93% e të gjithë maturantëve
të shkollave të mesme e ka provuar alkoolin, drogën më të përdorur në shoqërinë
tonë. Ndryshe nga drogat më të forta, si
heroina, alkooli pranohet nga shumë segmente të shoqërisë. Shumë njerëz nuk
janë të ndërgjegjshëm për fuqitë e tij shkatërruese.
Dhjetë
milion amerikanë e pranojnë që janë alkoolistë. Ka mundësi që një numër i
përafërt njerëzish të kenë probleme me pirjen e alkoolit,
por që nuk e pranojnë kurrë këtë fakt.
Cilat
janë problemet që shoqërojnë përdorimin e tepërt të alkoolit?
A
pini cigare? Nëse pini, jeni pjesë e një grupi që po zvogëlohet çdo vit. Në 2
dekadat e fundit, përqindja e amerikanëve që pijnë duhan është përgjysmuar.
Ndërkohë që njohuria për rreziqet e shëndetit nga përdorimi i duhanit rritet,
pirja e duhanit bëhet më pak e pranueshme për shoqërinë. Madje edhe ndër
adoleshentët norma e pirjes së duhanit nuk ka ndryshuar. Afërsisht vetëm 1 në 5
adoleshentë pi duhan. Megjithatë për një grup të madh adoleshentësh pirja e
duhanit mbetet ‘gjëja për t’u bërë’.
Ajo mund të sjellë pranimin në një grup shokësh dhe një ndjenjë të gabuar gëzimi që je në atë grup.
Ajo mund të sjellë pranimin në një grup shokësh dhe një ndjenjë të gabuar gëzimi që je në atë grup.
Pse
ju ose njerëzit që njihni vazhdojnë të pijnë duhan pavarsisht se i dini rreziqet e tij? Disa duhanpirës thjesht
thonë se kënaqen me pirjen e duhanit, prandaj nuk duan të heqin dorë nga
zakoni. Megjithatë, shumë duhanpirës, veçanërisht femrat, thonë se s’munden ta
lënë duhanin.
Pse
është kaq e vështirë lënia e duhanit? Pse duhet ta lini duhanin?
Pasojat e
menjëhershme të konsumimit të alkoolit
Pijet
alkoolike përmbajnë etanol C2H5OH. Molekula e etanolit
është shumë e vogël; prandaj ajo hyn shpejt në gjak nëpërmjet zorrës së hollë.
Ky proces mund të zgjasë më pak se dy minuta. Mëlçia metabolizon ose përpunon
alkoolin. Çfarë ndodh nëse një person pi alkool më shumë nga ç’mund të
përpunojë mëlçia? Një pjesë e tepricave të alkoolit në gjak nxirret jashtë me
anë të veshkave. Gjithashtu edhe mushkëritë nxjerrin një pjesë, gjë që shpjegon
frymëmarrjen karakteristike të personit i cili ka pirë shumë. Megjithatë pjesa
më e madhe e alkoolit qarkullon në gjak derisa përpunohet nga mëlçia.
Një
personi i cili peshon 70 kg i duhet rreth një orë e gjysmë për të metabolizuar
një të pirë alkoolike. Një e pirë alkoolike përbëhet nga 0.3408
litra birrë, 0.1136 litra verë ose 0.0284 litra pije e fortë alkoolike.
Nëse
një person pi më shumë se një e pirë
alkoolike në çdo 1,5 orë, niveli i alkoolit në gjak do të rritet. Sa më e vogël
pesha e personit, aq më ngadalë mëlçia e atij personi e metabolizon alkoolin.
Nëse niveli i alkoolit në gjak shkon më lart se një pikë e caktuar, personi
dehet. Konsumimi i shpejtë i sasive të mëdha të alkoolit, siç është kthimi me fund, është tepër i rrezikshëm dhe madje mund
të jetë fatal. Kur të shihni se si vepron alkooli, atëherë do ta kuptoni
arsyen.
Alkooli
është një qetësues që prek pothuajse çdo organ të trupit. Alkooli fillimisht
shtyp pjesën e korteksit celebral që kontrollon llogjikën dhe ndrojtjen. Humbja
e ndrojtjes mund ta bëjë një person të ndjehet i lumtur dhe entuziast.
