Java e Madhe
Është java e fundit të jetës së Jisu Krishtit mbi tokë, ndaj dhe quhet Java e Madhe. Kjo është quajtur gjithashtu edhe Java e Pësimeve ose, siç është më njohur, Java e Shenjtë.
Ja si e përshkruan tropari i Kishës sonë fillimin e saj:
“Jav’ e madhe e shenjtë nis me shkëlqim, me pësimet e Krishtit plot me vajtim; eni pra dhe priteni, kremtojeni besёrisht. Krijuesi ja ku vjen, tё vuajё Kryq pёr ne, me hetime dhe kamxhik pёrpara gjykatёsit; pret pёr ne shuplaka, dhe pёrqeshje prej robërish, të gjitha po i pranon, pёr shpëtimin e njerëzve. Prandaj pra, thirrini: O Krisht Perёndi dhe Zot, ti dhurona ndjesën e mëkateve, qё t’adhurojmё me besë, Pësimet e hidhura”.
E Hëna e Shenjtë
Në ditët që pasojnë hyrjen e Tij në Jerusalem, Krishti foli me dishepujt e tij rreth shenjave që do të paraprijnë Ditën e Fundit (Matth. 24:25). Atje gjejmë diskutimin e madh eskatologjik të Jisuit. Shenjat dhe lajmërimin e Fundit. “Qielli dhe toka do të largohen, por fjalët e MIA nuk do të zhduken”.
Kjo përbën temën e pjesës së parë të Javës së Shenjtë, Mbretërinë e Perëndisë. Kur Jisu Krishti vdiq mbi kryq “jetës normale” i erdhi fundi i saj; fillon Mbretëria e Perëndisë.
Funksionimi i këtyre tri ditëve është të lajmërojë fillimin e jetës së re dhe të na përgatisë për kuptimin dhe pranimin e tij. Kjo temë zbulohet në himnin e përbashkët të këtyre tri ditëve: E Hëna, E Marta dhe e Mërkura e Shenjtë:
“Ja se ku vjen dhëndri në mes të natës dhe lum shërbëtori që do ta gjejë të zgjuar dhe mjerë ai të cilin do ta gjejë mendjefjetur. Shiko pra, o shpirti im, mos mundesh prej gjumit që të mos përjipesh tek vdekja dhe të mbyllesh jashtë mbretërisë, por zgjohu duke thirrur: I Shenjtë, i Shenjtë, i Shenjtë, je o Perëndi, me ndërmjetimet e Shën Marisë, shpëtona”.
Ky himn është bazuar në paravolinë e dhjetë virgjëreshave, që lexohet në Shërbesën e Mëngjesores në të Martën e Shenjtë dhe është një thirrje që ne e kemi dëgjuar në mjaft raste gjatë kreshmës. Fundi është pranë; ji i kujdesshëm, pendohu ndërsa je ende në kohë.
Në Shërbesën e Mëngjesores së të Hënës së Shenjtë (ndërsa këndohet zakonisht të Dielën në mbrëmje), ne dëgjojmë historinë e pemës së fikut, simbol i gjykimit që do t’u ndodhë atyre që nuk tregojnë fryte pendimi. (Marku 1:12-20)
Kjo është mrekullia që përkujtohet në të Hënën e Shenjtë. Pema e pastër e fikut është simbol i botës së krijuar për të mbartur frytet shpirtërore, por që dështuan në përgjigjen që i dhanë Perëndisë. Shumë njerëz, në veprat e besimit shfaqen si “një pemë me gjethe”, pa një shenjë të frutave jeshile. Ai ngjante, gjithashtu, me disa nga farisenjtë e asaj periudhe.
“Le tё marrim shembull nga tharja e fikut, edhe le tё sjellim pemё pendimi, qё tё shpёtojmё nga dёnimi, dhe le t’i lutemi Krishtit, tё na dhuronjё pёrdёllimin e madh”. (tropar)
Ggjithashtu përkujtojmë Josifin e bekuar, vuajtjet e pafajshme të të cilit (Gjen. 37-40), paraqesin Pësimin e Krishtit.
Ne gjithashtu i referohemi Josifit, sepse jeta e tij ishte një model i virtytetve dhe i principeve etike. Jisu Krishti, pas mrekullisë me pemën e fikut shkoi në Tempull dhe përzuri blerësit dhe shitësit. Ai tregoi autoritetin hyjnor në kryerjen e këtij pastrimi. Hiqini këto gjëra: Nuk do ta bëni shtëpinë e Atit tim si një shtëpi tregu! (Matth. 21:12-13 dhe Joan 2:16).
Reagimi i priftërinjve, i shkruesve dhe i drejtuesve të njerëzve ishte i menjëhershëm. Ata filluan të kërkonin mënyra për ta vrarë Jisu Krishtin.
Nga libri: "Viti Liturgjikal"
No comments:
Post a Comment