të ndodhte thjesht nga rastësia? Probabiliteti matematik i
këtij qëndrimi është në mënyrë absurde shumë i vogël dhe disa përpiqen ta
quajnë shkencë!
Duhet t’i hapim sytë dhe të
shohim “shenjat” e shumta të cilat na tregojnë Krijuesin. Shikoni qiellin
gjithë yje, universin, dhe pyesni veten, a është e mundur që kjo gjithësi kaq e
ndërlikuar të vinte në ekzistencë thjesht nga rastësia? E pabesueshme!
Shkoni brenda çdo qenieje
njerëzore dhe shikoni mënyrën e përsosur si u krijuam. Nuk flasim vetëm për
trupin e ndërlikuar njerëzor, por shikoni edhe ligjin moral brenda nesh, një
ligj moral që është kryesisht njëlloj në të gjitha kulturat. A nuk është kjo,
një shenjë treguese për Inteligjencën e madhe që na ka krijuar në mënyrë kaq të
përsosur?
Të dy këta shembuj na çojnë
tek diçka më e lartë se vetja jonë.
+ + +
Përsëri ju pyes: Cili është
botëkuptimi juaj, dhe si ndikon ai në jetën tuaj? Mendoni pak për qëllimet më
të larta në jetën tuaj.
Për shumicën e njerëzve,
qëllimet më të mëdha dhe më të zakonshme janë:
-
Gjetja e lumturisë
-
Përjetimi i kënaqësisë
-
Zhvillimi i marrëdhënieve kuptimplote dhe me dashuri
-
Zbulimi i qëllimit më të lartë në jetë
Cili botëkuptim do të të
ndihmonte për t’i arritur këto qëllime? A mund ta bëjë këtë botëkuptimi
materialist, sekular apo ateist? Apo mund ta bëjë botëkuptimi që ka si qendër
Perëndinë dhe Krishtin?
Për shembull, çfarë mund të
na sjellë lumturi të përjetshme dhe të qëndrueshme? Pasi u përpoqën për të
gjetur përgjigje, shumë filozofë arritën në përfundimin se lumturia është një
qëllim i rremë që askush nuk e arrin. Për shembull, Frojdi thotë se lumturia
vjen vetëm nga kënaqësia dhe përmbushja e dëshirave të instiktit. Megjithatë,
ai përfundon: “Ndiehem i prirur të them se qëllimi që njeriu të jetë i lumtur,
nuk përfshihet në planin e krijimit”. Sa pikëpamje pesimiste, pikëpamje e cila
është përfundimi i rëndomtë për shumë nga filozofët ateistë.
Nga ana tjetër, C.S. Leëis
përfaqëson këndvështrimin e krishterë kur thotë se lumturia më e madhe është
kur, lirisht dhe me vullnetin tonë, jemi të bashkuar me Perëndinë dhe me
njëri-tjetrin në ekstazën e dashurisë dhe ëndjes.
Kjo lumturi që zgjat, vjen si pasojë e
përmbushjes së qëllimit kryesor të jetës, i cili është «vendosja e një marrëdhënieje
me Personin, Krijuesin tonë që na vuri këtu në tokë. Derisa të vendoset ajo
marrëdhënie, të gjitha përpjekjet tona për të fituar lumturi, (qofshin
nëpërmjet famës, parave, pushtetit, martesës së përsosur, miqve idealë)
gjithmonë do të dështojnë, dhe asnjëherë nuk do të kënaqin dëshirën e madhe dhe
mosprehjen që kemi brenda nesh. Perëndia e projektoi makinën njerëzore për të
shkuar drejt Tij. Perëndia nuk mund të na japë lumturi dhe paqe larg Vetes së
Tij.
Një shembull tjetër është
përjetimi i kënaqësisë. Disa filozofë janë përpjekur të shpjegojnë se kënaqësia
vjen nëpërmjet përmbushjes së dëshirave të thella për seks, para, famë dhe
pushtet. Megjithatë, vendet më të pasura në botë kanë përqindjen më të lartë të
vetëvrasjeve dhe depresionit. Të pasurit dhe të famshmit që shohim në
televizor, shpesh janë njerëzit më të çoroditur që rendin pas kënaqësive
jetëshkurtra dhe mashtruese.
