“Dua të ndryshoj jetën tënde” - Misioni në marrëdhëniet shoqërore


“Dhe kush do t’ju bëjë keq, në qoftë se ju ndiqni të mirën? Por, edhe sikur të vuani për drejtësinë, lum ju! Pra, mos kini asnjë druajtje prej tyre dhe mos u shqetësoni, madje shenjtëroni Zotin Perëndinë në zemrat tuaja dhe jini gjithnjë gati për t’iu përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju, por me butësi dhe me druajtje, duke pasur ndërgjegje të mirë, që, kur t’ju padisin si keqbërës të turpërohen ata që shpifin për sjelljen tuaj të mirë në Krishtin”. 1Pj. 3:13-16

Në këto faqe do të lexoni një strukturë thelbësore për ndarjen e Ungjillit në kontekstin e shoqërisë. Besoj që një nga mënyrat më efektive për të sjellë njerëzit te Krishti në shekullin e 21-të është nëpërmjet marrëdhënieve personale, që një person të ndajë me një mik, çfarë ka gjetur tek Krishti. Fatkeqësisht shumë herë jemi të papërgatitur t’i shpjegojmë esencën e Ungjillit një personi tjetër. Kemi eksperiencë të Krishtit dhe jetës në Kishën e Tij, por kur fillojmë t’i shpjegojmë Ungjillin një personi tjetër shpesh devijojmë në shpjegimin e detajeve të praktikës Orthodhokse të tilla si: rregullat e kreshmës dhe sjelljes në kishë, pa shpjeguar kurrë marrëdhënien me Trininë e Shenjtë mbi të cilën bazohen këto gjëra. Shpresoj që nëpërmjet këtyre fjalëve të frymëzoheni dhe të përgatiteni të ndani Ungjillin me miqtë tuaj dhe t’i sillni te Krishti.

Fuqia e shumëfishimit
Mund të duket një gjë e vogël të sjellësh një person tjetër te Krishti, por ky është në të vërtetë mjeti më i fuqishëm që kemi për të sjellë botën te Krishti. Nëse secili nga ne do të takonte vetëm një person çdo vit dhe do t’i frymëzonte të sillte një person çdo vit, rezultati do të ishte i pabesueshëm. Nëse 40 njerëz do ta bënin këtë për 20 vitet e ardhshme, ne do të kishim ofruar te Krishti më shumë se 38 milionë njerëz. Kjo shifër është më e madhe se popullsia e shumicës së vendeve evropiane. Nëse do të rrisnim faktorin shumëfishues dhe do të sillnim te Krishti 2 persona në vit, brenda 18 viteve do të arrinim shifrën 16 miliard njerëz më shumë se tërë popullsia e botës.
Pra, e shihni që rezultatet e kontaktit me personin pranë jush mund të ndryshojnë jetën tënde dhe botën. Si fillim do të doja të merrni parasysh disa pyetje. Dy të parat kanë të bëjnë me njerëzit rreth nesh, të cilët po përpiqemi t’i ofrojmë te Krishti. Që t’i njohim të tjerët me Ungjillin nevojitet t’u ofrohemi me dashuri dhe t’i shohim me të vërtetë ashtu si janë.

Çfarë kërkojnë njerëzit? Cilat janë nevojat e tyre të vërteta?
Që të tërheqim dikë te Krishti, fillimisht duhet të shohim se çfarë po kërkon ai/ajo. Ata nuk do të vijnë kurrë te Krishti, nëse nuk shohin që Ai është përgjigjja për një nga pyetjet që ata kanë. Gjithashtu duhet të shohim se cilat janë nevojat e tyre të vërteta.
Shumë shpesh miqtë tanë përhumben në kërkimin e gjërave të cilat janë të pakuptimta dhe vetëshkatërruese. Është e nevojshme t’i ndihmojmë të kuptojnë nevojat e tyre të vërteta dhe si përmbushja e tyre do t’u sillte realisht lumturinë e vërtetë, ndërsa gjërat të cilat ata po ndjekin do t’u sjellin vetëshkatërrim.

Më pas duhet të shohim vetveten dhe të pyesim: Pse e ndajmë besimin me ta?

Kjo pyetje është mjaft e rëndësishme, sepse do të kemi shumë vështirësi në ndarjen e besimit të vërtetë orthodhoks, nëse nuk do ta ndanim atë për arsye të drejta.

Pse e ndajmë besimin tonë me të tjerët? 
                   
·         E ndajmë besimin me të tjerët, sepse i duam njerëzit.
·         E ndajmë besimin me të tjerët, sepse Perëndia na porosit për këtë. Mt.28:19
·         E ndajmë besimin me të tjerët, sepse e duam Perëndinë.

Në fund do të shqyrtojmë se cili është mesazhi thelbësor i Ungjillit, të cilin dëshirojmë ta ndajmë me të tjerët.
Para se ta shqyrtojmë këtë mesazh me hollësi duhet të kuptojmë tre fakte thelbësore për Ungjillin, të cilat do të na ndihmojnë të mbetemi të përqendruar në vetë mesazhin e Ungjillit.

