Do të
dëshiroja ta filloja diskutimin tonë sot me dy pyetje shumë të rëndësishme për
besimin tonë. Pyetja ime e parë është: Kush erdhi e para – Kisha apo Dhiata e
Re? Kurse pyetja ime e dytë, të cilën do ta shqyrtojmë më vonë është: Nga të
gjitha Kishat që ekzistojnë sot, cila është Kisha e vërtetë e Dhiatës së
Re?
Para se të
fillojmë diskutimin tonë për t’iu përgjigjur këtyre dy pyetjeve, do të
dëshiroja të theksoja përgjegjësinë që kemi si të krishterë orthodhoksë për të
lexuar Biblën çdo ditë dhe për ta njohur mirë atë. Bibla është fjala e
frymëzuar e Perëndisë dhe ne duhet ta përdorim këtë urtësi të Biblës si një
burim fuqie dhe transformimi shpirtëror.
Nëse
hedhim një vështrim mbi shenjtorët e Kishës, do të shohim se sa i rëndësishëm
është për ne leximi i Biblës. Shën Joan Gojarti i lexonte letrat e Shën Pavlit
të paktën dy herë në javë, disa herë tri ose katër herë në javë. Shën Serafimi
i Sarovit i lexonte katër Ungjijtë çdo ditë. Shën Joani i San Franciskos,
shenjtor i ditëve tona, e lexonte Biblën aq shumë saqë i dinte përmendsh të
katër Ungjijtë.
Të
lexuarit e Bilës është bashkëbisedim me Perëndinë. Kjo duhet bërë me përulësi
dhe respekt çdo ditë të jetës sonë.
Në këtë
pikë, sot ekziston një keqkuptim midis shumë të krishterëve perëndimorë, që
thonë se gjithçka kemi nevojë për të qenë të krishterë të mirë është të lexojmë
Biblën. Ata thonë se nuk kemi nevojë për Kishën, nuk kemi nevojë për Misteret,
nuk kemi nevojë për Etërit e Kishës, nuk kemi nevojë për Traditën e Shenjtë – e
vetmja gjë që na nevojitet si drejtues
për shpëtimin tonë është Bibla. Ky mendim, i cili është shumë i përhapur ndër
të krishterët protestantë dhe ungjillorë, na drejton te pyetja e parë që përmendëm
më lart.
Kush erdhi e para, Kisha apo Dhiata e Re?
Kjo pyetje
ka shumë rëndësi për shumë arsye. Ka shumë të krishterë në kohën e sotme që
interpretojnë Shkrimin e Shenjtë duke u bazuar në opinionin e tyre. Ata e
shohin Biblën si një udhëzues personal për shpëtimin e tyre dhe mendojnë se nuk
kanë nevojë për Kishën, të cilën e konsiderojnë thjesht një vend të mirë ku
mund të zënë shoqëri. Ideja e shpëtimit për shumë të krishterë modernë
ungjillorë sot është: Perëndia dërgoi Birin e Tij, të dy së bashku ata dërguan
Shpirtin e Shenjtë, pastaj erdhi Dhiata e Re për të na shpjeguar shpëtimin dhe
së fundi u formua Kisha.
Tashmë
historia i ka nxjerrë në pah dobësitë e kësaj pikëpamjeje të gabuar të
Krishterimit, e cila është në kundërshtim me Shkrimin e Shenjtë dhe mësimet e
Etërve të hershëm të Kishës. Çdo i krishterë ungjillor lexon Biblën dhe e
interpreton atë i bazuar në opinionin e tij personal. Ai beson që Shpirti i
Shenjtë drejton të kuptuarit e tij dhe e ndihmon atë ta interpretojë Biblën në
mënyrën e duhur. Pikërisht këtu qëndron problemi. Çdo person del me një
interpretim të ri të Shkrimit të Shenjtë, të bazuar në perceptimin e tij
egoist.
A u tregon
Shpirti i Shenjtë njerëzve interpretime të ndryshme? Sigurisht që jo! Problemi
është që gjithsecili e keqinterpreton Shkrimin e Shenjtë. Autoriteti i këtyre
njerëzve nuk është më Bibla, por interpretimi i tyre personal. Kjo gjë ka çuar
në ndarje të panumërta dhe në krijimin e mijëra kishave dhe sekteve të ndryshme
protestante dhe ungjillore.
Është
interesante të theksojmë se kjo pikëpamje individualiste për Krishterimin nuk
mbështetet aspak te Bibla. Në asnjë vend të Biblës nuk thuhet “vetëm Bibla”
është e mjaftueshme për shpëtimin tonë dhe që nuk kemi nevojë për Kishën.
