Shpëtimtari dëshiron të na mbushë me teprinë e jetës shpirtërore.
Pafundësisht i butë ndaj dobësive njerëzore, gjithmonë i gatshëm për të
mëshiruar pafuqishmërinë tonë, Ai, megjithatë, dëshiron të na shikojë të
fuqishëm, të sigurt, të palëkundur në besimin tonë, lambadhë gjithmonë
të ndezura që ndriçojnë rreth e qark nesh.
Jeta jonë e brendshme
shpirtërore nuk kërkon një lavdi të bujshme, përkundrazi, frytet e saj
më të pasura piqen pa u vënë re, në hije.
Heroizmi i madh i
Shpëtimtarit u krye në qetësi, u realizua atëherë fjala profetike: “Ai
nuk do të thërrasë, as do ta ngrejë zërin dhe as do të mbajë fjalime me
zë të lartë në rrugë.” (Mat:12;19).
Fjalët me zë të lartë, shkëlqimi dhe
buja e jashtme nuk përbëjnë forcën morale, ajo rritet dhe forcohet në
përulësi, “Perëndia u jep bekim të përulurve”. Vetëm dashuria mund t’i
përgjigjet nevojës së madhe që na rrethon kudo; neve na duhet tepria e
dashurisë që të kemi teprinë e jetës.
Megjithatë, ne të gjithë e njohim
varfërinë e jetës sonë shpirtërore; ne jemi të dobët, ne jemi të
pafuqishëm nën peshën e shqetësimeve dhe të fatkeqësive, ne jemi të
pafuqishëm para pengesave, burimi i dashurisë sonë shteron qysh në
ndeshjen e parë me të keqen; ne nuk kemi se me çfarë të plotësojmë
nevojën e vëllezërve tanë, sa shpesh ne i japim gurë atij që na kërkon
bukë! Por, kur zemra jonë mbushet me jetën e Krishtit, “ju duhet të kini
po ato ndjenja, që ka dhe Jisu Krishti,” (Fil:2;5), atëherë edhe jeta
jonë do të shndërrohet në bekim për të gjithë njerëzit që na rrethojnë.
Përsa kohë që ne nuk do të marrim këtë tepri të jetës dhe të dashurisë,
zemra jonë do të jetë e zbrazët dhe e ekzistenca jonë e padobishme. Për
këtë ne duhet të lutemi, këtë të kërkojmë para së gjithash. Drita e
Krishtit, dashuria e Tij do të na mbushë me gëzim jotokësor, i Cili do
të mposhtë të keqen e botës dhe fatkeqësinë e saj. Fryma e Krishtit do
të na mbushë me teprinë e jetës, të cilën ne do ta derdhim në dashurinë
për të gjithë dhe për secilin.