Megjithatë ajo mund të shkaktojë edhe veprime të pamenduara dhe të
pakontrolluara që më vonë mund të rezultojnë problematike. Të ngasësh makinën
gjatë kësaj kohe kur llogjika është e zvogëluar
sjell katastrofë. Ngarja e makinës kërkon që shoferi të jetë në gjendje
të marrë vendime mjaft të shpejta në çdo kohë. Ndërkohë që niveli i alkoolit në
gjak rritet, pjesa e trurit që përgjigjet për të parit dhe të folurit shtypet.
Kjo shkakton shikim të turbullt dhe të folur të paqartë. Përveç kësaj edhe pjesa
e trurit që kontrollon muskujt e komandueshëm dëmtohet duke shkaktuar humbje
koordinimi. Në mbi 60 % të aksidenteve automobilistike me pasojë vdekjen,
shoferi ka përdorur alkool. Çdo vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhin
rreth 7 mijë vdekje të tilla të adoleshentëve. Në fakt, aksidentet që lidhen me
alkoolin janë shkaku numër një i vdekjeve ndër adoleshentë.
Shkencëtarët
mendojnë se 10 mijë qeliza të trurit shkatërrohen çdo herë kur konsumohet një e pirë alkoolike. Kur niveli i
alkoolit në gjak është shumë i lartë, qendra në tru për frymëmarrjen shtypet
dhe sjell vdekjen. Adoleshentët që kanë fatin e mirë të shërohen nga përvoja
pothuajse fatale me alkolin kanë shfaqur disa dëmtime në tru dhe në nerva.
Alkooli në zorrën e hollë vazhdon të hyjë në gjak edhe pasi të keni ndaluar së
piri alkool, madje edhe nëse humbni ndjenjat. Nëse pini ngadalë një sasi të
madhe alkooli, vdekja nuk ka të ngjarë të ndodhë ndonëse ekzistojnë pasojat
afatshkurtra si të vjellat, humbja e ndjenjave dhe dhimbjet e kokës.
Pasojat e pirjes
së alkoolit për një kohë të gjatë
Përgjithësisht
njerëzit që pijnë alkool me raste dhe në sasira mesatare nuk kanë probleme me
alkoolin. Megjithatë, disa njerëz bëhen fizikisht dhe psikologjikisht të varur
nga alkooli. Kjo gjendje quhet alkoolizëm.
Faktet
shkencore tregojnë që prirja kundrejt alkoolizmit mund të jetë gjenetike.
Fëmijët e alkoolistëve janë 2 deri në 4 herë më të prirur të bëhen alkoolistë
sesa fëmijët e jo-alkoolistëve. Gjysma e të gjithë alkoolistëve kanë të paktën
një të afërm gjaku që është alkoolist. Kjo nuk do të thotë që nëse njëri nga
prindërit tuaj është alkoolist edhe ju do të jeni i tillë. Por ekzistenca e një
alkoolisti në familje vepron si një flamur i kuq që paralajmëron rrezik.
1
në 15 adoleshentë që pijnë alkool bëhet alkoolist. Në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës numërohen 3,5 milion alkoolistë adoleshentë. Varësia nga alkooli nuk
kërkon domosdoshmërisht vite që të
krijohet. Për disa muaj alkooli mund të
bëhet qendra e jetës për përdoruesin. Për të kënaqur dëshirën për alkool disa
njerëz kanë pirë alkool isopropil ose alkool metilik dhe janë helmuar. Të dyja
këto substanca edhe kur merren në sasi të kufizuara kanë pasoja fatale.
Alkoolizmi
është një sëmundje që mund të kontrollohet, por që nuk mund të kurohet.
Pamundësia për të lënë alkoolin është një gjendje e përhershme. Kujtoni që
alkooli errëson shpejt llogjikën. Vetëm një
e pirë mund të ulë vendosmërinë e alkoolistit për të mos përdorur tepër
alkool. Për këtë arsye alkolistët nuk janë në gjendje të kenë nën kontroll
sasinë e alkoolit që konsumojnë. Prandaj duhet që ata të ndalojnë plotësisht së
piri alkool. Alkoolizmi shkurton jetëgjatësinë mesatarisht me 12-vjet.
Alkoolistët rrezikohen nga shumë probleme të shëndetit. Ezofagu, stomaku dhe
zorrët mund të infektohen. Adoleshentët që pinë shumë alkool përjetojnë
probleme të vazhdueshme të tretjes. Pankreasi dhe truri mund të dëmtohen.
