Tre pemët



Tre pemët
Mbi një kodër në pyll ndodheshin tre pemë. Një ditë ato po diskutonin për shpresat dhe ëndrrat e tyre.
Pema e parë, tha: “Unë shpresoj të bëhem arkë xhevahiresh, të mbushem me flori, argjend dhe margaritarë të çmuar. Të zbukurohem me gdhendje të shumta dhe të gjithë të shohin bukurinë time”.
Pastaj pema e dytë vazhdoi: “Ndërsa unë dua të bëhem anije e fuqishme, të çoj mbretër dhe mbretëresha rreth e qark ujërave dhe të lundroj në çdo cep të botës. Të gjithë të ndihen të sigurt tek unë për shkak të fuqisë së skeletit tim”.
Së fundi pema e tretë tha: “Unë dua të rritem dhe të bëhem pema më e gjatë dhe më e drejtë në pyll. Njerëzit të më shohim në majë të kodrës, të vështrojnë degët e mia dhe të mendojnë për Parajsën dhe Perëndinë se sa afër tyre unë po shkoj. Unë dua të jem pema më e madhe e të gjitha kohërave dhe njerëzit gjithmonë të më kujtojnë”.
Pas pak vitesh lutjeje që ëndrrat e tyre të bëheshin realitet një grup druvarësh iu afruan pemëve. Kur njëri iu afrua pemës së parë tha: “Kjo duket si një pemë e fortë, mendoj se do të jem në gjendje t’ia shes drurin ndonjë marangozi”, dhe ai filloi ta priste atë sa më pranë rrëzës. Pema u kënaq, sepse e dinte se druvari do ta kthente atë në një arkë thesari.

Kur u afruan tek pema e dytë druvari tjetër tha: “Kjo duket si pemë e fortë, do të jem në gjendje ta shes atë në ndonjë vend ku ndërtohen anijet.” Pema e dytë u gëzua, sepse e dinte që ajo do të bëhej një anije e fuqishme.
Kur druvarët iu afruan pemës së tretë, ajo u frikësua, sepse e dinte se nëse ata e prisnin, ëndrra e saj nuk do të bëhej realitet.
Një nga druvarët tha: “Nuk kam nevojë për ndonjë gjë të veçantë nga kjo pemë, thjesht do ta pres dhe drurin e saj do ta marr me vete”.
Pasi tha këto fjalë filloi ta priste edhe pemën e tretë.
Pemën e parë e çuan tek marangozët dhe ata me drurin e saj bënë një grazhd ku të mund të ushqeheshin kafshët. Pastaj e vendosën në një stallë dhe e mbushën me kashtë. Kjo gjë nuk ishte ajo për të cilën pema qe lutur.
Ndërsa me drurin e pemës së dytë ata bënë një varkë të vogël lundrimi. Endrra e saj për t’u bërë një anije e fuqishme, për të mbajtur mbretër, për të lundruar në çdo cep të botës, nuk ishte realizuar.
Fatkeqësisht pemën e tretë e prenë në copa të mëdha dhe drurin e saj e lanë në errësirën e një bodrumi.
Vitet kaluan dhe të treja pemët i harruan ëndrrat e tyre.
Por një ditë një burrë dhe një grua ngelën pa strehë në mes të dimrit dhe u strehuan në një stallë. Ajo lindi dhe ata e vendosën fëmijën në grazhdin që ishte bërë nga druri i pemës së parë. Burri do të dëshironte që të kishte një djep për foshnjën, por ai grazhd i stallës u desh të përdorej si i tillë. Pema mundi të ndjente rëndësinë e kësaj ngjarjeje dhe e dinte që kishte mbajtur thesarin më të madh të të gjithave kohërave, Jisu Krishtin-foshnje.
Vite më vonë një grup burrash hipën në një varkë peshkimi që ishte bërë nga druri i pemës së dytë. Një nga ata ishte i lodhur dhe shkoi të flinte.
Ndërsa ata po lundronin, një stuhi e madhe u ngrit dhe druri i pemës nuk mendoi se ishte mjaft i fortë për t’i ruajtur burrat. Ata e zgjuan njeriun që po flinte dhe Ai u çua dhe tha: “Paqe” dhe stuhia pushoi. Në këtë kohë, pema e kuptoi se kishte mbajtur në varkën e vet Mbretin e Mbretërve,
Së fundi, dikush erdhi dhe e mori drurin e pemës së tretë. E hodhi mbi supet e tij dhe eci me të drejt Golgothasë. Njerëzit e shihnin dhe talleshin me Të, por kur erdhi e djela pema e kuptoi që druri i saj ishte mjaft i fortë të qëndronte në majë të kodrës dhe të ishte pranë Perëndisë, sepse Jisui ishte kryqëzuar mbi të.