Jeta e përditshme e të krishterit orthodhoks


Po filloj me një ngjarje nga jeta e Shën Gjermanoit të Alaskës, apostullit të Amerikës. Fakti që ai është apostull i Amerikës, i një vendi perëndimor, ka një rëndësi të veçantë për Orthodhoksët që jetojnë në Perëndim. Shën Gjermanoi, pjesën e fundit të jetës së tij e kaloi si eremit në ishullin Sprus. Një ditë erdhi në ishull një anije luftarake ruse, dhe oficerët që ishin në të e ftuan atë Gjermanoin të hanin së bashku. Kur po hanin u hap kjo temë bisede: “Për çfarë kujdesemi më shumë në jetë? Cila është gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjë secili prej nesh?” Me radhë secili prej oficerëve që qëndronin rreth tryezës shprehu mendimin e vet. Disa folën për familjet dhe shtëpitë e tyre, të cilat sigurisht ishin shumë larg nga bregdeti i Alaskës ku ata ndodheshin, pastaj folën për kuptimin e jetës familjare dhe të fëmijëve. Më në fund erdhi radha e Shën Gjermanoit të flasë. Cila është gjëja më e rëndësishme në jetë sipas mendimit të tij? Ai dha këtë përgjigje: “Vëllezër, le të përpiqemi mbi çdo gjë të bëjmë këtë: nga kjo ditë e tutje, nga kjo orë, nga kjo minutë, le të duam Perëndinë mbi të gjitha”.
Në përgjigjen e tij le të vëmë re kuptimin imediat që ai i dha çështjes. Duhet ta duam Perëndinë, jo në të ardhmen e pacaktuar, jo në një tjetër rast, por pikërisht në këtë moment, këtu dhe tani, sot, nga kjo ditë e më tej, nga kjo orë, nga kjo minutë. Djalli na thotë “nesër” ose “dje”, por Perëndia na thotë “sot”.
Të njëjtën gjë e gjejmë shpesh në Shkrimin e Shenjtë. Në psalmet, p.sh. në psalmin 94, thuhet, “Sot, në qoftë se i dëgjoni zërin, mos i ashpërsoni zemrat”. Perëndia na flet sot. Sillni ndër mend si e fillon Krishti predikimin e Tij publik në sinagogën e Nazaretit. Nga libri i Isaias lexon fjalët: “Fryma e Zotit është mbi mua, Ai më ka caktuar si t’u predikoj lajmet e mira të varfërve”. Dhe pastaj Zoti e mbyll librin dhe u thotë njerëzve: “Sot, ashtu siç e dëgjuat vetë, ky shkrim u bë i vërtetë”. Kështu fjala e parë e predikimit publik të Krishtit sipas Shën Llukait është: “Sot”. Shën Pavli thotë të njëjtën gjë: “Vini re, sot është dita e shpëtimit”. Keros, koha e pranueshme, çasti vendimtar është momenti në cilin ndodhemi, tani.
Një përrallë, e treguar nga Tolstoi, mund të shërbejë si ilustrim. Dikujt i thanë të gjejë cili është çasti më i rëndësishëm, cili është personi më i rëndësishëm, cila është detyra më e rëndësishme. Ashtu si ndodh në përralla, njeriut që duhej të zgjidhte problemin i ndodhën shumë aventura dhe si bëri shumë kërkime më në fund dha këtë përgjigje:
“Momenti më i rëndësishëm është momenti që je duke jetuar tani, personi më i rëndësishëm është personi që ke takuar tani, dhe detyra më e rëndësishme është pikërisht ajo gjë që je duke bërë tani”. Kjo gjendje përshkruhet nëpërmjet një fjale të veçantë nga Etërit Asketikë të Traditës sonë Orthodhokse, shkrimet e të cilëve i gjejmë p.sh. në Filokali. Ata përdorin fjalën greke “nipsi” që do të thotë alarm, vëmendje, vigjilencë. Duhet të jemi vigjilentë dhe syhapur. Në jetën tonë të përditshme duhet të ndiejmë se çdo moment i yni shpaloset në përjetësi. Duhet t’i japim çdo çasti të jetës sonë të përditshme një ndjenjë thellësie.
