Duke të njohur Ty, Zoti im, dhe duke jetuar jetën me Ty, kuptoj dhe përjetoj çdo ditë e më tepër lirinë që Ti më ke falur


Çfarë është Jisui për ne?
Jisui thotë: Unë jam gjithçka.
Peshkop Bevridge ka dhënë një ilustrim të bukur mbi shprehjen nëpërmjet së cilës Perëndia përshkruan Veten në Dhiatën e Vjetër. UNE JAM. Ai tha: “Perëndia nuk thotë në Dhiatën e Vjetër, Unë jam drita, drejtimi, fuqia e njerëzve, por thjesht ‘Unë jam’.

Ai thotë:
Janë ata të dobët? - Unë jam i fuqishëm.
Janë ata të varfër? -  Unë jam i pasur.
Kanë ata shqetësime? - Unë sjell ngushëllim.
Janë ata të sëmurë? - Unë jam i shëndoshë.
Janë ata duke vdekur? - Unë jam jeta.
Ata nuk kanë asgjë? - Unë jam gjithçka.
Unë jam urtësi dhe fuqi.
Unë jam drejtësia dhe mëshira.
Unë jam hiri dhe mirësia.
Unë jam lavdia, bukuria, gjithëmjaftueshmëria, shenjtëria…, përsosmëria, përjetësia.
Unë jam Ai që jam.
Çdo gjë që është e pastër dhe e shenjtë, çdo gjë që është e madhe dhe e kënaqshme, çdo gjë që është e mirë ose e nevojshme për ta bërë njeriun të lumtur, ai jam Unë”.
Shën Joan Gojarti vendos këto fjalë në gojën e Jisuit.
“Unë jam atë dhe vëlla, dhe bashkëshort; Unë jam shtëpi, veshje, rrënjë, guri i themelit.
Unë jam çdo gjë që ti dëshiron. Nëse vjen tek unë, kurrë nuk do të mungojë asgjë; Unë madje jam gati që të jem shërbëtori yt, sepse erdha të shërbej dhe jo të më shërbejnë. Unë jam mik dhe pjesëtar, dhe krye, dhe vëlla, dhe motër, dhe nënë. Unë jam gjithçka. Për ty u bëra lypës dhe endacak; U ngjita në Kryq për ty dhe në varr për ty; për ty i lutem në qiell Atit, erdha në tokë si ambasador i Tij. Ti je gjithçka për mua. Vëlla, bashkëtrashëgimtar, mik dhe pjesëtar. Vallë çfarë do më shumë, o njeri?

Ai është Buka e Jetës, - për kë?
Nëpërmjet fjalëve “Unë jam Buka e Jetës”, Jisui deklaron se një nga nevojat bazë të njeriut është etja për Perëndinë. Të gjitha krijesat kanë nevojë për ato gjëra për të cilat janë bërë. Një luan ka uri për mish, një gjirafë për gjethe. Njeriu ka nevojë për ushqim material, por gjithashtu ai ka uri edhe për diçka shumë më të madhe. Ja pra, pse Jisui tha: “Njeriu nuk do të jetojë vetëm me bukë”. Më e madhe se nevoja për bukë është nevoja për Perëndinë i Cili tregon veten kryesisht në nevojën për siguri, dashuri, paqe, gëzim, kuptim dhe jetë. E gjithë kjo nevojë zhduket plotësisht në Krishtin. Ai është buka e cila shuan urinë e shpirtit të njeriut. Që nga fillimi fare e gjithë uria jonë ishte uri për Të.
Një grua e bukur dhe e pasur, e cila nuk kishte për çfarë të shqetësohej në jetë, tha njëherë: “Më vjen turp të pranoj se jam ende duke kërkuar diçka të cilën nuk e di qartë se çfarë është. Ndonjëherë them se është thjesht një paqe e brendshme dhe ndonjëherë mendoj se është thjesht një qëllim më i madh në jetë, ndonjëherë pyes mos është Perëndia?”.
Shën Agustini shkroi: “Ti na bëre për veten tënde, o Zot dhe zemra jonë nuk gjen prehje, derisa të prehet tek Ty”.

