Trupi njerëzor është kryevepër e një projekti të shkëlqyer. Zemra e vogël
sa një grusht pompon 56 litra gjak në trupin tonë, 1000 herë në ditë nëpërmjet
60.000 milje enësh gjaku, duke i bërë qelizat e gjakut të lëvizin 168 milion
milje në ditë ose 6.720 herë rreth botës.
Truri i njeriut ka 10 bilion qeliza nervore që regjistron ato që shikon dhe
dëgjon. Në fakt asnjë kompjuter nuk mund të krahasohet me kompleksin dhe
potencialin e trurit njerëzor.
Veshja e brendshme e stomakut përmban 35 milion gjëndra të lëngjeve
sekretuese që ndihmojnë proceset kimike të cilat sigurojnë jetën.
Lëkura ka më tepër se 2 milion gjëndra të vogla djerse – rreth 6500 për cm2
– të gjitha këto pjesë të një rrjeti përforcues që rregullon temperaturën e
trupit.
Në trup mund të gjejmë rrjet komunikimi, banka kujtese, fabrika kimike të
një kompleksi të pabesueshëm, sisteme alarmi, mekanizma mbrojtës, uzina
pastrimi, depozita shkatërruese, ritransmetues elektrikë, rregullues të
sistemeve të prishura, kontrollues të temperaturës dhe sisteme të tjera
fantastike, të cilat e bëjnë trupin të vetëmjaftueshëm dhe
vetërigjenerues.
Psalmisti kur mendonte për trupin njerëzor, i drejtohet Perëndisë me këto
fjalë:
“Ti ke formuar të përbrendshmet e mia, Ti më ke endur në barkun e nënës
sime” (Ps. 139:13).
Shën Pavli shkruan: “Nuk e dini se jeni tempull Perëndie, dhe Shpirti i
Shenjtë rri tek ju? Në prishtë ndonjëri tempullin e Perëndisë, këtë do ta
prishë Perëndia, sepse tempulli i Perëndisë i cili jeni ju, është i shenjtë”
1Kor. 3:16-17.
Fjala e përdorur “tempull” në greqishten e vjetër është naos fjalë që përdoret edhe sot në
greqishten moderne. Ajo do të thotë kishë. Në fakt naos në Dhiatën e Vjetër i referohej pjesës së tempullit të
Jerusalemit e cila ishte Shenjtërorja e Shenjtërores.
“Ju jeni tempulli i Perëndisë”. Si populli i Perëndisë ne jemi tempujt e
Tij, të shenjtëruar nëpërmjet Pagëzimit, Mirosjes, dhe Falënderimit Hyjnor dhe
jemi thirrur të bëhemi banesa e tij në tokë. Në fakt shën Nikodhimi i Malit të
Shenjtë e quan trupin Pallat Mbretëror, përderisa ai është i zaptuar nga Mbreti
i Mbretërve, Zoti.
Sipas Biblës dhe Etërve të Shenjtë ne që jemi njerëzit e Perëndisë jemi
kisha të gjalla. Ne jo vetëm që shkojmë në kishë, por jemi kisha kudo që shkojmë.
Nëpërmjet Pagëzimit dhe Mirosjes të pasuar menjëherë nga pjesëmarrja në
Falenderimin Hyjnor ndahemi nga bota dhe veçohemi për Perëndinë. Secili nga ne
bëhet një Tempull i Shenjtë, i mbushur me praninë e Perëndisë, pikërisht ashtu
si tempulli në Jerusalem, që pas shenjtërimit u mbush me lavdinë e Perëndisë.
Të sapopagëzuarit, të veshur me të bardha janë krijesë e re, tokë e shenjtë,
vend ku banon Perëndia.
Shën Joan Gojarti na mëson që trupat tanë janë më të nderuar dhe më të
respektuar sesa një tempull. Ne jemi tempulli i gjallë dhe i arsyeshëm, ndërsa
ndërtesa - tempull është pa jetë dhe pa
arsye. Për më tepër Krishti vdiq për ne, jo për tempujt.
Për ne të krishterët Orthodhoksë qëllimi përfundimtar i njeriut është
hyjnizimi; i cili do të thotë pjesëmarrje e personit, trup e shpirt, në hirin e
pakrijuar dhe hyjnor të Perëndisë. Të veshurit të trupit me lavdi është qëllimi
për çdo krijesë njerëzore. Njeriu, si trup dhe shpirt, së fundmi duhet të
ngrihet nga varri ashtu si Krishti bëri, në mënyrë që të jetojë në praninë e
përjetshme të Perëndisë, që nëpërmjet hirit të bëhet si Perëndia.
