Të Martën e Madhe e të shenjtë përkujtojmë paravolinë e dhjetë Virgjëreshave prej Ungjillit të Shenjtë. Mattheu 24:36-26:2
Më e madhja e të martave na sjell dhjetë virgjëreshat.
Fitore i sjellin kryezotit të paanshëm.
Po, o Dhëndër Krisht, numërona me pesë virgjëreshat e urta, bashkona me grigjën tënde të zgjedhur dhe mëshirona. Amin.
Tropare kishtare për të Martën e Madhe
Unë që dremita nga mefshëri e shpirtit, o Dhëndër Krisht,
s’kam llambadhë vitutesh të ndezur dhe u shëmbëlleva vajzave të çmendura
dhe dremit në kohë të punës;
po ti shkundma gjumin e errët,
zgjomë dhe futmë bashkë me virgjëreshat e urta në nusëroren Tënde,
ku mbretëron tingull i qartë i atyre që kremtojnë dhe thërresim pa pushim: Lavdi më ty, o Zot.
Duke patur ndër mend orën e fundit, o shpirti im,
e duke u frikësuar nga prerja e fikut,
punoje me zell talentin që të është dhënë, o i mjerë,
duke vigjëluar e duke thirrur:
Le të mos mbetemi jashtë nusërores së Krishtit.
Përse fle, o shpirti im i mjerë?
Përse shkon ndër mend gjërat të kota;
përse merresh me gjërat që rrjedhin?
Ora e fundit është që tani e tutje,
dhe do të ndahemi nga të këtushmet.
Sa ke kohë, zgjohu duke thirrur: Kam mëkatuar përpara teje, o Shpëtimtari im:
mos më pre, si fikun e pafrut,
por si i dhembshur, o Krisht, kij mëshirë kur të thërres me frikë:
Le të mos mbetemi jashtë nusërores së Krishtit.
Eni, o besnikë, le të punojmë me gjithë zemër për Zotin;
se ai ua ndan pasurinë shërbëtorëve;
dhe cilido sipas mundësisë le ta shumëzojë talentin e hirit;
kush le të stolisë urtësinë e tij me vepra të mira,
kush le të mbajë meshë shkëlqimi, e le ta përhapë besërisht fjalën te i padituri;
dhe tjetri le ta shpërndajë pasurinë e tij ndër të varfrit,
se kështu do ta shumëzojnë huan dhe si kursimtarë besnikë të hirit, do të vlerësohemi për gëzimin zotëror. Për këtë vlerësona, o Krisht Perëndi, si njeridashës.
Kur të vish në lavdi me fuqitë engjëllore e të rrish në fron gjyqi, o Jisu,
mos më ndaj veçantë, o Bari i mirë;
se ti di udhët e djathta;
të majtat janë të shtrembra;
mos më humb pra, bashkë me dhitë mua të rreptin në mëkat,
po numëromë bashkë me dhentë më të djathtë dhe shpëtomë si njeridashës.
O Dhëndër, më i hijshmi në bukuri nga gjithë njerëzit,
që na ftove në darkë shpirtërore të nusërores Sate,
zhvishja fajet fytyrës sime të neveritshme
dhe si të më stolisësh me stolinë e lavdëruar të bukurisë sate,
tregomë darkëtar gazmor të mbretërisë sate, si i zemërdhembshur!
No comments:
Post a Comment