Funksioni metabolik i mëlçisë mund të përkeqësohet duke shkaktuar shumë
reaksione kimike në trup. Shpesh alkoolistët nuk kanë një dietë të qëndrueshme për shkak se
përqindja e lartë e nevojave të tyre për kalori plotësohet nga alkooli. Kjo
mund të shkaktojë mungesë vitaminash dhe gjendje të dobët shëndetësore. Të
ushqyerit e pakët mund të ulë rezistencën e alkoolistit ndaj sëmundjeve.
Një
pasojë e mundshme afatgjate e pirjes së alkoolit është cirroza e mëlçisë.
Qelizat e shëndetshme të mëlçisë pak nga pak zëvendësohen nga indet e plagëve.
Si pasojë, mëlçia bëhet më pak e aftë të funksionojë. Realisht, cirroza mund të
sjellë vdekjen.
Një
alkoolist mund të fillojë të ketë një gjendje serioze mendore të quajtur
psikozë alkooli. Haluçinacionet dhe humbjet serioze të kujtesës janë
karakteristikë e psikozës së alkoolit. Kjo gjendje mund të shkaktohet
pjesërisht nga dëmtime në tru dhe pjesërisht nga mungesa e vitaminave B.
Pasojat e pirjes
dhe përdorimit të duhanit
Janë
dy faktorë që e bëjnë duhanin të vështirë për ta lënë. Së pari, duhani shkakton
varësi psikologjike dhe së dyti nikotina, një nga shumë substancat e dëmshme në
tymin e cigares, shkakton edhe varësi
fizike. Kështu pra, cigaret shkaktojnë edhe varësi fizike edhe varësi
psikologjike.
Përveç
nikotinës, tymi i cigares përbëhet edhe nga gazra e pjesëza të vogla. Këto
substanca dëmtojnë qerpikët dhe membranat jargore që mbështjellin kanalet e
frymëmarrjes. Qerpikët e shëndetshëm shtyjnë sipër pjesëza të huaja duke i
ruajtur të pastra mushkëritë. Kur qerpikët dëmtohen, pjesëza katrani
grumbullohen në kanalet e frymëmarrjes. Kolla e duhapirësit rrjedh nga
përpjekja për të pastruar kanalet e frymëmarrjes nga pjesëzat e
grumbulluara.
Tymi
i duhanit dëmton gjithashtu edhe strukturën e mushkërive. Pirja e duhanit për
një kohë të gjatë mund të bëjë që të çahen muret e alveolës. Ky dëm zvogëlon
ndjeshëm zonën sipërfaqësore për shkëmbimin e gazit. Kjo gjendje e quajtur
emfizemë redukton sasinë e oksigjenit që futet në mushkëri dhe mund të jetë
fatale.
Pasoja
më e njohur e pirjes së tepër të duhanit është kanceri i mushkërive. Lëndët
kimike në tymin e duhanit shkaktojnë ndryshime brenda qelizave të mushkërive.
Këto ndryshime mund të çojnë në kancer. Vdekja nga kanceri i mushkërive ndodh
rreth 10 herë më shumë tek duhanpirësit sesa tek ata që nuk pinë duhan.
Në
mushkëri, nikotina hyn në gjak. Në gjak nikotina shkon në të gjitha pjesët e
trupit. Ajo bën që enët e gjakut të tkurren ose të ngushtohen. Kur gjaku kalon
nëpër enët më të ngushta presioni i tij rritet. Ky presion i rritur e vë
duhanpirësin në rrezik të lartë nga probleme të tilla si: çarje të enëve të
gjakut dhe atak zemre. Gjithashtu pirja e cigares ndikon në sëmundjen e
arterieve dhe aterosklerozës.
Sistemet
e frymëmarrjes dhe të qarkullimit të gjakut nuk janë pjesët e vetme të trupit
që dëmtohen nga pirja e duhanit. Pirja e cigares shoqërohet me ulçër në kanalet
tretëse. Kanceri i laringut, gojës, ezofagut, fshikëzës dhe pankreasit lidhen
gjithashtu me pirjen e duhanit.
Ndoshta
si shumë nga moshatarët tuaj, ju nuk shqetësoheni në mënyrë të veçantë për atë
që mund t’ju ndodhë pas 40 vjetësh. Madje mund të mendoni që në atë kohë ju do
të jeni shumë plak për t’u prekur nga sëmundja e zemrës dhe kanceri i
mushkërive dhe shkencëtarët do të kenë gjetur një kurë për to. Madje edhe nëse
kjo ndodh (nuk ka asnjë garanci), pirja e duhanit mbetet e dëmshme pasi
shkakton edhe probleme të tjera me pasoja më immediate.
