Kur ndihesh sikur s’mundesh më!



Më vjen keq që je lënduar kaq shumë tani. Unë e di sa të dhimbshme mund të jenë sekondat, minutat, ditët, dhe sa  të gjata netët.
E kuptoj sa shumë e vështirë është të durosh, dhe sa shumë kurajë nevojitet.
Megjithatë të lutem, duro edhe një ditë më shumë. Vetëm një ditë, dhe me ngadalë ky dëshpërim do të kalojë. Ndjenjat e frikës që të ka pushtuar do t’u shërbejnë qëllimit të tyre, dhe më vonë do të zhduken. E vështirë ta mendosh, apo jo? Është pothuajse e pamundur ta besosh, kur çdo qelizë e trupit tënd duket sikur bërtet me agoni dhe dhimbje, duke patur nevojë të tmerrshme për ngushëllim. Kur të duket sikur e vetmja gjë në të gjithë botën që mund të prekë dhimbjen tënde dhe ta largojë është përtej mundësive të tua. Dhe pas gjithë kësaj kohe, siguria që ti do të shërohesh është kthyer në një premtim të shkatërruar dhe bosh.
Duro, sepse ia vlen kjo pritje e padurueshme.
Duro, sepse ti ke vlerë.

Duro, sepse urtësia që do të fitosh pas kësaj errësire do të jetë dhuratë e çmuar.
Duro, sepse ke kaq shumë dashuri dhe gëzim që po të presin t'i përjetosh.

Duro, sepse jeta është e çmuar, edhe pse ajo mund të sjellë humbje të tmerrshme dhe të padurueshme.
Duro, sepse ka shumë gjëra që nuk mund t’i mendosh tani, të cilat po presin t’i përjetosh më vonë në udhëtimin tënd-një mission që vetëm ti mund ta përmbushësh.
Duro, edhe pse je i rraskapitur dhe s’ke pikë fuqie të qëndrosh në këmbë, dhe ajo që ke nevojë më shumë është ta largosh nga mendja ndonjëherë problemin që ke, megjithatë duro. Të lutem, duro.
Dhe ndërsa ecën përpara, drita, drita në fund të tunelit të errët që për kaq shumë kohë nuk dukej, si përfundim ti do të fillosh të ndiesh ngrohtësinë e saj. Dhe ti duhet të ecësh përpara që të kapërcesh ferrin e të kujtuarit, dëshpërimit, zemërimit, dhe hidhërimit.
Të lutem, vazhdo me shpresë. Nëse ke nevojë, shlodhu; dysho nëse e ke aftësinë për t’i mbijetuar udhëtimit, por mos i lësho kurrë litarët e drejtimit, mos u dorëzo, sepse edhe kur mbyll gishtërinjtë e duart e tua ndihen bosh, ata janë atje, të lutem më beso, litarët janë atje.
Kur je shumë i lodhur, i rraskapitur, kur gjithçka që mund të shikosh te vetja është një besim i dobët dhe i pafuqishëm, duro.
Kur mendon që ëshë më mirë të vdesësh, duro derisa të kuptosh që ajo që po kërkon nuk është vdekja, por ti po kërkon që të të largohet dhimbja.
Duro, sepse kjo errësirë është e sigurt që do të largohet. Duro. Të lutem, duro!

 Tammie Byram Fowles, LISW, Ph.D



No comments:

Post a Comment