Në ç’mënyrë mund të jetojmë të tanishmen? Si mund të kemi këtë lloj vigjilence? Tregohet një ngjarje për Tomas Karlilin, një shkrimtar i madh viktorian i shekullit të kaluar në Britani.
Kur ishte i ri, një të diel në mëngjes u kthye të hajë me të ëmën dhe ajo e pyeti, “si ia kalove në kishë?” dhe ai tha, “predikimi ishte shumë i gjatë” dhe vazhdoi “sikur të isha predikues, nuk do të bëja predikime të gjata, thjesht do të ngjitesha në amvonë dhe do të thosha: ‘njerëz të mirë, ju e dini çfarë duhet të bëni. Shkoni dhe bëjeni atë tani!’ Po, tha e ëma, por do t’u thuash se si?”
Si mund të kemi këtë lloj alarmi brenda vetes? Më lejoni të përmend disa rrugë praktike. Janë shumë të dukshme, por ndoshta mirë është të mendojmë për to. Së pari, si e filloni ditën? Çfarë është gjëja e parë që bëni sapo zgjoheni? Sigurisht si të Krishterë Orthodhoksë, gjëja e parë që duhet të bëjmë sapo vijmë në vete është shenja e kryqit. Duhet ta fillojmë ditën duke thënë: “Në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë”. Duhet të fillojmë ditën e re me ndjenjën se kjo është dita e Zotit. Ashtu si thuhet në Psalmet “Kjo është dita që ka bërë Zoti, le të ngazëllohemi dhe le të gëzohemi në të”. Nuk duhet ta fillojmë ditën e re me ndjenjë frike apo mërzitje: një ditë tjetër, uh, prapë e njëjta e gjë. Duhet ta fillojmë ditën e re me shpresë, me bindjen se ajo është një mundësi e re: kjo ditë e re është dhurata e hirit të Perëndisë. Çdo ditë duhet ta jetojmë sikur të ishte dita e parë, dita e parë e jetës sonë, dita e parë e Krijimit. Dhe duke bërë shenjën e kryqit pohojmë se e pranojmë me gëzim dhe shpresë këtë ditë të re si një dhuratë nga Perëndia.
Dhe përsëri, cila është gjëja e fundit që bëni çdo ditë, gjëja e fundit që bëni kur shtriheni për të pushuar? Sigurisht që përsëri bëni shenjën e kryqit. Na thuhet gjithashtu prej Etërve se kur shtrihemi për të pushuar duhet të mendojmë për vdekjen. Kjo gjë është keqkuptuar shpesh. Për shumë njerëz, të mendosh për vdekjen, tingëllon si diçka e sëmurë dhe jo normale, por ajo që Tradita Orthodhokse asketike nënkupton me kujtimin e vdekjes është diçka krejt e ndryshme. Duhet të jemi të vetëdijshëm se bota e përjetësisë është shumë afër nesh. Çdo ditë qëndrojmë në kufi të kohës që do të vijë. Duhet të jetojmë çdo ditë të jetës sonë sikur ajo të ishte dita e parë, me ndjenjën e diçkaje të re. Duhet të jemi në gjendje të shohim rëndësinë e veçantë të çdo dite. Kjo është ajo që nënkuptohet prej kujtimit të vdekjes, dhe kjo është fryma me të cilën e lëmë veten në duart e Perëndisë kur shtrihemi për të fjetur. Dimensioni i lutjes duhet të jetë i pranishëm çdo ditë në jetën tonë. Ditët gjatë të cilave nuk jeni lutur janë ditë të humbura. Në qoftë se një mëngjes nuk gjetët pak kohë të luteni, asaj dite do t’i humbasë dimensioni në jetë, një dimension kuptimi dhe thellësie. Një ditë pa lutje shndërrohet thjesht në një radhë punësh e detyrash, një gjë pas një tjetre, kurse një ditë që ka filluar me lutje është një ditë që ka drejtim dhe qëllim. Çdo detyrë atëherë kryhet në Krishtin dhe bashkë me Të. Kjo është një këshillë shumë e thjeshtë, por të cilën duhet të vazhdojmë ta themi. Çdo i krishterë në jetën e tij të përditshme duhet të gjejë kohë të lutet në mëngjes dhe në darkë. Me pak fjalë, nuk duhet ta lëmë pas dore.