Bukë – për kë?
Për kë është Jisui “Buka e Jetës”? Jisui deklaron se Ai është Buka e Jetës, por jo për të gjithë, por Ai thotë unë jam Buka e Jetës për ata “që vijnë tek unë”; “që besojnë në mua”; dhe për atë që “ha trupin tim dhe pi gjakun tim”. Përpara se Jisui të bëhet “Buka e Jetës” për një person, ky person duhet të zgjedhë i pari me liri të plotë që të vijë tek Jisui, të besojë tek Ai, dhe të bashkohet me Të në mënyrën më intime duke marrë pjesë në marrjen e Trupit dhe Gjakut të Tij në Kungimin e Shenjtë. Sepse Jisui e identifikon këtë “Bukë të Jetës” për të cilën flet si Mishin dhe Gjakun e Tij: “Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli. Në ngrëntë njeri prej kësaj buke, do të rrojë për gjithë jetën. Edhe buka që do të jap unë është mishi im, të cilin unë do t’a jap për jetën e botës (Joani 6:51).

Kur duhet të hamë nga kjo Bukë?
Dikush tha njëherë se Jisui nuk tha “Unë jam ilaçi i jetës. Më merrni vetëm kur të jeni sëmurë ose duke vdekur; ose ndryshe mos më shqetësoni”. Ai nuk tha: “Unë jam ëmbëlsira e jetës. Merrni një kafshatë ëmbëlsirë nga unë të Dielën dhe më harroni gjatë pjesës tjetër të javës”.  Në vend të kësaj Jisui tha: “Unë jam buka e jetës. Unë jam i tëri i juaji ose në të kundërt nuk jam asgjë për ju”.
Ejani te Jisui, besoni në Të, merreni Atë, lëreni të bëhet i Tëri i juaji dhe më pas Ai do të bëhet për ju “Buka e Jetës” duke shuar plotësisht urinë dhe etjen tuaj më të madhe.
“Unë jam buka e jetës… .” Ne duhet të hamë nga kjo bukë, ndryshe do të vdesim. Kur neglizhojmë të lutemi, kur nuk shkojmë në kishë, kur nuk marrim Krishtin në Misterin e Kungatës së Shenjtë rregullisht, kur nuk lexojmë me besnikëri fjalën e Perëndisë, i mohojmë vetes bukën e jetës, vrasim veten shpirtërisht, vdesim urie. Lujta, Kisha, Kungimi i Shenjtë dhe Fjala e Perëndisë nuk janë qëllimi në vetvete, ato janë mënyra nëpërmjet të cilave marrim KRISHTIN – BUKËN E JETËS.
                                                                                             
Përse Jisui ka bërë gjithë këto gjëra për ne?
Ai i ka bërë të gjitha këto për ne, sepse na do dhe dëshiron të bëhet i njohur tek ne. Ai na do dhe dëshiron që ta njohim e ta duam Atë. Ai dëshiron të hyjë në një marrëdhënie të gjallë, personale dhe shpëtuese me ne. Dëshiron të jetë Ati, Shpëtimtari dhe Miku ynë. Ai do që ta njohim në mënyrë intime aq sa të ndihemi të lirë që t’i afrohemi e të bisedojmë me Të në çdo orë të ditës ose të natës, t’i tregojmë gjithçka që është në zemrën ose në mendjen tonë me sigurinë që Ai është më i gatshëm për të na dëgjuar sesa ne për t’i folur.
Të njohësh Atë është paqe.
Të njohësh Atë është gëzim.
Të njohësh Atë është jetë e përjetshme.
“Dhe kjo është jeta e përjetshme, që të të njohin Ty të vetmin të vërtetin Perëndi dhe Jisu Krishtin që dërgove” (Joani 17:3).