Ne jemi krijuar të duam dhe
të duhemi. Por të duhemi është e para, sepse është Perëndia që e fillon këtë
dashuri. Ai dëshiron që të jemi qëllimi i dashurisë së Tij hyjnore, kështu që
ne mund të gjejmë paqen dhe lumturinë brenda dashurisë së Tij hyjnore.
Një tjetër çështje, një nga
argumentet më të mëdha kundër Perëndisë është se në vend të kënaqësisë, bota
është plot me dhimbje, vuajtje dhe ligësi. Si mundet një Krijues i gjithëdashur
dhe që na do të mirën, të lejojë që qeniet njerëzore të vuajnë gjatë gjithë
shekujve?
Kjo dilemë i ka bërë njerëzit
të thonë ose “Perëndia nuk ekziston”, ose “Ai nuk i ka gjërat nën kontroll”,
ose “Ai nuk do t’ia dijë”. Gjithsesi, secila prej këtyre përgjigjeve është një
akuzë e tmerrshme kundër besimit!
Pra, si e justifikojmë faktin
që një Qenie e Gjithëpushtetshme që na do, lejon që ne të vuajmë?
Ndoshta, mund ta kuptojmë pak
më mirë nëse e mendojmë Perëndinë si një kirurg të mirë. «Kirurgu është më i
mirë dhe më i ndërgjegjshëm, kur vazhdon të presë sa më shumë me bisturi, pa u
zmbrapsur para bërtitjeve tona. Nëse do të mbaronte pa u kryer operacioni,
gjithë dhimbja deri në atë çast do të ishte e kotë». Duhet ta shohim të gjithë
pikturën, dhe jo një pjesëz të saj.
Sigurisht, vuatja nuk është e
mirë në vetvete. E mira që ndodhet në përvojën e dhimbshme, është për atë që
vuan nënshtrimin e tij ndaj vullnetit të Perëndisë, dhe për spektatorët rreth e
rrotull në dhembshurinë që kanë dhe në veprat e mëshirës që ata bëjnë si pasojë
e kësaj. Perëndia nuk e prodhon dhimbjen, por Ai e përdor atë për të prodhuar
të mirën. Shumë njerëz nuk e njohin Perëndinë derisa përballojnë dhimbje dhe
rreziqe të mëdha.
Perëndia na pëshpërit në
kënaqësitë tona, na flet në ndërgjegjen tonë, por bërtet në dhimbjen tonë!
Një ateist do të përpiqet të
debatojë kundër Perëndisë, duke parë se sa e ashpër dhe e padrejtë duket bota.
Por nga erdhi ideja e “i drejtë” dhe “i padrejtë”? Njeriu nuk e quan një vijë
të lakuar, nëse nuk e ka idenë e vijës së drejtë. Nga vjen standardi? Pra, nga
vetë përpjekja për të provuar se Perëndia nuk ekziston, me fjalë të tjera që i
gjithë realiteti nuk ka kuptim, ateisti detyrohet të hamendësojë se një pjesë e
realitetit – që quhet ideja e drejtësisë – ka shumë kuptim. Si pasojë, ateizmi
del kot.
Shikoni një problem tjetër, i
cili është problemi më i madh dhe kulmor i jetës, vetë vdekja. I vetmi fakt i
sigurtë për çdo njeri në botë është se një ditë do të vdesë. Asnjë materialist,
secularist ose ateist nuk ka një përgjigje të mjaftueshme për këtë realitet.
Nëse jeta është vetëm ekzistenca 70 apo 80 - vjeçare, dhe pastaj përfundojmë
nën dhé për t’u ngrënë nga krimbat, sa ekzistencë e pakuptimtë dhe për të
ardhur keq që jemi! Asgjë nuk mund të na japë kuptim në jetë, nëse ky do të
jetë fundi ynë.