Problem i përbashkët në lidhje me lutjen, si në rastin kur ajo është personale, edhe në rastin kur mblidhemi së bashku gjatë shërbesave në kishë, është si të përqendrohemi. Si t’ia bëjmë me mendimet e kota? Sapo përpiqemi të jemi të qetë, shohim se ekziston një televizor i brendshëm të cilin nuk jemi në gjendje ta shuajmë me përpjekjen e vullnetit, një sërë imazhesh dhe mendimesh krejt pa vend na sulmojnë. Peshkopi Theofan thotë se mendimet kur fillojmë të lutemi, iu ngjajnë zukatjes së insekteve dhe mizave në një mbrëmje vere. Çfarë duhet të bëjmë në këtë rast?
Mënyra më e mirë për të filluar është të kujtosh pikërisht atë që thashë më sipër: nevojën për të jetuar momentin e tanishëm. Në qoftë se duke u lutur e kupton se vëmendja të ka ikur, mos e pyet veten “çfarë më shpëtoi?” por “çfarë po them në këtë çast?” ose kur je në kishë, mos e pyet veten “çfarë po thuhej dhe nuk e dëgjova?” por “çfarë po lexohet, çfarë po këndohet tani në këtë çast?”. Në qoftë se nuk e kishe mendjen në Leximin e Apostullit dhe papritur kur psalin Aliluia, kupton se çfarë u lexua, në vend të mërzitesh për këtë thuaj: “Tani është Ungjilli, do ta dëgjoj”.
Sikur vetëm për pak çaste ta kishim vëmendjen të përqendruar në çastin e tanishëm, kjo do të thotë se kemi filluar të lutemi. Në fillim nuk duhet të shqetësohemi për vazhdueshmërinë e vëmendjes, duhet të përpiqemi të kemi pak çaste të vëmendshme dhe të mbështetemi në to. Ndoshta për ju është e vështirë të përqendroheni një orë të tërë bashkë me engjëjt në Liturgjinë Hyjnore, por tani dhe në këtë çast mund të përqendroheni, kështu filloni gjithmonë me këtu dhe tani sa herë që keni të bëni me problemin e mendimeve të kota endacake. Mos mendoni, “si do të përqendrohem dhjetë minuta ose një orë?” por, “si do të përqendrohem një sekondë?”
Për sa i përket lutjes suaj ditore më lejoni t’ju ofroj një këshillë praktike: Kur lexoni lutje nga një libër ose i thoni përmendsh, kujtohuni të bëni pushime të vogla. Mos i thoni gjërat njëra pas tjetrës pa pushim. Pushimet nuk kanë nevojë të jenë shumë të gjata, por për momente heshtje do të keni nevojë gjatë lutjes. Në librin e lutjes që unë përdor, lutjet e mëngjesit fillojnë kështu: në fillim të thotë të bësh shenjën e kryqit përpara ikonave të shenjta duke thënë: “Në emër të Atit, të Birit dhe Shpirtit të Shenjtë” pastaj në libër vjen kjo këshillë: “Si i je lutur Trinisë së Shenjtë, qëndro në heshtje për një çast, i vetëdijshëm për praninë e Perëndisë”.
Kjo është shumë e rëndësishme. Në qoftë se fillojmë të lutemi pa menduar më parë me shumë kujdes se çfarë do të bëjmë, ndoshta fjalët tona do të jenë fjalë boshe. E njëjta gjë ndodh kur hyni në kishë dhe bëni shenjën e kryqit.
Qëndroni në heshtje për një çast, për pak sekonda përpara se të bëni gjithçka tjetër, përpara se të shkoni të blini qirinjtë dhe të shkruani emrat në letër. Qëndroni në heshtje dhe mendoni, “Përpara kujt jam duke qëndruar tani? Kujt po i flas me lutjen time?” dhe kështu lutja juaj do të bëhet lutje e gjallë drejt një Personi të gjallë.