Cilat
janë disa nga këto pasoja?
Nëse
je atlet do të kesh më shumë vështirësi në frymëmarrje kur pi duhan duke
dëmtuar edhe performancën tënde. Nikotina njollos dhëmbët tuaj. Duhani i jep
frymës suaj erë të qelbur. Mos harroni që sëmundja e zemrës është vrasësi numër
një në Amerikë dhe kanceri është vrasësi numër dy. Këto sëmundje kontribuojnë
në 350 mijë vdekje ose mbi gjysmën e vdekjeve për çdo vit në Shtetet e
Bashkuara. Përderisa pirja e duhanit është një faktor që shkakton të gjitha
këto sëmundje dhe përderisa ai është skllavërues është më se e arsyeshme të mos
pimë duhan. Nëse tashmë pini duhan, është mjaft e arsyeshme ta lini.
Në
përpjekje për të minimizuar dëmet ndaj mushkërive, disa ish-duhanpirës kanë
filluar të përdorin duhan që mblaçitet, ose duhan pa tym. Megjithatë, kërkimet
e tanishme tregojnë që përdorimi i duhanit që mblaçitet mund të shkaktojë
sëmundje të mishit të dhëmbëve dhe rënie të dhëmbëve. Gjithashtu duhani që
mblaçitet shoqërohet shpesh nga kanceri i gojës. Lëkura në mishin e dhëmbëve,
në buzë dhe në anët e brendshme të faqeve fillon të ketë pulla të bardha nga
kontakti me lëngun e duhanit acid. Kjo
gjendje nëse nuk vihet nën kontroll mund të çojë në kancerin e gojës. Trajtimi
i kancerit të gojës shpesh përfshin operacion që shëmton fytyrën siç është
heqja e në pjese të nofullës. Ndonjëherë ai është i pakurueshëm. Kanceri i
gojës është një lloj kanceri veçanërisht i rrezikshëm, i quajtur kancer i
qelizave luspore. Ai dallohet për shpejtësinë me të cilën përhapet në trup.
Vdekje nga përhapja e kancerit të gojës i shkaktuar nga duhani pa tym ka
ndodhur në 18 vjeçarë.
Pasojat e pirjes
së duhanit tek të tjerët
Ka
shumë fakte që tregojnë se tymi i duhanit nga cigaret e duhanpirësve dëmton ata
që nuk pinë duhan. Ky tym i quajtur përmban sasira më të mëdha të shumë lëndëve
kimike të dëmshme sesa tymi që thithet direkt nga duhanpirësi. Madje edhe nëse
nuk pini duhan, por jeni në dhomë me duhanpirës tymi nga cigaret e tyre do të
dëmtojë shëndetin tuaj. Nëse keni alergji, azëm, ose probleme të tjera të
mushkërive, tymi i duhanit do t’i përkeqësojë ato.
30
milion amerikanë kanë sëmundje që kanë të bëjnë me zemrën dhe mushkëritë. Këto
probleme përkeqësohen nga tymi i cigareve të të tjerëve. Foshnjat, prindërit e
të cilëve pinë duhan ka më shumë të ngjarë të kenë pneumoni ose bronkit gjatë
vitit të tyre të parë sesa foshnjat që jetojnë në një shtëpi ku nuk pihet
duhan. Faktet gjithnjë në rritje që tregojnë se pirja e duhanit është një
rrezik edhe për ata që nuk pinë duhan kanë shtuar përpjekjet për të kufizuar
pirjen e duhanit në vendet publike. Urdhëresat për mospirjen e duhanit, siç
janë edhe programet e trajtimit të atyre të cilët duan të lënë duhanin po
fitojnë popullaritet.
Dëmi
i shkaktuar nga pirja e cigares nuk mbetet i përhershëm. Nëse një person e lë
duhanin mushkëritë e tij mund të rikthehen në gjendjen normale dhe të
shëndetshme. Qerpikët e dëmtuar rifillojnë rolin e tyre shtytës dhe mushkëritë
gradualisht fillojnë të pastrohen nga katrani.
Joan Baba (2005)
No comments:
Post a Comment