Sytë tanë do të shohin praninë e Perëndisë përjetësisht.
Zëri ynë do ta himnojë Atë përjetësisht.
Veshët tanë do të dëgjojnë simfonitë e engjëjve përjetësisht.
Ne jemi tempulli i Perëndisë.
Miliona njerëz jetojnë në tokë pa ditur pse janë trupat e tyre.
Ata marrin frymë, po nuk kanë asgjë për të shprehur.
Ata hanë e pinë për të jetuar, po pa ditur pse jetojnë.
Ata ecin, po nuk kanë vend ku të shkojnë.
Ata lindin fëmijë, por fëmijët u sjellin atyre më shumë dhimbje dhe
shqetësime sesa kënaqësi.
Përpjekja për të vazhduar të jetojnë pushton shumicën e kohës së tyre – dhe
kjo bën që gjërat të duken shumë të vështira.
Shën Pavli na tregon që trupi njerëzor ka një qëllim. Ai është më shumë se
një aparaturë fizike. Ai është një tempull. Trupat tanë janë tempuj të Shpirtit
të Shenjtë. Këta trupa të çuditshëm dhe të mrekullueshëm, të cilët mund të
bëjnë pothuajse çdo gjë, madje të shkojnë edhe në hënë, janë krijuar nga Perëndia
dhe për Perëndinë, që Ai të mund të ndërtojë rezidencën e Tij në to.
Ai dërgoi Birin e Tij që të largojë mëkatet tona, që ne të përmbushim
qëllimin për të cilin janë krijuar trupat tanë: të bëhemi tempuj të pranisë së
Tij.
Shën Grigori i Nisës thotë se nëse një person nuk e ka bërë trupin e tij
banesë të Perëndisë, nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, ai nuk është qenie
njerëzore.
Ne jemi banorë me qira në një apartament prej mishi; Perëndia është
pronari. Ai dëshiron të jetë pronari që jeton bashkë me ne, por Ai nuk do të
vijë të banojë tek ne, po të mos
jetë i ftuar dhe ai nuk do të banojë me ne deri
sa ne nuk do ta lejojmë të vijë.
“Ja unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe hap
derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.” -
thotë vetë Jisui.
Trupi njerëzor u krijua ta ftojë
dhe ta mirëpresë Jisuin, ta dojë Atë dhe të jetojë në Të. Për këtë janë krijuar trupat tanë, për këtë është
jeta jonë. Vetë Jisui e tha këtë shumë qartë: “… Në më do ndonjë, fjalën time
do ta ruaj, edhe Ati im do ta dojë, dhe do të vijmë tek ai, dhe do të bëjmë
banesë tek ai” (Jn.14:23).
Shembull i shkëlqyer që dikush të mësojë si të shpëtohet dhe si të bëhet
tempulli i Perëndisë është Virgjëresha Mari. E gjithë jeta e saj tregon sesi
duhet të bëhen të gjithë njerëzit, pasi janë shenjtëruar nga Shpirti i Shenjë,
që të jenë shërbëtorë dhe tempuj të Krishtit.
Ashtu si Shën Maria të gjithë ne jemi krijuar që të bëhemi tempuj të
Perëndisë, banesë e lavdisë së Tij. Të formuar sipas imazhit dhe ngjashmërisë
së Perëndisë ne jemi krijuar të bëhemi tempuj të gjallë të pranisë së Tij. Jisu
Krishti u formua në trupin e shën Marisë fizikisht dhe shpirtërisht, në të
njëjtën mënyrë Ai mund të formohet edhe tek ne (Gal. 4:19).
Për të kuptuar se sa i rëndësishëm është trupi ynë si tempull i Perëndisë,
është e nevojshme të vështrojmë se çfarë i ndodhi Trupit të Krishtit pas
Ngjalljes së Tij nga të vdekurit. Sigurisht që trupi që u ngjall është i njëjti
trup që u vendos në varr. Shkurtimisht, pas Ngalljes së Tij ai ftoi Thomain,
dishepullin që dyshonte, të shikonte dhe shqyrtonte plagët e Tij, madje edhe të
vendoste dorën e tij mbi brinjën e Zotit (Jn. 27).
Por trupi i Krishtit pas Ngjalljes ishte i lavdëruar.
Trupi mbillet në prishje dhe ringjallet në paprishje.
Mbillet në çnderim dhe ringjallet në lavdi,
mbillet i dobët dhe ringjallet në fuqi.