Të njëjtën ide të të jetuarit në çastin e tanishëm, të përqendrimit në pikën më të afërme të kohës në të cilën ndodhemi, duhet ta zbatojmë edhe në leximin e Shkrimit të Shenjtë. Shpresoj se të gjithë ju e lexoni Ungjillin çdo ditë. Është shpesh e dhimbshme të zbulosh se ne të krishterët Orthodhoksë nuk njohim Shkrimin aq mirë sa të Krishterët e tjerë, duhet veçse të sjellim ndër mend se Kisha jonë Orthodhokse është kishë Ungjillore e themeluar mbi Ungjijtë e Shenjtë. Nuk duhet të harrojmë të lexojmë Shkrimin e Shenjtë çdo ditë, dhe ndërsa lexojmë, le të kemi brenda vetes ndjenjën se kjo fjalë u tha prej Krishtit për ne personalisht. Ndieni se çdo pjesë e Shkrimit ju drejtohet juve. Peshkopi Tihon i Zadonskit thotë: “Sikur Cari të të shkruante një letër, a nuk do ta hapje me emocion, a nuk do ta lexoje me vëmendje? Madje Mbreti i Qiejve, Mbreti i Madh, Ai vetë të ka dërguar një letër, dhe këtë letër, Ungjillin e Shenjtë, ti e trajton me përbuzje”. Kur merrni në dorë Shkrimin e Shenjtë, thotë Shën Tihoni, Krishti fillon të flasë me ju dhe ju flisni me Të. Dhe ndërsa lexon Shkrimet e Shenjta, ruaje ndjenjën e bashkëbisedimit personal me vetë Shpëtimtarin.
Si i ke thënë lutjet e mëngjesit, ndërsa del për të shkuar në punë, përpiqu të kesh brenda vetes, ndjenjën se po del në botën e Perëndisë. Atë Aleksandër Shmeman, na thotë në librin e tij “Për Jetën e Botës”: “I Krishterë është ai i cili, ngado ku hedh sytë, gjen Krishtin kudo dhe gëzohet në Të”. Gjithë botën duhet ta trajtojmë si diçka të shenjtë, si një mjet komunikimi me Perëndinë. Ja një thënie që i atribuohet Krishtit, e cila qarkullonte mes të krishterëve të parë: “Ngrije gurin dhe do të më gjesh Mua, çaje pemën më dysh dhe aty Unë jam”. Ndërsa ecim nga një vend në një tjetër ky duhet të jetë qëndrimi ynë: Le të sjellim ndër mend praninë e Perëndisë në të gjitha momentet e jetës sonë të përditshme. Nëse jo, atëherë momentet e jetës sonë do të jenë të zbrazëta, dhe sa shumë momente janë të tilla!
Në çdo gjë duhet të gjejmë Perëndinë. Po ashtu duhet të gjejmë Perëndinë në gjithë njerëzit. Në jetën tonë të përditshme, një nga pjesët e Shkrimit të Shenjtë së cilës duhet t’i japim rëndësi të veçantë është gjysma e dytë e Kapitullit 25 në Ungjillin sipas Matheut, parabola e deles dhe e dhive. Le të sjellim ndër mend kriterin e gjykimit. E ushqeve të uriturin? I dhe të pijë të eturit? E more në shtëpinë tënde të huajin? E vizitove të sëmurin? Në Gjykimin e Fundit do të na pyesin: Si u sollët me të afërmin tuaj? Dashuri për të afërmin nuk do të thotë në radhë të parë dashuri për njerëzit e largët, do të thotë dashuri për të afërmin e ngushtë: njerëz të cilët i takoj në shtëpi, në vendin e punës, në kishë në shkollë etj. Duhet të mendojmë se Krishti na shikon me sytë e njerëzve që takojmë çdo ditë dhe çdo orë. Duhet të mendojmë atë që Krishti thotë në parabolë: “Atë që e ke bërë për një nga vëllezërit e mi më të vegjël, e ke bërë për Mua”. Çdo takim me një qënie tjetër njerëzore është takim me Krishtin, është takim me Perëndinë, një theofani – zbulesë e Perëndisë.