Ungjilli është i thjeshtë
Ndonëse theologjia jonë Orthodhokse përmban thellësi dhe fuqi të madhe sa do të na duhej përjetësia ta kuptonim, mesazhi thelbësor i Ungjillit është i thjeshtë dhe mund të kuptohet nga çdokush. Nuk është e domosdoshme të shpjegojmë gjithë detajet e theologjisë Trinitare, ose rregullat e kreshmës dhe kalendarin kishtar. Këto janë gjëra që do të vijnë, ndërkohë që i krishteri i ri rritet. Ato nuk janë mesazhi thelbësor.

Ungjilli është Lajmi i Mirë
Ndonëse kuptimi i fjalës Ungjill në greqisht do të thotë “Lajmi i Mirë”, shpesh Ungjilli prezantohet si gjithçka tjetër, përveç lajmit të mirë. Frika dhe urrejtja përdoren për të sjellë njerëzit në kishë – ky është një shtrembërim i madh. Ne do t’i sjellim njerëzit me anë të mesazhit të gëzueshëm të paqes me Perëndinë dhe përmbushjes së potencialit tonë të plotë njerëzor.

Ungjilli është marrëdhënie
Ungjilli nuk është një grup rregullash të cilave duhet t’u bindemi që të bëjmë Perëndinë të jetë i lumtur me ne. Ai është mesazhi i restaurimit të marrëdhënies më Trininë e Shenjtë, e cila na krijoi dhe na do më shumë se çdo njeri në univers. Shpëtimi dhe hyjnizimi vjen nëpërmjet një lidhjeje të gjallë me Trininë e Shenjtë, e cila është burimi i gjithë jetës dhe ekzistencës.

Përmbledhja e mëposhtme e mesazhit të Ungjillit bazohet në Shkrimet e Shenjta dhe Etërit e Kishës. Veçanërisht jam bazuar te vepra e Shën Athanasit të Madh “Mbi mishërimin” dhe “Për jetën e botës” nga atë Aleksandër Shmeman. Që të kuptojmë këtë marrëdhënie, më parë duhet të kuptojmë që:

  1. Perëndia është krijues
    1. Perëndia e krijoi gjithçka nga hiçi.
    2. Njeriu u krijua sipas imazhit të Perëndisë.
    3. Perëndia e do njeriun dhe dëshiron të ketë një marrëdhënie me të.

  1. Njeriu i kthen shpinën Perëndisë
            Kur njeriu u largua nga Perëndia atij i ndodhën tri gjëra:
      a.   Natyra e tij u dëmtua.
b.      Ai kreu mëkate që e çuan në vdekje.
c.       Marrëdhënia e tij me Perëndinë u prish.

  1. Perëndia ka vepruar në histori për të shpëtuar njeriun
Kjo ishte një gjendje tragjike në të cilën Perëndia veproi me dashuri supreme që të shpëtonte njeriun nga këto pasoja të tmerrshme.
Ai e bëri këtë që:
a. Të riparonte natyrën.
                        b. Të vuante dënimin.
                        c. Të restauronte marrëdhënien.

Perëndia dërgoi Birin e Tij. Perëndia u ofron gjithë njerëzve veprën e Jisuit për shpëtimin e tyre. Kjo është një dhuratë falas nga Perëndia, për të cilën nuk mund të ofrojë asgjë. Njeriu nuk mund të bëjë asgjë për të merituar këtë dhuratë dhe Perëndia nuk e imponon këtë gjë. Njerëzit i kanë kthyer ende shpinën Perëndisë dhe nuk pranojnë këtë shpëtim, të cilin Ai ua ofron falas.

  1. Që të bëhemi pjesëmarrës në shpëtimin e Perëndisë,
      duhet të bëjmë tri gjëra:

a. Të besojmë
Që të vijë te Perëndia një person, fillimisht duhet të besojë që Perëndia ekziston dhe që Ai ka vepruar në histori për shpëtimin e njeriut. Kjo është një nga pengesat e mëdha për shumë njerëz në shoqërinë e sotme. Pikëpamja pozitiviste dhe materialiste e shkencës dhe filozofisë ka shkatërruar mundësinë e shumë njerëzve të besojnë. Është detyra jonë të përgatitemi intelektualisht për t’i dhënë përgjigje vështirësive të ndryshme intelektuale. Nuk mund të themi thjesht që “kjo është doktrina e Kishës ose ky është mësimi i Kishës”. Kjo është e vërtetë dhe duhet të jetë e mjaftueshme, por në rrugën e gjatë duhet të marrim parasysh dobësitë dhe nevojat e njerëzve siç kanë bërë edhe Etërit gjatë gjithë shekujve. Duhet t’u japim përgjigje sfidave intelektuale të ditëve të sotme.

b. Të pendohemi
Pendimi është momenti kur një person ndryshon drejtimin e jetës së tij/saj. Ne jemi larguar nga Perëndia dhe po shkojmë drejt shkatërrimit, por tani ndryshojmë drejtim, kthehemi te Perëndia dhe kuptojmë që kodi i sjelljes që na ka dhënë Perëndia, nuk është që t’i vërë kufi kënaqësisë sonë, por të na udhëheqë te përmbushja e vërtetë. 