Mbillet trup natyror dhe ringjallet trup frymëror 1Kor. 15:35-44.
Trupi, si tempull i Shpirtit të Shenjtë është kaq i shenjtë, saqë në
ardhjen e dytë të Jisuit ai do të ringjallet si trup frymëror dhe i lavdëruar,
ashtu si trupi i Krishtit pas Ngjalljes. Krishti do të “transformojë trupin
tonë të përulur, që të bëhet i ngjashëm me Trupin e Tij të lavdishëm”.
Kur të vijë dita e gjykimit, do të gjykohemi për atë që kemi bërë me trupin
tonë – dhe kjo është një arsye e mirë për t’u kujdesur për trupin si
administratorë të mirë dhe besnikë. Pra, duhet ta kemi si qëllim tonin të
kënaqim Atë, sepse të gjithë do të dalim para gjyqit të Krishtit, ku secili
merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka
bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen 2Kor.5:9-10.
Shën Pavli na fton të gjithëve ta lavdërojmë Perëndinë me anë të trupave
tanë –
jo vetëm me mendjen tonë,
jo vetëm me zemrën tonë,
jo vetëm më gjuhën tonë,
por ne duhet të lavdërojmë Perëndinë edhe me trupat tanë.
“As mos tregoni pjesët e trupit tuaj armë padrejtësie në mëkat; por tregoni
veten tuaj tek Perëndia si të ngjallur prej së vdekurish, dhe pjesët e trupit
tuaj armë drejtësie tek Perëndia”
(Rom.6:13).
A ia kemi ofruar Zotit gjymtyrët e trupit tonë si mjete drejtësie?
“Apo nuk e dini se trupi juaj është tempull i Shpirtit të Shenjtë që rri në
ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe nuk i përkisni vetvetes? Sepse u bletë me
çmim; lavdëroni pra Perëndinë me trupn tuaj, edhe me shpirtin tuaj, që janë të
Perëndisë” (1Kor. 6:19-20).
Në kohën e shën Pavlit Korinti ishte qyteti më imoral në botë, prandaj ai i
dërgon atyre një letër ku thotë: “Trupi i njeriut nuk duhet të përdoret për
qëllime imorale, por për t’i shërbyer Perëndisë... . Perëndia që ngjalli Zotin
prej së vdekurish do të na ngjallë edhe ne me fuqinë e Tij. Trupat tanë janë
pjesë të trupit të Krishtit.
A po e lejoni trupin tuaj të përdoret për qëllime imorale?
Pse e vritni veten tuaj?
Njeriu që kryen imoralitet mëkaton kundër trupit të tij. A nuk e dini se
trupi juaj është tempull i Shpirtit të Shenjtë, i cili banon në ju, dhe që
është dhënë nga Perëndia?
Ju nuk i përkisni vetvetes, por Perëndisë.
Ai ju ka blerë me një çmim. Pra, përdorni trupin tuaj për lavdinë e Tij.
Është shumë e nevojshme që të dëgjojmë këto fjalë në ditët e sotme, kur
bota është pushtuar nga AIDS dhe sëmundje të tjera seksualisht të
transmetueshme. Dëgjojmë shumë të flitet për seksin e sigurt, por nuk dëgjojmë
aspak të flitet për vlerat e jetës. Ne nuk dëgjojmë aspak të flitet për “a
është e mirë, apo a është e keqe? Morali, madje as nuk merret në konsideratë.
Trupi si tempull i Frymës së Perëndisë është pothuajse pa vend në botën e sotme
sekulare dhe në botën që jeton pa Perëndinë.
Arsyetimi që ngrihet gjithmonë për të rinjtë është: “Ata do ta bëjnë
patjetër, kështu jepini atyre diçka që të mbrohen”.
Ky arsyetim sjell edhe dëmtimin më të madh për të rinjtë sot. Kur themi ata
patjetër do ta bëjnë, ne i kemi ndëshkuar të rinjtë të jetojnë në të njëjtin
nivel me kafshët. Kjo është njësoj sikur thua që të rinjtë sot nuk mund të
zgjedhin të ndryshojnë, ose që ata nuk mund të lartësohen në një nivel tjetër
të të jetuarit si bij dhe bija të Perëndisë, të krijuar sipas ngjashmërisë dhe
shëmbëlltyrës së Tij, me trupa që janë tempuj të Shpirtit të Shenjtë.