Problemi i vdekjes ndeshet në
çdo filozofi, madje asnjë filozof nuk ka dhënë një përgjigje të pranueshme.
Frojdi tha: "Nëse doni
ta duroni jetën, përgatiteni veten për vdekjen. Për të jetuar plotësisht, duhet
zgjidhur problemi i vdekjes. Kur lihet i pazgjidhur, harxhohet energji e tepërt
për ta mohuar, ose përfshihemi në të".
C.S. Lewis ka shpjeguar:
"Kemi tri mundësi zgjedhjeje për vdekjen – ta dëshirojmë, ta kemi frikë,
ose ta injorojmë. Alternativa e tretë, e cila është ajo që bota moderne e quan
të shëndetshme, sigurisht është më e vështira dhe më e dyshimta nga të
gjitha".
Psalmisti nga Bibla na tregon
me urtësi, se është gjë e zgjuar të numërosh ditët dhe të kuptosh se bota nuk
është shtëpia jote. "Mësona të numërojmë drejt ditët tona, që të fitojmë
një zemër urtësie" (Ps. 90:12).
Një nga qëllimet e jetës së
krishterë është pikërisht «të mbajmë gjithnjë gjallë dëshirën për atdheun tonë
të vërtetë, të cilin nuk do ta gjejmë deri pas vdekjes. Nuk duhet të lejojmë
kurrë që kjo dëshirë të harrohet apo shtrembërohet. Synimin për atdheun tjetër,
duhet ta bëjmë qëllim kryesor të jetës dhe të ndihmojmë edhe të tjerët për
këtë».
Ky besim dhe ky qëndrim mbi
vdekjen, frikën më të madhe të jetës, e kthen në mesazhin më të gëzueshëm. Shën
Pavli e kishte kuptuar qartë kur tha: «Për mua, të jetoj është Krishti, dhe
vdekja është fitim».
Të krishterët mund ta
shikojnë frikën më të madhe njerëzore në sy, vetë vdekjen, dhe të qeshin.
"O vdekje, ku është fitorja jote? O ferr, ku është thumbi yt"?
Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli, edhe të varrosurve
jetën u fali! Ky është themeli i besimit të krishterë dhe siguria e ngushëllimi
më i madh për të gjithë besimtarët.
Dhe pasi të jemi çliruar nga
kjo frikë, jemi të lirë të jetojmë edhe jetën tonë plotësisht, një jetë plot
lumturi, gëzim, paqe dhe kuptim.
"Jeta që nuk shqyrtohet,
nuk ia vlen të jetohet".
"Nëse nuk keni gjetur
diçka për të cilën ia vlen të japësh jetën, atëherë nuk jeni i denjë për të
jetuar".
"Përgjigjja ndaj
çështjes së Perëndisë gjen zbatime të thella në jetën tonë këtu mbi tokë. Ia
detyrojmë vetes shqyrtimin e të dhënave për këtë. Mund ta injorojmë, por nuk
mund t’i dredhojmë kurrë pranisë së Perëndisë. Bota është e mbushur plot me Të.
Ai ecën kudo, padukurisht, dhe e padukura nuk e ka gjithmonë të lehtë të
ndërhyjë. Përpjekja e vërtetë është të mos harrojmë të kujdesemi për këtë. Në
fakt, të zgjohemi dhe të mbetemi zgjuar».
Shpresoj që ky vit do të jetë
i veçantë për gjithë ju të rinjtë dhe studentët! Shpresoj që ju do të gjeni
kohë për të shqyrtuar, kërkuar, dhe për të hapur sytë ndaj realitetit që na
rrethon!
Perëndia po troket në dyert e
shpirtrave tanë. Shpeshherë, trokitja e Tij është e qetë, trokitje e thjeshtë.
Ata që i stërvisin veshët për të dëgjuar, do të dëgjojnë zërin më të ëmbël, më
të bukur dhe më të dashur, zërin që u kërkon të hyjë tek ata.
Hape derën dhe fillo
përjetimin e gëzimit më të madh të jetës!
Nga atë Luka Veronis (2004)
No comments:
Post a Comment