Kur Krishti hyn në zemër, jeta jote ndryshon!



Kur Krishti hyn në zemër, jeta jote ndryshon!

Kur Krishti hyn në zemrën tënde, pasionet zhduken. Nuk mund të betohesh, të urresh, të kërkosh hakmarrje ose të tjera si këto. Si mund të ketë urrejtje, mospëlqime, kritika, egoizma, ankthe, mërzitje? Ajo që mbizotëron është Krishti – dhe dëshira për dritën e paperënduar. Kjo dëshirë të bën të ndiesh që vdekja është një urë që do ta kalosh në një moment të caktuar, për të vazhduar jetën me Krishtin.

Këtu në tokë kemi një pengesë ndaj na nevojitet besimi. Kjo pengesë është trupi. Megjithatë, pas vdekjes besimi shfuqizohet dhe ne e shikojmë Krishtin ashtu si shikojmë diellin. Sigurisht që në përjetësi do të përjetojmë çdo gjë më intensivisht. Kur jeton pa Krishtin, ti jeton i zhytur në mërzitje, dhimbje, ankth dhe shqetësim. Nuk jeton si duhet. Atëherë shumë çrregullime shfaqen në trupin tënd…Pastaj të thonë: “Që të shërohesh, duhet të hash mirë në mëngjes, qumësht, vezë, gjalpë, dhe tostë (bukë të thekur)”. Por nëse jeton si duhet, nëse do Krishtin, ti je mirë edhe me një portokall ose një mollë.

Mjekimi i parë më i mirë për ty është të përkushtohesh në adhurimin e Krishtit. Çdo gjë do të shërohet. Çdo gjë do të funksionojë normalisht. Dashuria e Perëndisë transformon çdo gjë; ajo shenjtëron, përmirëson, dhe ndryshon natyrën e çdo gjëje.

Shpirti yt do të ngushëllohet shumë kur ka etje për Zotin. Kështu nuk do të shqetësosh veten për gjërat e përditshme dhe të vogla, por do të përkujdesesh për gjërat më të rëndësishme dhe shpirtërore. Do të jetosh në botë shpirtërore. Kur jeton në botë shpirtërore, je në botën në të cilën shpirti yt kënaqet dhe për të cilën ka mall. Kjo nuk do të thotë të jesh indiferent ndaj të tjerëve. Ti lutesh që çdo njeri të gjejë shpëtimin, dritën dhe shenjtërimin dhe secili të bëhet pjesë e Kishës.

Atë Porfiri: "Wounded By Love"