Shën Pavli thërret: Largohuni nga imoraliteti seksual. Të gjitha mëkatet që
bën njeriu janë jashtë trupit të tij, por ai që kryen imoralitet mëkaton kundër
vet trupit të tij. A nuk e dini se trupi
juaj është tempull i Shpirtit të Shenjtë, i cili është në ju, të cilin e keni
marrë nga Perëndia?
Trupi është tempull i Perëndisë, jo një kopsht argëtimi.
Si do të reagonit ju nëse dikush do të sugjeronte këtë ide: Që të
grumbullojmë sa më shumë të ardhura për kishën, ta kthejmë atë në klub nate
gjatë javës. Altari mund të bëhej një bar i mirë.
Enët e shenjta mund të ishin enë shumë të mira për kokteil.
Në vendin ku qëndrojnë njerëzit të vendosim drita lëvizëse që fiken e
ndizen në mënyrë që të krijohet një vend shumë i përshtatshëm për të kërcyer.
Pjesën e sipërme të kishës mund ta përdornim për kërcimtarët më të mirë.
Imagjinoni të ardhurat e shumta që
do të grumbullonim!
Sigurisht, ju mund të kundërshtoni një propozim të tillë. Pothuajse të
gjithë do të thonë: Ju nuk mund ta bëni këtë. Kjo është shtëpia e Zotit! Një
aktivitet i tillë do të jetë një keqpërdorim i kishës. Dhe të gjithë jemi
dakord që një propozim i tillë është i pahijshëm.
Por për sa i përket trupit që është tempulli i Perëndisë – shumë më tepër
se thjesht një ndërtesë që është kishë?
Ne marrim Krishtin në këtë tempull prej trupi çdo të diel në Misterin e
Falënderimit Hyjnor, por si e trajtojmë ose si e keqtrajtojmë Atë gjatë javës?
A e kthejmë atë në ndonjë bar apo kopsht argëtimi?
A e respektojmë trupin si tempull të Perëndisë, pallat mbretëror,
shenjtërorja e shenjtërores?
Sepse trupi nuk është i yni që të bëjmë çfarë të duam me të. Ai i përket
Perëndisë. Ai duhet të jetojë përjetësisht me Perëndinë. Ai e krijoi trupin dhe
na shpëtoi nga vdekja me anë të gjakut të çmuar të Birit të Tij. Prandaj, le ta
lavdërojmë Zotin me trupin tonë.
Trupi ynë nuk është thjesht një qenie biologjike. Qenia njerëzore është
biologjike, por është gjithashtu shumë më tepër se thjesht biologjike. Ajo
është tempulli i Shpirtit të Shenjtë.
Çdo gjë që shkatërron tempullin, trupin, është mëkat dhe duhet të evitohet:
alkooli, droga, duhani, grykësia, seksi i sëmurë, mungesa e ushtrimit, madje
edhe kur nuk vendosim rripin e sigurimit në makinë, tregon mungesë respekti për
trupin njerëzor si tempull të pranisë së Perëndisë. Të qenët një administrator
i mirë ka të bëjë jo vetëm me gjërat që zotërojmë, por gjithashtu edhe me
trupin që na ka dhënë Perëndia.
Më lejoni ta përfundoj duke pyetur. Nëse Perëndia ka formuar trupat tanë
dhe i ka bërë ata banesë të Shpirtit të Shenjtë, atëherë ku duhet të drejtohen
sytë tanë?
Çfarë duhet të bëjnë dhe ç’duhet të prekin duart tona?
Ku duhet të shkojnë këmbët tona?
Çfarë duhet të thotë gjuha jonë?
Çfarë duhet të dëgjojnë veshët tanë?
Njëherë Shën Simeon Theologu i Ri, menjëherë pas Kungimit vështroi duart
dhe tha: “Tani këto janë duart e Krishtit. Gjaku i Tij po përshkon damarët. Ato
nuk janë duart e mia. Ato janë duart e Tij, gjymtyrët e trupit të Tij.
Është koha t’i bindemi thirrjes së Shën Pavlit: “Ju lutem pra, vëllezër,
për përdëllimet e Perëndisë, t’i tregoni trupat tuaj therorë të gjallë, të
shenjtë, të pëlqyeshëm për perëndinë, adhurimin tuaj logjik (Rom. 12:1).
“Edhe vetë Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ju të tërë; edhe u ruajtë e
tërë fryma juaj, dhe shpirti, dhe trupi, pa të metë në ardhjen e Zotit tonë
Jisu Krisht” (1 Thes.5:23).
Përktheu Ana Baba (2007)
No comments:
Post a Comment