Kërkimi themelor
Kërkimi themelor i njeriut në jetë është të gjejë të vërtetën. Një nga pyetjet e para që bëjmë kur vijmë në jetë është “Përse?”. Si fëmijë hedhim tutje lodrat për të zbuluar se çfarë e bën rrotën të rrotullohet. Si të rritur studiojmë universin me teleskopë, mikroskopë dhe satelitë për të zbuluar se çfarë e bën atë të rrotullohet.
Gjithsesi ai që kërkon të vërtetën, kërkon realisht për Perëndinë, i Cili është thelbi i gjithë të vërtetave. “Kush jam unë? Përse jam këtu? Ku po shkoj? Cili është qëllimi im në jetë?” Njerëz të cilët bëjnë këto pyetje janë duke kërkuar me të vërtetë për Perëndinë.
Edhe ne mund të gjejmë te Jisui të vërtetën, përgjigjen ndaj problemeve të turbullta të jetës, të vërtetën përreth faktit se kush jemi dhe pse jemi këtu. E vërteta e përjetshme e Perëndisë, është e vetmja e vërtetë nëpërmjet së cilës njeriu mund të përcaktojë qëllimin e tij në jetë për të gjetur gëzimin dhe lumturinë e përjetshme për të cilën Perëndia e krijoi njeriun.

Çfarë jemi ne për Krishtin? - Ne jemi Drita
Ai i cili jeton me Krishtin jo vetëm që ka dritë, por edhe bëhet dritë për të tjerët. Vetë  Jisui që tha: “Unë jam drita e botës” tha edhe “Ju jeni dritë në botë”. Nuk është Drita jonë, është drita e Krishtit, e cila pasqyrohet në jetët tona ashtu si hëna pasqyron diellin. Me të vërtetë drita jonë krahasuar me atë të Jisuit mund të jetë thjesht një dritë e vogël qiriri, por ende është dritë. Ajo ende ndriçon dhe rrezaton dritë në errësirë.
Pra mund të themi se drita e Perëndisë ndriçon në
1.      Shpëtimtarin: “Unë jam drita e botës” (Joani 8:12).
2.      Shkrimet: “Fjala jote është një llambë nën këmbën time dhe një dritë në shtegun tim” (Psalmi 119:105.
3.      Shenjtorët: “Ju jeni drita e botës” (Mateu 5:14).
Sa njerëz në jetën tonë nuk do të shohin kurrë dritën e Krishtit, nëse ne nuk e pasqyrojmë atë tek këta njerëz?
Në këtë errësirë ka ardhur një dritë të cilën Shën Joani e quan “drita e jetës”. Asgjë në botë nuk mund ta shuajë. Ajo ndriçon mendjen, ndërgjegjen dhe zemrën njerëzore. Ajo tregon dëshirën e Perëndisë. Ajo i jep kuptim jetës. Kjo dritë largon frikën e vdekjes. Është një dritë të cilën mund ta zotërojmë dhe ta reflektojmë në jetën tonë që të sjellim dritë në botën tonë. Ja pse të krishterët orthodhoksë ndezin një qiri sa herë që hyjnë në kishë. Ata kërkojnë t’i kujtojnë vetes se Jisui është dritë e botës dhe është detyrë e pasuesve të Tij që të reflektojnë këtë dritë në jetën e tyre të përditshme.
Kjo është detyra jonë. Është një përgjegjësi që Jisui na la neve. Ne thirremi ta rrezatojmë dhe pasqyrojmë këtë dritë në jetën tonë të përditshme, në gjithçka që bëjmë dhe me këdo që jemi. Kështu përmbushim dhe porosinë e fundit që Krishti na la: “Shkoni dhe bëni dishepuj në të gjithë kombet”, duke e filluar si vetë apostujt në vendin ku jetonin dhe më pas në Samari, e në të gjithë botën. Le të përpiqemi çdo ditë ta jetojmë Krishtin, të ushtrojmë çdo ditë e më tepër virtytin, të rrezatojmë dritën e Tij  tek çdo njeri që takojmë. Duke jetuar kështu, do të kuptojmë çdo ditë e më tepër se cila është dhurata e madhe e lirisë që Ai na ka dhuruar dhe gjithnjë e më tepër do të jetojmë këtë liri. Amin.


Përktheu Gabriela Bezhani (2005)

No comments:

Post a Comment