Përkundrazi,
Bibla thotë që Kisha është vetë trupi i Krishtit (Ef. 4; 1 Kor. 12:27), shtylla
dhe mbështetja e së vërtetës (1 Tim. 3:15). Pasi Apostull Pjetri rrëfeu që
Jisui ishte Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, Zoti deklaroi që mbi këtë
shpallje të besimit Ai do të ndërtonte Kishën e Tij dhe dyert e hadhit nuk do të
kenë fuqi përmbi të (Mt. 16:18). Kur
Jisu Krishti u ngjit në qiell, Ai nuk na la Biblën, por na la Kishën e
Tij.
Nëse do të
hedhim një vështrim mbi historinë dhe Shkrimet, do ta shohim më qartë të
vërtetën. Bibla nuk erdhi para Kishës, ashtu si shumë protestantë dhe
ungjillorë besojnë. Kisha erdhi para Biblës. Ajo (e frymëzuar nga hiri i
Perëndisë) zgjodhi librat që do të përfshiheshin në kanonin e Biblës dhe vetëm
Kisha ka autoritet ta interpretojë Biblën.
Kujtojeni
gjithmonë këtë: Krishti na la Kishën, jo Biblën. 4 Ungjijtë u shkruan 30 – 60
vjet pas Vdekjes dhe Ngjalljes së Krishtit. Nga viti 100 ekzistonin mbi 100
libra në qarkullim me pretendimin për t’u futur në kanonin e Biblës. Kishës iu
desh t’i shqyrtonte këta libra, shumë prej të cilëve kishin mësime heretike
brenda tyre, dhe përcaktoi cilët do t’i përkisnin Biblës.
Shumë
ungjij përfshinin mësime të rreme për Krishtin dhe nuk u pranuan nga Kisha.
Bibla që kemi sot nuk ishte caktuar deri në vitin 367, kur Shën Athanasi shkroi
se cilët libra do të përfshiheshin në kanonin e Dhiatës së Re. Procesi i
caktimit të librave të Biblës u bë i mundur nga Tradita gojore e Kishës.
Kisha
erdhi para Biblës dhe Kisha u përdor nga Perëndia për të caktuar librat e
Biblës. Prandaj, vetëm Kisha ka autoritetin t’i interpretojë Shkrimet në
mënyrën e duhur.
Kjo na
drejton në pyetjen tonë të dytë: Nga të gjitha kishat që ekzistojë sot, cila
është Kisha e vërtetë e Dhiatës së Re? Ose nëse e formulojmë pyetjen në një
tjetër mënyrë mund të themi:
Cila Kishë është Kisha e vërtetë?
Shumë
besimtarë të krishterë dhe predikues ungjillorë do t’ju thonë që ne nuk kemi
nevojë për Kishën dhe që “gjithçka që na nevojitet është Jisui”! Kjo duket
mirë, por nëse “gjithçka kemi nevojë është Jisui”, pse duhet ta mohojmë Trupin
e Tij? Nëse gjithçka na nevojitej do të ishte Jisui, atëherë pse Jisui duhej të
na premtonte: “Unë do të ndërtoj Kishën Time?” (Mt. 16:18).
Për çdo të
krishterë serioz, pyetja nuk është nëse kemi nevojë për Kishën, por cila kishë
është Kisha e vërtetë. Ne kemi mijëra grupe të krishtera dhe sekte që
pretendojnë se janë Kisha e Dhiatës së Re. Kisha Romano katolike deklaron se
është Kisha e vërtetë duke u bazuar në trashëgiminë apostolike. Kishat Baptiste
janë të bindura plotësisht që kanë besimin e vërtetë të Dhiatës së Re.
Gjithashtu edhe Metodistët. Po
Luterianët, po sektet e kishave të Krishtit? Midis gjithë këtyre zgjedhjeve,
cila është e vërteta?
Shën Pavli
thotë: Është një trup e një shpirt, një Zot, një besim, një pagëzim”. (Ef.
4:4-5) Është vetëm një Kishë e vërtetë.
Atëherë si t’i përgjigjemi pyetjes: Cila kishë është Kisha e vërtetë e Dhiatës
së Re?
Ekziston
një mënyrë e saktë që përcakton se cila është kisha e vërtetë. Në vend që të
studiojmë 2500 grupet e krishtera për të përcaktuar se cila kishë ruan besimin
e hershëm, më mirë le të fillojmë nga fillimi i vetë Kishës dhe të ndjekim
historinë e saj deri në ditët tona.
Linja kohore e historisë së Kishës
Dita e
Pentikostisë është datëlindja e Kishës, dita kur Shpirti i Shenjtë zbriti mbi
dymbëdhjetë apostujt si gjuhë zjarri. Atë ditë rreth 3000 vetë i besuan
Krishtit dhe u pagëzuan (Vep. ap. 2). Në
librin e Veprave të Apostujve në Bibël, mësojmë sesi Kisha u përhap në Azinë e
Vogël dhe në Perëndorinë Romake.
