Pranoje dhuratën Time me nderim dhe përulësi


Të flas nga thellësia e përjetësisë. Para se bota të krijohej, UNE JAM!
“Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot e përjetë ti je Perëndia”. Ps. 90:2

Ti më dëgjon në thellësi të qenies sate, aty ku Unë kam banesën time.
Unë jam Krishti në ty, shpresa e Lavdisë.
“ … të cilëve Perëndia deshi t’ua bëjë të njohur se cila është pasuria e lavdisë së këtij misteri ndër paganë, që është Krishti në ju, shpresa e lavdisë”. Kol. 1:27


Unë, Zoti dhe Shpëtimtari yt, jetoj në ty. Mëso të jetosh në Praninë time të gjallë duke më kërkuar në heshtje.
Ndërsa përgatitesh të festosh mrekullinë e Lindjes sime në Bethlehem, festo edhe pagëzimin dhe rilindjen tënde për në jetën e përjetshme. Dhurata e jetës së përjetshme ishte qëllimi i vetëm i Ardhjes Sime në botën tënde të njollosur prej mëkatit.

Pranoje dhuratën Time me nderim dhe përulësi.
Gjej kohë për të mësuar më shumë për përmasat e pafundme të Dashurisë Sime.
Lejo mirënjohjen të burojë lirshëm prej zemrës sate si përgjigje ndaj dhuratës Sime të lavdishme.
Paqja ime le të mbretërojë në zemrën tënde dhe ji mirënjohës.
“Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës”! Kol.3:15