c. Të pagëzohemi
Pagëzimi është momenti kur bëhemi pjesë e Trupit të Krishtit dhe restaurojmë natyrën tonë. Ai është fillimi i udhëtimit të përjetshëm të shpëtimit, i cili rritet gjithnjë e më shumë me pjesëmarrjen tonë në natyrën Hyjnore.
Këto tri gjëra restaurojnë marrëdhënien e prishur, duke na dhënë faljen e mëkateve tona dhe ripërtëritjen e natyrës sonë e cila u dëmtua nga mëkati. Ky nuk është fundi i shpëtimit, por vetëm fillimi i tij. Restaurimi i marrëdhënies është ai në të cilën mund të vazhdojmë të jetojmë më pas dhe të rritemi gjatë gjithë kësaj jete dhe përjetësisë.

Disa këshilla praktike kur fillojmë të ndajmë besimin tonë me të tjerët
Gjëja e parë është të kuptojmë që nuk ekziston formulë për këtë gjë, secili person që takojmë është i ndryshëm. Ai/ajo është një person i çmuar, i krijuar në imazhin e Perëndisë, i cili është shumë i shtrenjtë për Perëndinë. Ngaqë e duam Perëndinë dhe Perëndia e do atë person, ne dëshirojmë të ripërtëritim marrëdhënien e tij me Perëndinë. Nuk mund t’i imponojmë vullnetin tonë askujt dhe nuk dëshirojmë të sjellim atë në marrëdhënie me Perëndinë nëpërmjet metodave mashtruese dhe të gënjeshtërta.

Mjeti ynë i parë dhe më i rëndësishëm për të sjellë të tjerët te Perëndia është jeta jonë në marrëdhënie me Perëndinë që shfaqim para njerëzve. Por, është e domosdoshme të jemi të gatshëm t’u shpjegojmë të tjerëve marrëdhënien që kemi me Perëndinë, në mënyrë që ata të vijnë tek Ai. Prezantimi ynë i Lajmit të Mirë te çdo person duhet të theksojë aspektin e Lajmit të Mirë që është me të vërtetë i mirë për atë.

Personit, i cili është i vetmuar dhe mendon që është keqtrajtuar dhe mashtruar në marrëdhëniet e tij, ju mund t’i thoni që: “Perëndia është i vetmi që nuk do të të zhgënjejë”. Perëndia i do ata më shumë seç mund ta imagjinojnë dhe Ai dëshiron të ketë një marrëdhënie me ta.

Personit, i cili është i vetëdijshëm për gjithçka që ka bërë gabim në jetë dhe ndien dhimbje për atë që u ka bërë të tjerëve, mund t’i thoni që Perëndia e do, që Jisui vuajti për mëkatet tona dhe që Perëndia do ta falë.

Personit që ndihet i pafuqishëm të bëhet një person i mirë – atij i cili përpiqet të bëjë çfarë mendon se është e drejtë, por që ndihet i pakënaqur mund t’i themi që Perëndia do ta ripërtërijë natyrën e tij. Perëndia do t’i japë atij fuqinë vetëm nëse ai i beson Atij për t’u bërë ajo që ky person kërkon të bëhet nëpërmjet Tij, ai mund të bëhet përsëri njeri i vërtetë.

Atyre që kanë pyetjet ekzistenciale: Pse ndodhem këtu? Ç’kuptim ka gjithë kjo? Ne mund t’i themi: Ti je këtu, sepse Perëndia të krijoi. Ai ka një plan të mrekullueshëm për ty. Në disa raste dhe në hidhërim të madh mund të nevojitet t’i themi personit që është i vetëkënaqur dhe i sigurt në mëkatin e tij:
“Perëndia është gjykatës i drejtë dhe ti do të vuash dënimin e merituar për ato që bën”.  Nëse themi këtë, duhet gjithashtu të jemi të shpejtë të themi që Perëndia është i mëshirshëm dhe do ta falë atë, që Krishti e do atë dhe vuajti në vend të tij, nëse ai do ta pranojë atë.

Personit, i cili beson që ka Perëndi dhe nuk ka rëndësi ç’fe ndjek ose që është i bindur për një fe tjetër, mund t’i themi që ekziston një Perëndi që ka shfaqur vetveten në histori. Nëse dëshirojmë të njohim Perëndinë e vërtetë dhe të kemi një marrëdhënie me Të, duhet t’u kushtojmë vëmendje atyre që Ai ka zbuluar për veten.
Duhet të përqendrohemi veçanërisht te personi i Krishtit, dhe faktit që Ai është mishërimi unik i Perëndisë. Kjo duhet bërë me dashuri që të mos sulmojmë besimin e personit tjetër, por ta sjellim atë te Krishti.
Këto janë vetëm pak shembuj. Secili person është unik dhe duhet t’i afrohemi me dashuri si person dhe jo si objekt ungjillëzimi.
Nathan Hoppe(2006)
Përktheu Joan Baba


No comments:

Post a Comment