Nga fund i
shekullit të parë, kalojmë nga Shkrimi i Shenjtë te shkrimet e Etërve të Kishës
për të përcaktuar burimin e historisë së Kishës. Në këtë mënyrë mund të shohim
se cila kishë sot ka ruajtur doktrinën dhe adhurimin e saktë përgjatë shekujve.
Shën
Ignati (69 pas Krishtit) është një nga etërit e njohur Apostolikë – Etërit e
Kishës erdhën menjëherë pas Apostujve. Sipas traditës së Kishës, shën Ignati
është djali që Krishti e mbajti në krahë siç thuhet në Ungjill (Mt. 18:2). Në
mësimet e tij shën Ignati thekson rëndësinë e pozitës së peshkopit dhe se
peshkopi (dhe priftërinjtë si përfaqësues të peshkopit) është ikona e Krishtit
– dhe ne duhet ta respektojmë peshkopin si vetë Krishtin.
Një tjetër
dokument i Kishës së hershme është Didakia, i shkruar rreth vitit 100 pas
Krishtit, i cili flet për praktikat liturgjike të Kishës së hershme. Ky
dokument flet për rëndësinë e Rrëfimit para Kungimit, thotë se vetëm të
krishterët e pagëzuar mund të kungohen dhe se të krishterët duhet të kreshmojnë
të mërkurën dhe të premten. Martirizimi i Polikarpit (episkopi i Smirnës) është
dokumenti i dytë, i cili tregon sesi Kisha e hershme i nderonte shenjtorët dhe
respektonte lipsanet e tyre, ashtu si Kisha Orthodhokse bën sot.
Shën
Justin Martiri i shekullit të dytë përshkruan me shumë hollësi Liturgjinë e
shekullit të dytë dhe të tretë dhe kjo i ngjan shumë adhurimit të Kishës
Orthodhokse sot - leximi nga Shkrimi i Shenjtë, predikimi, lutjet e anaforasë
para Kungimit të shenjtë për të kthyer bukën dhe verën në Trup dhe Gjak të
Krishtit, shkuarja së bashku për marrjen e kungatës. Këto dokumente na tregojnë
që Kisha e hershme ngjason shumë me Kishën Orthodhokse sot në adhurim dhe në
theologji.
Nga tabela
shohim që më 313, me Ediktin e Milanos të Shën Konstandinit të Madh, për herë
të parë krishterimi u bë fe e lirë në Perandorinë Romake. Pas Ediktit të
Milanos, u mblodhën disa sinode Ekumenike të Kishës, për të qartësuar natyrën e
Krishtit kundër mësimeve të rreme të heretikëve.
Këto
Sinode, midis të tjerash, konfirmuan që Krishti është Biri i përjetshëm i
Perëndisë, Perëndi i plotë dhe njeri i plotë. Sinodi i shtatë ekumenik në 787
miratoi përdorimin ikonave, kur heretikët ikonoklastë u përpoqën të hiqnin
ikonat nga Kisha. Madje edhe sot ka shumë të krishterë ikonoklastë, të cilët
besojnë se ikonat nuk duhen përdorur, as nuk duhen nderuar. Shumë kisha të
krishtera sot që janë larguar nga e vërteta thjesht përsëritin të njëjtat
herezi të së shkuarës.
Për 1000
vitet e para të historisë së Kishës, adhurimi i Kishës ishte pothuajse i njëjtë
në çdo vend. Doktrina ishte e njëjtë. E tërë Kisha pohonte një besim. Sistemi i
qeverisjes së Kishës ishte kudo i njëjtë. Pikërisht kjo NJË KISHË ishte Kisha Orthodhokse.
Megjithatë,
tensionet filluan të ngrihen kur mijëvjeçari i parë ishte afër fundit. Shumë
faktorë doktrinorë, politikë, ekonomikë dhe kulturorë filluan të ndajnë Kishën
midis Lindjes dhe Perëndimit. Dy çështjet kryesore ishin autoriteti i papës së
Romës dhe shtesa ‘filokue’ në Besoren e Nikesë nga Kisha e Romës.
Nga
fillimi i Kishës, të gjithë peshkopët kishin të njëjtin autoritet dhe Krishti
ishte kreu i Kishës. Kjo është shumë e qartë nga shkrimet e shën Ignatit dhe
etërit e tjerë të Kishës së hershme. Por me kalimin e kohës peshkopët e Romës
dalëngadalë filluan të kërkojnë një rol superioriteti për veten e tyre mbi
peshkopët e tjerë. Kjo përshtatej me ambicjet e papëve për pushtet botëror dhe
ishte në kundërshtim me praktikën e sistemit qeverisës të Kishës së hershme.