Tani, çfarë do të na ndihmonte ta gjenim Krishtin kudo ku shkojmë, me ndihmën e kujt do të mund të shihnim çdo gjë si një mister të shenjtë, çdo takim me njëri-tjetrin si një takim me Krishtin? Ndihma më e madhe praktike që shumë njerëz kanë gjetur është përdorimi i shpeshtë i Lutjes së Jisuit, thirrja “Zot Jisu Krisht, Bir i Perëndisë, mëshiromë mua mëkatarin”.
Mënyrat e përdorimit të Lutjes së Jisuit janë dy: Mund ta përdorni si një pjesë të lutjes së përditshme, kur thoni vetëm Lutjen e Jisuit dhe asgjë tjetër, ose si lutja e heshtjes. Tani nuk po flas për këtë përdorim të veçantë, kam ndër mend më tepër përdorimin e lirë të Lutjes së Jisuit, në të gjitha çastet e ditës veç e veç, çaste, të cilat përndryshe do të jenë të humbura. Në qoftë se e thoni shpesh Lutjen e Jisuit, e cila është lutje e thjeshtë dhe nuk kërkon përgatitje të veçantë, atëherë ajo do të jetë gjithmonë afër, e gatshme sa herë që do të doni ta thoni. Në qoftë se këtë e bëni shpesh, kjo do të ndihmojë në mënyrë të çuditshme që bota të bëhet një mister i shenjtë, që takimi me njerëzit e tjerë të bëhet takim me Krishtin. Lutjen e Jisu Krishtit mund ta themi në çdo moment të ditës, si p.sh. kur presim autobusin për të vajtur në punë, në shkollë apo në çdo lloj pritjeje. Përse të bëhesh i paduruar ndërsa pret autobusin, nuk ka për të ardhur një sekondë më herët për shkak të zemërimit tënd. Përkundrazi të jepet mundësia të lutesh. Nuk mund të bësh asgjë tjetër më me rendiment, nuk mund të lexosh, ndoshta nuk ka asgjë që ia vlen të shohësh, pse të mos e kthesh këtë kohë pritjeje në diçka krijuese?
Kemi në këtë mënyrë lëvizjen horizontale të kohës gjatë ditës, kohë që matet me anë të orës, por kjo vijë horizontale do të thyhet prej shumë momenteve vertikale sa herë që jeni të vetëdijshëm për praninë dhe fuqinë e Perëndisë në jetën tuaj, në zemrën tuaj.
Më lejoni t’ju flas për një ndihmë të veçantë që më ka dhënë Lutja e Jisuit. Ndoshta shumë prej jush keni dhënë një pjesë të kohës suaj për këshillimin, bisedimin me njerëz, dhe nuk e di nëse shpesh keni pasur përshtypjen se biseda nuk ia arrin qëllimit. Në një farë mënyre nuk arrin ta bësh tjetrin të kuptojë. Në këtë situatë është shumë fitimprurëse të thuash nga brenda me qetësi një ose disa herë Lutjen e Jisuit, dhe atëherë papritur do të shohësh se je në gjendje t’i thuash personit tjetër, atë gjë që është e nevojshme të thuhet. Niveli papritur mund të ndryshojë, por kjo nuk do të ngjasë pa u lutur. Dhe, në qoftë se je në gjendje të lutesh, atëherë të duhet një lutje e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë që mund të thuhet në këtë çast, këtu dhe tani. Kjo është ajo që të gjithë ne duhet të kuptojmë kur themi se duhet të jetojmë momentin e tanishëm. Këto janë disa rrugë nëpërmjet të cilave mund të zbatojmë fjalët e Shën Gjermanoit “Nga kjo ditë e tutje, nga kjo orë, nga kjo minutë, le të duam Perëndinë mbi të gjitha”.



No comments:

Post a Comment