Tjetër
gabim i madh i Kishës së Romës ishte ndryshimi në Besoren e Nikesë pa miratimin
e peshkopëve të tjerë. Kjo quhet shtesa filokue e Besores.
Duke patur
parasysh që Besorja jonë ka shpallur gjithmonë që Shpirti i Shenjtë buron nga
Ati, Kisha e Romës shtoi që Shpirti i Shenjtë buron nga Ati dhe nga Biri (në
kundërshtim me Joan 15:26). Kjo duket si një detaj i vogël, por shtesa ka
ndërlikim të madh në kuptimin e Trinisë së Shenjtë. Gjithashtu kjo tregon edhe
arrogancën e peshkopëve të Romës, të cilët menduan se mund të ndryshonin diçka
kaq të rëndësishme sa Besorja, pa miratimin e peshkopëve të tjerë.
Këto dhe
fakte të tjera çuan në një ndarje të Kishës midis Lindjes dhe Perëndimit rreth
vitit 1054. Shpresa për shërimin e kësaj ndarjeje tragjike përfundoi shumë
shpejt kur Kisha e perëndimit nisi kryqëzatat për të marrë Tokën e shenjtë të
Jerusalemit nga myslimanët. Gjithashtu, gjatë rrugës për në Jerusalem, ata
sulmuan edhe Konstandinopojën dhe vranë me mijëra besimtarë orthodhoksë,
përdhosën kisha orthodhokse dhe zëvendësuan me dhunë peshkopët orthodhoksë me
ata latinë.
Kisha
Orthodhokse ruajti traditën e saj historike dhe apostolike si Kisha e Dhiatës
së Re, ndërsa Kisha e Romës (ose kisha Romano-katolike) vazhdoi rrugën e saj,
duke devijuar gjithmonë e më shumë nga rrënjët e saj apostolike
Nga
abuzimet e Papës së Romës dhe korrupsioni i Kishës Katolike një ndarje e madhe
ndodhi në Kishën Perëndimore në 1517 me Reformën Protestante. Reformistët
mendonin drejt dhe po përpiqeshin të zgjidhnin problemet në Kishën Katolike,
por nuk mundën të rikthehen tek Kisha e Dhiatës së Re. Në kërkimin e tyre të
gabuar për Kishën e Dhjatës së Re, Reforma Protestante çoi në krijimin e mijëra
sekteve të ndryshme.
Duke
menduar që po çliroheshin nga shtypja e Kishës Katolike shumë reformues hodhën
poshtë formën e hershme të qeverisjes së Kishës me anë të peshkopëve,
priftërinjve, dhjakonëve; hodhën poshtë adhurimin liturgjik, Misteret,
përdorimin e ikonave dhe nderimin e lipsaneve dhe devijuan nga shumë tradita të
tjera të Kishës së hershme. Nga padija, duke u përpjekur të zhdukin korrupsionet
e Kishës Latine, ata u larguan gjithmonë e më shumë nga Kisha e Dhiatës së Re.
Nga të
gjitha kishat sot, vetëm Kisha Orthodhokse mrekullisht ka sot të njëjtin besim
dhe jetë si Kisha e Dhiatës së Re. Siç u them edhe të krishterëve
jo-orthodhoksë që kërkojnë Kishën e vërtetë, ashtu po ju them edhe juve, mos u
besoni vetëm fjalëve të mia, por lexoni Dhiatën e Re, Etërit e Kishës dhe
studioni historinë e Kishës. Atëherë edhe ju vetë do të zbuloni që plotësia e
besimit të Dhiatës së Re ruhet nga hiri i Shpirtit të Shenjtë në Kishën
Orthodhokse.
Kur
Krishti thotë se portat e hadhit nuk do ta mposhtin Kishën e Tij, unë besoj me
gjithë zemër që Ai e kishte fjalën për Kishën Orthodhokse. Dëshiroj ta
përfundoj duke thënë që është një privilegj i pamasë t’i përkasësh Kishës së
vërtetë dhe besoj që ne i përkasim asaj realisht. Kjo do të thotë gjithashtu që
kemi edhe një përgjegjësi mjaft të madhe. Besimi ynë na jep të gjitha mundësitë
që të bëhemi shenjtorë, të shpëtohemi dhe të shpëtojmë edhe botën. Kemi
përgjegjësinë të mos e mbajmë për vete këtë thesar, por të transformohemi me
anë të besimit, të bëhemi shenjtorë dhe ta ndajmë me të jerët këtë thesar të
paçmuar.
Dhjak Hektor Firoglanis (2006)
Përktheu Joan Baba
No comments:
Post a Comment